Ne Krej-Lure ne kerkim te rrenjeve te Dom Nikoll Kacorrit

Ne Krej-Lure, ne kerkim te rrenjeve te Dom Nikoll Kacorrit
100 vite më parë bota mësoi se më në fund shqiptarët shpallën pavarësinë e tyre nga pushtimi pesëshekullorë i Turqisë. Në opinionin e brendshëm por edhe në kancelaritë e diplomacisë botërore më shumë se kushdo lakoheshin dy emra, ai i Ismail Qemalit, politikan dhe diplomat në kuadër të perandorisë turke, dhe një patriot i shquar i veshur me veladonin e priftit, Dom Nikoll Kaçorri i Lurës. Padyshim kontributi i Tij patriotik dhe intelektual u njoh në atë kohë, teksa Kaçorri ishte bashkëfirmëtar i dokumentit më të rëndësishëm në historinë e shqiptarëve, aktit të themelimit të shtetit shqiptar.

Menjëherë pas këtij akti historik, dom Nikoll Kaçorri u mbajt në Vlorë duke u bërë kështu edhe bashkëthemelues i qeverisë së parë të shqiptarëve, duke mbajtur postin e nënkryetarit të parë të qeverisë për një kohë të caktuar. Historianët, ndër ta autori i librit biografik për dom Nikoll Kaçorrin, z. Hajredin Isufi, përcaktojnë qartë se vetëlargimi i priftit patriot nga kjo qeveri, erdhi në shenjë proteste për indiferencën ndaj sjelljeve të tepruara greke deri në afërsi të Shkumbinit.

Rruga në drejtim të fshatit të lindjes së priftit atdhetar

Në shënimet biografike për dom Nikoll Kaçorrin thuhet se ai u lind në fshatin Krejë-Lurë në vitin 1862. Fshat ky që ndan dy krahina të mëdha: atë të Dibrës dhe Mirditës. E ndërsa çdo aktivitet që lidhet me dom Nikoll Kaçorrin shtrihet në segmentin Durrës-Vlorë-Tiranë dhe Vjenë, pak kush hedh vështrimin ne fshatin e vogël Krejë-Lurë, ku u lind dhe u hodhën hapat e parë të të priftit politikan, patriot e atdhetar. Për të mbërritur në këtë fshat në ekstremin veri-lindor të Mirditës, duhet angazhim dhe kohë e mjaftueshme.

Së bashku me drejtuesit te televizionit të Prizrenit, drejtori Mifail Bytyqi dhe gazetari Enver Sulaj, të cilët janë angazhuar në prodhimin e një dokumentari për dom Nikoll Kaçorrin në kuadër të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, nisemi për të shuar kureshtjen me këtë fshat që lindi priftin patriot, bashkëfirmëtarin e Pavarësisë, zëvendës Kryeministrin e parë të qeverisë së parë të shqiptarëve, dhe bashkëthemelues i alfabetit të gjuhës shqipe që shkruajmë sot.

Rruga për në Lurë është në kufijtë e mbijetesës së trasesë. Duke filluar nga fshati Përlat i Komunës Kthellë në Mirditë, rruga është pothuajse e pa kalueshme deri në ish qytezën tashmë fshirë totalisht nga harta e Shqipërisë, Kurbnesh. Më tej rruga vijon në një luginë të ngushtë, rrethuar me vargmale piktoreske me pikënisje Kepin “Gjon” në njërën anë dhe bjeshkët e Oroshit nga ana tjetër.

Uji i kristaltë i Urakës është bashkëshoqërues i rrugës ku shikon vetëm pak qiell, ndërkohë që krojet janë vendosur në distanca për të shuar etjen e udhëtarëve tashmë të rrallë të këtyre anëve. Sapo prek fshatin Mërkurth, vetëm pak metra të ndajnë me fushën e mirënjohur të Krej Lurës. Teksa fillon fusha ku shpalosen hapësira të gjera të mbushura me aromë bjeshke, ndërtesa e parë me themele është Kisha e fshatit, me një histori shumë vjeçare, ku pikërisht këtu pati kontaktin e parë me teologjinë prifti patriot dom Nikoll Kaçorri. Përballë Kishës në një kodër, ndodhet lagjja ku janë banesat të afërmve të dom Nikoll Kaçorrit.

Në banesën ku lindi dom Nikoll Kaçorri

Lagjja tashmë ka një numër të konsiderueshëm kullash tipike, shumica e të cilave janë drejt dekompozimit të plotë për shkak të largimit të pronarëve drejt zonave të tjera të vendit si Tiranë, Durrës, Lezhë, etj. Ndonëse këtu ndodhen dhjetëra banesa, vetëm njëra prej tyre nxjerr tym, pra në të gjithë lagjen banon vetëm një familje, ndërsa të të gjithë fshatin Krej-Lurë nuk janë më shumë se pesë familje që kryejnë dimrin aty, pasi rreth 150 familje të tjera janë larguar duke lënë kullat dhe trojet në dekompozim të plotë. Rastësisht kjo banesë shumë e vjetër e vetme që nxjerr tym nga oxhaku, është banesa ku ka lindur dhe është rritur dom Nikoll Kaçorri, ndërsa ajo mbahet ende në këmbë nga Kolë Gjok Kaçorri, pasardhës i familjes së priftit atdhetar.

Me të dëgjuar një makinë në oborrin e tij, Kola nxiton të dalë përpara duke demonstruar traditën mikpritëse të zonës, dhe pa u menduar gjatë na fton të hymë brenda. Ai është shumë mirë i informuar për pemën gjenealogjike të familjes së tij, teksa na thotë se Dom Nikoll Kaçorri ka qenë xhaxhai i gjyshit të tij, pasi siç dihet priftërinjtë nuk lejnë pasardhës. Kola këmbëngul se ndonëse banesa ka pësuar ndryshime gjatë 138 viteve nga koha kur ka lindur dom Nikolla, në këtë truall lindi dhe u rrit paraardhësi i familjes së tij.

Banesa është në kufijtë e mbijetesës fizike, ndonëse Kola thotë se në ballinën e saj dikur ndodhej mbishkrimi: “Monument Kulture, mbrohet nga shteti”. Pikërisht këtu fillon indiferenca e shtetit, ndërsa Kola thotë se arsyeja e vetme që ai ka zgjedhur të banojë akoma në fshat, është se nuk mund ti kthente shpinën banesës e cila duhet të qëndrojë sa më gjatë, si pjesë e historisë së këtij kombi.

Teksa na shoqëron në dhomën ku është improvizuar një mini-muze, Kol Kaçorri thotë se ruan shumë relikte të priftit, ndonëse më së shumti janë libra dhe revista që kanë shkruar për dom Nikollën. Në një sirtar mban një karton të zverdhur që daton me vitin 1992, ku presidenti i kohës ka firmosur dekorimin e dom Nikoll Kaçorrit me “Urdhërin e Lirisë së Klasit të I-rë”, ndërkohë që nuk ka dijeni se edhe presidenti aktual z. Bamir Topi e ka dekoruar me datë 17 dhjetor 2007 Dom Nikollë Kaçorrin (Pas vdekjes), me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Në murin e dhomës janë vendosur një shqiponjë dhe disa fotografi të ndryshme të dom Nikoll Kaçorrit, të cilat Kola i mban si relike të shtrenjta në kujtim të priftit patriot. Ajo çfarë bën çudi në këtë rast është se sipër tyre në dhomën e pritjes, është edhe një llamarinë që shkruan “Monument kulture, mbrohet nga shteti”. Në fakt ajo tabelë zakonisht vendoset në ballinën e ndërtesës, por i zoti i shtëpisë duket se do të thotë se shteti kurrë nuk është kujdesur për banesën, ndërsa Kola ka zgjedhur të kujdeset të paktën për tabelën të cilën e ka futur brenda.

Kol Kaçorri thotë se tashmë së bashku me të afërmit e tij ka krijuar një fondacionin Dom Nikoll Kaçorri i cili ka si synim sensibilizimin e shumë faktorëve që të vihet në vendin e merituar figura e dom Nikoll Kaçorrit, dhe shtëpia ku ai ka lindur të shndërrohet shtëpi muze, pra citimi “Monument Kulture” të marrë kuptimin e duhur.

Te lapidari

Në një fushë me bar, rrethuar me gardhe pronarësh ndodhet edhe një lapidar kushtuar veprës së dom Nikoll Kaçorrit. Pranë tij ndodhen rrënojat e shkollës 8 vjeçare që mbante emrin e tij. Martin Rajta një banor i mbetur i fshatit Krej-Lurë thotë se jemi shumë të kënaqur që një figurë e tillë kombëtare ka lindur në fshatin tonë. Ai thotë se ndihemi krenarë për këtë, por kërkojmë që kjo të vlerësohet edhe nga të tjerë, që ky fshat të ketë një muze kushtuar kësaj figure të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare.

Dom Nikoll Kaçori, harresë e qëllimshme në dy kohë

Vetë dom Nikoll Kaçorri nuk e pati aspak problem që të anashkalonte pozicionin e tij si klerik dhe të merrej me politikë kombëtare. Ai këmbëngulte që meshat në Kisha për shqiptarët të ishin në shqip, ndërkohë realizon një aktivitet të gjerë për pavarësinë e Shqipërisë. Pikërisht ky veladon do t’i kushtonte me harresë, sidomos pas ardhjes së komunizmit në vendin e tij. Megjithëse në nderim të tij u ndërtua një lapidar, dhe një shkolle iu dha emri i tij, këto u bënë në fshatin e tij të lindjes, një fshat larg pjesës urbane, ku disa muaj në vit, është i mbuluar nga bora dhe acari i akullt.

Tipik është fakti se në filmin “Nëntori i Dytë” ka një ngjarje të shëmtuar që pak kush e ka vënë re përveç ideatorëve të asaj skene turpi. Nga vëzhgimi i hollësishëm i pamjeve rezulton të ketë firmosur edhe një firmëtar me veladonin e priftit që nënkuptonte dom Nikoll Kaçorrin, por në daljen e njohur në ballkonin për deklarimin e shpalljes së Pavarësisë, dom Nikoll Kaçorri nuk figuron më aty, madje është zëvendësuar me dy të tjerë. Gjatë gjithë kohës së komunizmit nuk u bë asnjë përpjekje për gjetjen e eshtrave ku ishin varrosur në Vjenë të Austrisë, ku vdiq në vitin 1917 nga një sëmundje e rëndë.

Por edhe në kohën tjetër, pas ardhjes së demokracisë, dom Nikoll Kaçorri u godit po aq rëndë si në komunizëm, teksa arkivoli me trupin e tij me të zbritur në Rinas, pas gjetjes së tyre në Vjenë, u lanë në tokë si të ishin plaçka të rëndomta, dhe pasi bënë disa xhiro në transportierin e valixheve, dhe më pas u vendosën në një karrocë mallrash për tu nxjerrë jashtë godinës së aeroportit. Kjo ngjarje e rëndë fotot e të cilës në pak minuta bënë xhiron e botës, ndodhi vitin e shkuar, ndërsa protokolli i shtetit nuk u duk askund, për të kryer detyrimin mimimal ndaj një ndër figurave më të rëndësishme të historisë së shtetit shqiptar. Po ashtu tre ditë më vonë, në ceremoninë e ri-varrimit në kishën e Durrësit, politika nxitoi të shfaqej për të fituar pikë në nderim të dom Nikoll Kaçorrit, por harroi se në një tempull të shenjtë, aq më tepër në një ceremoni varrimi, nuk duhet të artikulohet politikë bunkeriste e ditës me sulme ndaj kundërshtarëve, duke deklaruar në Kishë si më poshtë: “Natyrisht, sot na del para ndonjë Haxhi Qamil, sërish bërtet “rroftë baba!”, por këto janë donkishotër te historisë, hapin tonë, vullnetin tonë, vendosmërinë tonë për të ecur drejt Evropës, nuk do të mund ta pengojë asgjë..”

Skeda personale:

Emri: Nikollë
Mbiemri:     Kaçorri
Lindi më:     1862
Vendlindja: Krejë Lurë
Vdiq më: 29 maj 1917
Profesioni: Klerik, Aktivist, Politikan.
Aktiviteti: Nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë, Zv/Kryeministër, themelues e alfabetit shqip.

Televizioni i Prizrenit, një dokumentar për Dom Nikoll Kaçorri në 100 vjetorin e Pavarësisë

Prej disa muajsh televizioni i Prizrenit po punon intensivisht për realizimin e një dokumentari kushtuar jetës dhe veprës patriotike të Dom Nikoll Kaçorrit. Një ekip specialistësh të këtij televizioni i kryesuar nga drejtori Mifail Bytyqi kanë lëvizur intensivisht në zona të ndryshme të Shqipërisë, aty ku edhe ka qenë shtrirë aktiviteti fetar dhe patriotik i nën kryetarit të qeverisë së parë të Shqiptarëve.

Enver Sulaj gazetari i njohur i zonës, thotë se dokumentari do të jetë gati në kuadër të festimeve të Pavarësisë së Shqipërisë, ku edhe do të transmetohet në disa televizione të rëndësishme shqiptare. Z. Sulaj thotë se që në fëmijëri në Prizren, kam qenë i njohur me veprën patriotike të priftit atdhetar, madje kujton se që në vogëli kanë qenë prindërit e tij dhe xhaxhai që në raste gëzimesh këndonte një këngë shumë të vjetër për Dom Nikoll Kaçorrin, vargjet e së cilës i kujtoj edhe sot.

Pikërisht kjo ka qënë një shtysë pse së bashku me drejtorin Bytyqi, mbështetja e të cilit është shumë e rëndësishme, vendosëm të realizojmë një dokumentar të tillë. Enver Sulaj thotë se kemi gjetur material shumë interesant në Arkivin e Shtetit Shqiptar, ndërkohë që eksplorimi do të vijojë edhe në Vlorë ku është shpallur Pavarësia dhe ku u vendos selia e qeverisë ku shërbeu Kaçorri.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama