Ne laboratorin shqiperues te Lasgushit

Në laboratorin shqipërues të Lasgushit

Pas botimit të “Lirikave”, pritet të dalin edhe poemat “Gjermania, një përrallë dimri” dhe “Atta Troll”. Janë përkthime që Poradeci i ka realizuar gjatë kohës që punonte në ndërmarrjen e botimit “Naim Frashëri”. Mbajnë datën 1954-1957. “Mehmet Gëzhilli i gjeti dorëshkrimet e këtyre përkthimeve, diku të hedhura, kur u shkatërrua ndërmarrja e botimit dhe i mori për t’i botuar”, - thotë Marija, teksa shton se më pas ai ua njohu atyre (të bijave) të drejtën e autorit dhe lidhi kontratë. Kështu këto shqipërime, siç i quan vetë poeti (“Lirika të zgjedhura / shqipërim isometrik prej Lasgush Poradeci”) shohin dritën e botimit për të dytën herë.

Vepra në shqip e Hajnes, këngë, poezi, romanca, balada, satira, poema, janë në fletoret e Lagushit. Dorëshkrimet e gjetura nga Gëzhilli, janë kopja që poeti kishte dërguar në Ndërmarrjen e botimit, ndërsa origjinalet Maria i ruan me fanatizëm. Aty është e gjithë jeta e të atit. Mjaft t’i shfletosh ato për të kuptuar se sa me seriozitet punonte mjeshtri. Sot është e vështirë të gjesh njerëz që punojnë kështu.

Jo sepse në lojë ka hyrë kompjuteri, me të cilin mund të shkruash e fshish, pa pasur nevojën e bojës, pa shkarravitur e korrigjuar mbi fjalë. Por sepse ndoshta askush nuk e lëmon fjalën si ai. Një fletë mban shumë orë mundim dhe teksa i shfleton ke frikë se mund të dëmtosh një copëz historie, apo se mos poeti të “shikon” i vrenjtur nga qetësitë parajsore.

“Nëse Lasgushi do të kishte parë mbesat, apo stërmbesat e tij të interesoheshin për përkthimin dhe poezinë, do të ishte lumturuar, sepse kjo do të thotë që ke fituar përjetësinë, që jeton”, - thotë Maria.

Mbi kapakun e çdo njërës fletore është shkruar përmbajtja, numri i vargjeve, data në të cilën ka filluar e ka mbaruar, apo diçka që nuk kupton. Në kapakun e fletores ku ka përkthyer një pjesë të poemës “Atta Troll – Ëndërr e një nate vere”/ mars 1955, shkruan “mbi që do e vrasin Atta Trollin, apo e vranë Atta Trollin. Pyet Çabeun”.

Duke zbuluar jo vetëm seriozitetin dhe skrupulozitetin që kishte në punë, por edhe bashkëpunimin dhe miqësinë me gjuhëtarin Eqerem Çabej, me të cilin ka një korrespondencë shumë të pasur dhe shumë të afërt.

Një tjetër personalitet me të cilin Lasgushi pati një korrespondencë të gjatë, është Mitrush Kuteli. Një letërkëmbim prej 100 letrash, ku sipas të bijës zbulohet gjithë qëndrimi filozofik dhe estetik i dy figurave. Ky koleksion i rrallë është paraqitur për botim pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e cila ende nuk ka dhënë konfirmimin për një mbështetje të mundshme financiare.

Në brendësi fletët e fletoreve janë të mbushura tej e tej. Shkrimi i rregullt dhe i sigurt, jo rrallë herë mbulohet nga korrigjimet. Kush e di se sa herë duhet t’i jetë kthyer vargut mjeshtri, teksa sheh korrigjimet e shumta mbi fletë.
 
Megjithë njohjen e përkryer të gjermanishtes, ai kërkonte kulmin, ndaj dhe i kthehej vargut vazhdimisht. “Ai thoshte: Unë nuk e di gjermanishten, unë e sundoj”, - kujton Maria. Dhe ishte punë me normë. Tre vjet punë. E kryer kryesisht natën, kur mjeshtri gjente ca më tepër qetësi. Për këtë punë merrte vetëm 540 lekë në muaj. “Jeta përballohej me vështirësi. Babai kërkonte edhe punë shtesë, por asnjëherë nuk ia jepnin.

Tejkalime merrnin vetëm të “zgjedhurit”, Sotir Caci, Vedat Kokona”,- vazhdon e bija. Por duket se kohët nuk kanë ndryshuar shumë. Edhe sot pagesat janë po aq qesharake. Për botimin e parë, autori merr 10% të çmimit të librit, ndërsa për botimet e tjera, çmimi përgjysmohet. Nëpër fletët e fletoreve ka edhe llogari. Shqipëruesi mbledh e zbret numra vargjesh. Gjithçka duhet raportuar.

Bashkëngjitur me fletoret e përkthimeve Maria ruan edhe raportet që Lasgushi i bënte ndërmarrjes së botimit, mbi punën e kryer. Fatura pagesash dhe plane pune. Si në çdo fushë tjetër, edhe në përkthim punohej me plane 5-vjeçare. Me vetë dorën e tij poeti ka hartuar një syresh. “Plani 5-vjeçar i përkthimit artistik. Viti I, viti 1954”. Më tej vijon subjekti dhe tituj veprash. Ishin plot 51 poezi që të llogaritura në vargje, ishin plot 1200.

Pas shqipërimit të Hajnes, Lasgushi përktheu Gëten, por duket se poeti gjerman i shkonte më për shtat.

“Gëtja është i madh, kurse Heine është i ëmbël”, - thoshte ai dikur. E donte Heinen sepse ndoshta aty gjente edhe veten. “Një tjetër botonjës do më kish / Lënë të vdes për të ngrënë / Po ky më jep bile të pi / Askurr s’e kam për të lënë”. Është një nga strofat e Këngës XXIII të poemës “Gjermania, përrallë dimri”, të përfunduar në vitin 1957. Përkthimin e vazhdoi me Pushkinin, Lermontovin, për të cilët iu desh ta mësonte gjuhën ruse.

Por çka të mahnit është shqipja. “Lasgushi mbahet si mjeshtër i shqipes, por babai nuk bëri asnjë orë gjuhë shqipe”, - thotë Maria, teksa sqaron se Lasgushi lindi në vilajetin turk të Ohrit, kreu shkollën rumune në Manastir nga viti 1909-1916, pastaj shkoi në Greqi, ku vazhdoi shkollën greke e më tej Liceun francez. Vijoi studimet në Rumani e më tej në Austri. Një rast i rrallë, një dëshmi për dashurinë për gjuhën. Pas botimit të “Eugjen Onjeginit” të Pushkinit dhe “Lirikave të zgjedhura” të Hajnes, shtëpia botuese “Argeta LMG” do të vijojë me botimin e poezive të Gëtes, poezive rumune dhe doktoraturës së Lasgushit mbi Emineskun.

Psyke

Llampëzën në njërën dorë

Zjarr të math në kraharor

Futet Psykeja në shtratin

E të hijëshmit amor

(Tiranë, e diel, 23.12.1956, ora 3.30 pas mesdite)

Ti ke diamande dhe perla

Dashuroj pa u dashuruar!

Diell e hën’e yje qeshin,

Qesh dhe unë- dyke vdekur
 
Alma Mile : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama