Disa mjekë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” protestuan sot para urgjencës për dhunën e ushtruar ndaj bluzave të bardha. Presidenti i Urdhrit të Mjekut për Tiranën, Faik Toska dënoi dhunën ndaj bluzave të bardha dhe sqaroi se problemi më i madh për mjekët më shumë se sa kujdesi për pacientët janë të afërmit e tyre.
Mjeku i urgjencës, Petrit Vargu tha se në vetëm 24 orët e fundit janë regjistruar tre raste dhune nga të afërm të pacientëve ndaj mjekëve.
“Është hera e parë që ndodh në historinë mbi 20-vjeçare timen si mjek. Janë tre mjekë. Dhunë të tillë në të gjithë shtetet e botës mund të ndodhë një herë në 5-6 vjet, jo për 24 orë 3 raste dhune ndaj mjekëve,” - tha Vragu.
Mjekët protestuan edhe kundër testimit. Mjeku Tritan Kalo, në një prononcim për mediet, u shpreh kundër testimit, që sipas tij, janë denigruese për figurën e bluzave të bardha. Në rast se nuk merren masa për t'u dhënë fund këtyre fenomeneve, mjekët paralajmërojnë protesta të tjera.