Ne kerkim te paraardhesit

Në kërkim të paraardhësit

Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës

x yMë shumë se 7 miliardë njerëz jetojnë në këtë planet – të gjithë anëtarë të një lloji të vetëm që filloi në një vend dhe emigroi në të gjithë botën dhjetëra mijëra vjet më parë.

Por edhe pse të gjithë njerëzit i gjejne gjurmet e familjes në pak paraardhës të përbashkët, shkencëtarët ende nuk e dinë saktësisht kur dhe si këta paraardhës filluan të krijojnë këtë shumë-llojshmëri (diversitet) kaq të madh të popullsisë së sotme.

Një studim i ri, bazuar në analiza të avancuara të ADN-së nga e gjithë bota, hedh dritë të re mbi këtë mister. Duke studiuar sekuencën e ADN-së të kromozomeve Y të meshkujve, shkencëtarët kanë përcaktuar se paraardhësi mashkull më i fundit apo më i largë i tyre (MRCA) ka jetuar diku mes 120.000 dhe 156.000 vjet më parë.

Kjo është hera e parë që prejardhja e njeriut ndiqet përmes linjës mashkullore nëpërmjet sekuencës së ADN-së të kromozomeve Y.

Të dhënat e studimit të ri pajtohen me ato të mëparshmet të MRCA-së femër, që kanë treguar se paraardhësja më e fundit e përbashkët e femrës ka jetuar mes 99.000 dhe 148.000 vjet më parë.

Studimi i kryer nga një grup shkencëtarësh nga universiteti Stanford, universiteti i Miçiganit dhe universiteti Stone Brook, u botua në revistën Science.

Ekipi shpreson që puna e tyre do të çojë në kërkime të mëtejshme mbi kromozomet Y si mjete për të studiuar historinë njerëzore – dhe për ndjekjen e linjës së meshkujve deri tek pararadhësi i vetëm, “Adami”.

Pajtimi i kohës së ekzistencës së “Adamit” dhe “Evës”, megjithatë, mund të jetë implikimi më i rëndësishëm i studimit të ri. Të dhënat nga studime të mëparëshme kanë treguar se paraardhësi mashkull ka jetuar në kohë më të afërt sesa paraardhësja femër. Por studimi i ri tregon se nuk ka ndonjë mospërputhje në kohë.



http://astritlulushi.wordpress.com/2013/08/02/ne-kerkim-te-paraardhesit/

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama