Ne Valbone ku Prehet Jezerca

Në Valbonë, ku Prehet Jezerca

Mjegulla e mbështjell nga herët monumentin e Bajram Currit. I sheh të mbledhur qytetarët, por shumë syresh, kur kalojnë
ndanë tij, instiktivisht i tregojnë gjoksin e hapur. Lenë gjithçka hapur dhe pasi e përshkojnë hapësirën e vogël, ku i ruan Baca, duken gati për ditën e re. E, i vetëm, heroi nuk trandet. Nga lartësia që është ka ngulur pëllëmbën në përjetësi, miraton -për t’u thënë, që këtu do të jenë sërish. “A ke mujt?! Tan mirë”. E përzier një gegnishte e butë me një shqipe standarde, është shenja e parë, që qyteti ka gdhirë mirë. Do të jetë mirë, apo keq, në këtë vend gjërat pak ndryshojnë. “U kem mësu me t’tana. A doni me nejt gat”, janë fjalitë e para që shkëmbejmë mes të njohurish.

Republika e Tropojës
Petriti me Agronin, dy tridhjetëvjeçarë qytetas intelektualë, e kanë njësoj. Petriti është drejtori i ri i spitalit të qytetit dhe më shpjegon vazhdimisht me një vitalitet jo të zakonshëm njëkohësisht histori-kronikë-sociale. Një mik i tij i afërt, Agroni, një inxhinier i ri elektrik, që punon në Fierzë e dëgjon, por rri i tërhequr dhe është bujar në të gjithë qenien e tij. Njësoj si gjithë tropojanët e kohës. Bujaria është nga të paktat gjëra, që nuk do e braktisë kurrë Tropojën.... Kanë gjetur paqe në këtë vend. E jo vetëm se është vendi i tyre, por edhe se Tropoja ka tingull tjetër... për ta. Janë nga fisi i Krasniqëve. Përtej janë kelmendasit... e përtej... U shmang patetizmat, por banorët gjithsesi nuk mund të rrojnë pa to. Ende janë prezent mustaqet e lëshuara poshtë, që mua më kujtojnë syresh në Mal të Zi dhe në kronikat e kohës... vetë Knjaz Nikollën. Ka mbaruar seriali i frikshëm i vrasjeve, ndërsa në gjithë qytetin shpresohet për një rilindje - pas ardhjes së Berishës, që zyrtarët e shprehin me pathos. Por, në dy rrugët e vetme të qytetit, pak ka ndryshuar gjendja, veçse një aksi të vogël me drita dhe kuptohet mallrave që vinë nga Kosova, me çmime më të lira se pjesa tjetër e Shqipërisë. Kanë bulmetin e tyre dhe shumë gjëra, kuptohet prodhime jo të tyre, por që ruajnë një shije të mrekullueshme. Shije që kontraston në spektrin e saj të errët me vdekjet. Kësaj “natura” të përhimtë i jep dritë një nga funksionarët e ri të Bashkisë. “Kanë qenë të gjithë vrasje të faturuara nga politika”, thotë duke aluduar drejtpërsëdrejti për socialistët. Njësoj dhe të tjerë shpresojnë se gjendja tash ka ndryshuar. Xhevdet Hoxha, nënkryetari i Bashkisë, mundohet të jetë konkret për gjërat që thotë, por gjithsesi i tërhequr. Në një zyrë të thjeshtë, në katin e tretë të Bashkisë, elementi më konkret në muret e zhveshur të tij, mbetet një kalendar me imazhet e sportit të Gjermanisë dhe kuptohet i kudogjenduri flamuri amerikan. Ky i fundit e rivalizon qetë patetizmin e banorëve. Ia blatojnë Klintonit, që bëri luftën e Kosovës dhe falë kësaj janë bashkuar sërish me pjesën e Malësisë së Gjakovës, që i përkasin nga natyra. Kaq. Nuk u duhet më. Sepse jeta është jetë. 65% e banorëve janë të papunë, ndërsa vazhdojnë e ikin: në 2000 ishin 10.813 në qytet; në 2002 ishin 10.315 dhe në 2004 vetëm 9.230 syresh. Në një almanak, që më jep zyrtari, shikoj dhe buxhetin, i cili gjithsesi nuk është se të premton shumë. Qeveritarët e rinj kanë rendur dhe i kanë mbushur me premtime vendasit për rrugën nga trageti; për rrugën e Dragobisë dhe deri në Valbonë etj. Ende asgjë e madhe. Ata që punojnë në qytet janë të lidhur më shumë me arsimin, shëndetësinë dhe pastaj Fierzën. Respektivisht 326, 231 dhe 161 njerëz... Të 1668 të punësuarit, ku gati gjysma janë femra, duket se nuk kanë mjaftuar që ta ndryshojnë shumë qytetin... Edhe pse kanë filluar të paguajnë më shumë bizneset e qytetit (tashmë niveli shkon 50%), falë një bashkëpunimi më të mirë me qendrën, gjërat pak kanë ndryshuar. Gjithsesi, kjo quhet mirë. Më parë, vetëm një e treta e bizneseve e shikonin të arsyeshme të paguanin. “Ne kemi realizuar disa projekte dhe ato janë në përfundim e sipër. Një projekt 7 milionë lekë; një projekt për kryqëzimin që lëvrohet nga KfV nëpërmjet Fondit të Zhvillimit dhe një tjetër për rrjetin e brendshëm të qytetit”, më sqaron Hoxha. Por, viti 1997 ka lënë barrën e tij në këtë vend, sepse nuk e ka marrë ende veten Muzeu, një nga institucionet më të formësuara dhe objekte të tjera social-kulturore dhe njerëzit. Për fat, janë rehabilituar pak të rinjtë. I shikoj se janë më shumë të interesuar për bastet, por edhe mënyrën sesi i shohin të jabanxhinjtë. Të flasin deri për ekipe të kategorive inferiore të huaja dhe baste, ndërsa klubet vazhdojnë të popullohen. 1600 nxënësit e qytetit nuk kanë probleme. Vishen thjesht, por dominon ngjyra e errët kudo. U intereson shumë celulari, shenjë e fluturimit që këtu. Një djalë bën mrekulli me celin tim dhe në fund ëallpaper-in ma lë me Shqiponjën Dykrenore. Qeshim në sy. Agron Zeneli, një nga mësuesit e histori-gjeografisë, i veshur shumë pastër dhe tepër zyrtarisht, më flet me pathos për qytetin sikur të jetë vetë mrekullia. E ka të vështirë të më shpjegojë se ku do i gjejnë më reliket e muzeut, një nga më të mirët në vend. Por këmbëngul: nuk ka raste gjakmarrje, nuk ka ngujime. Të paktën sipas zyrtarëve. “Këtu ka pasur eliminime të mëdha fizike nga persona të ndryshëm, ku strukturat shtetërore kanë qenë në dijeni për ato që kanë ndodhur gjatë viteve 1997-2000. Jo si rezultat i efiçensës të strukturave, por kryesisht nga vetëkontrolli i banorëve, gjërat janë qetësuar”, sqaron nënkryetari. Ndërsa e shikoj që më cyt për diçka. “Në anketimin e fundit të një shoqate nga USAID, shifra që u bënë publike në dhjetor... Tropoja për sa i përket korrupsionit ishte në nivelin më të ulët në krahasim me atë kombëtar dhe atë të qeverisjes…”. Po, për çfarë mund të bësh korrupsion këtu vallë?! Këtë nuk ma thotë. Ndofta me sasinë e lekëve që jepen për familjet në nevojë... Çuditërisht, nuk e gjej dot, në morinë e tabelave që ka almanaku sesa trajtohen me asistencë. Nuk e di. Por di mirë, ashtu si të gjithë, që vetëm emigracioni dhe largimi në vendet e tjera, mbetet një nga burimet kryesore dhe tropojanët veç zbritjes në Tiranë e Durrës dhe më pak në qytetet e tjera, kanë pak burime. Intelektualët qëndrestarë, në këtë vend, besojnë se po të ishin akset Sopot-Qafëmorinë, Sopot-Fierzë-Koman dhe Bajram Curri-Kukës... do të shërbente shumë më mirë për lidhjen e Shqipërisë me Ballkanin... Por, do të rritej shumë edhe impakti pozitiv, duke e shfrytëzuar luginën e Valbonës dhe luginën e lumit të Gashit dhe Alpet e Shqipërisë për turizëm, pse jo për energji etj... Sërish mbetem kur shikoj statistikat e qytetit. Për çdo vit ka rënie... sepse tropojanët ikin, kur të rinjtë luajnë me celularët....



Për turizmin
Ikin. Flasin për ikje. Të zakonshmit rrinë dhe shikojnë sesi të ardhurit shkojnë në Tropojë, sikur të shkojnë sërish në një vend të vështirë. Nga vera e këtij viti, diçka ka ndryshuar. Ka shumë të huaj, që vinë. Shumë më tepër se më parë. Në Bajram Curri tashmë kryefjala është turizëm familjar dhe e kanë shumë të thjeshtë..., sikur ta kenë pas dere. Ndërsa janë më të qetë dhe nga siguria. Në Almanakun e Bashkisë lexoj se sulmet e rënda janë 7 dhe ka vetëm 4 vrasje, gjë që përkthehet se është shumë mirë në këtë vend. Sinqerisht me infrastrukturën, që ofron turizmi malor, këtu duket si paradoks që të ketë zhvillim. “Jem ken vetë aty, por edhe kushtet tash për tash nuk të lajn për asgjë. Janë disa shoqata, që janë marrë me resurset e rrugës, “Shkodra” dhe “Gjakova Adriatik Alp”, dhe është më mirë që të bahen publike, paçka se është ende disi e vështirë. Këtë vit ka pasur shumë turistë nga të gjitha vendet e Botës. Kushtet janë shumë të mira. Kem pas njerëz dhe jem komuniku e priten që të vijnë nga Gjermania dhe Izraeli për të ndihmuar”. Po ashtu presin nga Zvicra, e cila ka tradita për turizmin malor dhe flet për binjakëzime. “Jemi binjakëzuar me Gjakovën, Prizrenin dhe Kokutën?”, më thotë kryetari i qeshur i Margegajt. Optimist, Rexh Byberi, një burrë 50-vjeçar, që hedh kandidaturën e tretë si kryetar i Margegajt dhe që ka bërë para pak vitesh dhe një shkollë të lartë në Gjakovë, shpreson, sepse ka potencial intelektual?! Ai më bën panoramimin e parë të Margegajt, komunës më veriore të Shqipërisë. Eshtë nip i të famshmit Haxhi Zeka dhe tepër krenar për këtë fakt. “Këtë vend e ka fal Zoti, sepse ka polimetale, ujëra dhe po të kishte investime do të hahej me rrugë floriri. Fati i mirë është që këtë vit rruga do të shtrohet me asfalt... Eshtë përfunduar projekti dhe do të lidhet rruga deri në Çerem, pastaj me Plavën dhe Gucinë, ku në këtë vend më pas do të hapet edhe një pikë doganore”. Çuditërisht, nga ana tjetër, malazezët e kanë përfunduar punën e tyre deri në kuotën 25. Presin që të hapet dhe kjo pikë dhe banorët do të jenë më rehat. Shqiptarët kanë kohë. Këtu mbarështrohet blegtoria, gjedhi dhe sidomos dhia dhe delja. Ndër kulturat bujqësore është patatja dhe... mbetet emigracioni, i cili vazhdon të tërheqë interesin e vetëm të njerëzve. Kryetari ka mundur të tërheqë pesë antena për të forcuar valët e TV, sepse në këtë zonë, pothuaj nuk shihet asgjë dhe sërish “falë Zotit dhe Klintonit që jemi lidh me Kosovën- sepse jemi Malësia e Gjakovës dhe të gjitha produktet tona që nuk i përpunojmë dot i shesim andej. Një pjesë e të ardhurave ne e bëjmë për blegtorinë dhe një pjesë e marrim që andej…”. Por, banorët po punojnë dhe me drurin si p.sh., bredhin, ahun, pishën, pishën e bardhë dhe kështu me rradhë… Pa harruar përgatitjen e gëlqeres, një gjë të cilën e kanë me cilësi shumë të lartë. Kaq krenar sa është kryetari i duhet t’i kujtojmë se pas Margegajt na pret Valbona... Dhe, fati për ta parë atë nuk është kaq i shpeshtë...

Drejt burimit të Valbonës
Si të gjithë, njeriu i byberjave, na përcjel dhe pozon në godinën që gati e ka ngritur vetë. E ndjen që duhet të kesh fat që të shkosh në Valbonë. Të kalosh Dragobinë. Dhe, problemi është i thjeshtë: Për të shkuar atje të duhet të duhet të udhëtosh në darkë, ndërsa të kthehesh duhet në mëngjes. Kështu funksionon, sepse e vetmja linjë është sajuar që t’u shërbejë banorëve të luginës, por jo vizitorëve. Por, Agroni, inxhinieri simpatik që më bën guidën, ka vendosur të më ndihmojë. Me një makinë të lartë, djali që pak kohë më parë ka pasur një fatkeqësi, pikërisht nga një aksident me makinë, vendos të më shoqërojë. Ikim të vetëm... “Jemi afër Shoshanit - më thotë tek Ura e parë drejt Alpeve, kur sapo jemi ndarë me kryetarin. Këtu është një ujësjellës”. Valbona është bash e kthjellët dhe këtu është fillimi i grykës… Fshati vetë është si një tarracë lumore, që rrethohet nga Valbona në jug dhe lumi i Mullarekës në lindje. Shtëpitë janë të shpërndara dhe këtu është vendlindja e Haxhi Zekë Biberajt. Gjatë të gjithë kohës, rruga gjarpëron paralel me lumin dhe zgjerimin e parë e bën në Klysyrë. Këtu degëzohet rruga këmbësore, që lidh fshatin e Bradozhnicës. Përveç një skifteri që e shikon ngultas makinën, mjegulla është çatia e vetme, që nuk na braktis... Në të majtë është Shpaiku, një shpellë karstike dhe vetëm në dalje të urës së dytë në hapjen tjetër të luginës shtrihet me 122 shtëpitë e tij Dragobia, që ka në vetvete dhe 23 kulla fshati. Por deri atje, të duhet të përshkosh 15 kilometra nga qyteti, që si shkak i rrugës janë 50 km. Gryka e Motinës, që shikohet që andej, futet si pykë në kreshtat e Majës së Hekurave. Në Kika në të djathtë ndahet rruga automobilistike e Çeremit (fshat që shtrihet në një pllajë në 1800 metra lartësi) dhe në të majtë në mes të pyllit me ahe e pisha është shpella e Dragobisë... I vetmi zgjerim në luginë është ai i Dragobisë, ku dalin dy lugina të tjera që përfaqësojnë përrenj të ndryshëm… Në Dragobi del një nivel tjetër tarrace dhe pas saj, lugina e Valbonës vjen e ngushtohet gradualisht gjithnjë derisa përfundon në kanionin e Shoshanit dhe futet në pellgun e Tropojës, ku humbet karakterin e saj.
Por, kaq. Ne jemi nga ana tjetër atje nga fillon fshati i Valbonës (Selimajt). Pasardhësit e Fisit luftëtar të Krasniqëve jetojnë në 40 shtëpi të tipit alpin dhe shtrihen nga Kikat e deri në Fushë të Gjesë. Në krahun e djathtë kemi 31 shtëpi të fshatit Rragam, që shkojnë nga Fusha e Gjëse deri tek ujëvara e Valbonës... Në Çerem, pak më parë, ishte edhe kontakti i parë me Malin e Zi, ku përtej kemi fshatin Vuthaj, banuar sërish nga shqiptarë. Më pas, lugu akullnajor i Valit, i cili shtrihet midis majës së Alisë e asaj të Poplukës në jugperëndim të Jezercës.



Mrekullia në këmbët e Jezercës
Ky lug, nëpërmjet një pragu tektoniko-eroziv rreth 200 metra lartësi, përfundon në hyrje të Rragamit, aty ku shtrati i lumit zgjerohet menjëherë, duke marrë tiparet karakteristike të një korite. Në pragun e Qafës së Valbonës, lugina zgjerohet menjëherë midis bllokut të lartë të Jezercës në të majtë dhe vargut malor të Zhaborreve dhe Grykave të Hapëta në të djathtë… Ka dy kone depozitimi, që janë ai i përroit të Shëmtimës (nga e majta) dhe ai i përroit të Krasniqes (djathtas).

Në fshatin e Valbonës përfundon edhe përroi i Kukajt…
Ky është fati. Këtë e kujtoj kur kam mbërritur pas gati plot dy orësh në Rragam... dhe fare pranë vendit nga ku del Valbona e bukur. Kemi lënë pas Dragobinë dhe gjatë të gjithë luginës, ku rruga ka gjarpëruar në një nga luginat më të bukura dhe më të njohura të Alpeve, e cila shtrihet pothuaj në qendër të Alpeve Lindore midis bllokut të Jezercës, Kollatës e vargmalit Qypi i Gracit-Rupë në veri e verilindje dhe vargut malor nga Maja e Boshit-Maja e Hekurave në jug e juglindje. Fundin e kësaj lugine e kemi mbërritur pasi kemi përshkuar Shoshanin, Këlcyrën, Dragobinë, Valbonën e Rragamin. Bash këtu gjejmë të vetëm një Selim, pasardhës të Krasniqëve. Idajet Selimi, 28 vjeç, është i edukuar dhe bujar por i turpshëm si një gjimnazist i edukuar. Ka nënën dhe babanë dhe tash ai dhe të gjithë përgatiten për atë që po vjen. “Ne bëjmë punë të ndryshme. Merremi me blegtori dhe lëndë drusore, por po afron dimni... Në verë ka shumë gjëra: ka qengja, gica dhe, ndërsa përgatitemi me çdo gjë. Kanë një asistencë, e cila nuk i kalon të 20 mijë lekëshin. Por, me lëndë drusore nuk mundemi më, sepse me ardhjen e Sali Berishës... nuk kemi shumë, ndërsa mbjellim patate dhe i shesim dhe mendojmë të zhvillojmë turizmin... Po të kihet parasysh...”. Mundohem të vendos rend, por në fund më thotë diçka që më mrekullon: “Sikur të kishim një kredi”, më thotë kokëulur... Pasi vinë dhe dy malësorë të rinj, sërish Selima- muhabeti rrjedh në trimni. Ndërsa u vjen të qeshin, kur u kujtoj legjendën e Krasniqes, që e kam të lexuar nga Durhami. Ndajmë Bjeshkët: Krasniqen me Shalën dhe Kelmendin etj...Ja u rrëfej sërish:

Për Krasniqen
Krasniqja vjen nga Bosnja, sipas gojëdhanës. Në kohë të hershme, kur Krasniqja ishte ende e krishterë barinjtë të udhëhequr nga një Nikollë erdhën dhe u vendosën këtu. Ky Nikolla na kishte një vajzë shumë të shëmtuar dhe vetëm me një vesh. Ai nuk i gjente burrë dhe ajo bëri një djalë me një arrixhi. Nikolla e pranoi këtë djalë dhe prej tij kanë prejardhjen 100 shtëpi të Nikajt. Ata quhen të gjithë Curraj dhe nuk bëjnë martesë me Krasniqët e tjerë sepse e kanë prejardhjen nga e bija e Nikollës. Ky është i vetmi rast i prejardhjes, që ndiqet në rrugën e një vajzë dhe që e kam ndeshur në veri…, thoshte Durhami
Nuk besoj se do kenë kredi ndonjëherë. Të paktën, tani shpejt. Por, i dua njerëzit e Krasniqes për karakterin...
Lum e lum për Zotin tonë të lumin, /na s’jem qenë, por Zoti na ka dhanë!/Lum për tokën, që na mban gjallë jetën, /lum për diellin që ndrit e ngroh tokën!... Kur ja kujtoj vargjet e para të kreshnikëve malësorëve të rinj qeshin. “Ah, pa ku i njohim... ne më thonë...”. Shkelim mbi Valbonë, këtë herë me makinë për t’u kthyer. Më vjen keq. Eshtë e bekuar për bukurinë. Po afron muzgu i dhjetorit 2006...dhe duhet të kthehemi. Nata është e pabesë dhe miqtë për ta janë të shenjtë.
...

Një ditë më vonë jam në rrugën e kthimit. Nuk jam larë prej një dite, sepse në Bajram Curri ndodh dhe që nuk ka ujë, të paktën në hotelin e vetëm të qytetit.
Prej Bacës, që rri tash sa mot i ngrirë në bronz, nuk i gjej dot përgjigje, se pse Tropoja nuk ka ujë. Dhe, kur nuk ka... Zoti vetë nuk ka çfarë të bëjë...

Ben Andoni - Revista Mapo

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama