Ne Augsburg eshte hapur ekspozita e piktorit kosovar Gani Gashi

Në Augsburg është hapur ekspozita e piktorit kosovar Gani Gashi

Augsburgu është njëri ndër qytetet gjermane me kulturë të lashtë rreth dymijë-vjeçare ku kanë jetuar shumë personalitete që kanë lënë mbresa në kulturën gjermane.

Piktori akademik kosovar Gani Gashi i cili jeton dhe krijon në Prishtinë, këto ditë me ekspozitën e pikturave grafike ka begatuar jetën kulturore në qytetin e lashtë të Bavarisë.

Në hapjen e ekspozitës ,Gottfried Schröder, drejtues i Galerisë " Schröder " në Augsburg  është shprehur: "Piktori Gani Gashi, dhe artistët tjerë që krijojnë në Kosovë, zanafillen e ngjyrave nuk e zbulojnë totalisht në veprat e autorëve botërorë, por në sistemin koloristik që u kanë parë sytë brenda atdheut të tyre, pranë ngjarjeve kombëtare, ngjyrës së flamurit emblematik, ngjyrës së gjakut në rrjedhën tragjike, ngjyrës së zjarrit të votrës a të luftës, ngjyrës së djegies e ngjyrës së Diellit . Piktorët shqiptarë të Kosovës vijnë nga një shkollë me identitet të theksuar, tipike në Ballkan."

Piktori Gani Gashi ndërtimin e kompozicioneve pikturale e krijon me një dinamikë shpërthyese të trajtave,  të vijave dhe të ngjyrave. Zonja Klaudia Kirsten, e cila së pari takohet me grafiken kosovare është shprehur: "Duhet të theksoj se, përherë të parë konfrontohem me grafikën shqiptare, mirëpo ajo i përngjan shumë asaj gjermane. Kështu, unë jam shumë shpesh si mysafire në Saksoni, në Dresden dhe përjetoj edhe atje shpesh ekspozita të grafikës dhe mund të them se një ndryshim tërësisht gjeneral nuk ekziston, pra unë nuk e ndiej. Mbruajtja e ngjyrave në këto grafika, që i kam parë këtu, më pëlqen shumë."

Veprën artistike të piktorit akademik Gani Gashi e ka vlerësuar edhe Regina Ostermeyer nga Augsburgu: "Këto forma më kanë mahnitur qysh para dy vitesh. Për veten time këto piktura bardh e kuq, janë në plan të parë. Nuk di se çka të shtoj më shumë, pikërisht e bardha dhe e kuqja më pëlqejnë shumë, pikturat shumëngjyrëshe mua më përshtatem shumë, me hapësirën banesore, orenditë dhomës duhet të përputhen me to. Por ato të gjitha janë me ngjyra të larmishme."


Piktori akademik Gani Gashi në Agsburgun piktoresk, ka ekspozuar me sukses edhe më parë pikturat e tij grafike, me të cilat shprehë ndjenjat e frymzimeve nga të cilat krijohen kompozicione asociative-atraktive me pellgje koloristike të përkufizuara, zakonisht, me kontura të zeza dhe me grafema subtile fosilizuese .

Halil Rustemaj (DW)


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama