Prishja e disa ndërtimeve në Dhërmi pak ditë më parë kë rikthyer tensionet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ministria e Jashtme greke ka reaguar për këtë rast, duke deklaruar se po goditet minoriteti grek në këtë zonë.
“Greqia mbështet perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, me kusht që rruga evropiane është angazhimi i këtyre vendeve me standardet evropiane dhe sundimi i ligjit. Shkelja e këtyre parimeve do të thotë se në fakt ky vend nuk dëshiron rrugën evropiane. Për fat të keq, duke shmangur çdo nocion të sundimit të ligjit, autoritetet shqiptare filluan në Dhërmi, prishjen e pronave turistike të cilat i përkasin anëtarëve të minoritetit etnik grek”, ka deklaruar MPJ greke.
Athina zyrtare e konsideron shkelje të rëndë ndërhyrjen në mes të sezonit turistik dhe dhunim të të drejtave prishjen e objekteve që u përkasin pjesëtareve të minoritetit grek. Për ngjarjen ka reaguar dhe Deputeti i Partisë Demokracia e Re, Jorgos Kumucakos duke theksuar se sjellja e Tiranës ndikon në marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Politika e diskriminimit dhe sulmet arbitrare administrative të shtetit shqiptar në të drejtat legjitime të minoritetit grek, siç manifestohet në Dhërmi, është e papranueshme”, thotë Shefi i Sektorit për Punë të Jashtme e njëkohësisht deputeti Jorgos Kumotsakos. Por për qeverinë shqiptare ka reaguar Ministria e Kulturës. Përmes një deklarate për mediat, ajo ka deklaruar se është duke u mbrojtur trashëgimi kulturore në atë zonë.
“Plani përkatës, pjesë e një strategjie në nivel kombëtar, është konsultuar gjerësisht dhe është miratuar bashkë me komunitetin dhe organet e pushtetit vendor të Bashkisë Himarë. Kësisoj, janë identifikuar edhe ndërtimet që cenojnë trashëgiminë, janë bërë të gjitha njoftimet përkatëse në lidhje me prishjen e ndërtimeve pa leje, shpronësimin, si dhe janë kompensuar pronarët në bazë të ligjit në fuqi. Në rastin konkret, bëhet fjalë për dy godina të ngritura mbi një burim uji brenda zonës së mbrojtur si trashëgimi kulturore. Për pronarët e prekur janë respektuar të gjitha procedurat ligjore, si për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe në përputhje me të gjitha normat e konventat ndërkombëtare”, ka deklaruar ministria përmes një njoftimi për shtyp.