Pas tri ditësh bllokimi, specialistët e Antidrogës në Durrës kanë ushtruar kontroll në makinën e Ruçit, duke gjetur sipas tyre një sasi prej 1.5 gramësh drogë, e ngjashme me kanabis sativën. Sipas Policisë, lënda narkotike është gjetur te dera e parë e mjetit, saktësisht në xhepin e derës së shoferit. Menjëherë, ndaj Ledio Ruçit është vendosur masa e ndalimit, me akuzën e prodhimit dhe mbajtjes së lëndëve narkotike. Masa është marrë pasditen e djeshme, ndërkohë që gjatë orëve të mesditës 28-vjeçari ka qenë vetë i pranishëm në Durrës. Burime të besuara thanë se vizita e tij në qytetin bregdetar kishte lidhje me mjetin e atit të tij, që iu bllokua nga policia e këtij qyteti të premten e shkuar. 28-vjeçari është interesuar për procedurat që i duhet të ndjekë, për të nxjerrë nga pika e bllokimit mjetin tip “Volkswagen Touareg”, me targa TR 0141 Z, i cili prej tri ditësh ndodhet në pikën e bllokimit në Xhafzotaj. Nga ana e Policisë së Durrësit mësohet se mjeti ishte pa dokumentacionin përkatës, i cili nis që me ndryshimin e targave, pasi makina është blerë dhe shfrytëzohet në mënyrë private.
Por, pa kaluar shumë kohë nga momenti i pranisë në Durrës të Ruçit, atij i është komunikuar masa e ndalimit. Nuk dihet ende si është shpjeguar prania e sasisë së drogës në makinë nga ana e të riut. Brenda një harku prej 72 orësh, Ledio Ruçi është shoqëruar dy herë nga Policia e Durrësit. Tri ditë më parë, ai u shoqërua në Komisariat pasi mjeti me targa zyrtare, në pronësi të deputetit socialist Gramoz Ruçi, nuk dispononte dokumentacionin e nevojshëm. Ndërsa kthehej me dy shokë nga Gjirokastra, Ruçi nuk i ishte përgjigjur thirrjes për ndalim nga policia e qytetit jugor, e cila lajmëroi kolegët e saj. Pikërisht në hyrje të Durrës, një postbllok policie bëri ndalimin e makinës me targa Z. Gjatë kontrollit, në automjetin e lartpërmendur u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë sportive, pushkë (pa numër), që dyshohet se posedohej nga shtetasi Lori Kelolli. Shtetasi Ledio Ruçi dhe E. Malaj, pas kryerjes së veprimeve të nevojshme procedurale, u lanë në gjendje të lirë.











