Ne Pogradecin e ngadalte ku drejtojne grate

Ne 'Pogradecin e ngadalte', ku drejtojne grate
Pogradeci është shumë më i vogël sesa Liqeni i madh, që është në këmbët e tij. Dhe, këtë shemri, qyteti e ka zgjidhur me përgjumjen e detyruar dhe me ato pak fjalë të dashura, që kanë lënë ata që e shikuan dikur. Të paktën, tre orë e gjysmë pas udhëtimit nga Tirana, ata që takon atypari ta japin më së miri idenë. Peshkatarët ambulantë ngrenë nga përtej dhe instinktivisht lart si shënjues trofetë e Gjolit. Pakkush ndalon. Të gjithë o ikin ose vinë. Ato, që janë në duart e tyre, qëndrojnë. Edhe ata vetë. Poshtë. Lart. Këtu fillon Pogradeci i ri dhe hotelet e restorantet pafund. Këtu ti shkrihesh me suprinën e fjetur të tij...

Çfarë ka qyteti të mrekullueshme dhe që mbetet e pavërejtshme nga të huajt? “E thjeshtë. Ata nuk mund të bisedojnë me liqenin, sepse këtë dhunti e kanë vetëm pogradecarët”. Ajo që ta pret është Afroviti Gusho, letrare dhe një nga figurat e spikatura të qytetit. Çdo gjë mundohet të ma letrarizojë por duke qeshur. Është njeriu im i parë në qytet, ku e kam jo thjesht detyrim të qëndroj, por edhe kënaqësi. Mikja e vjetër, po gazetare, ka një mënyrë tepër interesante të foluri. Përzien zhanret fare natyrshëm. Është gruaja, amvisa, aktivistja e grave, intelektualja dhe...Ke shumë atribute, i kam thënë dikur. “Jo unë, ne gratë”, s’na i përton sërish. “Neve jemi pushteti i vërtetë i këtij qyteti. Pa ne, s’ka Pogradec, s’ka jetë. Gratë, nënat, motrat, vajzat e vendit...ato janë Pogradeci”. Nëse do t’i futemi një diskutimi të tillë me gruan do ta humbim, por s’ndodh kështu. Dikur ka drejtuar një shoqatë, ndërsa pak ditë më vonë do mbrojë temën e Masterit. “Shoqata ‘Unë, Gruaja’ është lider. Dikur kam qenë drejtuese aty, por kam dy vjet që nuk e drejtoj më. Jam një lider i dorëhequr...”, na thotë.

Për Pogradecin

Për fat nuk dorëhiqet për të na përcjellë dhe treguar qytetin. Është e pamundur kjo mike e kahershme e gazetarëve, që mendohet të mos ndihë dhe të mos na gjezdisë natyrshëm në qytet. Është e lindur në atë pjesë që mbahet si qyteti i vjetër, ndërsa qenësia grua i jep atë sharmin, të cilin dua ta fokusoj në qendër të reportazhit. Lasgushi, poeti i tyre, dikur e shtyu edhe një hap më tej. E femërizoi qytetin dhe i dha emrin Poradec duke e shkëputur me forcë nga etimologjia sllave. “Të shohim tani, me kombëtarizimin e emrave, ç’emër do t’i venë këtij qyteti, që është nga çdo pikëpamje, një bukuri e rrallë, një xhevahir i Shqipërisë.

 Veçse, çdo emër, sado i bukur do ta meritonte”, shkruante Gjergj Bubani, vite më parë. Përmend popullin e qetë, punëdashës dhe shumë mikpritës, që në të vërtetë kanë mbetur të tillë...Pogradeci është nga të paktët qytete ku je disi i privuar nga zallamahia e zakonshme shqiptare. ”Ah, s’mbushet barku vetëm me të mirën”, më thotë K. L., 48 vjeç.

“Nuk ka asgjë. As punë dhe as shpresë. Nuk e di me çfarë ushqehemi” Ka qenë emigrant dhe ardhja në qytet si ka prirë fare, por të paktën është gruaja që e mbarëvan shtëpinë. Baret njësoj si shumë meshkuj të tjerë të ngeshëm në shëtitjen e pakët nga ku tutje vëzhgojnë ‘inatçorë’ monumentet e dy të njohurve të letërsisë shqiptare, Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit përgjatë bregut, të cilët ata i kalojnë teksa i drejtohen Turizmit të Ri. Dhe, se çfarë i shpjegon një të ngeshmi tjetër.

Të tjerë po kaq të ngeshëm rrotullohen njësoj.”I gjithë qyteti është i punës, më ka thënë dikur Viti- dhe pogradecarët, nuk mund të kuptohen pa punën, por jeta është e tillë. Jo të gjithëve mund tu eci pa punuar”. Vetëm se edhe pa punuar Pogradeci e ka zgjidhur mbijetesën e tij. Turizmi? Po. Jo më kot, këmbët në këtë baritje të gjatë të dërgojnë vetëm përgjatë bregut, ku e ke të pamundur të mos përfundosh drejt Tushemishtit, në muajt e verës dikur qëndronte vetë Enver Hoxha.

Nuk e kam kuptuar asnjëherë sesi rrinë në përfytyrimin e njerëzve, pjesa e Tushemishtit ku rrinte vetë Ai dhe mjellmat e rënda. ”Ja këtu, rrinte - më saktëson Ilir Shyta, një studiues i apasionuar i Lasgushit, dhe ai ish koleg gazetar, tamam në këtë pemë dhe kudo ishte i rrethuar vendi”. Njerëzit e përfytyronin, por nuk e shikonin dot kurrë. Më duket njësoj si duket sot, ku lëviz një pjesë tjetër e popullit që aty përtej- në atë pjesë e cila mund të quhet si Unazë, dhe që shpërfytyrohet frikshëm në kaos.

Makina, tollovi dhe njerëz që rrotullohen në kërkim të ditës. Diku aty ka mbetur i paprekur Topleci dhe mbi të qëndron tutje edhe vetë Kalaja me vendet, që i kanë përshkruar aq mirë Dy personazhet VIP të monumenteve...”Pse i ke bërë kaq të stërmëdhenj Lazgushin me Mitrushin”, mbaj mënd se kam pyetur skulptorin e tyre, Muntaz Dhrami. ”Po ashtu i duan”, më është përgjigjur me atë tonin e zakonshëm gjysmë me humor, skulptori, që punon në një studio gati natyrale, pa çati. Si tek “Dimri” i Poradecit, e shkëmbej argumentin me Vitin. Flasim gjithnjë me të dhe ky bashkëbisedim, duket si vijim, i gjërave të mbetura në mes.

Shpirti im që sot y mbyll/Dhe gëzimin m’a përzuri. /Nëpër mal e nëpër pyll/Zu dëbora prej qëkuri./Bjenë flokët një-nga-një/Mi katundin e shkretuar./Dyke mardhur nënë të/Dheri fjet e ri mbuluar/... Në fakt, për pogradecarët monumentet e këtyre njerëzve janë më shumë se vetë ata, janë qyteti i mishëruar tek njerëzit. E pyes Ilirin për Nositin, që harroj të shtoj se është edhe pedagog. ”Nuk është më si dikur, më thotë Ilir Shyta që është fare me këmbët në tokë dhe më tregon për liqenin e kaltër, Malin e Thatë që rri kundruall, apo këtë lulishte, ku ndajmë me pak njerëz ditën e reportazhit. Dhe, gjithçka. Më flet për brengën e tij në këtë qytet, për fjetjen e detyruar të tij, për plogështinë e njerëzve.

Pogradeci nuk mund të jetë ndryshe nga e gjithë Shqipëria, por ky vend i mrekullueshëm ka një natyrë që pak vende e kanë dhe ku ky park plot me drurë blirësh, pishash junapësh, gështenjash të egra, shelgjesh dhe lulesh shumëngjyrëshe, e kalon gjendjen me këtë ndjesi të veçantë. Pse është pak femëror Pogradeci?-pyes. Sepse prodhon paqësi, më thotë një burrë afër agjencisë, ku shoferat e furgonave zihen me njëri-tjetrin për pasagjerët. Ndaj e ndihmon gruan, ia presin një grup të ngeshmish, me kasketat karakteristike të punëtorit...Pogradeci pret, ashtu si pret në hotele dhe njerëzit për pushime; Pogradeci pastron si askush; Pogradeci të jep ndjesinë e një mëmësie, ndaj është mëmësor më thotë A.G., ish mësuese. Pogradeci ishte një nga vendet më shumë në modë në vitet ’70-’80. Të gjithë donin të vinin, ndërsa tani synojnë të kenë një apartament. Ishte një kohë që ky vend trefishohej dhe e gjithë vendi kthehej në një qytet të stërmadh, që tkurrej sërish me ardhjen e zhurmshme të dimrit...Dhe, kthehej si sot. Burrat që pas stërhalljes në breg, ku flenë varkat, kthehen në shtëpi, ndërsa fëmijët që ushqejnë shpendët mbyllen në shtëpi. Tek-tuk ndonjë peshkatar që sfidon motin tutje...Dhe, i gjithë Pogradeci me një ndjesi nënë, që zhytet në pritjen e tij...Nga pak ne të mbetur të vetëm...

Gratë

Çfarë të jep, e pyes Vitin. Çfarë bëjnë gratë pogradecare dhe si pulson qyteti? Dikur kam shkruar, ma pret: “Në mëngjes jam një grua shumë e fortë, i shkel me këmbë pamundësitë, në drekë kam ende forca, t’i ngre ca gracka pesimizmit...” Në qytetin tim, Pogradec ka filluar fushata, (cila fushatë do pyesni ju?), në mesin e qytetit ndodhet një baner “16 ditë kundër dhunës ndaj grave”, janë logot e shoqatës ‘Unë, gruaja’, dhe Bashkisë, për herë të parë në një qytet të vogël si Pogradeci të gjithë bashkohen kundër dhunës, shoqata, pushteti lokal, komuniteti, Dhe thonë: Dhuna ndalon këtu! Kronikat pushtojnë mediat, në Pogradec, kur kjo iniciativë ka filluar 10 vite më parë, kur shumëkush në Shqipëri nuk kishte dëgjuar për këtë fushatë mbarëbotërore”.

Në fakt janë gra të tjera, që kanë ‘zënë’ vendin e Vitit sot. Nexhi, Nora, Eleni, Irena, vajza të reja Alda, Albana, Matilda, Anjeza, që i janë bashkuar përpjekjeve për emancipim, për një hapësirë pa dhunë dhe me mundësi të barabarta për burrat dhe gratë, për gjimnazistët, studentët, të sapodiplomuarit me plot ëndrra rinore, për gratë që punojnë në zonat rurale apo Flora, Kadria,Dhimitra, Violeta, Najada, që sjellin shumë optimizëm dhe shpresë....

“Jam një ish-lider i lumtur, se kjo shoqate e vogël lokale u jep shumë modele grave, të luftojnë kundër dhunës, të fuqizojnë gruan në vendimmarrje, të ngrehin (ndërtojnë) ura miqësie e bashkëpunimi në pellgun liqenor, Ohër, Strugë, por edhe me tej, shkëmbime eksperiencash në rajon. Një konference rajonale për fuqizimin e gruas në vendimmarrjen lokale, u zhvillua në shtator, për të sjellë eksperienca, të OJF ve, dhe botës akademike, nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova. Gratë janë me vërtet të zonjat në këtë qytet, që kanë kapërcyer kufijtë me bashkëpunimet e tyre, që i kanë dhënë të tjera përmasa e kontribute shoqërisë civile”. Por, ajo vetë ka nisur rrugëtimin në një tjetër drejtim në jetë. Tek botimet. Jo vetëm të gazetës “Nositi”, por edhe të librave në Rajonin Korçë-Pogradec.

Intermexo

E çuditshme por gratë në këtë vend punojnë për koncepte, që mbesin disi larg dhe të panjohur në qytetet e tjera. Më 25-26 shtator ato realizuan Konferencën e dytë “Fuqizimi i gruas në vendimmarrjen lokale”, organizuar nga ‘Unë gruaja’, ndërsa më 25 Nëntor 2010, ky organizim çeli Fushatën 16 Ditë Aktivizim Kundër Dhunës ndaj Gruas. Aq me rëndësi ishte kjo, saqë ceremonia e hapjes të Fushatës u realizua pranë zyrës së Kryetarit të Bashkisë, në një takim të iniciuar nga UG në bashkëpunim me zyrën “Kundër Dhunës ndaj Gruas dhe për Barazi Gjinore”, pranë bashkisë Pogradec. Në këtë takim ku ishin të ftuar OJF, mësues, grupe të rinjsh, pikat e kontaktit të shoqatës “Unë, Gruaja”, vullnetarë të Korpusit të Paqes, punonjës të bashkisë, etj, vetë Z. Artan Shkëmbi, kryetari i Bashkisë, premtoi angazhimin për të treguar gatishmërinë dhe përkushtimin e përbashkët në luftë kundër dhunës ndaj gruas.

Pak histori

Ky vend ka qenë i banuar që 6000-2000 para Krishtit, ndërsa në Antikitet vendi ishte kufiri midis Kaonisë dhe Ilirisë, por edhe vendi që ka qenë i okupuar prej maqedonasve, romakeve, bullgarëve, serbëve, serbëve, padyshim otomanëve, francezëve, grekëve, italianëve dhe gjermanëve. Në kohën e Luftës Italo-Greke qyteti ishte i ndarë në dy pjesë ndërsa në një vend në qytet ruhen akoma fortinot e famshme italiane. Nga hapësira e kalasë, që sot s’ka mbetur pothuaj asgjë, arkeologët kanë zbuluar gjurmët e një vendbanimi të shekullit të V para Kr., i cili në shekullin IV rimëkëmbet dhe kthehet në një qytezë të fortifikuar derisa rrënohet më shekullin e VIII. Pa u zgjatur, qyteti vetëm aty nga fundi i shekullit të XVII arrin të ketë 600 shtëpi dhe tregun e tij. Për fat, fragmente të kësaj pjese të qytetit dhe Pazarit të Vjetër ruhen ende në të ashtuquajturën Lagje e Burimeve.

Vjeshtë-dimër dhe dëshpërim

“’Gjethe-gjethe, gjithë natën kishte fryrë ikja’, janë vargjet nga poezia ime. Vjeshta,

Kështu u ndjeva në këtë mëngjes, më thotë Viti. Edhe pse fillim dimri është butë, ngjyrat janë të kuqërremta, njerëzit ecin buzë liqenit paqësore, ose ndoshta ashtu duken, ndoshta e kanë atë ecje buze liqenit një meditim të heshtur, kur flasin me veten dhe liqenin. Ndërsa, unë vetë,edhe pse kam lindur e jam rritur në këtë qytet, kurrë s’e kam kuptuar magjinë e tij, që nga i vjen, nga ngjyrat, nga uji, nga gjoli, nga Mali i Thatë, nga mjellmat që nuk ikin më të trembura, por luajnë me fëmijët, nga rëra, (‘njerëzit buzë tij fërkonin me rërë fundin e mërzisë’, kështu ka qenë dikur, enët (e gatimit) e nxira nga zjarri i fërkonin me rërë...”.Si mund të funksionojë ky qytet dhe iniciativat e grave, sepse për sa i përket punësimit dhe gjërat e tjera gjërat dihen.

“Duhet të gjithë të lëvizin”, më thotë. Ndaj, ajo vetë, i shkroi një ditë vetë letër Gazetës ‘Nositi’. Mendoi se ka më shumë lexues on-line dhe duke e menduar të kryer misionin e saj, më të rëndësishmin: atë të përfshirjes së qytetarëve të tij në problemet e qytetit, në vendimmarrjen e bashkisë, në hapësirën e faqeve të Nositit për të thënë fjalën e lirë, apo të gjithçkaje ndodh në këtë qytet të vogël: për mjedisin, arkitekturën, biznesin, ikjen e të rinjve në Universitete në Tiranë dhe braktisjen e qytetit, turistët shqiptarë të panumërt në verë dhe fundjavave në stinët e tjerë. “Unë, shprehet gruaja simpatike -vetë e përkufizoj ndonjëherë Pogradecin si një qytet i vogël provincial që mbipopullohet me sezone dhe pastaj tkurret dhe zvogëlohet, në ditë që zbrazen që në orën 5 të pasdites; për burra që harxhojnë orë të tëra nëpër pijetore; për të rinj që shpenzojnë kohën më të çmuar në Fb; që miqtë e librit po pakësohen; për shumë gra që luajnë rolin e shtëpiakeve të dëshpëruara dhe shumë të tjera që zgjedhin të bëhen protagoniste dhe e sfidojnë hera-herës një mentalitet të vjetëruar që ndehet shpesh në mjediset e provincave. Pastaj bie qetësia,“Në katund kërcet një portë... në Liqer hesht një lopatë...”.

E këtë e bëri te “Nositi”. Nositi, ky zog simbol i vetësakrifikuar, simbol i poezisë lasgushiane, mbeti në një farë mënyre dhe simboli i një gazete të vogël lokale, që i kaloi kufijtë e këtij qyteti të vogël, për të shkuar deri në Korçë, për të çuar edhe atje fjalën e lirë dhe për të shërbyer si një lajmëtare e vërtetë dhe mbrojtëse e asaj çka është më e mirë dhe më e çmuar në këtë rajon.

Pogradeci, qytet i “ngadaltë”

Por, merita e grave si Viti, s’është thjesht të të flasë, por edhe të hapë vizion. Më shpjegon idenë e “qytetit të ngadaltë” dhe sesi mund të funksionojë për Pogradecin. E sak, duke iu bashkëngjitur lëvizjes së “qyteteve të ngadaltë” qyteti mund të krijojë lidhje dhe madje të promovohet dhe jashtë vendit. Në të vërtetë, Lëvizja e “qyteteve të ngadalta” e ka origjinën në Itali si reaksion ndaj simptomës së “Mcdonaldizmit” të fast-foodit” ndërkombëtar.

Fjala “e ngadaltë” është përdorur në këtë rast në mënyrë ironike, shpjegon gruaja- dhe nuk do të thotë se ata që e mbështesin këtë fenomen janë kundër progresit, por janë të fokusuar tek ndryshimet teknologjike dhe tek globalizmi si dhe duke i parë këto të fundit si mekanizma për të përmirësuar dhe lehtësuar jetesën dhe njëkohësisht duke ruajtur ato gjëra që e bëjnë qytetin të veçantë. Ekziston një shembull i lëvizjes së “qyteteve të ngadalta” që lindën nga lëvizja e “ushqimit të ngadaltë”, lëvizje e cila filloi në Itali në vitet ’80. Synimi i saj është të ndihmohen qytete të vogla për të ruajtur të veçantat e tyre, duke përmirësuar mjedisin lokal, si gjërat natyrore, ashtu edhe ato të bëra nga dora e njeriut dhe duke përdorur dyqane lokale, prodhime dhe shërbime që theksojnë atë çfarë ka të veçantë secili qytet.

Ushqimi i ngadaltë promovon mbrojtjen e bio-diversitetit lokal, të drejtën për të shijuar, duke ruajtur traditën lokale të gatimit dhe të ngrënies dhe çmendurinë e “ushqimit të shpejtë” dhe “jetës së shpejtë”. “Qytetet e ngadalta” po shtjellojnë konceptin e të qenit një mënyrë jetese. Ato theksojnë rëndësinë e identitetit lokal nëpërmjet: ruajtjes dhe mirëmbajtjes së mjedisit natyror lokal dhe atij të ndërtuar nga njeriu; zhvillimit të infrastrukturës në harmoni me peizazhin natyral dhe dobinë e tij; duke përdorur teknologjinë për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe mjedisin urban dhe natyror; duke inkurajuar përdorimin dhe prodhimin e produkteve ushqimore lokale, duke përdorur metoda eko-sensitive; duke inkurajuar prodhimin e mbështetur në traditat kulturore të zonës; duke promovuar cilësinë e mikpritjes lokale.

Dhe, sërish gratë

Dy vitet e fundit, kjo grua ka jetuar midis Pogradecit dhe Tiranës, në përpjekje për të mësuar administrim biznes në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, për të marrë /mbështjellë me njohuri teorike, atë çfarë arriti nga një biznes i ngritur në qytetin e vogël të Pogradecit 15 vite më parë. “Think global -act local”, u bë motoja e saj. Nga larg qyteti iu shndërrua në një vegim të largët, që e shtynte tutje zhurma e gjallëria e rrugëve të Tiranës, të cilës i mungon dhe i dukej vetja e vogël dhe e pafuqishme për t’i bërë gjërat të ndryshojnë, sepse tek e fundit do rikthehej në provincë, në mediokritet... “S’dua ta besoj këtë, por ndonjëherë më vjen në mendje se balancat janë prishur, njerëzit vetëm rendin të çorientuar drejt parasë, investojnë tek dukja, pak i kushtojnë rëndësi shpirtit”. Dhe, pastaj pyetja, a mundet një njeri i vetëm, pak njerëz, të sjellë ndryshimin. Ngre supet. “Vitet kanë ikur dhe je i angushtuar nga ngërçi i tranzicionit të tejzgjatur, me ëndrrën që të ka marrë me vete në çaste, minuta, orë, ditë, dhjetëvjeçarë, që vendlindja jote t’i përngjasojë sadopak Evropës ku duam të arrijmë një ditë. Sot u zgjova me tingujt e një kënge që përsëriste pareshtur sloganin: Sot është në modë të jesh i lirë!!!!!” Ndahemi.
...

Është vonë. Ndërsa dimri ka derdhur hirin e tij në qytet. Këtu mbyllet historia jonë e qytetit ngërttyer më shumë në ulickat e ngushta, zogjtë, mjellmat, shtëpitë, kasketat e të vjetërve..dhe tutje ai Lasgushi. “Në kaq heshtje-e qetësi/ Ndjej vajtimthin e një shpesi:/Psherëtin me zë të ti/Jet’ e trembur se mos vdesi...” Në realitet, shiu spërkat ashpër në kthim në vjeshtë-dimrin 2010.

*Për shkrimin është shfrytëzuar publicistika dhe krijimtaria e Afroviti Gushos, si edhe vargje të Lasgush Poradecit tek “Dimri”

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama