Ndal ketu eshte DUKAT!

Ndal, ketu eshte DUKAT!
“Po u vesh dhe një nënë dukatase me të zeza, atëherë do të ketë probleme”. Burri, që e shqipton prerë, ndalon pak si për të shkrehur të gjithë dramaticitetin e thënies. Pa e ndërprerë, burrat, e mbledhur pranë rrapit të Dukatit fshat, para një klubi fare të thjeshtë, miratojnë të gjithë me tundjen e kokës. E. Kulluri, 25 vjeç, që e ka organizuar spontanisht këtë tubim të thjeshtë, organizon uljen e njëzetepesë-tridhjetë të vjetërve, burrave, të rinjve, në formë rrethore. Nuk ka ngutje. Koha pret. Prona? Jo.

Dukatasit prej orësh, ditësh, javësh, vitesh, janë në një konflikt të hapur me shtetin e tyre, që nuk u njeh pronësinë mbi domenin e tyre shumë shekullor, Karaburunin. Dosjet e tyre, prej kohësh në Agjencinë e Pronave, jo vetëm s’iu janë përgjigjur, por edhe më keq akoma: i kanë neglizhuar dhe nëpërkëmbur. Në saj të ndërhyrjes së deputetit Ardian Kollozi, u vendos një marrëdhënie me shtetin, që u duk se bëri punë. Kuptohet, përkohësisht. Sepse, ndërsa fshatrat përreth morën veç tokës bujqësore dhe kullotat dhe livadhet, për ta asnjëherë s’u fol fare. Madje, edhe pse shumica syresh i ka kopsitur dosjet në Agjencinë e Kthimit të Pronave, përgjigjja e drejtë ka munguar.

Dhe, reagimi ka qenë i ashpër: nga zënia e rrugës Nacionale dhe pastaj deri në konfrontimin me policinë nëpër bokërima, ku madje janë goditur dhe të vjetrit, ndërsa mbi policinë janë hedhur gurë etj...Epilogu: pranga për disa demonstrues, ndërsa Ministri Basha i ka etiketuar si talebanë...

Kuvendi

Dhe, “talebanët” e Dukatit, duke parë këtë lloj arsye, kanë menduar t’i thërrasin arsyes. Po, arsyes! Kuptohet, asaj të tyres. Pas letrave, kërkesave, peticioneve të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Dukati,”, vendosën të mbledhin Kuvendin. Edvjol, që tani kryeson grupimin rinor që inicioi rezistencën ose operativitetin e idesë, është më i qartë. “Më kanë vënë mua të flas, sepse flas shumë” -bën humor, por të tipit lab: shumë vranët. Me formim juridik, duket se i ka më të qarta idetë se të tjerët: “Lëvizja u iniciua nga të rinjtë, ngaqë Agjencia dhe shteti po na nëpërkëmb.

Kuvendi i madh i Dukatit ka qëllim të mbrohet ligjërisht Dukati. Kuvendet ekzistonin kur s’kishte shtet dhe shteti është për ne inekzistent. Ne jemi pjesë e tij dhe si e kemi mbrojtur, ashtu duam të na mbrojë”. Pjesa tjetër dihet. 120 fise nga i gjithë areali i Dukatit, ka një përfaqësues në kryepleqësi, që firmos në mënyrë kolegjiale, atë që ata vazhdimisht kërkojnë dhe që kuptohet ende tani s’u jepet. Ndërsa koha e hirtë nuk do të ndriçojë, djali i ri, bën kujdes që qetësia të jetë e plotë. Majtas, monumenti i Sado Koshenës shikon tutje Llogoranë, ndërsa pikat e shiut fillojnë e rëndohen. Fshati përtej duket sikur s’ka jetë, veç mbledhjes së burrave.

Gratë janë pothuaj të padukshme. Fëmijë zbresin nga një autobus. Këtu mbyllet gjithçka. E gjithë vëmendja e Dukatit është tek këta burra nga 16 deri 80 vjeç. Një ditë më vonë do të jetë kuvendi i burrave dhe vendimi që do merret do jetë i hidhur për qeverinë. Dukati s’tërhiqet. Kuptohet, neve nuk kemi nga ta dimë. Shkruajmë në sens ëndrre pak. Në një farë mënyre, mosgjetja e gjuhës me banorët e Dukatit tregon sesa larg është pushteti i sotëm, por edhe ai i djeshmi, nga e përditshmja e njerëzve të vet.

Burrat plotësojnë rrethin e fjalosjes, por askush nuk ndërpret kur flet dikush. E respektojnë median. Janë 260 km², ku këta burra dhe të rinj veshur gjysmëfshatçe, fshatçe, qytetarçe apo shumë moderne, kanë pronat e tyre. Të vdekurit e tyre janë nga Karaburuni dhe në të gjithë këtë hapësirë, që u ka siguruar mbijetesën. “Pse, a do mundeshim të dërgonim një të vdekur nga këtu dhe deri në Karaburun”, -më thotë një nga djemtë. Pak ditë më parë, në shenjë proteste dukatasit bënë një ecje me këmbë deri në sinoret e tyre dhe filluan të rrethojnë tokat e tyre. Karaburuni, veçmas së gjithë zonës ka qenë më shumë se mbijetesë për ta.

Ka qenë vendi ku qëndronin dhe shumë syresh nga këta bura kanë ende kasollet. Të mbledhur në sheshin e Ravenës, në një tokëz mes Malit të Karaburunit, ata pritën dikur Ismail Qemalin dhe bënë planet për pritën ndaj grekëve më 1913-ën. Më vonë ishin nga ata që hodhën italianët në det. Jo, njëherë por dy herë, më thotë një nga burrat. “Gjatë luftës sollën një spiun italian që gjoja ruante Parkun Kombëtar. Ishte në kohën e Luftës italo-greke. De Luka! E vramë. Llogora s’ka qenë asnjëherë e italianëve dhe e askujt”, -kujton një nga pleqtë “Ne e mbrojtëm dhe në dokumente kemi sinoret tona. Dhe po të mos e kem unë, e ka fqinji im dhe kështu nuk gënjehet dot...”, thotë krenar kryeplaku, që është gati i heshtur dhe i bindur për dramaticitetin e situatës.

Intermexo-Pak histori

Situata sa dramatike, njëkohësisht është edhe në prag të zgjidhjes. Burrat e mbledhur bashkë, mbase nuk e dinë saktësisht ato që kanë lënë në dëshmi udhëtarët e huaj apo shkruesit e njohur për këtë vend, por janë të ndërgjegjshëm se ky vend është i vlerë. Përmendet që në lashtësi, kur në këmbët e Dukatit, Çezari brenda natës i zuri pusinë Pompeut; Çelebiu, përshkruan se: në jugë të ishullit të Sazanit, është një krahinë e madhe shqiptare me emrin Dukat, me 100 fshatra dhe përmend edhe disa emra si Theroni, Ravena, Sjadovina, Marmiroi, etj, që shtrihen në rrëzë të maleve Akrokeraune; Pukëvil shkruan se fshatin Dukat e ka themeluar sak me këtë emër Mihal Duka. Një tjetër figurë, si Koço Boçari, e shton dhe më shumë legjendën dhe të parët e fshatit i përcjell në Bizant...

Përtej

“Jo or jo. Ne jemi nga Korça”, -më ka thënë pak orë më parë, Fazlli Merkohitaj, nënkryeplaku, por njëkohësisht edhe shoferi i një makine të madhe, që përcjell dhe pret i pari ata që duan të vinë në fshat. Para 500 vjetësh, sipas tij, kanë ardhur që andej dukatasit e parë dhe varianti i tij i pronësisë është njësoj si të tjerët. Madje, kujton dhe kohën kur dukatasit kanë“bërë marrëveshje me italianët për shfrytëzimin e drurit dhe ata konform dokumenteve vepronin”. Mban mend takimin me ministrin Nishani dhe premtimet e Agjencisë, por i ka tmerruar Arkiva e Shtetit, ku disa i kanë gjetur provat për pronat e tyre, ndërsa të tjerët jo...

Dhe, ndaj një ditë të bukur 14 të rinj iniciuan këtë organizim dhe përfaqësues të 124 fiseve firmosin. Kjo është edhe baza e kuvendit. Dukatasit, në vështrimin e tij, janë marrë me bagëti dhe ndaj kullotat kanë qenë mbijetesa e vërtetë. Ligji 7501, madje i ka privuar njerëzit si ai, që s’kishin lidhje me tokën, por kjo e kullotave, sipas tij, është e pavend. “Një gjë se kuptoj, -kthehet befas. A ka kufij Shqipëria? Ne dhe lagjet i kemi me kufi”. Befas më tregon përbërjen e Dukatit fshat me shtatë lagjet e tij: Gjonbiti, Mazoja, Sotiran, Cilpat, Karroll, Kabdet, Shata dhe bash këta këtu vendosnin për të gjitha. “Nëse qeveria vazhdon kështu, nuk na njeh pronat as ne nuk e lëmë, por kjo është e ushqyer vetëm te fëmija 7 vjeç deri te plaku. Ne qëndruam 45 ditë dhe askush nuk erdhi të na sqaronte...Ndaj...”.

Burrat

Ndaj, vërtetë sqarimi është i lehtë me burrat, por aspak me shtetin e tyre, që e quan të gjithë këtë një sinkronizim kriminal. Fëshfërima e gjetheve shtohet, ndërsa era e bën të gjithë mjedisin e jashtëm edhe më të ftohtë, që me peizazhin e shtëpive përreth, duket dyfish më i ftohtë. Kuptohet as i trand fare burrat, që e kanë të rrënjosur se në këtë vend, është një nga vendet më të lakmueshme të Shqipërisë. Vazhdimisht më hetojnë direkt e në sy. Çfarë do? S’dua asgjë, veç t’u përsëris se jam ende i vetëm dhe me kujtimin historik për vendin e tyre: Orikun, qytet antik i shekullit VI, para Krishtit; varrin e Pashait; shpellën e Haxhi Aliut; Shën Vasinë. E ndërsa, fshatrat përreth kanë marrë pronësinë mbi tokat, livadhet, atyre nuk u njihet asgjë...

Ndaj dukatasit, duke parë reagimin e politikës dhe fjalët për tjetërsimin e pronës së tyre vendosën që të veprojnë vetë, duke iu kthyer organizimeve të hershme me kuvendet. Deri më 2009-ën, kur ka qenë afati i fundit i dorëzimit të Dosjeve në Agjencinë e Kthimit të Pronave, banorët kanë dorëzuar pjesën më të madhe të dosjeve, pothuaj të plotësuara. “Dukatasit janë shumë në numër dhe kanë problematikën e tyre. Nuk them dot se dukatasit i kanë 100 për qind të plotësuara dokumentet, por një pjesë e madhe kanë dokumentacion, si e ka ligji që do prona. Këtë e kanë të depozituar. Disa kanë 15 vjet që e kanë dorëzuar dhe s’kanë marrë përgjigje.

Nga një grup topografësh duam të punohet për përcaktimin e zonës dhe nuk duam me qëllim që të bëjmë dublime me shtetin apo ndonjë lloj autonomie. Ne jemi shqiptarë dhe duam një pengesë ndaj grabitësve që duan të marrim pronat tona dhe të shfrytëzojnë emërtimet. Kemi thjesht qëllim pronësor dhe asgjë tjetër”, thotë Edvjoli, që vazhdimisht i ndjek me kujdes burrat.

Fshati

Burrat, kryesisht të vjetër, janë të ndërgjegjshëm për peshën e misionit të tyre. Dhe, vështirësinë, gjithashtu. Jo më kot, ky fshat, një nga më të përmendurit e Jugut, e ka legjendën e emrit njësoj me atë të shtrirjes gjeografike. Në kohën e Luftës së Dytë Botërore janë konfrontuar me partizanët e dy Brigadave të ashpra, respektivisht I dhe V, që drejtoheshin prej Mehmet Shehut dhe Shefqet Peçit. Drejt tragjedisë, fshati që dikur kish kontribuar edhe për gjuhën shqipe, ngriti në kushtrim Gjikokat, Kullurët, Kazhelët, Naçajt, Halilët, Dukajt, Bërdhojt, Mitajt, Shurajt, Qepajt, për të mbrojtur fshatin dhe pronat.

Dhe, kufijtë, këta fshatarë gjysma myslimanë dhe gjysma ortodoksë, i kanë ruajtur që nga Qafa e Llogorait, duke nisur nga Palasa, në këtë vendin ku është lugina me ujin, pastaj “këtu te mali i Aliçkës, Gurrës deri tutje drejt Urës së Izvorit drejt e te Kepi i Gjuhëzës dhe duke ardhur në Dhrale”, sqaron Petro për ne, teksa do të ulemi pak më vonë në klubin e tij. Dhe rastis sërish ai...Hasko Hasko, është ulur sërish me burrat, dhe mban sërish atë takijen e tij mbi kokë, pak me majëz. Ai e mban mend gjenealogjinë e tij që nga shtatë breza: Deda, Hibro, Hito, Hasko, Qamili, Xhelo, Hasko, që jam unë, e mbyll. Historia e tij është pak a shumë historia e dukatasve. Kanë qenë nacionalistë për të mbrojtur pronat dhe ato i kanë pasur që “në cep të Karaburunit deri në Llogara.

Zogu ka bërë inventarin më 1938-ën dhe Dukati kishte plot 118,000 bagëti të imta. Më ’24-ën, gjyshi im ishte i pari që bëri kontratë me Italinë në Llogora. Ai e bëri më 1919-ën, ndërsa më 1924-ën Zogu e bëri Park Kombëtar. Kemi kontratë, që e ka bërë fisi ynë dhe janë mbi 7 firma të fisit. Por, vetëm për pesë vjet. S’kishim të drejtë të prisnim drurët, por bagëtinë e kishim të drejtë ta menaxhonim. Kullotat janë të gjitha tonat”. Për socializmin më flet Malo Aliçka, që rri afër tij dhe që më përsërit se janë nga Vithkuqi.

Kullotat u duheshin, ashtu si u duhen sot, bash për krerët e bagëtisë, por që në socializëm u katandis me vetëm 47,000 të imta. Sinoriali, si thotë, ndahej me arsye dhe dikur prodhimin e bagëtisë e shisnin tutje nga Pasha Limani në Vlorë. Kishin bujqësinë e dobët, që përbëhej nga rendimente të dobëta në grurë e misër. Farë e dobët dhe zonë që goditej shumë nga era. Drurët frutorë i mbizotëronte vreshtaria dhe kultivatët “Shesh i bardhë” dhe “Shesh i Zi”. Ndërsa tutje, ishte ndërmarrja që prodhonte. Sakaq kthjellohet: “Qeveria është me e mbrojt pronën e qytetarit të saj dhe jo të na përçajë kështu. Pse im bir duhet të punojë e të rropatet në Greqi dhe mos të gëzojë pronën e tij”.

Rebelimi

“Këtu do të vi ’43-shi sërish. Nëse do të rrezikohet ndonjë nga djemtë. Po u vesh një nënë me të zeza do të shikoni se çfarë do të ndodhë. Dukati është trim dhe besnik dhe nuk të ha në besë dhe se njeh frikën me të drejtë. Po u vra dikush, i thoni Valiut të Tiranës, si tha kryeplaku në Dukatin poshtë, se po u vra një djalë në Dukat, atëherë Shqipërisë i vihet flaka. Ne e rrëzuam nga pushteti. Duhet gjetur në mënyrë paqësore”. Nelo Koshena, 74 vjeç, ka vendosur të dëgjojë më shumë.

Ke emër historik, i them. “Se mos di gjë unë, ma pret me humorin e vranët. Të tjerë më kanë bërë dhe më kanë vënë emrin”. Batuta vërtetë s’bën njeri të qeshë, ngaqë burri më tregon se të gjithë pronën e ka në Karaburun dhe madje se “në Ravenë kam shtëpi, se gjyshi dhe stërgjyshi kanë bërë shtëpi dhe janë zbuluar dhe në Dafinë rrija me bagëti. Po s’ke qenë se nuk të lë njeri dhe neve tashmë s’na lë njeri... Ka depo uji, kanë të gjithë prona. Kemi 20 vjet demokraci, por Demokraci pa pronësi s’ka. Tashti kërkoj pronat tona. Do na vriten djemtë dhe nuk kuptoj pse do vritemi për pronën tonë. Në çdo vend i kemi kufijtë e ndarë dhe kemi shkuar mirë me njëri-tjetrin”, -thotë.
...
Edjoli konfirmon, ndërsa më shton se kanë pronën morale të dinjitetit dukatas që i shtyn të jenë aktiv. Pas njëzetë vjetësh, dukatasit ende s’i kanë pronat e tyre dhe kjo i bën që kuvendi tashmë të ketë atribute

Për të shkuar prona te i zoti, pas 20 vjetësh është një përmbysje, por jo e pamundur. Përmbysjet kërkojnë përkushtim, guxim, sakrifica, solidaritet dhe konsistencë. Dhe këto cilësi, i kanë të sendërtuara në qenien e tyre djemtë e Dukatit. Duhet të dini se ne nuk e braktisim rrugën tonë, sepse na pëlqen... E gjithë kjo është për organizimin e brendshëm. Ne e njohim shtetin tonë dhe e duam atë, por duam të jetë prezent dhe në hallet tona...

Shteti në këto 20 vjet, të ashtuquajtura demokraci, i ka mashtruar pronarët dukatas me premtime boshe. Në çdo fushatë elektorale, matrapazët e votës kanë premtuar se do njohin pronat në kufijtë gjeografikë të Dukatit, do të heqin traun e “morgut” të turizmit në postën kufitare të Pashalimanit, do të kthejnë në pronësi tokat e Orikumit, që për 20 vjet mbahen në përdorim, e reforma të tjera sociale për të përmirësuar mirëqenien e komunitetit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama