Ne skenen e TK-se duhet lexuar vetem dramat qe vlejne

Ne skenen e TK-se duhet lexuar vetem dramat qe vlejne

Netët e Leximit të Dramës Shqipe 2 në Teatrin Kombëtar përfunduan dje. Rreth 10 drama shqipe u përzgjodhën nga 25 vepra, dhe nën bashkëpunimin e dramaturgëve me regjisorët u vendosën gjatë një muaj në skenë. Një risi e re për teatrin tonë, por që ndihmon sadopak në përditësimin e vlerave që kanë dramat shqipe, ashtu sikurse demonstron edhe mangësitë e tyre. Këto pjesë nuk do të jenë të gjitha pjesë e repertorit të ardhshëm të Teatrit Kombëtar, por megjithatë numri i lexuar nga aktorët në skenën e teatrit, sipas dramaturgut Ferdinand Hysi, është i tepërt. Ai është i mendimit se në TK duhet të lexohen vetëm pjesët cilësore.

“Faza e parë e leximit të dramës në tryezë të rrumbullakët ishte diçka që është përmirësuar për mirë, por ka vend edhe për të përsosur më shumë, për ta çuar në nivelin që duhet të jetë, edhe jo në atë që është”, thotë Hysi. Një tjetër shqetësim për dramaturgun Hysi mbetet edhe publiku i dramës. Sipas tij, drama shqipe duhet që të orientohet më tepër te njerëzit që kanë interes për të, por për këtë nevojitet mbështetje. “Drejtorët e teatrove e kanë bërë punën e tyre, ndërsa institucionet e tjera përgjegjëse duhet të ndihmojnë në përmirësimin e kësaj çështjeje, nuk duhet lënë me kaq”.

Pas një selektimi të bërë, për këtë sezon u përzgjodhën që të vihen në skenë vetëm 10 drama, por dramaturgu Ferdinand Hysi mendon se duhet bërë një përzgjedhje më e thellë për pjesët që lexohen. Ndërsa për hapësirën që aktorët kanë për të interpretuar dramat shqipe, mendon se duhet që të ketë më tepër hapësirë. “Duhet më tepër hapësirë për vënien në skenë të dramës shqipe, por fillimisht duhet që të bëhet një përzgjedhje më selektive. Ndonëse unë jam i favorizuar, sepse deri më tani pjesë të miat janë përzgjedhur, por mendoj se drama duhet që të jetë në një nivel të lartë, jo çdo gjë duhet lexuar”. Sipas Hysit, nëse konkurrojnë në skenë 40 pjesë, mjafton që të lexohen vetëm 2 apo 3 më të mirat. Përpos kësaj ai shton dhe se, jo domosdoshmërisht një pjesë që i përshtatet Teatrit Kombëtar mund të vihet në skenat teatrore të rretheve.

“Është mirë që drama të mbrohet nga ata që janë regjisorë dhe që kanë mundësi ta vënë shumë mirë në skenë, kështu edhe dramaturgu mbetet i kënaqur. Por unë mendoj se nuk duhet përzgjedhur, sa për të thënë, dhjetë drama për në Netët e Leximit të Dramës Shqipe, por vetëm aq sa vlejnë”. Por ka edhe kritikë që mendojnë se këto drama edhe pse mendohen se mund të jenë ndër më të realizuarat në dramat shqipe, jo domosdoshmërisht duhet të jenë pjesë e repertorit të TK-së, por ato mund të vijnë vetëm si paraqitje tekstesh. Kritiku i artit, Josif Papagjoni, u ka bërë thirrje institucioneve që i shërbejnë teatrit, që kjo nismë të mbështetet me një fond. “Për mendimin tim që të jenë të ftuar njerëzit, që mbajnë teatrin dhe që i shërbejnë teatrit, duhet një fond. 40 veta që dëgjojnë leximin e tyre, ndoshta nuk kanë fuqi dhe pushtet, janë gati spektatorë të këtyre pjesëve. Prandaj duhen njerëz që janë të lidhur me teatrin.

Kjo për mendimin tim është një e metë, që duhet rikonceptuar”, është shprehur ai. Vepra e fundit që u prezantua dje është “Koha fajtore”, një komedi dramatike, e shkruar nga Ruzhdi Pulaha. Dramaturgu ka përfshirë në këtë pjesë dy kohë, atë të komunizmit, vitet ’80 dhe demokracinë, pas viteve ’90. Thelbi i veprës është që njeriu, si në kohën e komunizmit dhe sot, bën fajtore kohën, ndërkohë që fajtorë janë vetë njerëzit. Drama shqipe për shumë vjet ka qenë larg vëmendjes, dhe hapësira për t’u vënë në skenë duhet që të jetë më e madhe. Por sa tërheq ajo? Sa bindshëm vjen te publiku? A do të zënë vend në repertorin e ardhshëm të Teatrit Kombëtar, kjo do të vërtetohet nëse do të vijojnë të ngjiten sërish në skenë pjesët e vëna nga Netët e Leximit të Dramës Shqipe 1. Rëndësi ka që përpjekjet e para po bëhen, dhe publikut po i përcillen mesazhe nëpërmjet ngjarjeve, të cilat jo rrallëherë trajtojnë tema dramatike të shoqërisë shqiptare.

Dramat që u lexuan në TK

Para një muaj nisi faza e tretë e aktivitetit "Netët e Leximit të Dramës Shqipe 2", ku veprat e përzgjedhura nga Komisioni i Leximit të Dramës Shqipe iu nënshtruan sistemit të leximit publik nga aktorë profesionistë të TK-së. Ky është viti i dytë radhazi, që teatri i leximit publik, i njohur dhe shumë i përhapur në të gjithë botën, aplikohet edhe në edicionin e dytë të aktivitetit "Netët e Leximit të Dramës Shqipe 2".


Dramat që janë lexuar janë: “Kompleksi i Edipit” nga dramaturgu Ferdinand Hysi, "Nyjat" nga Refet Abazi, "Toka ime" e Ylldije Sulkas, "Sokaku i të marrëve" i Kiço Blushit, "Made in Albania" i Stefan Çapalikut, “Askushi”, me dramaturg Bashkim Hoxhën, "Zonë e kamufluar" e Jani Durit, janë kuruar nga regjisorja Elma Doresi. Ndërsa vepra “Mallkimi” e Josif Papagjonit është kuruar nga Spiro Duni dhe “Vajza e gjeneralit" nga Bashkim Kozeli u kurua nga Mihal Luarasi. Vepra e fundit që u prezantua në skenë ishte "Koha fajtore" e dramaturgut Ruzhdi Pulaha, që u kurua nga Alfred Trebicka.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama