Neper shpellat sekrete te Karaburunit

Neper shpellat sekrete te Karaburunit
Aty ku piratët fshihnin mallrat e plaçkitura nëpër betejat e detërave

Nëse dëshironi të mbytni në valët e detit realitetin lodhës dhe të ndiheni të çliruar nga komplikacionet e teknologjisë, ka një vend perfekt ku ju mund të kuptoni se sa e bukur është bota pa dorën e njeriut. Plazhi sekret i Karaburunit. I paprekur nga dora e njeriut, i pa ndotur nga tymi i makinave dhe i pambytur nga betoni, është një labirinth ku eksplorimi është misterioz, por dhe i rrezikshëm. Ky gadishull ndan gjirin detar të Vlorës nga Kanali i Otrantos dhe ka një gjatësi prej rreth 15 km.Nëse nuk doni të stepeni nga mungesa e rrugës për të vajtur deri në Karaburun, plazhet e tij të mahnitshme mund t'i shijoni duke kërkuar transport një-ditor me varkë ose motorë uji. Nisjen mund ta bëni nga cilado pjesë e bregdetit të Radhimës ose Orikumit, portit të Vlorës ose portit të vogël të jahteve që është ngritur në Orikum. Operatorët turistikë të zonës së Vlorës ju ofrojnë ture ditore ku ju mund të merrni me vete gjithçka, ashtu siç mund të bëni kur niseni zakonisht për në piknik. Hotelet e njohura përballë gadishullit ju ofrojnë jo vetëm ekskursione dhe guida, por mund t'ju shoqërojnë deri në Karaburun, apo të vijnë dhe t’ju marrin në një orë të caktuar më parë nga ju. Alberti është njëri prej personave që e bën këtë punë thuajse çdo ditë.

Karaburuni i rrethuar me ushtarë, turistët në pritje

E vetmja mënyrë për të eksploruar shpellat sekrete të Karaburunit, është përmes detit, pasi rruga tokësore “mbahet peng” nga një postbllok ushtarak, çështje e cila ka hapur një konflikt të madh. Spostimi i postbllokut, me qëllim që të krijohet mundësia për të kaluar lirshëm në Parkun Arkeologjik të Orikut apo gadishullin e Karaburunit, sipas banorëve të Dukatit, është një element që privon pa të drejtë banorët dhe turistët nga mrekullitë natyrore. “Turistët habiten, mor vëlla, kur mësojnë se për të shkuar në një park arkeologjik dhe për të bërë plazh në një gadishull, duhet të kalosh përmes një zone ushtarake. Keni kërkuar kaq herë për spostimin e këtij postblloku. E vetmja përgjigje që kemi marrë ka qenë neglizhenca e institucioneve. Kërkesat kanë rënë në vesh të shurdhët. Dhe thonë pastaj që ne nga Dukati kundërshtojmë shtetin... Po shteti ç’mund të thotë kur nuk na përgjigjet ne për asnjë gjë?” shprehet Vasil Bedini, një prej banorëve të zonës, që shpesh shoqëron grupe turistësh.

“Nga deti e kemi të pamundur për t'i shoqëruar vizitorët për në Gadishull për shkak të moratoriumit, por, të paktën nga toka, shteti duhet të marrë masa sa më parë. Spostimi i këtij postblloku ka qenë edhe një prej kërkesave kryesore të banorëve të Dukatit. Në fakt, i gjithë Gadishulli i Karaburunit po qëndron jofunksional pa të drejtë, kur ekzistojnë të gjitha mundësitë që ai të ishte vënë në funksion të turizmit”, vijon më tej Vasili. Të njëjtin mendim me Vasilin ndan dhe kandidati i Alenacës për të Ardhmen, për kryebashkiak i Orikumit, Gëzim Çapo. Ai shprehet: “Kjo është një zonë që mbahet peng për interesa të caktuara, që nuk kanë asnjë vlerë ushtarake. As shkolla e Marinës nuk është funksionale, prandaj nuk ka pse të rrijë i bllokuar gjithë ky plazh i mrekullueshëm më rërë (gjë që Orikumit i mungon), pos as Parku Arkeologjik. Unë e njoh mirë zonën, dhe zhvendosja e postbllokut deri tek porta e Ndërmarrjes, afër zonës ushtarakë, është zgjidhje shumë e thjeshtë. Unë premtoj se menjëherë pas marrjes së detyrës, përmes një studimi me specialistë dhe në konsultim të gjerë me komunitetin, do të zhbllokojmë hyrjen në këto vlera turistike të mbajtura peng pa asnjë motiv.”

Vizitorë të shumtë shqiptarë dhe të huaj kërkojnë ta vizitojnë këtë zonë nisur nga informacionet e marra në internet. Për operatorët turistikë, nuk është thjesht e rëndësishme, por edhe jetike. Incidenti i fundit ndodhi me rreth 50 turistë çekë, të cilët kanë ardhur këto ditë enkas që të vizitojnë Parkun Arkeologjik të Orikut. Pasi kanë pritur për më shumë se 1 orë për të hyrë, roja ushtarake i ktheu përgjigje guidës se nuk mund ta vizitojnë parkun. “Jemi të bindur që ata nuk kthehen më në këtë pikë dhe këtë do t'ua thonë edhe të tjerëve. Në këtë mes nuk humbet vetëm biznesi i zonës, por edhe të gjithë operatorët turistikë dhe turizmi ynë kombëtar”, tregon Vasil Bedini i irrituar.

Shpellat sekrete të Karaburunit

Motorët e ujit përpijnë detin duke lënë mbas gjurmën e shkumës së bardhë të ujit. Duke braktisur pallatet dhe hotelet shumëkatëshe, lokalet dhe restorantet e zhurmshme, fitojmë një copëz jetë të pastër nga mëkatet njerëzore. Asnjë grimcë betoni, asnjë mbetje, asnjë tingull, asnjë prerje, asnjë gërryerje.... asgjë që mund të vërtetojë ekzistencën e njeriut në pjesën më perëndimore të Shqipërisë. Dukuria e Karstit ka bërë që në gadishull të ketë shumë shpella. Janë gjithsej 20 të tilla përgjatë gjithë vijës bregdetare dhe Alberi, drejtuesi i motorit, na afron drejt pjesës shkëmbore të gadishullit. “Në gjithë bregun perëndimor të Karaburunit gjen shumë shpella, po më të dëgjuarat janë shpella e Haxhi Aliut, e Dukë Gjonit, shpella pranë gjirit të Ariut, Shpella e Pëllumbave, shpella e Inglizit, Shpella e Thellë, e plot të tjera”, tregon Alberti duke na orientuar me gishtin e tij tregues përgjatë gjithë bregut perëndimor të gadishullit. Sipas tij, shpella më e madhe dhe më e famshmja është ajo e Haxhi Aliut, një nga më të mëdhatë në Shqipëri. Motori ynë hyn në brendësi të saj ngadalë, poshtë një shkëmbi me që ka formën e një kulmi me lartësi 60 m. Errësira na pengon të ecim më tej, prandaj Alberti ndez dy elektrikë të mëdhenj dore që i ka marrë me vete që në fillim të udhëtimit. Shpella ujore ka një thellës prej 40 metrash, dhe nëpër muret e lagështa vihen re shenja bloze dhe gjurmë zjarresh.

Ky objekt natyror, sipas gjeografëve vlonjatë, është shpella më e madhe detare e vendit, me xhepa të shumtë brenda saj. Për eksploruesit e natyrës, në Gadishullin e Karaburunit, ndodhet Shpella e Haxhi Alisë, detarit të njohur të Mesjetës së Vonë, i cili kishte ngritur në këtë shpellë portin për flotën e tij. Ndodhet në Karaburun, midis kepave të Gjuhëzës dhe Golovecit.Sipas legjendës, Shpella dikur është përdorur nga Pirati i njohur i shekullit të XVII-të Haxhi Aliu. Këtu ai strehohej së bashku me anijen dhe njerëzit e tij. Pozicioni i favorshëm i Karaburunit i ofronte këtij pirati mundësinë e plaçkitjes së anijeve napolitane, turke, veneciane, dalmate, etj. Pasi u vra nga venecianët Haxhi Aliu u varros së bashku me të birin në Sazan. Por varret e tyre nuk janë gjendur asnjëherë. Pleqtë tregojnë se Haxhi Aliu ishte një hero deti, ujk i gjallë, që nuk i trembej as kohës së keqe, as përleshjeve me piratët e shumtë, çfarë kishte në kohën e tij nëpër Mesdhe. Thanasi, një prej burrave më të moshuar të zonës, tregon se legjenda e kishe zmadhuar çdo veprim dhe trimëri të tij.

"Deti ishte shtëpi a ime-thotë Haxhi Aliu. Pragu i kësaj shtëpie është toka. Dallgët e detit i kam jastëk për kokë, ato do t`jenë dhe guri i varrit tim". Xha Thanasi nga tregon një legjendë tjetër që tregohet për këtë ujk të detit. Një pirat turk me origjinë algjeriane nga Afrika i dërgon një letër Haxhi Aliut. "Arrnaut, hiqmu nga sytë, hiqmu nga udhët e detit! Unë jam më i fortë se ti. Përndryshe, do t’a rrjep lëkurën tënde dhe do ta bëj pergamen për të shkruar në te syret e kuranit. " Me të marrë letrën Haxhiu ju përgjigj kështu: ..."Kafkën tënde unë do ta bëj kokë për çibukun tim. " Dhe u nis Haxhi Aliu, ngriti velat dhe u ndesh me piratin turk, u hodh në anijen e tij dhe ia vrau çdokënd që i doli përpara. Piratin, që ia kërkonte lëkurën e zuri të gjallë, ia preu veshin me gjithë vath; pastaj atë vath ia nguli në hundë dhe ashtu e tërhiqte zvarrë nëpër kuvertë të anijes.

Një tjetër shpellë e Karaburunit është edhe ajo e quajtur e Inglizit. Gjatë viteve të Luftës së II-të Botërore kur SOE, Drejtoria e Operacioneve të Posaçme me qendër në Kajro, krijoi një bazë detare për misionet e saj që vepronin në Shqipëri për të mbështetur rezistencën antifashiste. “Inglez” është shqiptimi që dukatasit e asaj kohe i bënë fjalës “Anglez”, dhe prej asaj kohe shpella mban këtë emër. “Ato kohë, burrat e krahinës, afroheshin tek kjo guvë e zezë për të rrëmbyer ndonjë rrobë, apo ushqim. Më shumë merrnin plasmas, që e bënin çobanët pelerinë për shi, apo një lloj sheqeri të verdhë, shumë të shijshëm, që tek ne nuk njihej deri në atë kohë,” tregon Alberti, që e drejton motorin e ujit nga një shpellë në tjetrën.
Resurset natyrore
Peizazhi natyror i Karaburunit është një pastërti mahnitëse e papërshkrueshme. Bregdeti tepër i thyer, lëndinat e vogla që zbresin deri poshtë, afër vijës së ujit, gjiret e shumta dhe të fshehura, plazhet e virgjëra, janë disa prej elementëve, që pothuajse nuk i gjen askund tjetër në bregdetin shqiptar. Gadishulli formon një hark të madh e të butë, që i përngjason gishtit të madh të dorës, të shtrirë. Në skajin veriperëndimor të Karaburunit (në turqisht gjuha e zezë), ndodhet Kepi i Gjuhëzës, pika më perëndimore e Shqipërisë. Pjesa perëndimore është shkëmbore dhe e copëzuar vertikalisht, me shpella të çara, gjire e plazhe të vegjël. Alketi na zbulon disa plazhe të vegjël, si ai i Dafinës, bregu i Bitrit, shpella e Panaisë, etj, ku ai lë zakonisht turistët që dëshirojnë të pushojnë në privatësi të plotë. Masivi i Karaburunit, në tërësi, është i varfër në bimësi, por i pasur në kullota. Në pjesën më të ulët dhe më të ngushtë të tij, ndodhet pllaja e Ravenës, një qendër blegtorale e njohur në Jug të vendit, që shfrytëzohet nga banorët e fshatit Dukat për mbarështimin e të imtave.

Nga pikëpamja gjeologjike, masivi i Karaburunit është i përbërë nga gëlqerorë të periudhës së paleogjenit, të cilët janë shfrytëzuar që në lashtësi për prodhimin e mermerit. Cilësia e këtij produkti dallon nga ai i zonave të tjera të Shqipërisë. Mungesa e bimësisë dhe e ujërave sipërfaqësore e kanë bërë gadishullin të pabanueshëm.

Banorët nënujorë

Ata që duan të shtyhen më shumë në aventurë mund të guxojnë të zhyten dhe poshtë detit i pret të botë tjetër ku banorë janë koralet, peshqit, një botë nënujore nga më të pasurat e gjithë bregdetit të Shqipërisë. Barriera koralore e Grykës së Djallit është një habitat koralor, midis Sazanit dhe Karaburunit, në thellësi rreth 10 m. Ata që duan të shtyhen më shumë në aventurë mund të guxojnë të zhyten dhe poshtë detit i pret të botë tjetër ku banorë janë koralet, peshqit, një botë nënujore nga më të pasurat e gjithë bregdetit të Shqipërisë. Pa dyshim që për pajisjet dhe instruksionet për zhytje duhet t'i keni marrë masat paraprakisht. Por nëse nuk doni t'i futeni aventurës së zhytjes, botën e mrekullueshme nënujore mund ta soditni edhe me pajisje të thjeshta si syze uji, tub zhytës etj. Në këtë drejtim mund t'ju ndihmojë edhe shoqata e zhytësve profesionistë "Ekspedita BLU", e cila na ka ofruar edhe një prej fotove për reportazhin tonë.

Histori jo vetëm piratësh, por dhe perandorësh.....

Në skajin veriperëndimor të gadishullit, në kepin e Gjuhëzës, nuk ndodhet vetëm shpella e Haxhi Alisë, por edhe shpella e Gramës, brenda të cilës janë zbuluar mbishkrime të shumta, që përkojnë me periudha të ndryshme të historisë. Gjiri i vogël i Gramës, që ndodhet në pjesën perëndimore të Karaburunit, është një nga surprizat më të veçanta të gadishullit, në pikëpamjen historike. Sipas historianëve, ky vend ka shërbyer që në lashtësi si vendpushimi për anijet. Në muret e shumta të gjirit konstatohen fare lehtë shumë shkrime të gdhendura nga marinarët, përmes të cilave shprehet mirënjohja ndaj Poseidonit, perëndisë së detit. Shkrimet e para i përkasin shekullit IV para Krishtit. Në shkrimet latine, që përkojnë me shekullin I pas Krishtit, gjenden emrat e Mark Antonit e të Pompeut, si dhe vizatime të ndryshme, mes të cilave anije, kryqe, spiranca, mburoja, etj.

Në këtë gji, ndodhet dhe shpella që mban të njëjtin emër, në muret shkëmbore të së cilës dallohen vizatime e shkrime, ku shprehen falenderime për bujarinë e mikpritjen.Nëse nuk kënaqeni thjesht me detin dhe diellin, mund të zgjeroni argëtimin tuaj me kulturë. Gjiri dhe Shpella e Gramës futen disa qindra metra në tokë, me brigje shkëmbore, me faleza, ndoshta dhe me shpella nënujore. Alberti dhe Xha Thanasi tregojnë se është përdorur si vendstrehim i anijeve gjatë furtunave. Këtu ndodhet gurorja e Gramës, ku në antikitet, skllevërit kanë gdhendur emrat dhe shënime të tjera, që përbëjnë mesazhe të rëndësishme për studiuesit. Gjiri më i famshëm i Gramës (Gramatë), që në greqisht do të thotë "shkrime" ndodhet në pjesën perëndimore të Karaburunit. Qysh në periudhën antike këtu ankoroheshin anijet,të cilat dallgët e detit mund ti përplasnin në shkëmbinjtë e gadishullit. Të strehuar këtu udhëtarë të shumtë nga vende të ndryshme të Mesdheut kanë lënë shënimet e tyre, të cilat i kanë gdhendur në faqet e shkëmbinjve.

 Mbishkrimet më të vjetra nisin që nga shekulli i III-të p.k., dhe vazhdojnë gjatë periudhave të mëvonshme, duke shkuar deri në shekullin e XIX. Mbishkrimet e para ju kushtohen perëndive dhe janë lutje për shpëtim nga furtuna në det. Xha Thanasi veçon si më interesant një mbishkrim i vitit 1396, i cili tregon se gjatë udhëtimit të tij për në Francë u strehua nga stuhia në Gramata, vetë Perandori Bizantin Joani i V-të Paleolog. “Mbishkrimet janë në gjuhën e vjetër greke, latine dhe Bizantine.

Në shumë vende, afër shkrimeve ka dhe vizatime, e shenja simbolike, që nuk kuptohen nga vizitorë të zakontë,” shprehet xha Thanasi. Studimi i mbishkrimeve të Gramatës ka tërhequr vëmendjen e studiuesve. Nga arkeologë e historianë mund të përmendim Leon Hezein, Paolo Sestierin, Karl Paçin, Hamondin, etj. Ndërkohë që ishte i pari humanisti Italian, Kiriaku i Ankonës i cili u befasua me mbishkrimet e Gramatës, pas vizitës që bëri këtu në vitin 1435. Gjatë eksplorimit të tij arkeologjik, të bërë në Shqipëri, ai la në shënimet e tij punimet e para të mirëfillta të kësaj disipline shkencore.

Një ditë e tërë e kaluar krejtësisht të shkëputur nga bota, ku shoqëri ju bëjnë vetëm dielli, deti, zhurma e valëve që përplasen në shkëmbinj apo shushurima që takon rërën e ashpër e të bardhë ku thyhen rrezet e diellit. Pyetje vetvetes: A vlen vërtet kaq shumë revolucioni teknologjik?

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama