Muzeu i Luvrit medalje ari per artistin shqiptar

Muzeu i Luvrit medalje ari per artistin shqiptar

Piktori Gjergj Kola është vlerësuar sërisht me Medalje Ari nga Muzeu i Luvrit në Paris, kësaj here për portretin e “Nënë Terezës”. Kjo figurë për Gjergj Kolën është simbol i bamirësisë dhe urtësisë njerëzore, i përsosmërisë së karakterit njerëzor, më konkretisht i figurës së nënës shqiptare. Piktori rrëfen në një intervistë për gazetën “Shekulli”, peripecitë që ka kaluar si mësues i thjeshtë në Shqipëri, por edhe arsyet e largimit nga ky vend, në vitin 1990.

Zoti Kola, si i kujtoni fillimet tuaja në pikturë?

Nuk mendoj se kam pasur të dhëna shumë të dukshme sa për t’u dalluar nga bashkëmoshatarët e mi përsa i përket asaj që mund të konsiderohet talent. Të gjithë fëmijët dëshirojnë të vizatojnë dhe pikturojnë për të shprehur botën e tyre. Në këtë kontekst edhe unë kam pasur dëshirë që të vizatoj qysh në shkollën fillore dhe një lloj manie mund të them për të krijuar figura të ndryshme duke gërvishtur në sipërfaqe guresh, duke vizatuar në pluhur dhe kudo që të më jepej mundësia.

Në vitin 1991 ju latë Shqipërinë për të ndërmarrë udhën e emigrimit, drejt Greqisë.

Me emigrim, nënkuptojmë në një fare mënyre largim dhe sistemim në mënyrë të organizuar dhe në rastin tonë nuk është kështu pasi unë si mijëra bashkatdhetarë jemi të ikur nga mali në një vend që edhe pse afër, krejtësisht të panjohur. Në vitin 1991unë punoja si mësues në shkollën e Balldrenit në Lezhë dhe pavarësisht situatës kaotike në vendin tonë nuk kisha vendosur akoma të largohem. Shtytje për këtë u bë një ngjarje tepër e egër aq sa akoma nuk mund ta kuptoj se si mundet që njerëzit të kenë aq shumë urrejtje për vatrën e dijes dhe të dritës, siç është shkolla. Them kështu sepse në fundin e qershorit të atij viti, një grup i madh të rinjsh, të "armatosur me armë të ftohta sulmuan shkollën, duke shkatërruar dhe plaçkitur të gjitha orenditë dhe pajisjet laboratorike dhe gjithçka kishte brenda kjo godinë e bukur me tre kate. Unë dhe dy kolegët e mia, si dhe tri klasa plot me nxënës përjetuam momente terrori që të mbesin në kujtesë për të gjithë jetën kështu vendosa të largohem edhe unë në drejtim të Greqisë.

Pas një viti arrini që të ekspozoni në galeri të ndryshme. Si ju kujtohet sot, pas 23-24 vjetësh ekspozita e parë jashtë atdheut?

Ditën e dytë të qëndrimit në Greqi si miq të paftuar, por të trajtuar si mysafirë jete, në një familje shumë fisnike në fshatin Aljakmona në afërsi të Napolit unë bëra dy vizatimet e para të zotit dhe zonjës së shtëpisë të cilët përveç pritjes shumë miqësore ishin edhe "klientët" dhe artdashësit e mi të parët, si dhe mësuesit e mi të gjuhës greke. Dalëngadalë u bë gati i gjithë fshati merakli vizatimesh pasi u pëlqente të shikonin fytyrat e tyre të improvizuara në papse ose në akuarel. Vazhdova "karrierën" në një fshat tjetër që quhet Platania duke vizatuar gjithçka mendoja, por modelët e mi të preferuar ishin pijanecët e kafeneve të cilët ishin edhe më bujarë.

Situata e përgjithshme në këto fshatra ishte rënduar së tepërmi nga dyndjet dhe "pushtimi" masiv i bashkatdhetarëve tanë të rraskapitur, të leckosur, të uritur, pa shpresë dhe plotësisht të braktisur. Sikur të mos mjaftonin gjithakëta duhej të ballafaqoheshim me reprezaljet e herëpashershme të ushtrisë dhe policisë që kryenin në kuadrin e operacioneve diskriminuese "Fshesa". Ishte krijuar një barrë shumë e rëndë të cilën e mbajti në kurriz pjesa përparimtare e popullit grek, duke treguar bujari dhe solidarizim.

Në këtë sfond nuk duhej të ndalesha së vizatuari. Vizita në shtatorin e 91 në Muzeun e bukur historik të Kozanit dhe takimi me krijuesin dhe frymëzuesin e këtij kompleksi muzeal, te paharruarin Kostantinos Siampanopoulos shënoi fillimin e një bashkëpunimi të gjatë, intensiv që i dha frymë dëshirës dhe pasionit tim të kahershëm. U pasurua vizioni im për kulturën dhe trashëgiminë e madhe kulturore greke, si dhe u bë e mundur që të them fjalën time gradualisht në sferën e arteve pasi pikërisht aty fillon aktivizimi dhe promovimi i pikturës time. Kështu aty e ka zanafillën aktiviteti artistik i imi në Greqi dhe jashtë saj në disa vende të tjera edhe të largëta me mbështetjen e njerëzve të thjeshtë dhe të shumë personaliteteve përparimtare në fushën e artit e kulturës dhe të botes akademike greke.

Më pas vlerësoheni me çmim special në pikturë në Greqi, një arritje e madhe për një artist. Si jeni ndier për këtë vlerësim?

Duke qenë se isha i stacionuar në qytetin e Kozanit si kryeqendër e Maqedonisë Perëndimore greke u bë e mundur që të kem kushte për të punuar dhe për të demonstruar atë çfarë unë  mund të bëja siç thashë falë mbështetjes së madhe të intelektualeve, por edhe të popullit të thjeshtë kështu pasi kisha formuar si të thuash profilin tim me karakteristikat e veta m’u besuan projekte të rëndësishme që kanë të bëjnë direkt me prestigjin dhe ndjenjat emocionale të popullit dhe historisë greke pasi këto punime që ndodhen të ekspozuara në muzeumet e Kozanit, por edhe të Greqisë mbartin dhe transmetojnë mesazhe historike, etnografike, arkeologjike etj.

Ndihem thellësisht i nderuar dhe i respektuar pasi në vitin 2006 m’u besua nga ana e bashkisë së Kozanit studimi dhe zbatimi i Karnavaleve të kozanit, festa tradicionale e këtij qyteti. Gjithashtu në 2010 m’u besua pikturimi i Ndërtesës Monument Kulture i Kategorisë së parë e cila në tërësinë e saj është e konceptuar, sipas estetikes dhe mundësisë time duke interpretuar përveç motiveve dekorative edhe shumë tablo në një stil disi të freskët brenda kontureve të monumentit.

Kjo punë ka bërë që të marr aprovimin dhe urimin e disa eksperteve të arkeologjisë dhe Ministrisë së Kulturës në Greqi paralelisht bekimit të shumicës së popullsisë vendase. Duke shijuar disa herë rënie dhe ngjitje të punës sime mund të them se e përgjithshmja ka qenë shumë favorizuese. Momentet e vlerësimit moral nga Lidhja e Shkrimtareve dhe Artistëve të Rajonit të Maqedonisë Perëndimore në Kozan unë nuk i kam përjetuar direkt pasi nuk kam preferuar të marr pjesë në ceremoni, duke u justifikuar se nuk dëshiroja të "provokoja "papëlqyeshmërinë” e njerëzve të caktuar që e konsideroj normale në të tilla raste .Gjithashtu nuk kam asistuar në Athinë në ceremoninë e marrjes së çmimit të Parë të një pune në bashkëpunim me Muzeun e Ptolomaidhas në ekspozitën kombëtare të kulturës popullore për të njëjtat motive.

Si shumë artist ndoshta edhe ju ruani pikturat që keni më përzemër. Por a keni një pikturë, të cilës i riktheheni herë pas here për shkak të kujtimeve që ruani ndaj saj?

Retrospektiva e jetës dhe punës sime ka karakteristikat e veta gjithashtu. Kam dhuruar dhe më kanë humbur edhe nga pakujdesia shumë punime të cilat ndoshta mbartin më shumë vlera emocionale sesa artistike. Natën e fundit të maturës në Shkodër kanë "fluturuar" të gjitha punimet që kisha përgatitur dhe i përkisnin punës jashtë programit shkollor. Në koleksionin që disponojmë dhe që është i shpërndarë në tre shtete pasi akoma në Greqi funksionon ekspozita ime permanente e administruar nga koleksionistja kryesore e punës sime atje, gazetarja Ritsa Spiridou dhe familja e saj, kemi disa punime që u rikthehem shpesh. Mund të veçoj "Ndërrimi i rojës së natës", motiv nga eksperienca në ishullin e Sazanit, tabloja "Gjenocid", "Ikja", "Familja" së cilës i referohem shumë herë, "Nënë Tereza" simbol i bamirësisë dhe urtësisë njerëzore, njëkohësisht simbol i përsosmërisë së karakterit njerëzor dhe më konkretisht i figurës së nënës shqiptare.

Në Shkodër keni mbaruara Akademinë e arteve, por shkolla e realizimit socialist si ka ndikuar në krijimtarinë dhe formimin tuaj?

Nuk jam fitues i asnjë konkursi në Shqipëri gjatë përpjekjeve të mia të shumta për të hyrë në shkollat e artit atje, si për të mesmen ashtu edhe për të lartën. Edhe pse i dështuar në këtë aspekt pata bërë një kompromis me veten time se do t'ia dal edhe pa pëlqimin e jurive dhe komisioneve që ishin shumë të apasionuar pas bakshishit, rakisë, peshkut, verës, thesit me fasule etj., dhe nuk ështëaspak imagjinate në qoftë se ju them se ka pasur raste që njerëzit kanë shitur edhe lopën e shtëpisë nga e cila merrnin ushqimin për të mbajtur frymën në mënyrë që të siguronin "fitimin" e konkurseve etj. Pra duke filluar nga Lezha e vogël, faza e parë e konkursit për t’u pranuar në shkollën e Shkodres pati shënuar humbjen time, e cila u përsërit në konkursin në Shkoder pasi atje me patën dërguar si rezultat i insistimit të familjes time.

Me ndërhyrjen e ministres së atëhershme të Arsimit, Tefta Çami, me shumë vonesë, qe mundësuar hyrja ime në shkollën artistike në Shkodër. Plejada e shkëlqyer e atëhershme e mësuesve në atë shkollë ishte në kontrast të madh me dallaveret që bëheshin në pranime. Gjithsesi unë dola me rezultate maksimale me mësuesin tim të shkëlqyer Danish Jukniu, nxënës model dhe disa herë i ftuar në shtëpinë e tij, si dhe mësuesen e Grafikës gjithashtu të talentuar Zhaneta Jakupi, që nuk e kurseu kurrë inkurajimin për vizatimet dhe grafikat e mia. Konsideratën më të lartë edhe për mësuesit kujdestarë Idriz Kali, Haxhire Luli, si dhe të tjerë. Ruaj një eksperiencë të mire edhe gjatë studimeve fakultative gjatë dy viteve në ILA në Tiranë me ndihmën e piktorit Agim Zajmi në katedrën e grafikës, që drejtonte në atë kohë. Pesë vjet rresht pata konkurruar dhe dështuar njëkohësisht, por të paktën fjalë të mira për punën time nga anëtarë të atyre jurive merrja vazhdimisht.

Cilët  janë piktorët që ju kanë frymëzuar, të huaj apo edhe vendas?

Çdo pikturë e bukur, që rrezaton, që rrezaton energji më pëlqen ta shikoj dhe ta shijoj. Duke filluar nga pikturat prehistorike të cilat sipas meje janë të mrekullueshme, pasi ngjajnë me ujin kristal të burimit, që vjen natyrshëm. Mendoj se janë shumë autorë të epokave të ndryshme të më pëlqejnë, por sigurisht ata që kanë krijuar dhe hapur rrugë të reja, duke thyer tabu mbesin më shumë përzemër dhe kuptohet që dëshira dhe ndjenja për t’i parë është e përhershme.

Fillimisht, pasi u gjendët në Greqi, a keni menduar ndonjëherë se pasojat e periudhës së komunizmit, mund tju kenë lënë “mbrapa” përsa i përket zhvillimit të anës suaj profesionale?

Mohimi i shprehjes së lirë të fjalës përben shkelje të rëndë të së drejtës njerëzore dhe si e tillë lë një plagë të madhe në një shoqëri. Disa kanë kurajon të kundërshtojnë hapur, disa bëjnë rezistencë "veleduni" disa heshtin, por shumë i përshtaten sistemit për përfitime. Kjo edhe minus i madh sidomos në art pasi arti është ndjenjë shpirtërore që i nevojitet njeriut për t’u shprehur dhe për t’u pasuruar nga ana emocionale me lirshmëri të plotë, të pakufizuar apo censuruar si në kohën e inkuizicionit. Sipas eksperiencës time ishin shumë artistë të talentuar, duke bërë kërdinë ndaj talenteve disa nga të cilët me përfundime shpeshherë edhe tragjike.

Kjo gjë nuk ka sesi të mos bëjë efekt duke të lënë një shije shumë të keqe. Unë personalisht solidarizohem më të gjithë viktimat dhe ata që vuajtën shumë, sepse morën kurajon të demonstrojnë idetë e lirshmërisë dhe demokratizimit në art dhe të shoqërisë njerëzore. Errësira e madhe që përjetova në vendin tonë, duke mos pasur asnjë alternative për mundësi ushtrimi sado të vogël të dëshirës time, ose më mirë "etjes" sime për t’u shprehur figurativisht, sipas ndjenjave dhe principeve personale personale, bënte efekt tepër negativ, duke dëmtuar plotësisht ëndrrat e mia rinore. Në vitet 1988-‘90 u gjenda në Sazan për të kryer shërbimin ushtarak dhe pikërisht në armën e Katjushkave. Gjatë pushimeve të stërvitjes së rendë të përditshme vizatoja shokët e rraskapitur si dhe ata që kryenin shërbimin në një peizazh madhështor të Sazanit të sofistikuar me armë të renda e të lehta. Përveç shumë shokëve, ushtarë e marinarë, si dhe banorë të ishullit pata krijuar raporte miqësore me shumë oficerë, pasi i vizatoja vazhdimisht.

Komisari i grupit tokësorë bashkë me zv/komisarin e ishullit Gjon Meshi, si dhe komisari Bujar dingo ishin tre eproret artdashës dhe miq të pikturave të mija, të cilët mbështeten dhe krijuan kushte e mundësi, që unë të merrem për gati dy vjet në Sazan me pikture. Kjo nuk mund të ndodhte pa aprovimin dhe stimulimin e komandantit të mrekullueshëm të ishullit te Sazanit atëherë Sulejman Abazi i cili gjithashtu vendosi "çlirimin" tim nga arma duke me lënë të lirë dhe në funksion të përgatitjeve të mia për ekspozitën e parë personale ne Mes te detit, ku kishte përfaqësues nga të gjitha anët e vendit tonë.

Më pas jeni zhvendosur në Itali, si vazhdon aty krijimtaria juaj ishte e thjeshtë përshtatja me artin kontemporan?

Italia është vendi ku artet kanë arritur kulme zhvillimi, pa të cilat historia e artit nuk mund të dispononte këtë pasuri të madhe. Arti i rilindjes italiane përben ringjalljen e epokës së ndritshme klasike që është bazë e kulturës perëndimore. Si të tillë e vlerësoj Italinë në tërësinë e saj. Mendoi se në një vend të zhvilluar ku ka mozaik idesh edhe mentalitetesh, ku përplasjet nuk janë vdekjeprurëse me tendenca të egra sfumuese ka vend për të gjithë. Sistemimin dhe inkuadrimin e punës time në fakt e bëjnë ekspertët dhe kritikët e mirëfilltë të artit që janë interesuar, duke marrë në shqyrtim dhe diskutim punën time.

Unë nuk ndjek ndonjë platformë të paracaktuar ideologjike përveçse atë shpirtërore që me pëlqen ta vë në dukje vazhdimisht. Pra dua ta shikoj botën, të ëndërroj dhe të funksionoj ashtu sikurse e ndiej unë pavarësisht nga çfarë është në modë, pa u trazuar aspak të habis njerëzit, duke bërë gjëra të çuditshme për të zënë pararojën dhe për të krijuar efekte për mendimin tim të sipërfaqshme. E kam thënë dhe e përsëris se ndër personalitetet serioze dhe shumë të ndjeshme të kritikës së artit në Itali që promovojnë punën time publikisht është profesoresha Silvia Cupini kuratore e muzeut të Lin Delisë në Antrodoko në Romë.

Po në Shqipëri a ktheheni shpesh?

Ne kemi shumë mall dhe dëshirë që të vijmë me shpesh në Shqipëri.

Nëse po cilat janë ndryshimet, parë me syrin e një qytetari, që ka jetuar nga vitet 1990 deri me sot?

Heqja e censurimit të fjalës dhe shprehjes së lirë dhe e drejta e njeriut për të jetuar i lirë janë pikat kryesore që në një farë mënyre mendohet se janë arritur në vendin tonë. Them kështu pasi nuk bëhet fjalë për një emancipim të plotë në këtë aspekt. Vërehet një hendek i madh që ndanë politikën nga populli, i cili aktualisht janë ballë për ballë. Kemi një sistem politik të dështuar dhe autoritar që po punon keq për menaxhimin e pasurisë dhe zhvillimin e vendit. U bë një fillim i mirë dhe shpresëdhënës, por shpejt ra në batakun e  korrupsionit që e ka mbërthyer si oktapodi shoqërinë dhe sistemin politik në Shqipëri. Dhe për këtë jemi shumë të shqetësuar.

A keni menduar që në një të ardhme të riktheheni në Shqipëri?

Unë kam pasur dëshirë që të kthehem në vendin tonë qysh javën e parë të qëndrimit në Greqi dhe kjo nostalgji më shoqëron gjatë gjithë periudhës mbi 25-vjeçare rrugëve të botës.

Çmimet ndërkombëtare me të cilat jeni vlerësuar janë jo të pakta, të fundit në Norvegji apo vlerësimi me dy medalje ari në muzeun e Luvrit, çmime këto që bëjnë krenarë çdo shqiptarë. Por ju si ndiheni?

Në kuadrin e përfaqësimit tim para një viti në ekspozitën e artit kontemporan në Muzeun e Luvrit ndër të tjera u prezantova dhe u njoha me artisten dhe presidenten e fondacionit artistik ndërkombëtar baroneshën, Jiselda Solbau, e cila pas njohjes me punën dhe aktivitetin tim artistik na ofroi bashkëpunim. Kështu u mundësua vendosja dhe botimi në librin album arti të fondacionit në fjalë “Artists across continents”. Më 8-09-2015 u bë prezantimi i parë publik i këtij libri në ambasadën e Brazilit në Oslo ku edhe u hap ekspozita më 12 nga 82 artistët nga vende të ndryshme të botës që përmban libri.

Unë jam në 12-tëshe dhe përfaqësohem në këtë ekspozitë me tablonë "Piano forte në natyrë", së cilës iu akordua Medalja e Arit nga juria ndërkombëtare. Më 23 -10-2015 ky libër u prezantua në Muzeun e Louvrit në Paris në kuadrin e ekspozitën ndërkombëtare të arteve kontemporane ku përsëri pranova ftesën e pjesëmarrjes duke u paraqitur me portretin "Nënë Tereza" ku gjithashtu,u suprizuam me medaljen tjetër të arit nga juria ndërkombëtare. E konsideroj vlerësim të jashtëzakonshëm dhe ia dedikoi familjes sime dhe gjithë atyre që na qëndrojnë afër, duke na ndihmuar dhe inkurajuar me mundësitë e tyre, ia dedikoj popullit shqiptarë dhe miqve tanë nga anë të ndryshme të botës që preferojnë dhe mbështesin punën time.

Dhe a keni pasur ftesë nga GKA-, për të ekspozuar në Shqipëri?

Unë nuk kam pasur asnjë ftesë nga Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë.

Biografi

Sukseset e para në fushën e artit ai do t’i shënonte në vitin 1991, pas takimit me Kostantinos Siampanopoulos, në Muzeun e Kozanit. Gradualisht ai do të angazhohej me pikturimin e monumenteve të Kulturës në Greqi. Ka ekspozuar në mbi 75 ekspozita të ndryshme, në nivel kombëtar e ndërkombëtar, në disa vende të botës, duke përfshirë edhe muzeume dhe galeri të njohura në nivelin botëror. “Piano forte” dhe “Nënë Tereza” janë dy tablotë me të cilat është vlerësuar me Medalje Ari nga Muzeu i Luvrit në Paris.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama