Muzeu i Pavaresise nevoje per restaurim objektesh

Muzeu i Pavaresise, nevoje per restaurim objektesh

I ashtuquajturi “muzeu i fotokopjeve” në Vlorë (Muzeu Kombëtar i Pavarësisë) tashmë në ambientet e tij të jashtëm ka dhe imitimin e karrocës së Ismail Qemalit. Aty ku gjenden disa nga objektet më të rëndësishme të periudhës 14-mujore të qeverisë së Ismail Qemalit, si tavolina e tij e punës, vazot qeramike, poltrona, tavolina etj., jeleku i vajzës së tij, shpatat e arkivit personal, kutia e duhanit të Isa Boletinit etj., por mungojnë dokumente të rëndësishme, që edhe pse ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit, ky muze ekspozon vetëm fotokopjet e tyre.

Gjatë një bisede me Istref Dobin, drejtorin e MKP-së mësojmë se, godina 160-vjeçare, e cila rrezikohet nga lagështia, ka 30 vjet radhazi pa asnjë konceptim të brendshëm. Sipas Dobit, shpresat janë për vitin 2016, pasi IMK dhe MK të ngrenë një grup pune, por disa objekte, si poltrona, karrige, perde e qilima kanë nevojë për restaurim urgjent. Në 6-mujorin e parë të këtij viti muzeun e kanë vizituar 1800 vizitorë. Vizitorët më të shpeshtë janë nga Kosova dhe Maqedonia.

Zoti Dobi, çfarë objektesh dhe dokumente origjinale ruhen nga qeveria e parë shqiptare në këtë muze?

Duhet t’u them se në këtë muzë ruhen disa nga objektet e rëndësishme të periudhës 14-mujore të qeverisë provizore të Ismail Qemalit. Ndërsa për dokumentet them me keqardhje se, ka shumë pak dokumente origjinale. Me të drejtë ky muze është quajtur muzeu i “fotokopjeve”. Një pjesë e mirë janë në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë dhe pavarësisht përpjekjeve të mia dhe të paraardhësve të mi, dokumentacioni nuk është aty ku duhet të jetë. Ndërsa objektet janë; tavolina e punës së I. Qemalit, vazot qeramike, poltrona, tavolina etj. Ndërsa objekte me vlerë janë; jeleku i vajzës së I.Qemalit, shpatat e arkivit personal të tij, kutia e duhanit e Isa Boletinit, pushka me parambushje e shekullit XIX e luftëtarëve të kryengritjeve shqiptare, fermani i sulltanit që e caktonte I.Qemalin në postin e drejtorit të Përgjithshëm të Gjendjes Civile të Turqisë etj.

Si është gjendja e objekteve muzeale?

Kuptohet që  ruajtja dhe mirëmbajtja e këtyre objekteve është një nga detyrat tona kryesore. Ne përpiqemi t’i mirëmbajmë për t’i pasur në gjendje ekspozimi. Por një pjesë e tyre kanë nevojë për restaurim të menjëhershëm, por dhe të mëvonshëm. Problem urgjent janë poltronat dhe disa karrige, tek të cilat duhet ndërhyrje e menjëhershme. Disa nga këto objekte janë restauruar dhe nga ana jonë dhe është bërë i mundur ekspozimi i tyre, siç është rasti i Flamurit të Çetës së Kolonjës së Sali Butkës (107-vjeçar), i cili pas shumë vjetësh në “sënduk” tani zë një nga faqet murale kryesore në hyrje të muzeut.

Ndriçimi, fasada dhe stendat e vendosura brenda në muze, si funksionojnë?

Konceptimi i brendshëm i muzeut është bërë për herë të fundit rreth vitit 1987. Pra, janë rreth 30 vjet që nuk është ndërhyrë fare. Stafi ynë ka përgatitur dhe një projekt të rikonceptimit të brendshëm të MKP-së, ku janë hedhur piketat për realizimin e tij. Janë angazhuar arkitektë e historianë lokalë, për të pasur platformën e duhur për realizimin e këtij projekti madhor, duke parashikuar që të ketë sistem kondicionimi e aspirimi, mundësi për “kufjet inteligjente”, ku vizitorët, sidomos të huajt mund të kenë në gjuhën e tyre gjithë shpjegimin muzeal, vendosja e audios në çdo pavijon, spoteve etj. Kështu që, ndriçimi është me probleme, pasi dhomat e katit të parë janë të ulëta dhe duhen përdorur spote, që të fokusojnë objektin muzeal. Stendat brenda muzeut duhen riparë dhe modele ka pasi dhe interneti na ndihmon, por kjo duhet të fillojë sa më shpejt.

Para pak ditësh është vendosur në ambientet e tij të jashtme dhe imitimi i karrocës së Ismail Qemalit. Çfarë ndikimi ka kjo karrocë te vizitorët?

Që në fillim të punës sonë, duke u nisur nga projekti “Edukimi nëpërmjet muzeut”, jemi munduar që në ambientet e jashtme të muzeut të vendosim objekte, që janë simbol për momentin e shpalljes së Pavarësisë. Vjet vendosëm shtizën e flamurit, më vonë një fashë prej druri, rreth 40 m2, ku kemi ekspozuar monumentin e Pavarësisë dhe obeliskun e shtizës së flamurit, që ndodhen në sheshin e Flamurit. Në pjesën veriore kemi vendosur një grand-maket të shtëpisë ku u mbajt Kuvendi i Vlorës dhe u ngritë flamuri më datë 28.11.1912, dhe së fundmi vendosëm një karrocë “simbol” të udhëtimit të famshëm të I.Qemalit, nga Durrësi për në Vlorë. Dua të falënderoj Bujar Leskaj, i cili i është përgjigjur idesë sonë financiarisht. Ky projekt e bën muzeun tonë më tërheqës për të thithur më shumë vizitorë. Tani jemi në kulmin e sezonit turistik veror në Vlorë dhe pritshmëritë tona janë akoma dhe më të mëdha, edhe për faktin e vendosjes së këtij objekti.

Ministria e Kulturës për këtë sezon turistik ka ndryshuar oraret për vizita në monumentet e trashëgimisë kulturore


    Parku Kombëtar (Butrint). E hënë - E diel, orari 09.00-20.00.

    Kalaja e Beratit. E Hënë, orari 09.00-17:00. E martë-E diel, orari 09.00- 19.00.

    Muzeu Kombëtar “Onufri” dhe Muzeu Etnografik, Berat. E martë - E shtunë, orari 09.00-14.00 dhe 16.00-19:00. E diel, orari 09.00-15.00.

    Parqet Arkeologjike, si Amantia, Finiq, Orik dhe objektet e tjera të vizitueshme, kalaja e Kaninës, kalaja e Porto Palermos, Manastiri i 40 Shenjtorëve, Sinagoga, kalaja e Himarës, Manastiri i Mesoptamit janë të hapura për turistët gjatë ditëve: E martë - E diel, orari 9.00-14.00 dhe 17.00-20.00.

    Muzeu Arkeologjik, Durrës. E martë- E dielë, orari 09.00-14.00 dhe 17.00-20.00

    Kalaja Shkodër dhe Kalaja Lezhë çdo ditë, orari 08.00-20.00.

    Muzeu Historik Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Krujë. Orari: 09.00-14.00 dhe 16.00-19.00. Muzeu Etnografik, Krujë, orari 09.00-17.00.

    Për institucionet dhe qendrat e tjera të trashëgimisë kulturore të vizitueshme, orari i vizitave gjatë sezonit turistik veror 2015 është: E martë-E diel, orari 9.00 – 14.00 paradite dhe 17.00-20.00 pasdite.


Vizitorët më të shpeshtë, nga Kosova dhe Maqedonia

Çmimi i biletës është 100 lekë për të rriturit dhe 50 lekë për nxënësit. Drejtori i MKP-së, mendon se nëse rritet çmimi i biletës, të ardhurat e mbledhura mund të shërbejnë për investime dhe shpenzime në këtë institucion.

Sa ka arritur numri i vizitorëve në këtë muze përgjatë këtij viti?

Numri i vizitorëve në vite ka qenë i ndryshëm. Nga statistikat që kemi viti 2011 ka pasur numrin më të madh të vizitorëve, sepse ishte dhe prag të 100-Vjetorit të Pavarësisë. Ky numër varet nga shitja e biletave, sepse kuptohet që në vitin 2012 duhet të ketë pasur akoma dhe më tepër. Pati një rënie në vitin 2013 ku numri i vizitorëve arriti deri në rreth 2000 vizitorë, ndërsa në vitin 2014 pati një ngritje tjetër në rreth 4000 vizitorë. Në 6-mujorin e parë të këtij viti ka rreth 1800 vizitorë, duke pasur parasysh që 6-mujori i dytë ka fluks më të madh vizitorësh. Në fakt një problem është dhe çmimi i biletës, ku për të rriturit është vetëm 100 lekë dhe për nxënësit 50 lekë. Do të ishte shumë më mirë që këto çmime të dyfishoheshin, në mënyrë që me këto fonde, sipas ligjit, me 90 për qind të tyre mund të realizonim investime e shpenzime për institucionin.

Kush ka më tepër interes vendasit, apo të huajt?

Duhet t’ju bëj me dije se, gjatë periudhës korrik-gusht orari i vizitave në MKP është paradite 08.00-11.00 dhe 17.00-21.00 pasdite, duke u shërbyer vizitorëve deri në orët e vona të darkës, pasi dihet që pushuesit në Vlorë e kanë të zënë paraditen me rërën, diellin dhe detin, ndërsa pasditen e kanë më të lirë. Fluksin më të madh të vizitorëve e përbëjnë vizitorët nga Kosova, Maqedonia pastaj vijnë turistët e huaj nga Europa e më gjerë. Pra për të bërë një lloj statistike 75 për qind janë nga Kosova, 15 për qind nga Shqipëria dhe 10 për qind të huaj. Pra siç e shihni dhe gjatë periudhës së verës, numrin më të madh të vizitorëve e përbëjnë ata nga Kosova, ku gjej rastin t’i falënderoj.

Me këtë rast dua t’i bëj një thirrje Ministrisë së Arsimit të Kosovës, pasi nxënësit kosovarë e kanë në program mësimor vizitën në MKP, por ka shumë raste që nga 5 autobusë, që thonë rreth 250 veta, në muze hyjnë vetëm 20 nxënës, ndërsa baret rreth muzeut janë plot. Së fundmi, shpresoj që me punën e të gjithëve, të mund të kemi një Muze Kombëtar të Pavarësisë, të denjë për krenarinë tonë kombëtare dhe një institucion që edukon brezat për historinë, kulturën dhe identitetin e popullit tonë.

Godina 160-vjeçare, ndërhyrjet mendohen për në vitin 2016

Lagështia dhe kripa ndikojnë negativisht në gjendjen teknike të kësaj godine, megjithatë me rastin e 80-vjetorit (2016) të krijimit të muzeut është menduar që Ministria e Kulturës të ngrejë një grup pune. Pra deri atëherë, nëse nuk do të jetë vonë, mendohet se do të marrin fund problemet e Muzeut të Pavarësisë.

Në ambientet e jashtme janë karroca e I.Qemalit dhe bustet e anëtarëve të qeverisë së Vlorës, çfarë tjetër i mungon këtij ambienti?

Ne po përpiqemi dhe me arkitektë lokalë, që ta pasurojmë këtë pjesë të muzeut nëpërmjet paraqitjes. Në projektin që kemi realizuar është menduar gardhi rrethues të mos jetë fare, të ketë një “klasë të hapur”, ku nxënësit të jenë të ulur në disa blloqe betoni të bardhë për biseda e takime me mësuesit e tyre, por dhe me punonjësit e muzeut. Gjelbërimi i oborrit është bërë me kujdes, duhen dhe bimë të tjera, por gjithmonë duke pasur parasysh që objekti i muzeut është i ultë, prandaj nuk duhet që të ketë pemë që të sfumojnë rolin e godinës dhe objekteve të fasadës. Projekti ynë i ka të sistemuara të gjitha. Megjithatë këtu realizohen dhe aktivitete të tjera, siç janë konkurset e historisë, koncertet e linjës folklorike dhe të muzikës së dhomës. Mund të përmendim për vitin e kaluar projektin me artistë të arteve figurative të Vlorës, që ka nisur dhe sivjet me disa piktorë e artistë të arteve të aplikuara. Ndërsa aktiviteti më i rëndësishëm që u zhvillua vjet ishte “Java e filmit mesdhetar”, që sivjet zhvillohet në dhjetëditëshin e tretë të gushtit.

Kujtoj ballkonin e muzeut, i cili për shkak të amortizimit qysh në 100-Vjetorin e Pavarësisë (2012) kishte nevojë për ndërhyrje restauruese... Çfarë është bërë për të në vazhdim?

Kjo godinë është rreth 160-vjeçare, pra e mesit të shekullit XIX dhe kuptohet, që pavarësisht ndërhyrjeve restauruese, gjithmonë duhet të jemi të vëmendshëm për ruajtjen e mureve, dritareve e dyerve prej druri, pasi ky objekt është shumë afër detit dhe lagështia, kripa etj., ndikojnë negativisht për gjendjen teknike të tij. Një nga problemet aktuale të muzeut është lagështia dhe të gjitha këndet e dritareve, suvatë e tyre kanë rënë dhe së shpejti ne do të bëjmë një ndërhyrje, së bashku me specialistët e DRKK-së, Vlorë, në mënyrë që të shmangim ndonjë të papritur. Së shpejti, Ministria e Kulturës do të krijojë një grup pune, pasi vitin e ardhshëm në 8 tetor 2016, festohet 80-vjetori i krijimit të këtij muzeu. Pra me krijimin e këtij grupi që iniciohet nga ministrja e kulturës, Mirela Kumbaro, them se do të marrin fund problemet e muzeut, pasi është menduar që të ndërhyhet dhe në ambientet e brendshme dhe në fasadën e MKP-së, duke e bërë këtë muze të “denjë” për t’u vizituar, por dhe pjesë të krenarisë kombëtare, si muzeu i parë shqiptar dhe si selia e parë e qeverisë moderne shqiptare.

Pra objektet që kanë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme?

Ka disa objekte që duhen restauruar urgjentisht, sidomos disa poltrona e karrige, por edhe perde e qilima, sidomos ato të zyrës së kryeministrit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama