Nderi i Kombit- Ndue Shyti mbush 80 vjet

Nderi i Kombit- Ndue Shyti, mbush 80 vjet

Personaliteti artistik i instrumentistit brilant e të jashtëzakonshëm Ndue Shyti është shumë i njohur dhe i vlerësuar nga muzikologë, studiues e personalitete të folkloristikës shqiptare dhe asaj evropiane.

 

Cila është udha e gjatë e plot sukses e karrierës së tij të shkëlqyer? Si i ngriti shkallët e lavdisë e të famës së jashtëzakonshme për të zënë vend nderi në panteonin e artit kombëtar?

 

Ndue Shyti ka lindur më 10 shtator 1934, në fshatin Gojan i Madh të rrethit të Pukës. Fshat që rrethohet nga bukuri të rralla natyrore. Lumi i Fanit, mali hijerëndë i Munellës, që ruan në të gjitha stinët kësulën e bardhë të borës, nga ana tjetër, bjeshkët e mrekullueshme të Tërbunit, të veshura me pisha, ahe e dushqe të shumëllojshme kanë qenë determinante në frymëzimin e të gjitha melodive e të krijimtarisë së pasur muzikore e instrumentale.

 

Vështirë të thuash se kush “imiton” njëri-tjetrin, bilbilat e bjeshkës imitojnë tingujt e melodive të çiftelisë e fyellit të Ndue Shytit apo ky i fundit u “përvetëson” apo u “grabit” bilbilave të bjeshkës zërin dhe meloditë e tyre mahnitëse?

 

Në aromën dehëse të livadheve e tokës së begatë të Gojanit, gishtat e vegjël të Ndue Shytit luanin në tastierën e çiftelisë dhe në vrimat e fyellit, duke nxjerrë tinguj të ëmbël e të këndshëm. Cili do të ishte ai njeri, qoftë edhe profet, që mund të parashikonte se djaloshi nga Puka, me emrin Ndue Shyti, do të bëhej i famshëm? Kush mund të parashikonte që tingujt e melodisë që dilnin nga gishtërinjtë e artë të artistit popullor Ndue Shyti do të pushtonin skenat e festivaleve folklorike, jo vetëm në Shqipëri, por në katër kontinente?

 

Talenti i tij fillimisht u shfaq në takimet e grupeve folklorike të zonave, që zhvilloheshin në qytetin e Pukës për festën e çlirimit të rrethit. Ky talent duhej të afrohej nga fshati dhe të vinte në Shtëpinë e Kulturës në qytet. U emërua instrumentist. Tani Ndoja mendonte që të ngrinte një orkestrinë të vogël, ta zgjeronte punën e tij më tej sesa një instrumentist. Me durim, me pasion, me vullnet të hekurt e arriti këtë objektiv. Por, jo, duhej akoma. Puka kishte instrumentistë të talentuar, të shpërndarë anekënd rrethit. Ata duheshin mbledhur, të kalonin në “akademinë” e mjeshtrit Ndue Shyti, për të krijuar formacionin më të madh orkestral të paparë kurrë më parë, në artin muzikor folklorik.

 

Orkestra e famshme e Shtëpisë së Kulturës Pukë arriti mbi 100 instrumentistë. Një kolektivizim i të gjitha instrumenteve karakteristike të trevës së Pukës, çifteli, sharki, fyell, lahutë, daulle, bilbil, zumane, gjeth, fuzë etj.

 

Një punë titanike, e pabesueshme. Përfytyroni, të punosh me secilin individualisht, t’u mësosh pjesët, të akordosh të gjitha ato instrumente dhe pastaj të fillosh provat për ekzekutimin e melodisë orkestrale që e kishte krijuar vetë, e jashtëzakonshme! Këtë e bënte dirigjenti Ndue Shyti, i cili nuk mbaroi ndonjë konservator, por u kthye në një akademi të vërtetë artistike.

 

Ndihmesë të jashtëzakonshme në rritjen cilësore të interpretimit, në organizimin strukturor të pjesëve orkestrale ka dhënë muzikantja, kompozitorja e kritikja Sabrije Nushi. Bashkëpunimi i ngushtë i Ndue Shytit me Sabrije Nushin, me koreografin e mirënjohur Riza Hoxha, muzikantin Nut Tahiri, Bardhyl Hysa, Afrim Kalenja, bëri që orkestra e Pukës, e cila drejtohej nga vigani Shyti, tani nuk kishte vetëm karakter instrumental për të ekzekutuar melodi, por edhe karakter shoqërues.

 

Me shumë saktësi dhe virtuozitet, orkestra popullore e Pukës, në drejtimin e Artistit të Popullit Ndue Shyti shoqëronte këngë dhe valle të ndryshme. Kjo orkestër, përveç këngëtarëve pukjanë, si: Zojë Pali, Fran Gjoka, Dava Gjergji, Mereme Xaja, Gëzim Ahmeti, Vitore Rusha etj., ka shoqëruar edhe emra të mëdhenj të këngës shqiptare, si: Ibrahim Tukiçi, Xhevdet Hafizi, Zeliha Sina etj., brenda dhe jashtë Shqipërisë.

 

Nuk mund të ndodhë ndryshe, kur kjo orkestër e famshme ka në gjirin e saj instrumentistë virtuozë, si: Fran Zefi, Pjetër Nimani, Sadri Lleshi, Gjovalin Ndreca, Besnik Haxhia, Mark Shyti, Tonin Haxhia, Nikoll Jaku, Fran Pali, Viktor Shahini etj. Sot ka të rinj të tjerë që trashëgojnë këtë vlerë, si Bledar Marku e Gentian Nimani etj., të cilët janë vlerësuar me çmime në disa festivale për nivelin e lartë të interpretimit në instrumentin e çiftelisë.

 

Formacioni orkestral i themeluar dhe i drejtuar nga Artisti i Popullit Ndue Shyti është vlerësuar nga studiues dhe akademikë të folkloristikës, si: Zihni Sako, Ramadan Sokoli, Çesk Zadeja, Tish Daija, Pjetër Gaci etj.

 

Në shembullin e orkestrës pukjane filluan të krijoheshin edhe orkestra në rrethet Mirditë, Mat, Lezhë etj., të cilat kanë shpalosur nivele të larta ekzekutimi në festivale kombëtare të Gjirokastrës, Beratit etj.

Pjesëtar aktiv në turnetë e Ansamblit të Shtetit jashtë Shqipërisë

Në të gjithë turnetë e Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore jashtë Atdheut, para viteve ‘90, “Mbreti i çiftelisë” Ndue Shyti ishte i përzgjedhur i drejtuesve artistikë Tish Daija e Çesk Zadeja. Pjesët solistike në çifteli elektrizonin sallat gjigante në të gjitha skenat botërore.

 

Interpretimi i artistit të madh Ndue Shyti spikati në Itali, Jugosllavi, Turqi, Francë, Holandë, Suedi, Norvegji, Zvicër, Kinë, Vietnam, Laos, Kamboxhia etj.

 

Për këtë fenomen të muzikës instrumentale folklorike, duke vlerësuar virtuozitetin e interpretimit të Ndue Shytit, me superlativa kanë shkruar gazetat më të mëdha, si: “Le Monde”, “Corriere della Sera”, “Hürriyet” dhe “Zheminzhibao”.

 

Në koncertin madhështor të Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit në Dizhon të Francës, jo vetëm vallet e kostumografia popullore shqiptare, por edhe interpretimi i Ndojës mahniti jo vetëm publikun e zjarrtë të Dizhonit, por edhe jurinë ndërkombëtare të folklorit.

 

E kemi përcjellë si legjendë faktin që mjeshtrit të madh, virtuozit Ndue Shyti, i kontrolluan çiftelinë, duke menduar se në zgavrën e saj ishte fshehur ndonjë manjetë apo mjet i sofistikuar. Këtë të vërtetë e pohon edhe Besim Zekthi, korife i valles shqiptare, në Dizhon. Kështu, Ndue Shyti u bë pjesëtar i trofeut të madh “Gjerdani i Artë”.

 

Pas 30 vitesh të Dizhonit, disa bashkatdhetarë tanë pohojnë se në Muzeun Ndërkombëtar të Artit në Luvër, është ekspozuar edhe fotografia e Ndue Shytit në ceremoninë e dorëzimit të trofeut të jashtëzakonshëm.

Vlerësime të karrierës brilante

Puna, talenti, kontributi i Ndue Shytit për afër një gjysmë shekulli në ruajtjen, pasqyrimin dhe pasurimin e vlerave më të mira etnokulturore përherë është vlerësuar. Sot, në moshën 80-vjeçare, instrumentisti, dirigjenti, krijuesi popullor Ndue Shyti mban këto vlerësime:

  • Laureat i të gjitha festivaleve folklorike kombëtare, Gjirokastër, Berat, Lezhë etj.
  • “Qytetar Nderi i Komunës Gjegjan”, Pukë
  • “Krenaria e Qytetit Pukë”
  • “Artist i merituar”
  • “Artist i Popullit”
  • “Nderi i Kombit”, akorduar nga Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani, në vitin 2013.

Dhjetëra shkrime në gazeta e revista bëjnë fjalë për këtë fenomen muzikor. Në 65-vjetorin e lindjes së Ndue Shytit, poeti pukjan Riza Tafilaku botoi librin “Simfonia e bjeshkëve”. Vetëm pas pak ditësh, studiuesi serioz e i talentuar Mark Mesuli, tashmë “i specializuar” për monografi të njerëzve të artit, nxjerr studimin monografik “Ndue Shyti – Gjeniu i çiftelisë”, një dhuratë në këtë 80-vjetor të lindjes së tij.

 

Disa përcaktime për personalitetin artistik të Ndue Shytit, Nderi i Kombit

Studiues të ndryshëm, historianë, muzikologë, specialistë të folkloristikës, gazetarë etj. janë shprehur: Ndue Shyti – “Virtuoz”, “Fishta i folklorit muzikor”, “Vigan i çiftelisë”, “Mbreti i çiftelisë” etj.

 

Studiuesja e kritikja Sabrije Nushi, shkruan: “Ndue Shyti e shfrytëzon instrumentin cep më cep. Ai e shfrytëzon njëqind për qind tastierën e çiftelisë. Akordon instrumentin në disa pozicione. Luan melodinë në telin e poshtëm e të sipërm”. Këtë madhështi e shpalos edhe në fyell e bilbil, të cilët i prodhon me duart e veta, në tonalitete të ndryshme, duke iu përshtatur krijimtarisë së pjesëve orkestrale.  Më ka befasuar një përcaktim i ambasadorit zviceran, i cili mori pjesë në ceremoninë e akordimit të Çmimit të Madh Evropian ansamblit “Puka” në 9 qershor 2001. Në drekën festive që pushteti vendor dhe komuniteti i artistëve pukjanë shtruan në pikën turistike në bjeshkët e Tërbunit, zoti Halit Furriku, kryetar i shoqatës kulturore “Puka”, më thotë të bëjë edhe një solistike në bilbil Ndue Shyti, pasi e kërkonte ambasadori. E prezantova. Mjeshtri nxori bilbilin dhe filloi një melodi nga më të bukurat. Në atë mjedis natyror fantastik, në aromën e lehtë të gjetheve të ahut, melodia tingëllonte magjishëm, gati-gati si diçka qiellore, hyjnore. Pas këtij ekzekutimi, ambasadori e mori pranë, i mori bilbilin nga dora, e shikonte atë instrument magjik dhe i drejtohet: “Bilbili në duart tuaja tingëllon më bukur se një flaut xhapon (japonez)!” Kanë kaluar plot 13 vite nga ky episod, akoma nuk më shqitet nga mendja vlerësimi i këtij ambasadori. Më vonë mësova, ai kishte mbaruar konservatorin në Zvicër. Me pak komente, ky është Artisti i Popullit Ndue Shyti, “Nderi i Kombit”. I papërtuar në punë, i veçantë e origjinal në krijimtari, virtuoz në skenë. I këndshëm e plot humor në shoqëri e mjedise festive. Simbol i zgjuarsisë e mençurisë, përfaqësues tipik i trevës Pukë-Mirditë. I komunikueshëm dhe i thjeshtë deri në madhështi. E konsideroj veten me fat, që jam bashkëkohës i këtij gjeniu. Krenar që e kemi shok dhe mik të kahershëm. Gëzuar 80-vjetorin e lindjes! Shëndet, gëzime e jetë të gjatë sa të rrojë krijimtaria jote brilante!

Ndue Shyti


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama