Nard Ndoka thyen bojkotin e opozites per leket e partise

Nard Ndoka thyen bojkotin e opozites per leket e partise

Edhe pse anëtarët e opozitës në Komisionin e Ligjeve kishin vendosur që të bojkotonin mbledhjen e shkarkimit të kryeinspektores Zana Xhuka, duke lejuar vetëm Oerd Bylykbashin që të shprehte qëndrimin e përbashkët, deputeti Nard Ndoka ka qenë i pranishëm. Prania e deputetit Ndoka ndoshta ka qenë e detyruar për shkak të axhendës së vendosur ngaKomisioni i Ligjeve, duke e futur dje për shqyrtim propozimin e tij për të ulur pragun e votave të nevojshme për të përfituar nga buxheti i shtetit.

Si një nga propozuesit e ndryshimeve në ligjin për Financimin Partive politike”, deputeti Ndoka u detyrua që të qëndrojë deri në fund, pasi nëse nuk do të shqyrtohej dje nisma e tij, nuk do të votohej në seancë plenare. Propozimi i deputetit Ndoka u miratua nga deputetët e mazhorancës. Vetëm deputeti Mark Frroku votoi kundër, pasi ndryshimi ndikon direkt në uljen e financimit nga buxheti i shtetit për partinë e tij politike, PKDSH. Me këtë amendim, pritet të përfitojnë PSD-ja e Skënder Gjinushit, PDS-ja e Paskal Milos, AK-ja e Kreshnik Spahiut, si edhe PDK-ja e Nard Ndokës, i cili është në parlament pas garës në zgjedhjet e kaluara nën siglën e PD-së.

Amendimi i ligjit ul numrin e nevojshëm të votave që i duhen një partie të vogël për të marrë fonde nga buxheti i shtetit. Konkretisht, duke iu referuar ligjit aktual, i cili parashikon një numër të nevojshëm votash prej 1 për qind të totalit, të vegjlit kërkojnë uljen e pragut për të përfituar ndihmën ekonomike. Dhe, nisur nga totali i votuesve prej 1.724.779 persona në zgjedhjet e fundit parlamentare të 23 qershorit 2013, ku 1 përqindëshi i tyre është rreth   17 mijë vota, të vegjlit kërkojnë që ky prag prej 17 mijë votash të zbresë në 10 mijë vota, në mënyrë që dhe këto parti të përfshihen në skemën e financimit nga buxheti i shtetit. Ndërkohë, mazhoranca në Komisionin e Ligjeve i propozoi parlamenti shkarkimin e Inspektores së Përgjithshme, Zana Xhuka.

Shkarkimi i Zana Xhukës

Ashtu sikurse ishte paralajmëruar, mazhoranca në Komisionin e Ligjeve i propozoi parlamentit shkarkimin e Inspektores së Përgjithshme, Zana Xhuka. Kjo e fundit nuk ishte e pranishme në mbledhje. Deputetët e opozitës shprehën qëndrimin e tyre kritik ndaj Inspektores së Përgjithshme, Xhuka, duke e akuzuar se nuk ka punuar sa duhet gjatë ushtrimit njëvjeçar të detyrës, ka injoruar Kuvendin e Shqipërisë, duke mos përmbushur detyrimet ligjore për informimin e tij, si dhe emërimi i saj, që një vit më parë nuk ka qenë i ligjshëm. "Për këto tre arsye themelore, deputetët kanë kërkuar   në fund të kërkesës së tyre shpalljen e pavlefshmërisë së vendimit të Kuvendit dhe për rrjedhojë shkarkimin e saj nga detyra e Inspektores së Përgjithshme të këtij institucioni.

 Akti i Kuvendit, për emërimin e saj është absolutisht i pavlefshëm dhe për rrjedhojë duhet që padyshim edhe mbi këtë bazë parlamenti duhet ta shohë dhe duhet të rregullojë të gjitha pasojat e mundshme që vijnë si rezultat i kësaj", tha deputeti socialist Armando Subashi. Deputeti Spartak Braho shkoi edhe më tej duke shtruar për diskutim nëse pavlefshmëria e emërimit të saj, sjell pasoja juridike për pavlefshmërinë edhe të akteve të nxjerra prej saj. “Motivacioni është shpallja si të pavlefshëm të vendimit 1 të vitit 2013. Kjo që kur është emëruar është miratuar në kundërshtim të ligjit, por ato vendime të saj janë të ligjshme apo të paligjshme?!

Pra, që ditën e parë që ajo ka filluar punë i ka të pavlefshme”, tha juristi Spartak Braho. Por për opozitën, nisma për shkarkim e nisur nga mazhoranca është një sulm i hapur kundër institucioneve të pavarura. "E gjithë kjo farsë nis mbi një dokument të paligjshëm të prodhuar nga një grup pune i paligjshëm, i miratuar në mënyrë të paligjshme nga ky Komision. Sigurisht që juve nuk do të ndaleni, sepse e keni ndarë që me arrogancë dhe me kartonët me 85 votat që ju keni, ku një pjesë i keni blerë qartazi, kërkoni që të kapni kontrollin e të gjithë institucioneve kushtetuese ose atyre të zgjedhura me ligj.

Opozita nuk do të pranojë që të vazhdojë të bëhet pjesë e këtij procesi farsë", tha deputeti Oerd Bylykbashi, i cili u largua më pas. Edhe kjo çështje pritet që të shkojë në Gjykatë Kushtetuese, pasi opozita pretendon se me këtë propozim, Kuvendi po merr kompetencat e Gjykatës Administrative.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama