Ne Dhermi ne dimer

Ne Dhermi ne dimer
Ose histori nga fshati që zbret poshtë

Disi me zemër të ngrirë marrim të përpjetën e Llogorasë. Një ditë më parë dëbora ka vendosur të “bjerë si qëmoti” dhe kthesat e qafës që arrin deri në 1027 metra lartësi shpeshherë nuk janë edhe aq mikpritëse në ditët e dimrit. Pllanga akulli të përziera me dëborë fshihen në cepat e xhadesë që mezi rrihet nga një diell i dobët. Jemi nisur për në Dhërmi, për në fshatin e turistëve, ullinjve, këngës, diellit, por, para së gjithash i Petro Markos, shkrimtarit të madh, që pati një jetë të trishtë. Bashkë me ne diku në bagazh kolovitet edhe “Retë dhe gurët”, libri autointervistë që u botua pak vjet pasi ai kishte ndërruar jetë. Një rilexim i shpejtë i tij, na e ka çuar edhe një herë ndërmend, kush e di se sa për të satën herë, fshatin që struk shtëpitë e tij mes Maleve të Vetëtimës, dëborë të bardha dhe Jonit krejt të kaltër.

Sundimi i erës

E dinim pak a shumë se do të ishte kështu. E dinim se në këto ditë janari Dhërmiu do të ishte vetëm një grumbull shtëpish të heshtura. Hareja e turistëve ka kohë që është larguar dhe njerëzit e paktë që kanë mbetur në fshat mezi presin që kalendari të hedhë tutje ditët e tij derisa dielli të nisë të ngrohë sërish dhe fshati të mbushet me njerëz, hare, muzikë… Poshtë në plazh, bëjmë mund që të dallojmë ndonjë figurë njerëzore. Asgjë tjetër nuk na shohin sytë përveç rërës, që çuditërisht na ngjan me dëborën që duket në majën e malit, dhe hedhurinave që i vërvit era duke lëshuar një kuisje të trishtë. Më në fund, një plak duket pranë një kishe të vogël. “Po tashti nuk ka njerëz këndej more djem – na thotë duke u mbështetur fort në shkopin e tij – bëni lart në fshat, atje janë ata të dimrit”. Një nga “ata të dimrit” është edhe ai vetë. Këta janë banorët e Dhërmiut dimëror: të moshuar, ndonjë shitës që nuk ka parë hajër në kurbet, ndonjë shofer a mekanik dhe familjet e tyre të pakta. Të tjerët janë jashtë, ose ndër qytetet e mëdha të vendit. Kështu që nisemi të bëjmë më lart, porse teksa kërkonim njerëz kemi hasur menjëherë një grup të madh njerëzor.

Emigrantë në vend të vet

Këta janë të gjithë të rinj, por me pamje të lodhur e të ngrysur. Shumë prej tyre janë të dobët, sikur të kenë një jetë që ecin në këmbë në kërkim të kush e di se kujt. Veshjet e tyre janë fare kurioze: shumëngjyrëshe, por të zhubrosura e të lodhura njësoj si rrobat e atyre burrave që kush e di se sa kohë ka që nuk i ka prekur ndonjë grua. Në fillim na bën përshtypje e folura e tyre. Nuk duken të jenë as vendas dhe as vizitorë që u interesojnë bukuritë e këtyre anëve. Brenda pak minutave e kemi marrë vesh se ç’janë. Ata vijnë nga zonat më të varfra të vendit, nga fshatrat e Librazhdit, nga Puka, Mirdita, nga Gora e Mokra, ngado andej ku toka është fare e paktë. Këta janë emigrantë në vend të vet. Kanë vendin e tyre ku mblidhen, diku në anë të xhadesë me sytë e mbërthyer nga deti që feks bukur, por nga xhadeja prej nga pritet të vijë puna dhe bashkë me të edhe ndonjë para e vogël, të cilën e çojnë më pas në shtëpi. Era vazhdon të luajë me “kujtimet” e kohës së plazhit, një shapkë plastike, që hidhet hareshëm, copa çadrash, që mbështillen rreth pemëve, shishe e kanoçe të harruara lloj-lloj. Kjo është festa e dimrit në anë të detit. Ata emigrantët shqiptarë në Shqipëri mbështillen edhe më nën xhupat e tyre të dalë boje duke thithur fort cigaret me të dredhur. Më në fund një makinë është ndalur te këmbët e tyre. Diçka bisedohet shpejt e shpejt me zë të ulët dhe zhduken shpejt pas disa kolonave të rënda prej betoni. Për pak kohë i shohim ende fundet e bishtave të lopatave të tyre që duken si njerëz të vegjël, të drunjtë, që lozin përmes një kopshti me portokaj.

Njerëz të Dhërmiut

“Me sa kam dëgjuar, me sa di, unë rrjedh nga një familje, që në fshatin Dhërmi quhet Bua. Shekuj më parë, në fshatin tonë erdhi për t’u strehuar Gjin Bue Shpata, nipi i luftëtarit Gjin Bue Shpata. Ai, nipi, siç thonë pleqtë, banoi në një vend mes Shënapremtes dhe Shëntheodhorit, aty ku kishte nomenë zhupa dhe që quhet Paloshpita… Pastaj erdhi dhe ndërtoi një konak, nën Qëndushën, aty ku ende i themi Konaku i Gjinit. Aty i lindën dy djem: Markoja dhe Gjoni. Pak metra më poshtë ngriti një kishë të vogël, Shën Janin, që është ende.

Djemtë e tij u rritën dhe ndërtuan shtëpi të tjera të vogla, nën shpellën e Pano Gjinit. Markoja dhe Gjoni shtëpitë i bënë pranë e pranë. Aty, në atë vend, Markajt dhe Gjonët bënë shtëpi të reja, se u shtuan. Edhe Buajt bënë shtëpi të reja pranë konakut të Gjinit. Kështu që, shekuj me radhë, Markajt, Gjonët dhe Buajt ishin një bark, një fis, dhe gjer vonë, sa isha unë i ri, nuk martoheshin me njëri-tjetrin. Kishin të drejtën e gjakut për njëri-tjetrin, quheshin një familje. Mbaj mend se gjatë viteve ’30, një nga Gjonët, Kosta dashuroi kushërirën time të parë, Eftalinë, por prifti i fshatit nuk u vinte kurorë, se ishin të një gjaku. Prandaj ata shkuan në Korfuz dhe paguan dhespotin për t’i kurorëzuar…”. Kështu e nis rrëfimin për jetën e tij Petro Marko. Në të njëjtin libër ai flet edhe për origjinën e familjeve të tjera të fshatit që kanë ardhur këtu shekuj më parë nga Kruja, Tërbaçi, Velça. “Na doli se vetëm një ishte i huaj: Josif Averbahu, me origjinë çifute, nga Austria – shkruan më tej Petro Marko - kjo e tij është një histori e çuditshme: Një konsull i Austro-Hungarisë, që ishte në Vlorë, dashuroi një fshatare tonën që mblidhte myshnje me shoqet e saj në Llogora. E pa këtë vashëz dhe u çmend pas saj.

Erdhi në Dhërmi dhe e kërkoi për grua. I thanë të ndërronte fenë. U bë ortodoks dhe banor i fshatit…”. Në qendrën e sotme të fshatit pranë postës, një burrë i imët na buzëqesh poshtë syzeve të tij. Është Kiço Auerbach, mësues i matematikës, drejtor i shkollës, pikërisht pasuesi i atij konsullit austro-hungarez, që në mesin e shekullit XIX la gjithçka për të qenë me femrën që dashuronte. Kiço është një mik i vjetër dhe i vyer. Pasioni i tij më i madh është shkolla. “Do të kisha dashur të rrija gjatë me ju sot, por nuk mundem, më duhet të takoj ata të bashkisë për riparime që duhen bërë në shkollë”, na thotë dhe zhduket në një rrugicë të gurtë atje ku duket se është shkolla.

Shoqëruesi ynë këtë herë do të jetë Theodhori Kocani. Makinën e tij me targa USA e kishim parë që në të hyrë të fshatit. Edhe familja e tij ka një histori të gjatë. Njëri nga gjyshërit vinte nga familja e Marko Boçarit dhe u vendos në këto anë, pasi Suli ra nën sundimin e Ali Pashë Tepelenës. Vetë Theodhoriu ka përfunduar Institutin e Kamzës, më pas ka punuar për dhjetë vjet në Kukës, Tiranë e kështu me radhë deri sa ka emigruar vitet e fundit në Amerikë. Bashkë me të depërtojmë në fshatin e vjetër deri atje ku radha e shtëpive të vjetra zëvendësohet nga shkurret.
Mes gjysmërrënojave

Ende ka tek-tuk shenja nga kalldrëmi i vjetër, nga ai që ziente prej gjallërisë, sa herë që burrat ktheheshin në shtëpi, i atij që shkelnin mbi të pushtues e çlirimtarë, hallexhinj, emisarë, nëpunës, ideologë e analfabetë. Tani Dhërmiu i vjetër është një grumbull shtëpish të braktisura. Lagjja më e lartë, ajo që është fare afër kishës mbi krye të fshatit, tashmë nuk është gjë tjetër veçse një grumbull gurësh ku luan era dhe disa qen të braktisur. Ca më poshtë shtëpitë e banuara nisin të shtohen vërtet, porse janë të rrethuara nga shtëpitë e braktisura. Hera-herës fusim kokën në ndonjërën prej tyre duke pasur kujdes se mos shkelim mbi ndonjë dërrasë të kalbur. Ca më tej ka mbetur, kush e di që prej se sa kohësh pa u vërtitur një mokër e rëndë për shtypjen e ullinjve. Diku, në një dhomë të braktisur shohim disa pjata që i kanë ende shenjat e gjellëve. Na shkon mendja se shtëpia e vjetër një natë më parë do të ketë shërbyer si strehë për ata punëtorët që kishim hasur më parë në afërsi të plazhit.

Petro Marko shkruan për një vend diku në qendër të fshatit të vjetër ku mblidheshin burrat për të gjykuar çështje të rëndësishme. Dhori na çon te sheshi i braktisur. Është në afërsi të një kishe të braktisur. Rreth e rrotull një rrapi të stërvjetër ngrihen fasada të gurta. Nga brenda shtëpive nuk vjen asnjë zhurmë. Poshtë nesh kemi vezullimin e artë të Jonit. Marko rrëfen se në 1920 pikërisht këtu italianët patën mbledhur burrat e fshatit duke u kërkuar që t’u dorëzonin pushkët. Në emër të fshatit i ati i Petros nuk pranoi. Kjo i kushtoi shtrenjtë sepse u internua në Itali. Pak kohë pasi u kthye nga internimi dha shpirt i dërrmuar nga vuajtjet. Vetëm një grua e moshuar ka nxjerrë kokën me kureshti nga porta e saj prej llamarine. Edhe për disa kohë, derisa të zbresim në xhade, nuk do të shohim ndonjë figurë tjetër njerëzore.

Misionarët

Dhërmiu është pëllëmbë e kisha. Theodhori na thotë se duhet të jenë afër 40. Tre të mëdhatë dallohen menjëherë që në krye të fshatit, porse mes rrënojave të shtëpive të vjetra hasen shumë prej tyre. Të vogla, pa asnjë lloj orendie, ato duket sikur janë kisha personale të besimtarëve. Në këto anë feja është një gjë fort e rëndësishme dhe e rrënjosur thellë. Për shekuj me rrallë ajo është përdorur edhe për t’i bërë banorët e këtyre anëve strategjike për vete.

Nga më të njohurit misionarë të këtyre anëve janë bazilianët. Këta ishin priftërinj ortodoksë, por që vareshin nga Vatikani. “Papa, për interesat e tij, që të kishte një prapavijë këtej bregut Jon, se kishte frikë nga turqit, dërgoi misionarët bazilianë – shkruan Petro Marko – shumica e tyre ishin arbëreshë, të ardhur nga Morea. Mësonin në Loreto, në seminaret e Papës dhe bëheshin misionarë të tij. Ishin ortodoksë, po nuk e njihnin patrikun e Stambollit. Dhe Papa, që t’i bënte edhe ortodoksët e Himarës unitë, domethënë kristianë ortodoksë, por me Papën, dërgoi shumë misionarë të aftë, me shkollë, me përgatitje të mirë politike dhe fetare. Ata qendrën e tyre e vendosën në Dhërmi, ku kishin qendrën e tyre për gjithë Shqipërinë, gjer në Strugë e Ohër. Ngritën më parë kishën e Shën Mitrit, që e kishin si katedrale. Filluan nga puna. U lidhën me parinë e të gjitha fshatrave dhe u premtonin ndihma material. Prandaj shumë herë Himara, me anën e kuvendeve, i bënte thirrje Papës për armë e ndihma të tjera… Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste erdhën përsëri priftërinj unitë në Himarë dhe filluan propagandën e Vatikanit, që banorët e Himarës të bëheshin unitë, domethënë të vareshin nga Papa. I paguanin shumë ata që bëheshin unitë, ndaj disa zuzarë u bënë unitë për para. Ata i kishin të gjitha dokumentet, prandaj edhe varrin e Niko Katalanit në Shën Thanas e hapën dhe morën gjërat me vlerë: veshje të argjendta dhe kryqin e florinjtë…”.

Na duhet të përkulemi shumë që të futemi në një godinë të vogël. Një qiri ende digjet në skaj të saj. Kjo është kishëza e Shën Kozmait. Edhe ky bën pjesë në radhët e emisarëve të shumtë. Personazh i diskutuar, por gjithsesi shenjtor i kishës ortodokse greke, ai kaloi në këto anë duke kritikuar ata që kishin lënë pas dore mësimin e fesë. Për disa ishte veçse një përhapës i helenizmit, për disa të tjerë edhe ithtar i shkollave dhe i arsimit. Shën Kozmai u vra në Berat në fillim të shekullit XIX. Trupi i tij u gjet në derdhjen e Semanit. Pikërisht në atë vend, atje ku ai u varros, Ali Pashë Tepelena i famshëm urdhëroi ngritjen e një manastiri, që ekziston edhe sot e kësaj dite. Si për ironi të fatit, vetë Aliu kishte dërguar më parë emisarë në fshat që të pranonin fenë myslimane. Sipas kujtimeve të Petro Markos “…Paria e Himarës delegacionin e priti në Qeparo, se kishte më shumë kapedanë. Delegatët e Ali pashë Tepelenës e thanë mendimin dhe qëllimin e vizitës. Më plaku i kuvendit himarjot u tha delegatëve:

- E falënderojmë pashanë që mendon për të mirën tonë. Po i thoni pashait se këtu poshtë, në fshat, kemi një fushë që s’ka ujë. Thahet në verë dhe nuk na jep asgjë. I jemi lutur Krishtit dhe Shën Mërisë, Shën Kozmait dhe Shën Spiridhonit, po s’na dhanë ujë. Në na dhëntë Muhameti ujë, menjëherë bëhemi myslimanë. Kështu i thoni pashait.
Kur vajtën e ia thanë pashait përgjigjen e bergasve, ai qeshi me zemërim dhe tha:
Eh, kaurët e dreqit, do të ma paguajnë! – Pastaj, duke qeshur: -Pizevengët, janë të zgjuar, s’ke ç’thua, janë rrufjanë të mëdhenj!”.

Ka nisur të bjerë errësira. Ajo bëhet edhe më e thellë, sepse fshati që prej disa orësh nuk ka drita. Në skaj të rrugës kryesore ndahemi me Theodhorin. Tashmë nuk mundemi më të lexojmë fletë nga libri i mrekullueshëm i Petros, kështu që, pak nga pak kthehemi edhe një herë në anë të detit, atje ku betoni ka fituar betejën e vjetër me gurin. Nga poshtë i hedhim edhe një herë një sy Dhërmiut, fshatit të kapedanëve që jetonin në shtëpitë e gurta. Na duket sikur befas, brenda një momenti të vetëm, i gjithë grumbulli i gurëve që mbahen me mund në rrëzë të malit do të rrokulliset poshtë së bashku me historitë e vjetra që mbart mbi shpinë.

(Për këtë reportazh u përdorën pjesë nga Petro Marko, Retë dhe gurët, OMSCA, Tiranë 2000).

 
Përse dy gjuhë?

“…Nga pikëpamja e gjeografisë historike, Himara ka një vështrim të trefishtë: është emër i një qendre të banuar (Qyteza e Himarës), emër i një bashkësie krahinore (krahina e Himarës) dhe emër i një dioqeze kishtare (Pehkopata e Himarës)…

…Pavarësisht nga këto luhatje, Himara si krahinë ka qenë dhe vazhdon të jetë një bashkësi etnografike më vete. Si e tillë ajo ka përfshirë, siç përfshin edhe sot, shtatë fshatrat e përmendura (Himarë, Palasë, Dhërmi, Vuno, Kudhës, Pilur, Qeparo). Banorët e saj, duke përfshirë edhe ata që e njohin greqishten, kanë mes tyre një kulturë popullore të njëjtë në të gjitha drejtimet – në doket, këngët, vallet, veshjet, legjendat dhe mentalitetet. Madje, himarjotët, kanë një kulturë gati të përafërt, me atë të banorëve fqinjë të Labërisë. Sikurse do të shihet banorët e saj kanë pasur gjithashtu një të drejtë zakonore të përbashkët të shprehur në gjuhën shqipe (venomet). Edhe normat kanunore të banorëve të Himarës kanë afri me ato të Labërisë, sado që sot u përkasin besimeve fetare të ndryshme, të parët të krishterë, të dytët myslimanë, Këtë e dëshmojnë materialet e regjistruara gjatë ekspeditave etnografike që janë ndërmarrë gjatë dhjetëvjeçarëve të kaluar në këto krahina.

Megjithatë, në gjirin e fshatrave të saj ka një dallim në një pikë të rëndësishme. Tri nga vendbanimet e krahinës – Palasa, Himara dhe Dhërmiu – flasin brenda dhe jashtë shtëpisë shqip dhe greqisht. Katër fshatrat e tjerë brenda dhe jashtë shtëpisë flasin vetëm shqip. Duhet pasur parasysh se te fshatrat e përmendur i kanë banesat e tyre afër detit. Për këtë arsye ato merreshin kryesisht me lundrim, kurse kopshtarinë dhe blegtorinë e kishin si ekonomi ndihmëse. Pothuajse çdo familje kishte mjetin e saj të lundrimit, dikush anije, dikush varkë, sipas fuqisë ekonomike. Banorët e katër fshatrave të tjerë – Vuno, Qeparo, Kudhës, dhe Pilur – me banesat e tyre në kodrina, larg buzës së detit, nuk merreshin, ose merreshin pak me detari, pra nuk kishin mjete lundrimi. Ata merreshin me kopshtari, blegtori dhe emigronin.

Si rrjedhim, sa herë që krahina e Himarës bëhej pre e fushatave ushtarake osmane, familjet e fshatrave kodrinore ngarkonin mbi kuaj teshat e shtëpisë dhe bashkë me bagëtitë e tyre strehoheshin përkohësisht në krahinën e Kurveleshit. Përkundrazi, banorët e tre fshatrave të buzëdetit, meqenëse nuk i merrnin dot anijet në krah, pasi ngarkonin mbi to familjet dhe orenditë e domosdoshme, lundronin në viset që nuk ishin nën sundimin turk – në Ishujt Jonianë (Korfuz) ose në brigjet italiane të Puljes dhe riatdhesoheshin. Nganjëherë edhe pas disa vitesh, sapo largohej rreziku turk. Dëshminë më të hershme për largimin e përkohshëm në rast rreziku të banorëve të Himarës, pjesërisht nëpër tokë dhe pjesërisht nëpër det, e kemi nga kronisti venedikas i fundit të shekullit XV Stefano Magno. Duke përshkruar fushatën që ndërmori Sulltan Bajaziti II në vitin 1486 kundër Himarës kryengritëse, ai shkruan se kundër saj u nisën dy sanxhakbejlerë turq për të ndjekur banorët që u larguan nga toka (nën kuptohet drejt maleve të Labërisë). Në të njëjtën kohë, me porosi të sulltanit ‘dolën nga Vlora gjashtë fuste (anije) edhe erdhën tek ai bregdet për të penguar që ata popuj të mos iknin me barkë nëpër ishuj’…”.

(Kristo Frashëri, Himara dhe përkatësia etnike e himarjotëve. Bisedë me historianët grekë. Toena, Tiranë 2005).

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama