Ne Shqiperi me shume vrasje se ne Shtetet e Bashkuara te Amerikes

Ne Shqiperi me shume vrasje se ne Shtetet e Bashkuara te Amerikes

Shqipëria ka një nivel më të lartë vdekjesh të lidhura me armët për frymë sesa Shtetet e Bashkuara, sipas të dhënave nga Instituti për Matjen dhe Vlerësimin e Shëndetit.

Në të thuhet se norma për vdekjet e shkaktuara prej armëve në 100,000 njerëz në vitin 2013 në Shqipëri ishte 5.86 ndërsa në SHBA numri ishte 3.55.

Vendi i dytë më i keq në Ballkan në kuptimin e vdekjeve të shkaktuara prej armëve për frymë është Mali i Zi me 2.13 për 100.000 njerëz.

Vendi më pak i prekur në rajon është Bullgaria me 0.64 për 100,000 njerëz për frymë.

Megjithëse norma e vdekjeve të shkaktuara prej armëve në Shqipëri është alarmante, të dhënat tregojnë një pakësim në numra.

Të dhënat e institutit tregojnë se në vitin 2000 numri ishte 7.86. Në vitin 2005, shifra ra në 6.01 dhe në vitin 2010 u ul edhe më tepër në 5.91.

Në vitin 1997, kur ligji dhe rendi në vend humbën kuptimin, depot e armëve ushtarake u shpërthyen dhe mbi 500,000 pushkë dhe armë të tjera kaluan në duart e qytetarëve të zakonshëm. Kjo situatë kaotike shkaktoi rreth 2000 vdekje të njëjtin vit.

Arian Dyrmishi, një ekspert sigurie nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, i tha BIRN se lidhja mes numrit të paligjshëm të armëve në posedim të shtetasve dhe numri i vrasjeve në vend nuk është e qartë.

“Në Shqipëri vlerësohet se rreth 250.000 armë janë në duart e civilëve por ky është një nga numrat më të ulët në rajon,” tha ai.

“Në Serbi, ka rreth 2 milionë armë të paligjshme dhe në Maqedoni rreth 1.5 milion,” shtoi ai, duke argumentuar se numri i lartë i vdekjeve mund të ketë edhe shkaqe të tjera.

Edmond Dragoti, një psikolog dhe profesor i Universitetit të Tiranës i tha BIRN se numri i lartë i vdekjeve nga armët në Shqipëri ishte pjesërisht një fenomen kulturor.

“Armët kanë qenë pjesë e kulturës shqiptare për shekuj. Njerëzit i përdorin ato për të mbrojtur ekzistencën e tyre. Ata kanë ruajtur territoret e tyre, familjet dhe pronat me armë, ndaj e kanë rrënjën në identitetin e tyre,” tha ai.

Ai beson se pas viteve ’90, megjithatë njerëzit i kthyen armët nga njëri-tjetri edhe për shkak të mungesës së strukturave normale të shoqërisë dhe shtetit.

“Mungesa e drejtësisë sociale dhe përhapja e papërgjegjshmërisë institucionale kanë rezultuar në këtë numër të lartë vdekjesh nga armët gjatë këtyre viteve. Mungesa e një shteti të fortë i ka bërë njerëzit të vetëmbrohen,” tha ai.

Dragoti e sheh gjithashtu varfërinë afatgjatë të shqiptarëve si një tjetër faktor pas nivelit të lartë të vdekjeve nga armët.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama