Nasho Jorgaqi Nje antologji per letersine bashkekohore shqiptare

Nasho Jorgaqi: Një antologji për letërsinë bashkëkohore shqiptare

Një antologji që përmbledh e përfaqëson letërsinë shqipe të viteve '90 e këtej, në të cilën prof. Nasho Jorgaqi ka përzgjedhur rreth 80 autorë e që nuk ngurron ta quajë "antologjia më e gjerë që është botuar deri më sot, qoftë në gjuhën shqipe, qoftë në gjuhë të huaj".

Vetëm një vit më parë Jorgaqi botoi një antologji të letërsisë shqipe nga fillimet e saj në fund të viteve '80. Ndërsa "e vijoi udhën" për të mbërritur tek kjo antologji "përfaqësuese e letërsisë shqipe" e pasviteve '90. "Është antologjia më e gjerë që është botuar deri më sot. Aty përfshihen rreth 80 autorë dhe është letërsia moderne shqiptare. Natyrisht aty janë dy breza që kanë krijuar dhe vazhdojnë të krijojnë në dy epoka: në epokën para viteve '90 dhe pas viteve '90", shprehet profesori, teksa sqaron se natyrisht gjatë punës së vet ka pasur parasysh edhe letërsinë e ish-të persekutuarve, si Pjetër Arbnori, Zef Zorba, Visar Zhiti, Zyhdi Morava, etj.

Emra si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Vath Koreshi, Moikom Zeqo, Qamil Buxheli, etj., janë pjesë e këtij botimi. Por një peshë jo të vogël luajnë edhe autorët e atij brezi që ka debutuar në letërsi në vitet '90 e më pas, duke filluar nga Luljeta Lleshanaku, Ervin Hatibi, Lazër Stani, etj.

Autori Jorgaqi është kujdesur që në antologji të përfaqësohen gjinitë kryesore të letërsisë: proza dhe poezia. Tregime e fragmente romanesh janë pjesë e këtij libri, ndërsa dramaturgjia vjen e përfaqësuar vetëm me një dramë të shkurtër të Stefan Çapalikut.

Përgjigja për debatin absurd të "provincialitetit"

Jorgaqi pranon vështirësinë e përzgjedhjes për hartimin e antologjisë e megjithatë është i bindur që letërsia shqiptare përfaqësohet denjësisht, duke u bazuar dhe në përshtypjet e marra nga kolegët italianë kryesisht shkrimtarë.

"Janë opinione mjaft pozitive që gjërat më të bukura të antologjisë, qoftë në poezi, qoftë në prozë, janë të nivelit evropian. Kështu që kjo është dhe një përgjigje për një debat absurd që është hapur se letërsia shqiptare është letërsi provinciale apo s'është e tillë. Unë do të thosha që letërsia shqiptare është letërsi e një niveli të merituar dhe e një niveli të letërsisë evropiane. Me zërin e saj origjinal, me vlerat e saj, me gjetjet e saj artistike, imazhet e saj. Sigurisht e kam pasur të vështirë në këtë punë krijimtarie që ekziston tani në Shqipëri. Por jam përpjekur të lexoj shumë vepra dhe nga ana tjetër duket se kam gjetur një zgjidhje të mirë: Kam kërkuar nga një pjesë e autorëve të japin atë që gjejnë më të mirë, që mendojnë se kanë krijuar në këto vite, në vitet '90. Kështu kombinimi i përzgjedhjes sime dhe dëshirave e preferencave të autorëve bëri të mundur këtë përzgjedhje".

Autorët janë vendosur sipas rendit alfabetik, ndërsa vepra shoqërohet edhe më shënime bibliografike dhe me një parathënie studimore të prof. Shaban Sinanit mbi letërsinë bashkëkohore shqiptare.

E botuar në kuadrin e një projekti të madh të Bashkimit Evropian - "Interact 3" - ku përfshihen edhe projekte të tjera, aktivitete kulturore, artistike, shkencore, hartimi i antologjisë u bë nën përkujdesjen e komunës së Leçes, kryeqendër e Puglias, e cila historikisht që nga koha e Skënderbeut njihet si porta e parë e shqiptarëve në Itali.

Kurse një pikë "kyçe" qëndron padyshim në përkthimin dinjitoz nga shqipja në italisht, punë që iu është besuar poetëve Xhuzepe Skiro di Maxhio, Kate Cukaro dhe përkthyesit arbëresh shumë të njohur Euxhenio Skalambrino.

Promovimi i kësaj vepre do të bëhet edhe në Shqipëri gjatë ditëve të Panairit të Librit në nëntor. Antologjia për të cilën Jorgaqi ka punuar më shumë se një vit ka një tirazh fillestar prej 2000 kopjesh dhe do të shpërndahet në Itali si dhuratë e Bashkimit Evropian.

Antologjia e Letërsisë Bashkëkohore Shqiptare për prof. Nasho Jorgaqin është e disata në radhë, pas hartimit të gjashtë antologjive të tjera prej tij. Duke filluar nga e para në vitin 1968, Antologjia e Letërsisë Shqipe për Skënderbeun me rastin e 500-vjetorit të Skënderbeut, puna më e rëndësishme në këtë fushë e tij është "Antologjia e mendimit estetik shqiptar" (1504-1944).

Nga lirika shqiptare tek Konica dhe Noli

Në një segment të punës së tij i ka kushtuar hapësirën dhe përkushtimin e vet letërsisë arbëreshe. Vite të shkuara ka botuar një antologji të letërsisë arbëreshe dhe disa vëllime të poetëve arbëreshë. Ndërsa para disa muajsh botoi një antologji me poezi të zgjedhura "të poetit më të mirë arbëresh të ditëve tona që është gjallë, Xhuzepe Skiro di Maxhio", të titulluar "Ishujt". Por siç pohon vetë ëndrra e tij është të përgatisë një antologji të lirikës të gjithë letërsisë shqipe. "Në këtë fushë ne kemi perla, poezi jashtëzakonisht të bukura të cilat në morinë e madhe të poezisë humbasin dhe nuk identifikohen nga masa e lexuesve.

Kështu që të zgjedhura me kritere artistike mendoj se kjo do të ishte një antologji me shumë vlerë, mjaft interesante, sidomos për brezin e ri", komenton Jorgaqi, duke vërejtur se në këto poezi të gjithë do të mund të gjenin botën e tyre shpirtërore, mendimet, botën e emocioneve.

Por kjo antologji është vetëm një pjesë e synimeve të afërta për profesorin, që ka në plan të përgatisë edhe një antologji me krijimtari të zgjedhur të Faik Konicës, libër i destinuar për shkollat. Ndërsa do t'i rikthehet sërish Fan Nolit, të cilin e quan dhe një "dashuri" të tijën. "Dua të bëj një antologji të Fan Nolit dhe mbi Fan Nolin, ku të jetë krijimtaria nga njëra anë e publicistika nga ana tjetër. Ku do të nënvizoj ç'është thënë nga të tjerët për të, do të ketë kujtime, përkthime të tijat, natyrisht të ilustruara dhe me fotografi dhe vepra të arteve figurative që lidhen me të".

Blerina Goce : Gazeta Metropol


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama