Miti kokeposhte i Nacionalclirimtares

Miti kokëposhtë i Nacionalçlirimtares
Për historianin Kastriot Dervishi, i njohur si arkivoman i zellshëm dhe si autor i një libri voluminoz për historinë e shtetit shqiptar, ku publikon për herë të parë fakte të cilat e nxjerrin të kompromentuar rëndë procesin historibërës të periudhës së Luftës Nacionalçlirimtare, nuk ka dyshim që përcaktimi i 29 nëntorit si datë çlirimi është akti më i rëndë dhe final i spekulimeve komunistoide me luftën. "29 nëntori është datë e historisë të së majtës, por jo e historisë së Shqipërisë", thotë historiani Dervishi. E në këtë kontekst, sipas tij, nuk ia vlen të diskutohet, aq më tepër kur nuk është marrë asnjëherë në konsideratë kufiri i atëhershëm i Shqipërisë, që nuk është aty ku është sot.

Vija kufitare në atë kohë që ndante Shqipërinë me Malin e Zi, ishte afër Podgoricës e në këtë pikëpamje, këmbët e hedhura nga ana e këndejme e kufirit në anën tjetër, nuk mund të përkojnë me datën 29 nëntor. Nuk ka rëndësi për Dervishin dhe nga fakti se kjo datë nuk mund ta mbulojë më thelbin e asaj lufte, që për të nuk ka qenë luftë kundër pushtuesit, por luftë për pushtet. E prej saj, rrjedh e fortdeklaruara si luftë civile ose vëllavrasëse brenda të së ashtuquajturës nacionalçlirimtare, ku sipas tij, ka më shumë viktima mes vetë partizanëve, ballistëve, legalistëve e grupacioneve të tjera, sesa heronj të rënë në luftë me pushtuesin. I prirur për ta vërtetuar çdo fakt e argument me materiale arkivore, Dervishi citon Enver Hoxhën, i cili më 15 shtator të vitit 1982, në sallën e Kuvendit Popullor, duke kremtuar një përvjetor të fronit demokratik, ka thënë: Në radhë të parë, Lufta jonë Nacionalçlirimtare ishte luftë për marrjen e pushtetit. Dervishi thotë se kjo vërtetohet dhe nga dokumentet e shumta arkivore ku flitet për shtëpi të djegura ballistësh e legalistësh pa asnjë shkak, nga ana e partizanëve ose për vrasje masive intelektualësh dhe emrash të njohur në jetën publike nga ana e atyre që e konsideronin veten forca çliruese. Madje këto forca, të cilat e quanin veten çliruese, thotë Dervishi, përdornin zhargone pushtuesish për zona të ndryshme të vendit. Pra, sipas dokumenteve arkivore që ende nuk janë bërë publike, partizanët emërtonin zyrtarisht si "zona pushtuese", ato zona ku kishin marrë kontrollin. Pra, si mund të quhet forcë çliruese, ajo e cila konsideron si të pushtuara zonat e atdheut të vet?!

Ndaj, thelbi i luftës që është bërë ka qenë krejt tjetër, sipas historianit Kastriot Dervishi.

Të marrin në shqyrtim gjermanët.


A ishin gjermanët pushtues?

Për Dervishin, ata nuk ishin pushtues në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por zgjodhën Shqipërinë për një arsye strategjike. Dhe si ndodhi kjo? Më 1943, kur forcat aleate u përqendruan në Itali, "Inteligent Service", përhapi një kundërinformacion, sipas së cilit Shqipëria do ishte front i ri antinazist. Gestapoja ra viktimë e këtij kundërinformacioni dhe trupat gjermane në Greqi rendën drejt bregdetit shqiptar e atij grek për të instaluar trupa. Vetëm kaq. Shqipëria nuk ishte në hartën e pushtimit nazist. Ndaj, kur gjermanët e kuptuan lojën filluan tërheqjen nga Greqia, përgjithësisht nga i gjithë Ballkani e sigurisht dhe nga Shqipëria, ku ishin instaluar vetëm në 5 qytete kryesore e në disa porte. Kjo tërheqje nisi në mars të 44-ës. Për ballafaqim frontal mes trupave partizane e atyre gjermane, siç shprehet Dervishi, as që bëhej fjalë. Nuk mundet që partizanët të kishin kapacitete të atilla për t‘u përballur me forcat naziste. Mirëpo, duhej një luftë, një kompromis e në fund një mit lufte, për të përligjur moralisht marrjen e pushtetit.

Dhe ç‘ndodhi? Në tetor të 1944-ës, Enver Hoxha lëshon një udhëzim ku thuhet: Duhet çliruar Tirana me çdo kusht, para se gjermanët të largohen. ("Dokumente të shtabit...II", Tiranë 1966, faqe 263). Kështu që në kryeqytet me anë të një rrethimi gjysmunazë u pritën trupat që po vinin nga Greqia gjatë tërheqjes, të cilat pas përballjes me zjarr, sipas kompromisit, devijuan rrugën për në Durrës, ku bombarduan trupat aleate. Më pas, trupat gjermane vijuan rrugën drejt Shkodrës dhe çuditërisht pas ndeshur në asnjë front!!! Shtrohet pyetja: Përse partizanët nuk u bënë rrethim të plotë trupave gjermanë në Tiranë e t‘i shpartallonin?! Sepse, sipas Dervishit, kishte një kompromis, një kompromis të negociuar nga përkthyesi shqiptar, Petraq Pekmezi, i cili u ekzekutua më vonë, pasi dinte shumë gjëra.


Farsa e Konferencës së Pezës

"Nuk ka ekzistuar absolutisht asnjë kompromis në Pezë", thotë historiani Kastriot Dervishi. Aty u formalizua gjoja një front i përbashkët i futur me zor nga palët; nga komunistët që donin të krijonin frontin se u kishte ardhur udhëzim nga Moska për gjoja krijimin e fronteve popullore, e nga jo komunistët që ishin tërësisht të paorganizuar. Ky front nuk funksionoi asnjëherë, sepse Kamber Qafmolla që u emëruar në krye të tij, nuk e ushtroi asnjë sekondë këtë detyrë. Pra, si mund të funksionojë një front me një njeri që nuk merr detyrën?, shtron pyetjen Dervishi. Më pas, në konferencën e Labinotit në shtator ‘43, që ishte një lloj "Peze" e dytë, detyrën e Qafmollës e merr Omer Nishani. Por në këtë hark kohor, Qafmolla nuk njihet nga askush e kështu që fronti pati një funksion tërësisht fals. Nga ana tjetër, shprehet Dervishi, deri në konferencën e Mukjes, ekzistojnë 10 marrëveshje mes komunistëve dhe jo komunistëve, të gjitha të dështuara. Por Mukja duhej bërë se italianët kapitulluan e era e pushtetit nisi të ndihej fort, paçka se do të vinin më pas gjermanët. Sipas tij, edhe Mukja ishte një dështim e një farsë, pasi pas 10 marrëveshjesh të dështuara, nuk mund të ndodhte ndryshe.


Kur partizanët ishin katandisur në 500 trupa në gjithë Shqipërinë

E tregon më së miri këtë, një letër e Nako Spirut më 13 shkurt 1944 për Aliun, Tarasin dhe Muzhikun. Aty thotë se kishte marrë letrën e tyre të 1 shkurtit 1944. Kërkon të dërgohen datat e luftimeve me armikun. Populli nuk kishte informata mbi luftën. Që nga kapitullimi i Italisë nuk kishte informata fare nga Vlora, Berati, Gjirokastra. Vlora nuk kishte lidhje me krahinat. Me Elbasanin lidhje të rregullta. Populli i trembur. Forcat e Vërlacit quheshin ballistë. Forcat e Biçakçiut dhe qeverisë, nacionalistë. Gati po vriteshin me njëri-tjetrin. Në krahinë mbretëronte reaksioni. Nga Dibra, Esati shkruante se kishte panik të madh. Në Dibër kishte 60 gjermanë e në Peshkopi 15, por nuk ia kishte mbajtur kujt të lëvizte. Pyet ku është Haxhiu me Tempon. "I ka zan duert ajo plaçka e Tempos që asht edhe për ne edhe për atë". Në Durrës nuk kishte popullatë. Shokët e atyshëm kishin shpëtuar nga policia e gjendeshin në Tiranë, Kavajë e Shijak. "Shokët nëpër bryma. Puna shumë mbrapa". Në Shkodër reaksioni ishte shumë i tërbuar dhe kishte shumë ilegalë, edhe arrestime mjaft. Batalioni kishte shkuar i gjithi në Kosovë. Veliu (Vasil Shanto?) ishte vrarë duke hyrë në Shkodër. Duhet të kishte pasur kohë të zhdukte dokumentet. Në Mat, Abaz Kupi nuk kishte kapur armë kundër komunistëve, por i luftonte politikisht shumë. Batalioni ishte gjysmilegal aty. Lajmet nga Fieri, Berati, Lushnja, Kavaja tregonin se reaksioni po mundohej t‘i diskreditonte, duke i shkëputur disa elementë me anë të terrorit. Në Fier, 50 të rinj kishin hyrë në radhët e Ballit, pasi ishin rrahur. Njerëzit e Xhelalit dhe të Xhepit po organizoheshin në Fier. Në Tiranë reaksioni ishte shumë i madh. Më 3 shkurt ishin vrarë 4 të rinj, një prej të cilëve kishte qenë partizan. Kishin shpifur se këta do të bënin atentate e provokacione dhe kishin marrë nga shtëpitë 300 - 400 vetë në mbrëmje duke vrarë rreth 80 vetë. "Mund ta merrni me mend se çfarë terrori ka këtu". Gati përditë në Tiranë kishte një të vrarë. Policia po forcohej, para dy ditësh kishin zënë një bazë ku kishin të gjithë teknikën dhe botimet. Situata shumë e vështirë, kontroll ditën e natën. Dalja nga qyteti e vështirë dhe çetat ishin likuiduar gati. Kudo xhandarë e kosovarë. Vetëm Peza qëndronte, por edhe atje përditë luftë. Të gjithë çetat partizane kishin mbetur me 10 - 12 veta ose ma pak (batalioni i Shkodrës ishte më madhi, por edhe çeta e Matit me 25 - 30 vetë). Brigada e II me 20 - 30 vetë. Brigada e III zbriti prapë nën 100 vetë. Peza 100 - 150 vetë. Në Tiranë po shkohej drejt likuidimit të forcave ushtarake partizane. Reaksioni po grumbullonte shumë fuqi, por edhe ata nuk kishin ditur t‘i mbanin çeta. "Populli nuk do të luftojë. Nuk po u shkruaj gjatë se Hyseni po më çan kokën se ikën korrieri" (AQSH, F.14/AP, V.1941 - 1944, D.91, fleta 2 - 4).


Nisja zyrtare e luftës civile

Nga vizion e strategji, lufta civile, pati si fillim zyrtar konferencën e Labinotit në shtator të vitit 1943. Aty, sipas Dervishit, u lëshuan qarkore për nisjen e sulmeve ndaj forcave jo komuniste, specifikisht Ballit Kombëtar dhe Legalitetit. Kjo dëshmohet nga një qarkore e kreut të Ballit, Mit`hat Frashëri që udhëzon forcat e tij të tërhiqen nga luftimet kundër gjermanëve, pasi nuk mund ta përballonin zjarrin në dy fronte: edhe nga partizanët edhe nga gjermanët. Po kështu veproi dhe Legaliteti në një pjesë të tij, ku u konkretizua me tërheqjen e Abaz Kupit nga aleanca me frontin në fund të atij viti. Tragjedia e parë e luftës civile, shënohet më 21 tetor 1943, ku brigada e parë komuniste, nën ndikimin e Dushan Mugoshës, në zonën e Lushnjës, pushkatoi një numër të madh ballistësh të vetëdorëzuar. Nisur nga kjo ngjarje, me anë të një trakti të datës 26 tetor 1943, Balli Kombëtar njoftonte se "vëllavrasja kishte filluar".



Çlirimi i Kosovës!!!

Shkuarja e partizanëve në Kosovë, me gjasë çlirimin e saj, është një tjetër spekulim i rëndë i historiografisë komuniste, thotë Dervishi. Sipas tij, në Kosovë komunistët mësynë për të çarmatosur popullsinë, e cila kishte në duart e saj rreth 150 mijë armë, e jo për ta çliruar ndërkohë që atje nuk kishte këmbë gjermani. Beteja janë bërë në Vishegrad, por jo në Kosovë. Për të, akti i vijimit të luftës së partizanëve në Kosovë ishte një tjetër akt i turpshëm i lënies së saj nën pushtetin e komunistëve jugosllavë. Sepse me 150 mijë armë në duart e popullsisë, kujt do ia mbante të merrte kontrollin e rajonit. Ndaj duhet të ishin "vëllezërit" (komunistë) nga Shqipëria, që ata nën ethe të pakontrolluara patriotike të dorëzonin armët!


Kongresi i Përmetit

Emërtesa sipas modelit jugosllav

Në bazë të dokumenteve arkivore që posedon, historiani Dervishi thotë: Kur komunistët kishin forcuar pushtetin e tyre në Jugun e Shqipërisë ata organizuan, sipas shembullit që kishin ndjekur më parë komunistët jugosllavë, një mbledhje për ligjërimin e pushtetit. AVNOJ-i (Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar Jugosllav) kishte zhvilluar mbledhjen e parë në Bihaç, më 26 - 27 nëntor l942, dhe të dytën në Jajce të Bosnjës, më 29 nëntor 1943. Në këtë mbledhje, AVNOJ e quajti veten të vetmin pushtet legjislativ në Jugosllavi. Në rolin e një presidence u zgjodh një këshill me president Ivan Ribar-in dhe në rolin e një qeverie një komitet me në krye Titon. Këtij iu dha grada e mareshalit dhe filloi të popullarizohej figura panballkanike e tij. Mbledhja vendosi gjithashtu formën republikane federative të Jugosllavisë së ardhshme, si dhe i ndaloi mbretit Pjetër rikthimin në atdhe.

Emërtesat e përbashkëta:

Këshilli Nacionalçlirimtar

Komiteti i Këshillit Nacionalçlirimtar

Kryesia e Këshillit Nacionalçlirimtar

Kongresi i Përmetit, ashtu si në Jugosllavi, zgjodhi Këshillin Nacionalçlirimtar (trupi legjislativ). Kryesia e këtij këshilli ishte në rolin e një presidence. Komiteti i KANÇ-it që kishte rolin e një qeverie të pashpallur, u kryesua nga Enver Hoxha dhe u quajt "qeveri demokratike" më 23 tetor 1944.

Gjithashtu, kongresi, nën shembullin e mbledhjes së Jajces, vuri gradat për luftëtarët e formacioneve partizane.

Pas regjimit fashist, Mbretit Zog dhe familjes mbretërore iu ndalua për herë të dytë kthimi në atdhe, pasi sipas kongresmenëve, çështja e regjimit do të vendosej "nga populli me vullnetin e tij pas çlirimit të të gjithë vendit". Kështu ishte vepruar edhe në Jugosllavi me dinastinë e Karagjorgjeviçëve.

Kongresi u shpreh se ishte në përkrahje të një modeli konfederativ ballkanik, vendosur kjo sipas kërkesës jugosllave. Në deklaratën e kongresit thuhej se lufta vëllazëronte popullin shqiptar "me popujt e tjerë liridashës dhe veçanërisht me popujt fqinjë të Ballkanit" dhe krijonte "konditat për krijimin e një konfederate ballkanike"


PS: Për historianin dhe publicistin Dervishi, e majta le ta festojë 29 nëntorin si ditë çlirimi, por nuk duhet t‘ia imponojë atë pjesës tjetër të popullit. Është njësoj sipas tij, që nolistët apo legalistët ta detyrojnë njëri-tjetrin të kremtojnë evenimente historike, të cilat sipas vlerës që u japin, u përkasin respektivisht vetëm atyre, pikërisht për shkak të këndvështrimeve të kundërta.

Marre nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama