Ne Mbreterine e Fotografit Kristaq Sotiri; Nje foto pe “Charl-i”

Në Mbretërinë e Fotografit Kristaq Sotiri; Një foto pe “Charl-i”

Eshtë pak vështirë sot, t’i shpjegosh dikujt jashtë Korçës se kush ishte Kristaq Sotiri. Por, është akoma më shumë e vështirë, kur këtë të duhet t’ia bësh një korçari. I vjetër? Më duket katastrofë. Me pak fjalë, një nga fotografët që ka bërë historinë e fotos në Shqipëri, tashmë dalëngadalë po i drejtohet pa kthim harresës...
Pak metra larg shtëpisë së tij në Korçë e ndiej nga mëdyshimi i një mësuesi të vjetër, të dhjamosur, që ka zënë një cep dhe nuk ecën dot. “Ku e ka shtëpinë familja e Sotirit?” –e pyes. “Nuk e di!-më gjegjet”. Më keq akoma, nuk e njeh të Riun, me të cilin duhet të jetë moshatar. Kam frikë se jo edhe plakun. Më kumton krenar se ka qenë mësues dhe që i njeh të gjithë në lagje. Duhet të jetë mbi 65 vjeç.
Dikur, të gjithë bashkëkohësit e Sotirit në Korçë, që tashmë janë harruar prej dekadash, e thërrisnin Charles, njeriun shtëpinë e të cilit kërkoj. E njihnin. E respektonin. Sot?!Largohem, por qëllimi mbetet i njëjtë. Na duhet të takojmë Gjergjin, 68 vjeçar, të birin e fotografit të madh të Korçës, Sotirin. E gjejmë pas një mundimi të vogël pas një dere dhe një shtëpie të vjetër në rikonstruksion e sipër. Nga tre vjet më parë, mbaj mënd se poshtë shkallares fle fototeka pagojë e Sotirit. Për fat, teksa shtëpia po prishej, i gjithë koleksioni i tij kishte mbetur në mëshirë të fatit. “Do e lë të prishet”, më kishte thënë i biri në zgrip-dëshpërim. Fati jo i mirë i një jete të thjeshtë, por më shumë i profesionit, që nuk u trashëgua nga pinjolli i vetëm i Sotirit, bëri që fototeka të rrënohej pak nga pak.
Pak minuta më pas, i biri i tij, është sërish në të njëjtën dhomë të ngrohtë të mobiluar, që shërben si dhomë qëndrimi, ngrënie dhe gatimi. Njësoj, sikur nuk ka ndryshuar asgjë. Më duket se e kam lënë me të njëjtat rroba dhe me të njëjtën ankesë, veçse sërish të pastër. Ankohet prej një ulçere, për fatin, por me pak fjalë. Gruaja, (nuk ka lëvizur dhe ajo) e shëndetshme dhe e qeshur, punon e patrazuar matanë. E ka në terezi.
Është një korçar indiferent në përfytyrimin klasik të shqiptarëve të tjerë. Më duket pak më i rënduar. Nuk më shton ndonjë gjë më shumë nga ç’më ka thënë, veç vizitorëve të tjerë, që janë munduar të nxjerrin fototekën e të jatit. Në shtëpinë e tij, në një lagje karakteristike të Korçës, ku pak të vjetrit “njihen me erë”, strehohen rreth 15.000 negativa të të jatit. Diçka i ka rregulluar në musandrën që ndodhet në shkallët e shtëpisë.
Por, të shkosh atje, duhet të kalosh një vandak me rroba dhe një çrregullsi krejt të pastër. Po, e pohon,- “një pjesë e punëve janë dëmtuar, kur ndërtonin shtëpinë e tyre të re”. Ndërsa, një pjesë do të dëmtohet më tej, po të vazhdohet kështu, shtoj vetë. Kalimi i viteve e ka bërë të ndërgjegjshëm Gjergjin, që fillimisht të mendojë ndryshe për fotot e të jatit dhe të fillojë të bëjë identifikimin e tyre. “Për vit plakemi dhe do të vijë koha, që nuk do të mbaj mend asgjë”, u ka shprehur ai me keqardhje, brengën e të jatit, tashmë ardhur qetë tek ai. Ka qenë pak i sëmurë kohët e fundit dhe kjo e ka ngucur, që tashmë duhet të fillojë të punojë për trashëgiminë e jashtëzakonshme artistike të fotografisë së të jatit. Por, në shtëpinë e tij, më shumë se çdo gjë tjetër, tashmë mungojnë në mure fotot e të jatit. E shikoj të largët mundësinë, që kjo shtëpi të kthehet në një muze. Si pak vjet më parë, në vend të tyre, në mure, është një pikturë e Mios, një portret i të jatit, dhe pak gjëra të tjera. “Ne kemi një arkivë të mirë, ku janë rreth 15.000 negativa. Ato janë në xham, të dimensioneve të ndryshme dhe shumica janë 18x15, kartolina me përmasa të caktuara, punë 30x40. Një pjesë e madhe janë mirë, ndërsa një pjesë janë të dëmtuara. Ato janë në pllaka xhami dhe ka edhe të kohëve të fundit, kuptohet pas çlirimit, që janë me celuloid”...rrëfen ai. Por, shpejt biseda shkërmoqet në hallet e ditës, në Korçën ndryshe...

Në Shqipëri
Çarli (Sotiri) vendosi të kthehej në Shqipëri në vitin 1923. Në fakt erdhi për pak kohë, por fati i keq e solli që ai të mos largohej më nga vendi. Kishte plot 23 vite, që kishte qëndruar jashtë atdheut. Kishte me vete pasaportën e vendit të tij të ri dhe frymëmarjen e Amerikës. Tashmë nuk kishte pranë Steckel, apo ambicien, por veten dhe qytetin e tij, që ishte një “miniaturë” e atyre qendrave, ku kishte qëndruar në të ritë e tij. U pajtua me situatën dhe me aparatin e tij u vendos në një studio modeste, që gjendet sot afër Mitropolisë në Korçë. Përvojën, tashmë do e përcillte këtej e tutje në rregullin mbi pozën e njerëzve të vuajtur, këmbësorëve gjithfarësh, artistëve shqiptarë dhe peizazheve, që vendit të tij, ia kishte dhuruar që nga krijimi, Zoti i madh. Dalëngadalë, tek burri i qetë filluan të pozonin qytetarët, familjet, fëmijët, ushtarakët. Në fillim me druajtje, pastaj gjithmonë e më shumë. Në natyrë ai i shtoi fototekës së tij edhe kurbatkat (romet), lypsat, endacakët, banorët e qytetit...Pasioni e bënte që të largohej shpesh dhe me Mion të prisnin agimin në Pogradec, Korçë e kudo gjetkë. Kur, një ditë arkiva e tij të marrë jetë do të kemi sërish kalimtarët e qytetit të tij; arkitekturën e kohës së paraluftës, një Korçë që u mungon të gjithëve. Por, ajo që e bën të veçantë artin e tij është se aparati i tij ishte një zë në kulturën shqiptare të viteve ’30 me ndjeshmërinë që transmetonte. Falë profesionalizmit të lartë, kudo mund të kundrosh feminilitetin dhe muzikalitetin, me të cilën ai ka trajtuar bashkëqytetaren e tij Tefta Tashko Koçon; kemi Spiro Kondon, kemi Mion... Me një sy tjetër, lëvizjes intelektuale, që po e ushqenin qendrat urbane të asaj kohe, i shtohej edhe arti i fotografisë së tij. Ai shkon tej gjendjes së ngrirë të personazheve. Në çdo figurë shikon një dashuri të tillë, ku edhe peneli më profesional do të hezitonte për të sfiduar. Në imazhet e të varfërve, pacientëve të spitalit të Turtullit, qytetarëve të ndryshëm, përcillet një gjendje emocionale e jashtëzakonshme, e denjë për artin më superior. Vangjush Mio, mbreti i peizazhit shqiptar, një moment i kumton: “Më duket se punët, po më zbehen përpara artit dhe talentit tënd”. Jo vetëm fjalë miqsh, por edhe adhuruesish, për një art që diktonte. Dhe, kështu kaluan vitet. Ndërsa, negativat e Çarlit u zëvendësuan me celuloidin. Në ditët tona, mijëra negativa ruhen në shtëpinë e vogël, afër Mitropolisë në Korçë. Që nga pllakat klasike të xhamit dhe duke vazhduar me ato të celuloidit, që u bënë pas Çlirimit. Filloi të seleksiononte, ndërsa me miqtë shprehte keqardhjen, kujton Kallfa, që i biri nuk e kishte mundur të trashëgonte profesionin e tij. Por, s’kishte më kohë, të gjithë jemi destinë të fatit.

Sotir-ët sot
Në shtëpinë ku jemi ulur me Gjergjin lartojnë dy kate, që me rikonstruktimin dhe me kolonatat e bukura që tashmë prehen në tokë, të jep Korçën e vjetër. Ata janë zhvendosur pak nga shtëpia e dikurshme dhe nga studio, e cila prej kohësh, tashmë është bërë shtëpi banimi e dikujt tjetër. I biri i Çarlit, kujton shumë pak gjëra për babain. Njësoj si shumë vjet më parë mbetet lakonik dhe i mërzitur, ngaqë negativat e tij kanë filluar të dëmtohen gjithmonë e më shumë. E ka një justifikim që nuk ndoqi profesionin: Regjimi. ‘Profesorin’, si i thonë Gjergjit në lagje-, regjimi e detyroi, që të vazhdonte shkollën për Bio-Kimi. I gjori Sotir trokiti kudo, sipas tij, por asgjëkundi këto nuk pinë ujë dhe Sotir-ët e bindur dhe këtë herë u bindën, por duke lënë një peng të madh pas: Mos vazhdimin e traditës. Këtë herë, Gjergji nuk m’i tregon punët e të jatit, që ka bërë dikur tek Steckel. “Nuk ka shtëpi në Korçë, që të mos ketë një foto pe të tij”, më ka thënë kohë më parë Por, e kupton sinqerisht, se kjo s’mjafton.
Prej vitesh ka shumë njerëz të interesuar për punët e tij, por ato flenë, askush nuk është në gjendje që t’i japë jetë. Përfitimi duket se i ka vënë kapak të rëndë mjeshtërisë së artit të tij.

Rrëfimi i Gjergjit
“Babai ka lindur më vitin 1883 në Mborje. Ai qëndroi atje për një vit dhe pastaj familja u vendos në Korçë. Në qytet ka qëndruar derisa u rrit. Këtu, deri në moshën 17 vjeçare, ai ka punuar tek kunati i tij, Kristo Solidhi, që ishte një patriot dhe një fotograf i vjetër korçar. E kishte tamam kunat sepse i kishte dhënë të motrën. Solidhi ishte nga fotografët e parë korçarë, së bashku me Bendo Korçarin. Më 1900, apo 1901 shkoi në Amerikë në moshën 17 vjeçare. Në Korçë, ndërkohë kishte ndjekur vetëm shkollën fillore…”
Në fakt, teksa shkoi në Amerikë, duket se e vetmja gjë që e bashkonte me qytetërimin e një vendi aq heterogjen ishte fotografia.
“Që kur vajti në Amerikë, ai filloi punë dhe mbante në zemër vetëm pasionin e fotos. Dhe, kjo vazhdoi dhe pasi ka punuar në tre vitet e para në një fabrikë tekstilesh. Edhe atje nuk i kishte rreshtur asnjëherë dëshira e madhe, që të bëhej fotograf. Dhe, kështu, filloi e punoi tek disa fotografë të ndryshëm, por e kishte gjithmonë mendjen vetëm tek një fotograf i madh i kohës, që ishte në Los Anxhelos, Georges Steckel. Ky ishte mjaft i dëgjuar në Amerikë, në atë kohë, dhe kishte marrë rreth 12 medalje ndërkombëtare në evenimente të ndryshme. Babai niset e shkon që andej direkt në Los Anxhelos. Shkon tek ky dhe provohet për të hyrë në punë. Ai e mori dhe e provoi. Për vetë zhvillimin e kohës, ai sidomos synonte në retush, ku ishte forca e tij dhe i tha babait troç: “Ti nuk bën për mua djalë. Unë nuk të marr dot për të punuar”. Dhe, kështu babai iku dhe u fut tek disa fotografë të tjerë në qytet. Për shumë vjet ka vazhduar kështu duke punuar. Saktësisht nuk e di, por kështu ka kaluar rreth 6-7 vjet, dhe pastaj është rikthyer për herë të dytë për të provuar fatin e tij. Këtë herë, mjeshtri i tha me bindje: ‘Tani je në rregull për mua’. Kështu nisi dhe puna e tyre e përbashkët, që ka vazhduar disa vjet”.
Tek mjeshtri qëndron tetë vjet. Një ditë i kërkon që të shkëputet. Steckel e inkurajon. Sotiri kthehet në New York, ku hapi edhe studion e tij të re më 1920-1921...

Durhami në Korçë
Jo shumë larg në kohë, Edit Durhami kishte filluar të bënte rrugëtimin e saj nëpër Shqipëri. E mahnit Korça por më shumë njerëzit e saj. “Korça është një qytet që të habit. Eshtë i pastër, shumë i pastër, madje qyteti më i pastër që kam parë në Perandorinë Turke, me rrugë të drejta të shtruara mirë, pa qen e plehra nëpër këmbë. Qyteti shtrihet në një pllajë të qarkuar me male mbi 700 metra mbi nivelin e detit, ka klimë të shëndetshme dhe ujë të bollshëm, shkruan ajo.
Gati një e treta e banorëve janë muslimanë. Në malet e qytetit nxirret qymyr i cilësisë së dobët dhe Korça krenohet me mullirin me avull që ka. Po të lidhej me hekurudhë me bregdetin, Korça me siguri që do të zhvillohej shumë shpejt, qymyri është aq i mirë sa eksportohet. Me gjithë vështirësitë e tanishme të komunikacionit, në dyqane gjen një sasi të habitshme mallrash importi. Begatia e Korçës në të shumtën e herës nga paratë e kurbetit, sepse, ndonëse në kushtet aktuale shqiptari e ka të vështirë të përparojë në vendin e tij, ai tregon aftësi të mëdha pune në vende të tjera. Dhe, shqiptarët janë aq patriotë, sa paratë e fituara në mërgim i prisnin në atdhe.
Ndërsa Ohri është ende mesjetar, Korça është e qytetëruar. Në shkollën shqip të vajzave m’u bë një pritje shumë e ngrohtë.
...Korçarët më pritën shumë mirë dhe u entuziasmuan me planin tim për të udhëtuar me kalë nëpër Shqipëri. Familjet ku shkova ishin të gjitha shqiptare, shtëpitë ishin të rehatshme dhe të rregulluara me shije...
Ishte detyrë në Korçë që të bëjë një fotografi në studion e tij, ku ai punonte i kërrusur në aparatin e rëndë, gjithmonë pa fjalë. Ndërsa, në kohën e lirë, rrëmbente instrumentin dhe rrëshqiste ulicave të qytetit të tij magjiplotë, për të fotografuar mrekullitë...

Kthim pas...
Emigranti Çarli (Kristaq Sotiri) kishte bërë një udhëtim të stërgjatë me tren. Qeshte pak me vete, sepse në vendin e tij në Shqipëri, as nuk e dinin se ekzistonte një gjë e tillë. Po udhëtonte nga East në West, për një qëllim që e kishte mbajtur gjatë, në pak vitet, që ishte në Amerikë. Nga njerëzit e pupesë së tij në klasin e III, askush nuk e kuptonte qëllimin e tij. Ai që kuptonte pak, do të qeshte pa fund:Por ai donte që të bëhej si Steckel-i i madh. Tek ata fotografë, gati amatorë, që kishte punuar, ëndërronin që të kishin gjysmën e famës së George Steckel. Në pak orët e pushimit sytë e tij mbeteshin në foto e tij. Për të, Steckel ishte sfida e madhe amerikane, ose “American Dreams”. Ishte i bindur se fama dhe pasuria për të, mund të fitohej vetëm “Made in Steckel”. Në fakt, pak orë më vonë, studioja e shkëlqyer e George Steckel-it, edhe pse me aq famë, atje ku ishte në Los Anxhelos nuk të bënte ndonjë përshtypje të madhe. E vendosur në “220 South Spring Street in downtown Los Angeles”, ajo dukej se donte të shpëtonte mjeshtrin nga fama e saj. Këtë adresë, shkëputur nga një revistë e shtrenjtë për të, mbante në dorë djali. “Steckel Studio” ishte fytyra e Amerikës West , në pjesën e dytë të shekullit XIX dhe vazhdimin e XX. Gazetat amerikane e kishin për nder përdorimin e fotove të tij, ndërsa një foto tek ai, ishte më shumë se një detyrë familjare e qytetarëve të Los Angelos. Ishte detyra për t’u përjetësuar artistikisht. Kjo është arsyeja, që sot në shtëpinë e Gjergj Sotir-it, djalit të Kristaqit (Çarlit), fotot që mbajnë logon e Steckel paraqesin fytyra aq optimiste dhe që duket se përjetësohen në histori. Djali, që shumë vite më vonë, do të punonte nën autoritetin e kësaj logoje, do të brumosej me këtë stil. Atë ditë, që i afrohej frikshëm studios së Steckel, ishte vetëm 20 vjeçar. Kishte lënë hotelin herët në mëngjez, me qëllimin më të madh të jetës së tij, që do të bëhej dikushi, duke kaluar portën e Studios së njohur. Amerika për të ishte rruga e George Steckel. Prandaj dhe hapat hezitues të tij, e kishin justifikimin në këto momente. Për tre vjet me rradhë, në fabrikën e tekstilit, ku kishte punuar në New York, kishte parë vetëm punët dhe artin e Steckel. E njihte si punonte ai me detaje, dinte si bënte ai retushin, dritë-hijen, pozicionin e modelit, plastikën, gjithçka, që kishte erën e Steckel. Me këto kujtime, u afrua dhe hyri brënda. Pak minuta më pas, shpjegoi qëllimin e tij, me një anglishte tipike emigrantësh të East. Indiferent, ai që e priti i mësuar me “të çartur” të tillë i hapi rrugë me politesë. Mjeshtri pak minuta më vonë, me qetësinë e indiferencës e ftoi në një nga studiot e tij të punës dhe e pyeti thjesht: Se pse synonte pikërisht studion e tij.
Reagimi i djaloshit nuk i mbushi mëndjen. I vëzhgoi nga afër njohuritë e tij në retush. Fatkeqësisht, ai nuk e përballonte dot, punën e tij. Pak ditë më vonë, Sotiri largohej kokëulur nga dera. Mjeshtri i kishte thënë se mund të kthehej përsëri. Fjalët e fundit, nuk qëlluan dështim për djalin shqiptar, por një inkurajim: Ai, ishte një mjeshtër tashmë… por sipas mënyrës së tij.

Suksesi
Djaloshi shqiptar Çarli nuk e humbi kot kohën në Los Anxhelos. Një rrugë pas në New York, i dukej sikur të kthehej në Kontinentin e tij pa ëndrra. Kristaq Sotir-i, (emri, që kishte mbartuar nga Shqipëria), për shtatë vjet të tjera, u mor me fotografinë në studiot e tjera në Los Anxhelos. U rropat sa tek njëri deri tek tjetri, duke mësuar të fshehtat e artit të fotos, ndërsa kohën e lirë e kalonte duke përsosur teknikën e profesionit. Gjergjin, që mundohet të nxjerr ndonjë gjë me çengel në shtëpinë e tij nuk flet shumë. Për fat të keq, nuk ruhet asgjë nga kjo kohë, përveç pak fjalëve të Çarlit, që u ka lënë kujtim fëmijëve të tij. “U rropata shumë për jetën, por më shumë për zanatin”. Ky kalvar vazhdoi i freskët për shtatë vjet me rradhë. Çarli (Sotiri) përparoi dhe ishte gati të matej me këdo, por ende jo me Steckel-in. Hapi i tij nuk dridhej më në kryeqytetin e Kalifornisë. I kërkon sërish mundësi Steckel, që tash dukej më i plakur. Steckel, në atë kohë, ishte në zenit dhe koleksioneve të tij u kishte shtuar një cikël të jashtëzakonshëm të nudove mashkullore. Një risi në atë kohë dhe një rikthim pak a shumë në idealet e Rilindjes. Shtatë vjet më vonë, tek Steckel, rituali me mjeshtrin zgjati fare pak. “Tashti je për mua”, i tha George Steckel dhe i tregoji thjesht punën dhe rreptësinë e profesionit në studion e tij. Për djalin, që tashmë ishte 27 vjeçar, kjo nuk kishte rëndësi. Kishte kapur Amerikën dhe ëndrrën e saj. “The world is mine”, tashmë ishte një postulat, që kishte ngërthyer fort kokën e djalit. Tek mjeshtri, djali do të punonte gjatë. Ato që ka bërë në “Studion Steckel”. Të stampuara me një vulë të thatë, ato tregojnë klasin dhe nivelin e vërtetë të këtij fotografi të madh.

Largimi
Në shtatë vitet, që do të pasonin, djali do të punonte shumë me George Steckel dhe do të mësonte magjinë e fokusit të tij. Më shtëpinë e tij në Korçë, Gjergji ruan shumë personalitete të kohës, apo qytetarë të Los Anxhelosit, që janë nxjerrë nga mjeshtri shqiptar. Pavarësisht se në fund kanë vulën e studios, ato tregojnë se ku kishte arritur në atë kohë, arti i Kristo Sotir-it. Djali, tashmë, jo vetëm nuk druhej nga fama e mjeshtrit, por edhe “e bezdiste” ajo. Ishte kjo arsyeja, që një ditë të bukur Çarli i kërkoi largimin. Do të kthehej në East në New York dhe që andej do të provonte pavarësinë dhe të papriturën që të jep profesioni. Dhe e meritonte, sipas mënyrës së tij. Hapi studion e tij, që e quajti “Sotir Studio” dhe që andej po fillonte që të mundohej për të ngritur biznesin e tij. Por në horizont po vinte Depresioni dhe kriza. Bashkë me të dhe për emigrantët e shumtë, po afronte koha e mbijetesës nga vdekja. Kjo ishte koha, ndoshta, kur Sotir mendoi që të kthehej në Korçë. Mbase, qyteti i tij, do të kishte vend dhe për të, por edhe për artin e tij.

...
Në Korçë, Kristo Sotir-i do të mbaronte në vitin 1970. Çdo vit e më shumë do shuhej, ndërsa për ditë e më shumë korçarët e rinj as nuk e njohin. Prindërit e tyre, janë krenarë, se veç përditmërisë në qytetin e tyre Mios, Gërmenjit, Kondës; Tefta Tashkos; kishte dhe një Sotir. Eshtë i vetmi moment që i shkëlqejnë sytë Gjergjit, që po kap cakun e 70 viteve. “Herën tjetër shpresojmë më mirë”, më thotë e shoqja. Eshtë optimiste dhe e di mirë që në musandrën e shtëpisë është një thesar. E di se, sa të mbyllet dera, do të vazhdojë njësoj. Mrekullitë nuk vijnë gjithmonë nga qielli. Korça, në rrugicat e saj, është njësoj si dhjetra vjet. Gra, të moshave të ndryshme, që pastrojnë dhe qetësi. Kështu, kalojnë ditët dhe përsëritet, e njëjta histori harrese, në shtëpinë e vogël të Sotir-ve, pranë Mitropolisë. Atje janë negativat e tij, atje është edhe pritja e mjeshtrit...Atje është qetësia dhe frymëmarrja e një qyteti-stoli të Shqipërisë. Nuk ka më borë në dimër në Korçë, ndërsa rrugicat me kalldrëmin e prishur, kanë mbetur aq të bukura. Eshtë i bukur ky qytet.

Ben Andoni - Revista Mapo



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama