Ne Shkoder per turizem

Ne Shkoder, per turizem

Në Shkodër isha për turizëm, para pak ditësh, se njeriu ka nevojë edhe për pushime. Kam kohë që kam dobësi për Shkodrën. Dyzetë vjet me parë, shkova atje me një valixhe druri plot me ëndrra studentore për të ardhmen. Një pjesë e tyre u realizuan, pjesën tjetër, ose shumicën, e mori era e këtyre viteve, ashtu si gjithë ëndrrat e tjera të kësaj bote. Shokët dhe shoqet shkodrane të shkollës së lartë po punojnë për takimin e 40– vjetorit të kursit tonë të gjuhë – letërsisë, që do të mbahet së afërmi. Disa prej tyre janë bërë gjyshër e gjyshe (natyrisht, pa antiplumb). Disa të tjerë presin të bëhen, se kjo është jeta.

Karafilat që ka Shkodra

Shkodra është ajo që ka qenë dyzetë vjet më parë. Atje është Kalaja e Shkodrës dhe miti i Rozafës; lumi Buna, Drini dhe Kiri; atje janë Alpet edhe deti; Ura e Bunës dhe Liqeni; Kafja e Madhe dhe “Turizmi”; Teatri “Migjeni” dhe Biblioteka; Fototeka e Marubëve dhe humori shkodran i Tano Banushit; Katedralja dhe Xhamia; Universiteti 55- vjeçar dhe Rruga karakteristike e stilit venecian “Kol Idromeno”; Ekipi “Vllaznia” dhe Nedin Zhega; krapi i liqenit dhe pasioni për biçikletat. Nuk ka mikrokozmos më interesant se ky i këtushmi në botë. Këto ikona të Shkodrës janë aty, ashtu siç kanë qenë dikur. Mund të kenë ndërruar  ndopak formë apo ngjyrë, por të tilla do të mbeten përgjithmonë, sa të jetë jeta. Edhe vetëm për njërën prej tyre, ia vlen të marrësh rrugën për në Shkodër.

Po këto janë vetëm maja e ajsbergut. Se Shkodra e sotme është edhe Shkodra e re, e vitit 2013. Ajo ka rrugë e sheshe të gjera, të bukura, të sistemuara e të asfaltuara rishtazi; ka hotele të reja me pesë yje, ka shatërvanë dhe vepra të tjera arti;  pallate të reja shumëkatëshe me shije e pa shije; ka makina luksoze që shëtisin në rrugë; ka gjelbërim të bollshëm dhe lule të freskëta në parqe e lulishte; ka karafila e trëndafila; ka restorante të rinj fantastikë buzë liqenit dhe lumit Buna; ka hidrocentralin e ri të Ashtës; ka këngëtaren Elhaida Dani; ka shpresa të mëdha për rilindje, por edhe zhgënjime; ka përmbytje një herë në dy vjet, në pjesën “nën” të saj; ka premtime politike të realizuara dhe të parealizuara; ka ndëshkime politike me anë të votës së lirë. Kam ardhur këtë radhë të shikoj kryesisht anën e bukur të saj, duke e ditur ndërkohë se jo gjithçka këtu është e tillë.

Politika nëpër këmbë

Në faqet e pallateve qëndron ende i varur portreti elektoral i dy herë – ish – kryetares së Parlamentit, zonjës Topalli. Gazetat botojnë anekdota për “zhdukjen” e saj pas zgjedhjeve. Vendimi i parë i saj si kryetare parlamenti tetë vjet më parë, ishte pushimi im nga puna. Por unë nuk e mbajta inat, as atëherë, as tani. E shikoni, po shkruaj për bukuritë e Shkodrës, ku ajo është deputete prej vitit 1997 dhe ka rolin e saj në këtë zhvillim të qytetit. Po natyrisht, edhe në këtë zhgënjim të tij, që u duk edhe në zgjedhjet e fundit. Ajo sot bën deklarata keqardhjeje për gratë që vriten rrugëve, sikur vetë të mos ishte për tetë vjet numri dy i këtij shteti.

Në fakt, do bënte mirë që ajo t’i fshihej opinionit për ca kohë. Kaq shumë janë mërzitur njerëzit prej saj. Kaq shumë ka abuzuar me pushtetin gjatë tetë viteve. Gjatë kësaj kohe janë bërë punë të mira në Shkodër, janë bërë investime të mëdha. Por ajo, kryetarja, ka pasur edhe prapësitë e saj. Punët e mira nuk i justifikonin qëndrimet e saj arrogante në Parlament e jashtë tij me shprehjen e njohur të të “të kapurit për zhelesh”, drejtuar “baballarëve” të kombit etj.

Ndoshta ishte kjo që e mbushi kupën e njerëzve në zgjedhje dhe ata nuk e votuan më me shumicë Partinë Demokratike, siç kishin bërë për 20 vjet me radhë. Por kishte edhe mjaft arsye të tjera për të votuar kundër. Ishte përmbytja e përsëritur; ishte arroganca me pushtetin; ishte përpjekja për të hedhur në duar shumë pasuri që nuk u takonin; ishte tallja me historinë e lavdishme të Luftës Nacionalçlirimtare e të tjera si këto që e ndëshkuan partinë e saj. Por boll më me politikën, se sot nuk dua ta bëj Xhozin personazh të këtij tregimi për Shkodrën.

Nëpër Malësi të Madhe

Rruga për te Hani i Hotit është e rikonstruktuar dhe e shtruar rishtazi, me parametra ndërkombëtarë. Kjo është, sot për sot, rruga më e bukur në vend. Ngjyra e zezë e asfaltit dhe boja e bardhë e vizimeve në të, vezullon nën rrezet e diellit. Për nga përmasat, rruga e Malësisë së Madhe është njëlloj si rruga Gjirokastër – Kakavi. E përuruar nga kryeministri Berisha pak ditë para zgjedhjeve, ajo ia vështirësoi dukshëm fushatën  elektorale Tomë Doshit të opozitës në këtë zonë, por vetëm kaq. Me sa duket, populli nuk ngopet më vetëm me rrugët. Rruga e Kukësit nuk e zhvilloi Kukësin dhe, po ashtu, tuneli i ri nuk e gëzoi Elbasanin, aq sa për ta rivotuar Berishën.

Në të dyja anët e rrugës, ngrihen vila të hijshme të banorëve të këtushëm. Më thonë se bimët medicinale janë burimi kryesor i të ardhurave të tyre. Toka është zallishte e pa ujë, prandaj ajo prodhon pak lloj bimësh. Një lloj kërpi industrial, që mbollën fshatarët me ndihmën e një shoqate angleze vite më parë, u bë legjendë, sepse u konsiderua si drogë nga autoritetet tona. Megjithatë dikur, në kohën time të rinisë, në këto anë shtrihej ferma e Shtoit, që furnizonte gjithë Shkodrën me rrush të shkëlqyer.

Tani ferma nuk është më, por vreshtat nuk mungojnë. Vetëm pjesa “fushore” e Shkodrës, ajo rreth Liqenit, regjistronte në fund të vitit 2011 më shumë se 470 hektarë vreshta, ndërkohë që kishte 180 mijë rrënjë ullinj, 28 mijë qershi, 18 mijë shegë etj. Dhe ky numër rritet nga dita në ditë. Vetëm sipërfaqja e mbjellë me bimë medicinale aromatike është më shumë se 1000 hektarë, ku vendin kryesor e zë sherebela. Këto m’i thonë shoqëruesit e mi, agronomë të vjetër.

Në të djathtë të rrugës, tabela të drejton për në qendrën turistike malore të Razmës. Kam qenë atje për herë të fundit 38 vjet më parë, në mes të dimrit me borë dhe dua të shkoj përsëri. “Atje nata është tjetër natë, edhe dita tjetër ditë” – do  thoshte Naimi. Në lartësinë mbi një mijë metër mbi nivelin e detit, ajo vlerësohej edhe në kohën e komunizmit. Por reklama e një hoteli të atjeshëm, që më vjen nëpërmjet internetit, thotë se një dhomë hoteli për një natë është 49 euro për njeri. Po të jem bashkë me të dashurën time, duhet të paguajmë 98 euro për një natë të vetme në këtë hotel.

Po mua më nervozon më tepër reklama, kur thotë se në çmim përfshihet edhe “ajri i freskët”. “Një shëtitje në natyrë, duke mbledhur mana toke, lule, dredhëza, manaferra; një shëtitje në ajër të freskët, atje ku ajri është i thellë” – thotë reklama. Pra edhe ajrin duan të na e shesin me euro. Çfarë marketingu i shpifur! Po e lë mënjanë Razmën këtë radhë. Vijmë atje një herë tjetër, kur të kemi gjetur një çadër kampingu me qira. Të paktën ajrin do ta kemi pa pagesë!

Në anën tjetër të kufirit, (se këtu mbaron Shqipëria) nga Tuzi deri në Podgoricë, është e njëjta lloj toke zallishtore. Por atje gjenden me qindra hektarë vreshta aktive në gjendje shumë të mirë, që prodhojnë verëra të zgjedhura për ish – Jugosllavinë e për Europën. Ata e ruajnë këtë traditë të rrushit, të verës dhe të tregjeve të dikurshme, megjithëse e ndërruan sistemin, njëlloj si ne. Blejmë atje ca shishe vere prej saj. “Merlot”- i dhe “Vranac” –i, prodhim i vitit 2010, kushtojnë vetëm tre euro shishja. Do kishim dëshirë që verën ta blinim në Shkodër, se e dimë namin e mirë të “Kallmetit” të atjeshëm, por ende nuk kemi siguri për cilësinë e saj.

Para tavës së krapit

Sa herë kam qenë në Shkodër për turizëm, drekën e kam kaluar në Shirokë, buzë liqenit, natyrisht, kur kam gjetur vende të lira në restorantet e fisme të zonës. Nuk ka gjë më të bukur se atje! Tutje duken Alpet madhështore në horizont. Te këmbët e tua shtrihet liqeni me thellësi tetë metër, me statusin ligjor të Rezervatit Natyror. Përreth pulson ajri i freskët i liqenit. Në tavolinë është krapi i tavës, i pjekur në tjegull. Një shishe verë e mirë dhe të tjerat janë garnitura të parëndësishme.

Edhe këtë radhë isha në Shirokë, sa për shëtitje, por nuk e pashë gjallërinë e dikurshme. Punë krize apo mot i paqëndrueshëm? Nuk e di, por pamja ma vrau syrin dhe shpirtin. Sidoqoftë, sot jam i ftuar (domethënë paguajnë të tjerët) në një restorant tjetër fantastik. (Emrin nuk e them, se më quhet si reklamë). Ai ngrihet faqes së malit të Taraboshit, pranë urës së re të Bunës, pak metër mbi rrugën që të çon në Muriqan. Suksesi i tij duket në zgjerimin e tij të vazhdueshëm, zgjerim në lartësi, në faqe të malit. Prej atje duket në pëllëmbë të dorës hyrja e qytetit të lashtë.

Pronari duket që është qejfli i traditës. Në tarracat prej guri të lokalit të tij, i gjen të gjitha ornamentet e lashta të Shkodrës: që nga punimet e hekurit, të gurit, të drurit, të peshkimit etj. Një pjesë e tyre janë origjinale, të mbledhura me pasion nëpër qytet e fshatra përreth tij. Pjesa tjetër janë riprodhime. Duket sikur je në një muze etnografik e jo në një restorant, sepse ky i ngjan një muzeu privat gjigand të hapur.

Nga dritarja e restorantit, sa pres të vijë peshku në tavë që kam porositur, shikoj pamjen përballë. Sezoni i gjuetisë së krapit tani është i lejuar. Ja ku bashkohet Buna me Drinin, rruga që lidh Shkodrën me pjesën tjetër të vendit, pastaj kalaja. Nëpër Bunë shtrihen dajlanet e peshkut. Dy lumenjtë tani ngjajnë me dy qengja të butë, që afrojnë kokën me njeri – tjetrin për t’u përkëdhelur. Është korrik dhe ata janë të qetësuar. Por në dimër me ta është tjetër pamje.

Atëherë Drini dhe Buna kërleshen për vdekje me njeri – tjetrin nga ujërat e shumta e të harbuara: Drini, me ujët e digave të hapura të hidrocentraleve; Buna, me prurjet e liqenit, të fryrë nga burimet e Alpeve. Nëpër këmbët e tyre ngatërrohet edhe Kiri, i fryrë edhe ai për hesap të vet nga përrenjtë lokalë. Dhe atëherë ndodh hataja me emrin përmbytje. Buna, e penguar nga Drini, del nga shtrati dhe merr arat e rrugët, deri në qytet. Të njëjtën gjë bën Drini për llogari të vet. Pasojat pastaj dihen. Harku i Bërdicës, tutje në të djathtë, është dëshmitar i këtyre pasojave.

Kryeministri në largim, Berisha, pat thënë dikur se këto ngjarje, d.m.th përmbytjet, ndodhin një herë në 100 vjet. Mirëpo ato u përsëritën një herë në dy vjet. Për tetë vjet të qeverisjes së Berishës, përmbytja ndodhi katër herë. Në prag të zgjedhjeve të fundit, qeveria u dha fshatarëve 14 përqind të dëmshpërblimit për përmbytjen e parë. Merret me mend se kur do t’i marrin ata përqindjet e tjera të përmbytjeve të tjera. Prandaj ata nuk e votuan më.

Tani po mendoj se si do ta përballojë qeveria e re e majtë problemin e përmbytjeve në Shkodër. Se dimri vjen shpejt e reshje do të ketë përsëri atje, prandaj duhen marrë masat që tani për menaxhimin e ujërave të baseneve të hidrocentraleve. Po u la për në janar, u përmbyt prapë Shkodra, e bashkë me të edhe qeveria e re. Në vitin 1975 kam qenë dëshmitar i një përmbytjeje të tillë këtu, të shkaktuar nga hapja e portave të Vaut të Dejës. Ishte një përmbytje që ndodhi vetëm brenda një nate, por uji shkoi deri në një metër lartësi në katet e para të shtëpive në periferi të qytetit. Atëherë ishte vetëm një digë hidrocentrali, prandaj ishte i vështirë menaxhimi i ujit të tepërt të Drinit. Tani janë katër diga hidrocentralesh që mund ta menaxhojnë shumë më mirë atë. Përmbytja e Shkodrës nuk është një fatalitet i natyrës. Duhet vetëm mendje dhe dëshirë për të punuar.

Më në fund, tava e krapit ka mbërritur para meje, duke valuar mbi tavolinë. Një kokteil aromash të këndshme ngrihen prej saj dhe ngacmojnë mukozën e stomakut, si dhe shtojnë sekrecionet e tij. Është koha të përqendrohem plotësisht tani te detyra e rëndësishme e çastit. Të tjerat kanë kohë për më vonë.

Dy re të murrme po kacavirren te muret e kalasë përballë dhe paralajmërojnë për prishje kohe. Velipoja shtrihet atje poshtë, në të djathtë, nja 20 km më tutje. Po nuk kemi më kohë të shkojmë atje këtë radhë, duhet të vijmë një herë tjetër. Vera është e gjatë dhe ne jemi vetëm njëqind km larg Shkodrës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama