Mjeket shqiptare s’na flasin me goje ata irlandeze dolen me lot ne sy e na shpjeguan per vdekjen e djalit

'Mjeket shqiptare s’na flasin me goje, ata irlandeze dolen me lot ne sy e na shpjeguan per vdekjen e djalit'
“Mjekët shqiptarë nuk na kanë folur me gojë ditën që vdiq djali. Vetëm mjekët irlandezë kanë dalë me lot në sy e na kanë shpjeguar se mungonte një ilaç për t’i shpëtuar jetën”. Kështu janë shprehur familjarët e 11 vjeçarit Denis Alimadhi, pas deklaratave të mjekëve irlandezë në Prokurori.

Sipas familjarëve, mjekët shqiptarë tentojnë që të errësojnë ngjarjen.

“Mbrëmjen e së mërkurës me 7 nëntor të këtij viti, personeli shqiptar, që punon në pavijonin e okulistikës, nuk ka denjuar që të japë shpjegime se çfarë ka ndodhur gjatë ndërhyrjes kirurgjikale. Madje ata kanë shmangur çdo kontakt me ne për të mos dhënë detaje rreth ngjarjes”, shprehen familjarët e viktimës për gazetën Shqip.

Ndërsa mjekët irlandezë kanë treguar më njerzillëk.

“Kirurgët irlandezë kanë qenë shumë transparentë me ne. Pas 4 orësh ata kanë dalë nga salla e operacionit dhe na informuan se gjendja shëndetësore e Denisit është përkeqësuar. Madje, ai rrezikonte të humbte edhe jetën. Na njoftuan se ishin në pritje të një ilaçi, i cili nuk gjendej në Spitalin Francez të Tiranës. Për këtë ata kishin kërkuar edhe në një spital privat, por pa rezultat. Kërkimet kanë vijuar në disa shtete fqinje dhe një mjek italian ishte nisur drejt Shqipërisë për ta sjellë  Dantrolenin. Në kohën që ai ka mbërritur rreth orës 23:00, ka qenë shumë vonë pasi Denisi ishte larguar nga kjo botë.

Mbaj mend që kirurgët e huaj kanë qenë shumë të terrorizuar në kohën që kanë marrë vesh se mungonte medikamenti, për të cilin flitet kaq shumë. Ata i ka kapur paniku dhe besoj se kanë bërë gjithçka që kanë pasur në dorë për të luftuar vdekjen e Denisit, pavarësisht se ka pasur mungesë ilaçi. Vdekja e Denisit i ka vrarë shpirtërisht edhe janë bashkuar me dhimbjen tonë”, ka pohuar daja i babait të viktimës, Maliq Hasmuça.

Ai ka vijuar me tej duke rrëfyer për dyshimet e tij: “Unë dyshoj se titullarët e Spitalit Francez, apo të Ministrisë së Shëndetësisë, po i përdorin mjekët irlandezë si mburojë, për të larguar përgjegjësitë e tyre për mungesën e ilaçit, që mund t’i shpëtonte jetën Denisit. Sipas tyre Dantroleni jepte garanci shpëtimi 2-3 përqind, por edhe sikur të ishte 0.1 përqind, ata duhet t’ua siguronin medikamentin kirurgëve irlandezë. Në media titullarët shprehen se në mungesë të Dantrolenit, që nuk ka ardhur ndonjëherë në Shqipëri, është përdorur Lidokaina, që sipas tyre është analog me ilaçin e lartpërmendur, por nuk ka pasur rezultat. Unë kam biseduar me mjekë specialistë dhe më kanë thënë se Lidokaina përdoret në Stomatologji për anestezi lokale dhe nuk është për të ulur temperaturën.

Madje, ai ka efekte të lehta. Lidokaina përdoret për të qetësuar dhimbjet dhe për të mpirë muskujt. Gjatë kontakteve dhe konsultimeve që kam pasur me mjekë të specializuar, më kanë thënë se ky medikament mund të ketë provokuar vdekjen e vogëlushit tonë. Kjo deklaratë, nga ana e drejtuesve të shëndetësisë, është sërish një lapsus dhe nëse është e vërtetë është e pafalshme. Unë nuk e di se çfarë medikamentesh janë përdorur atë natë, sepse kirurgët shqiptarë nuk komunikojnë më me ne. Ata kërkojnë të na hedhin hi syve”, akuzon Hasmuça.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama