Mitrovica Rrefim per Zoterine e harruar

Mitrovica, Rrëfim, për Zotërinë e harruar

Përballë xhamisë, që është afër qendrës, Hazir P. 51 vjeçar, sapo ka mbaruar adetin e ditës. Ka blerë të ashtuquajturën ‘bukën bajate’. Por deri sa të sigurojë këtë, i duhet të bëj një qerthull nëpër qytet. Të futet në pjesën e vjetër, t’i afrohet stacionit të autobusit...dhe mandej, tutje, derisa të gjejë gjahun e tij. Presin 6 frymë në shtëpi. I hedh shpesh një sy bukës në sqetullën e një si zhguni. Shpërqëndrohet. Për dreq, përballë, një patrulle treshe frëngsh, ka vënë në mes një serb, 40 vjeçar që e gjesdisin në qytet. Haziri i hap udhë me indiferencë. Serbi nuk e shikon. Është i mallosur me mjediset. Ka kureshti. Është i veshur keq. Kryqëzojmë sytë. E fotografoj. Nuk e di se çfarë më bie. Por, ushtari frëng përpara, më tërheq vëmendjen. Përshëndetemi me kokë. Haziri është larguar. Serbi çapitet. Shkoj drejt komunës së Mitrovicës, qytetit më të afërt në skamje me qytetet simotra në Shqipëri.

Veri dhe jug
Pak minuta më vonë jam në hyrje të derës së komunës. Bajram Rexhepi është në post dhe shumë sportiv. Për fat, i marr orarin një bukurosheje, që turfullon me inat. Rexhepi, i mësuar me gazetarët, më bën me shenjë të ulemi një kuadri, që nuk ia di autorin. “Fillo,-më thotë pa ceremoni-flasim pa doreza”. E ka marrë komunën me shumë minuse dhe duket se dufi nuk i del kollaj. Për më tepër, në momentin e pavarësisë, ai do të jetë njeriu që do të konfrontohet direkt me të papriturat e serbëve. Ka vendosur të presë. Në Mitrovicë vetëm pritet. Zoti i di të tjerat. Jo shumë metra larg dritares së tij, jeta në komunën “tjetër” vijon e qetë. Serbët i falen Shën Mitrit, ndërsa Shën Skamja i shoqëron kudo. Gjithsesi, qeveria “e tyre” ka investuar në veri të Mitrovicës.
Marrin një pension dhe nuk paguajnë për dritat. Matanë Ibrit, banorët shqiptarë, janë mbushur me mbështetje pa bukë, nga të parët e tyre. “A e ke parë atë rrugën në hyrje. Filloi, por nuk mbaroi”, më thotë Rexhepi. Pse është kaq skamje- e pyesim direkt ish-kryeministrin e Kosovës, që tash është në poltronin e kryetarit të komunës. “Kanë krijuara alibi se nuk kishin mundësi”, më thotë. E di se qyteti i minatorëve tash nuk do fjalë, por punë. Askush nuk ka vënë më dorë këtu. Veriu dhe jugu i Ibrit, lumit që ndan padrejtësisht banorët, është i njësojtë. Ndërsa në jug, pushtetarët kanë bërë vetëm fjalë, dhe kanë dhuruar skamje me pavarësi, Serbët, më të tulatur nga varfëria, andej- e kanë bërë pjesën e veriut, që të vijë edhe më keq. Pak billboarde me kandidatët presidencialë serbë dhe tek-tek ndonjë fletushkë e ngjitur për Mlladiç e lbyrin skamjen. Rexhepi mundohet të bashkëpunojë, por nuk është e lehtë. E di se projektet multietnike kanë para dhe po lufton. Por, është pak si vonë. Pak matanë urës, shumë pak minuta pas, ndërsa do të shkojmë qetësisht si të huaj (orë më vonë), do të gjesh njerëzit që baresin njësoj si në jug. Flasin, mundohen të manovrojnë mes njëri-tjetrit. U bën çudi njësoj fotoja. Çuditërisht fizionomia e banorëve të dy pjesëve të qytetit është e njëjtë. Haziri, do të më tregojë më vonë se kur afrohet tek ura, instinktivisht kujton se dikur ka pas një punë të mirë andej. Por tash është e bezdisshme të shkosh. Shumë syresh njihen me njëri-tjetrin nga pjesët e Urës. Me kolegen serbe D.T., 50 vjeç, nuk kemi ç’të themi. Jemi pjesë e një realiteti, por me dy identitete të ndryshme. Getoja brenda getos i ka bërë kosovarët shqiptarë dhe serbë të jenë tash banorët e qytetit më të prapambetur në Kosovë. Mjaftohemi me një kafe. Heshtim. Nuk ka ndonjë ndryshim të madh, me vjet, parvjet... Në fund më thotë: “Neka Bog ti ccuva” (Zoti të ruajtë). Zyrtarëve të sodit në të dy anët, nuk u është prishur ky imazh. Rexhepit i duhet të luftojë me punën e dobët dhe mashtrimet e paraardhësve. Kurse, këta këndej, me slloganet: “Ne dajemo Kosovo”. Dal thjesht nga Ura, duke folur në celular dhe duke përshëndetur një plak.
...
Metrat e pakta pas Urës të madhe të Ibrit mjaftojnë të shikosh se Rrugët që u trumbetuan para fushatës së fundit tash janë të hapura këtej. Ndërsa hyrja në Mitrovicë i ngjan hyrjes në një qytet të botës së pazhvilluar. Edhe pse tregu pretendohet se është zhvendosur nga qendra e qytetit atje shesin sërish. Hazirin e has sërish aty. Tashti ka ndaluar befas dhe flet me një burrë me plisin në kokë. Nuk duhet të kuptohen bajagi bukur, se burri me plis duket që nuk dëgjon mirë. Një rrethrrotullim ka më shumë qyteti, ndaj Bajram Rexhepi është i pakënaqur nga paraardhësit. Shumë i moderuar, ai mundohet ta zbresë disi, por mllefi i ka nxjerrë brirët ngado. Është duke u përpjekur për ujësjellësin e qytetit dhe bën luftë për fonde. Por 8 milionë eurot buxhet për të dy komunat janë shumë më pak se Ferizaj, Gjilani dhe Prizreni. Pjesa e pakët do të investohet vetëm në infrastrukturë dhe në projekte kapitale të pjesës jugore, kushtimisht të fshatrave të pjesës veriore që janë bashkë me komunën e Mitrovicës. Por njerëzit i ka lodhur pa fund skamja dhe politika. Kjo politikë ndan buxhetin, i bën me urrejtje njerëzit dhe në emër të sloganeve lë punët publike të pabëra.

Për banorët
Padrejtësia ndaj Mitrovicës nuk është thjesht se i ka ikur emri i dikurshëm, por edhe sepse pavarësisht fjalëve, projektet për integrimin dhe punësimin kanë qenë të vakta. Ndaj ura mbetet një monument dhe e pak-kalueshme nga njerëzit. Haziri, dhe njerëzit si ai, i duhet që të blejnë ‘bukën bajate’, një ditë pas prodhimit. Pra nëse buka që është shtrenjtuar dhe merret 0,45 Euro, një ditë më vonë, si bukë bajate, e merr 0,25 Euro. Por, njësoj si ai, janë dhjetëra banorë të Mitrovicës, referuar medias vendase, që presin për bukën bajate. Haziri është një nga ata, që bën xhiron e ditës...”Unë kam lindur në këtë vend dhe kam nostalgji. Mitrovica ka qenë avangardë për muzikë, sport dhe kulturë në Kosovë. Për çdo gjë. Ka qenë qyteti më i zhvilluar i Kosovës. Këto janë të kaluara. Pas lufte është nga vendet më të shkatërruara, ndërsa faza e rehabilitimit ka qenë e gjatë. Ende nuk është bërë plani urbanistik, që duhet thënë se është në përfundim e sipër, në mënyrëe që të punohet dhe për zhvillimin hapësinor. Administrata e komunës është marrë më shumë me vete dhe nuk i ka kryer punët e veta. Ambicia ime është që të thithim donacione, projekte multi-etnike”, më ka thënë në fund Rexhepi.
...
Një burrë i shëndetshëm më hedh një vështrim kodoshi, teksa më shikon që fotografoj ultas. Ka të drejtë. Para janë disa vajza. Matanë më shikon një i vobektë me një karro të madhe. I ka sytë e futur brenda. Nuk e di sesi mund të ulet urrejtja në këtë vend, kur barku dhe fytyra protestojnë kështu. Dreq. Sërish. Kjo është hera e tretë që hasem me Hazirin...Tashti i kërkoj njohje. Njihemi dhe ndahemi sërish. Më sqaron se çdo bëjë deri në fund të ditës. Nuk e kuptoj në fakt se çfarë do të marrë. Matanë rrugës, serbi, që nuk ka “dalë ende” nga qyteti është ndalur dhe flet me një banor. Shkëputet pak dhe nën vëzhgimin e ushtarëve të sikletosur futet diku për të urinuar. Jemi tre njerëz në një qytet plot tollovi.

Industria
Në Mitrovicë mund të sajohesh kudo, për të urinuar. I vetmi problem janë sytë e njerëzve. Serbi nuk e ka problem. Dikur ishte e pamundur. Mitrovica dhe Gjakova ishin krenaria e Kosovës. Rexhepi kur e kujtoi e kapi nostalgjia. Sot, më mirë të harrosh. Prej më shumë se dhjetë vjetësh nuk ka tym industrie, por vetëm smog pluhuri. Haziri, më ka treguar se ka punuar në Trepce. Por Trepçe tashti hesht, ndërsa fabrikat e tjera kanë mbaruar prej kohësh. Përveçse dinë të ndotin. Ndaj të rinjtë ikin. Ikin. Ikin. Pjesa më e madhe janë në Skandinavi, më ka sqaruar kryetari, që për ironi mbante një album të Stokholmit në tavolinë.
Trepçe ishte një gjigant që zor se do të arrijë kohën e mëparshme. Është në kokat tona dhe të njerëzve. Por realiteti me të sotmen është diçka kejt tjetër. Për momentin ka një licencë për hulumtim. Shkritorja që është në Zveçan është shkatërruar dhe askush nuk po investon dhe aty duhen 10 milion euro vetëm të pastrohet mjedisi...Mirëpo paraprakisht duhet të bëhet statusi juridik i Trepçes. Çfarë ndërmarrje është, sepse Pjesa më e madhe ka qenë në pjesën shqiptare. Në pjesën serbe kanë qenë vetëm dy. Por realisht i takon ministrisë së minierave dhe agjencioneve të Kosovës të veprojnë në këtë situatë. Tani është një supervizer ndërkombëtar që është duke punuar me projekte për përcaktimin e statusit të Trepçes. Sqaroj se Trepçes i ngarkohet vlera e 170 milion euro obligime, që në fakt nuk kanë hyrë në shpenzimet e Trepçes, serbët kanë punuar mjeshtërisht. Nuk janë bërë investime, ato kanë shkuar për fushatën e Millosheviçit, por është bërë sigurimi në Lloyd . Kompania më e fortë, e njohur e sigurimeve, por pavarësisht kësaj, ne kemi obligimet tona dhe çfarë do të bëhet me borxhet. Dhe, nëse ka llogari ekonomike duhet të bëhet fizibililiteti, nëse bëhet shkritorja e re nëse do të bëhet plumbi, zinku, ari, antimoni, etj. Ndërsa po të shitet si xeher, llogaria është e vogël dhe nuk ia vlen..

Varfëria
Që të gjykosh për varfërinë duhet të kujtohesh se Komuna e Mitrovicës arrin të jetë e suksesshme në mbledhjen vetëm të 30 % të taksave. Ekonomia është e dobët dhe taksambledhësit janë të dobët dhe nuk mund t’i ngarkosh me taksa. Të gjithë i kanë sytë në grandin qendror. Kryeministri Thaçi ka premtuar që Mitrovica do të ketë privilegj në krahasim me të tjerat. Por, më kot. Banka Botërore ka nxjerrë se 15 përqind e familjeve kosovare janë të varfër, kurse 37 % në kushtet e varfërisë ekstreme. Që duhen dyfishuar në rastin e Mitrovicës. Janë 63,024 banorë të papunë sipas Qëndrës Rajonale, kurse 2800 familje që marrin asistencë sociale nga Dikasteri i Rexhepit...Këtu e kam mbyllur rrëfimin për qytetin. Mitrovicën asnjëherë nuk e njoh të gjithën, paçka se e takoj shpesh. Ku mund të jetë Haziri?
I ka dërguar bukën fëmijëve dhe tash duhet të ketë boll kohë. Nuk pinte raki. Dhe, madje ka dashur të më qerasë. Nuk mundesha. Serbi tash duhet të ketë kaluar urën, dhe kushedi se kur do e ketë sërish radhën për të ardhur pas...Sytë më ngelin tek një fëmi, që i qeshet një buke. Uroj të mos jetë “buka bajate”.
Mbasditja e zbukuron pak qytetin sepse kanë dalë të rinjtë. Janë të bukur. Të mirë. Iki. Rruga drejt Prishtinës vijon e vajtueshme, bashkë me rrugët me emrin e Tafil Boletinit dhe Butrintin, që rrinë pranë. Ka diell, në këtë ditë të fundit të janarit 2008.

Ben Andoni Revista  
 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama