Muzika folklorike shqiptare prezantohet ne Iran

Muzika folklorike shqiptare prezantohet në Iran

Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit në Tiranë, e sidomos nën përkujdesjen e vetë ambasadorit iranian, z.Alibeman Ekbali Zarç dhe konsullit z.Alireza Nouruzi, u bë e mundur pjesëmarrja e grupit karakteristik të muzikës folklorike nga qyteti i Krujës, me emër "Kruja Folk", në këtë festival. Festivali Ndërkombëtar Faxhr (Fajr) mbahet çdo vit në këtë periudhë në kryeqytetin e Iranit dhe ai nuk është vetëm një festival muzikor, por është një festival i madh për filmin, teatrin, letërsinë dhe artet e tjera. Ky festival ka filluar të organizohet pas fitores së Revolucionit Islamik dhe është një prelud i fitores së këtij revolucioni dhe i vendosjes së Republikës Islamike në Iran. Kësaj radhe përkoi që të ishte Festivali i 23-të i Muzikës Faxhr, ku pjesëmarrës ishin Orkestra Kombëtare e Iranit, Orkestra Simfonike e Teheranit, si dhe shumë muzikantë e artistë të tjerë vendas, që performuan në muzikën klasike dhe atë tradicionale iraniane. E veçantë e festivalit të 23-të ishte dhe pjesëmarrja e grupeve pop. Ndërsa në pjesën ndërkombëtare merrnin pjesë si përshëndetës muzikantë nga shtete të tilla si Austria, Franca, Holanda, India... etj., dhe nga Shqipëria, ashtu siç u tha, grupi "Kruja Folk".

Nisemi (gjithsej 7 veta) më datë 25 dhjetor nga aeroporti "Nënë Tereza" në Rinas dhe në orën 04:30 të mëngjesit të datës 26 dhjetor arrijmë në aeroportin e ri ndërkombëtar të Teheranit, të hapur afro para një viti, me emrin "Imam Khomeini Airport". Aeroporti është kurorëzuar me emrin e themeluesit dhe liderit të Revolucionit të Republikës Islamike të Iranit, Imam Khomeinit. Një aeroport shumë i madh ky, sipas të gjitha standardeve bashkëkohore. Pranë këtij aeroporti ndodhet dhe mauzoleumi i vetë Imam Khomeinit, që të tërheq vëmendjen që nga larg për shkak të madhështisë dhe rrezatimit që i japin kupola dhe minaret e tij të gjitha në flori. Të bën përshtypje që gjatë gjithë 24 orëve të ditës ky mauzoleum vizitohet nga dashamirës dhe pelegrinë të shumtë që vijnë te varri i udhëheqësit të tyre. Në aeroport kishin dalë në pritje të grupit punonjës të departamentit të muzikës së Ministrisë së Kulturës së Iranit, me tabelën "Albania" ndër duar, të cilët me mirësjellje na uruan mirëseardhjen në vendin e tyre. Së bashku me ta nisemi drejt hotelit me emrin e poetit të madh persian, Ferdousi, ku do të qëndronim në dhomat e prenotuara nga Ministria e Kulturës.

Paraditen e datës 26 dhjetor e kalojmë në një takim special me dy drejtorët e këtij festivali, z.Ali Torabi dhe Dr.Muhamed Hysen Ahmadin, të cilët grupin tonë e pritën në mënyrë shumë të ngrohtë e miqësore. Takimi u karakterizua nga të përbashkëtat kulturore që ekzistojnë mes dy popujve, si dhe për zgjerimin e mëtejshëm të kulturës, e cila është shpirti i emancipimit të çdo kombi.

Më datë 27 dhjetor, në orën 20:30, grupi "Kruja Folk", nën drejtimin e z.Mehmet Llubani, dha shfaqjen e të tij të parë në sallën me emrin "Rudaki". Rudakiu është një ndër poetët e tjerë klasik persianë, të cilët kanë lënë gjurmët e tyre në letërsinë botërore. Kjo sallë ndodhej brenda vetë departamentit të muzikës, e cila organizonte Festivalin Faxhr. Emocionet e parashfaqjes i pushtuan disi anëtarët e grupit, të cilët ndonëse të rrahur me skenat e shteteve të ndryshme evropiane, kishin përballjen e tyre të parë me publikun iranian, i ndodhur në një kontinent tjetër. Përpara se publiku të hynte në sallën e shfaqjes, atij i jepej një broshurë, ku në të prezantohej në gjuhën perse grupi që do të jepte shfaqjen, së bashku dhe me emrat e anëtarëve të grupit dhe me një biografi të shkurtër të tyre. Hapet perdja dhe në skenë hyn grupi "Kruja Folk", i veshur me kostumet popullore krutane, i cili shoqërohet gjatë me duartrokitje nga artdashësit iranianë. Grupi e hap shfaqjen e tij me një këngë karakteristike krutane, dhe pastaj vazhdon me këngë të tjera nga treva të ndryshme shqiptare, të cilat janë perlat e muzikës sonë popullore.

Gjithashtu grupi këndoi dhe këngë me motive bektashiane, të cilat duke pasur parasysh se janë shumë afër kulturës fetare iraniane, arritën që të kapeshin nga publiku iranian, që i habitur nga kjo gjë filloi të duartrokiste akoma më fort. Përveç kësaj, grupi për këtë rast, dy strofat mbyllëse të këngës së fundit me motive bektashiane, i kishte përgatitur në persisht, gjë e cila e befasoi dhe mahniti jashtë mase publikun iranian. Pasi mbaroi shfaqja, e cila zgjati rreth 1 orë e 15 minuta, publiku u ngrit i gjithi në këmbë, duke duartrokitur fort grupin krutan. Madje për habinë tonë ata filluan të thërrisnin edhe emrin e njërit prej këngëtarëve të grupit, z.Arben Mustafa, i cili pa dyshim së bashku me këngëtarin tjetër, z.Mehdi Guni, arritën të përcillnin te publiku iranian shpirtin e muzikës popullore shqiptare. Grupi "Kruja Folk", pasi falënderoi publikun për pritjen e tij, doli në prapaskenë, mirëpo duartrokitjet e publikut, të cilat vazhdonin pareshtur dhe në mënyrë të fuqishme, e detyruan grupin të dilte sërish në skenë për të përshëndetur sërish me një këngë popullore krutane.

Më datë 28 dhjetor, po në orën 20:30, grupi "Kruja Folk" dha shfaqjen e tij të dytë, në një sallë akoma më të madhe se e para, e cila ishte e mbushur plot. Shfaqja edhe kësaj radhe u prit shumë mirë, me duartrokitje të tejzgjatura, ku publiku kërkoi që grupi të këndonte sërish edhe një këngë, pasi koncerti i grupit mbaroi plotësisht. Të pranishëm gjatë shfaqjes ishin dhe trupa televizive të TV të ndryshme iraniane dhe pas koncertit gazetarë të ndryshëm të medias së shkruar dhe asaj audio-vizive erdhën të bënin intervista me anëtarët e grupit. Përveç kësaj, njerëz të ndryshëm nga publiku erdhën për të dalë në fotografi me anëtarët e grupit. E tërë kjo ishte një eksperiencë e bukur, e cila la mbresa të paharrueshme, duke sjellë pranë popujt e dy vendeve, të cilët i shkrinë ndjenjat e tyre me muzikën popullore. Falënderimet dhe meritat e veçanta këtu i takojnë ambasadorit iranian në Tiranë, z.Alibeman Ekbali Zarç, Dr.Ahmadit dhe popullit iranian për mikpritjen e tij. Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Faxhr është festivali muzikor më prestigjioz në Iran, i krijuar në vitin 1986. Ky festival gjithashtu është i njohur edhe nga UNESCO.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama