Misteret e Ismail Qemalit Ahmet Zogut dhe Qemal Stafes

Misteret e Ismail Qemalit, Ahmet Zogut dhe Qemal Stafes
Pesë misteret që shoqëruan Qemal Stafën

Edhe pse kanë kaluar 68 vjet nga vrasja e tij, ai moment ka vazhduar të jetë në qendër të diskutimeve të njerëzve, veteranëve, të afërmve si dhe të politikanëve gati çdo 5 maj. Qemal Stafa ishte vetëm 21 vjeç, kur i rrethuar nga pushtuesit italianë ra heroikisht duke lënë pas një mister të madh rreth vrasjes së tij. Një mister që është shoqëruar këto 15 vitet e fundit me debate çdo përvjetor të lindjes apo të vdekjes së tij. Historia dhe misteret e Qemal Stafës janë sot në fokusin e rubrikës "Sekretet e njerëzve të vdekur". Janë pesë mistere që kanë shoqëruar "Heroin e Popullit" gjatë gjithë jetës së tij që nga lidhja e tij me Drita Kosturin deri te momenti i vrasjes së tij. Gazeta "Tirana Observer" është munduar të zbardhë pak nga pak këto mistere që janë bërë shkak i diskutimeve të njerëzve.

1. Misteri më i madh që ka të bëjë me jetën e Qemal Stafës është padyshim vdekja e tij. Ende sot nuk është zbuluar nëse rrethimi dhe vrasja e tij nga pushtuesit italianë erdhi si pasojë e një spiunimi nga ana e ndonjë anëtari të Partisë Komuniste, apo erdhi si rezultat i zbulimit nga agjentët italianë?

Jeta dhe veprimtaria e Qemal Stafës vazhdojnë edhe sot të mbeten të rrethuara nga mistere, të cilat hedhin shumë dyshime për këtë figurë. Edhe pse vdiq në moshën 21-vjeçare, ai ka lënë gjurmë të thella në mendjen e njerëzve për aktivitetin e tij. Qemal Stafa u vra më 5 maj të vitit 1942, në qytetin e Tiranës. Ai ishte një nga drejtuesit e Partisë Komuniste dhe kishte marrë pjesë edhe në Mbledhjen e Themelimit të saj. Gjatë viteve të fundit të jetës, ai u bë promotor i gjithë lëvizjeve të forcave shqiptare kundër pushtuesve, duke qenë figurë qendrore në rininë e asaj kohe. Duke pasur një kredibilitet të tillë, atij iu desh të ishte i survejuar për ditë e më shumë nga forcat fashiste, por dhe nga bashkëpunëtorët e tyre. Në datën 4 maj 1942, atij iu caktua një detyrë nga udhëheqësi i PKSH-së, Enver Hoxha, për të shkuar në qytetin e Vlorës. Qemali duke qenë në ilegalitet të plotë strehohej në një shtëpi tiranase, e cila nuk bënte pjesë te shtëpitë e dyshuara për strehim komunistësh. Vendndodhjen e tij në atë shtëpi e dinin shumë pak veta, midis tyre dhe Enver Hoxha. Asnjëherë nuk ka dalë me siguri nëse ishte një kurth prezenca e Qemal Stafës në atë shtëpi, apo ishte thjesht një rastësi. Megjithatë, gjatë periudhës së komunizmit nuk është folur shumë me këtë temë pasi ishte e ndaluar nga diktatura. Mos hapja e diskutimeve gjatë asaj kohe për vrasjen e Qemal Stafës, ka bërë që pas viteve '90 të diskutohet që vrasja e tij të ketë ardhur si pasojë e ndonjë drejtuesi të lartë të Partisë Komuniste të asaj kohe, që ishte në dijeni të vendndodhjes së tij. Por të gjitha këto dyshime nuk janë zbardhur ende, megjithëse shpeshherë të njohurit apo personat që kanë qenë dëshmitarë të asaj kohe, kanë hedhur idenë duke e argumentuar me dokumente faktin se Qemal Stafa mund të jetë spiunuar. Fakt është që djali 21-vjeçar nuk arriti dot të realizonte dot dëshirat dhe synimet që ai kishte.

2. Ende nuk është zbuluar nëse Qemal Stafa, duke qenë një nga krerët e Partisë Komuniste që nga krijimi i saj më 8 nëntor 1941, para se të vritej kishte si qëllim për të marrë drejtimin e saj duke spostuar kështu Enver Hoxhën?

Po të futesh rrugës së politikës, sigurisht që atë do ta bësh për karrierë. E tillë është dhe historia e Qemal Stafës. Ai u fut në mbledhje si përfaqësues i "Grupit të të Rinjve" dhe menjëherë spikati për inteligjencën dhe vendosmërinë e tij. Atij po i jepej mundësia që të shprehte të gjithë potencialin e tij intelektual dhe të merrte vendime të rëndësishme për fatet e vendit. Duke parë këtë, Qemali herë pas here shfaqte aspiratën për të qenë protagonist në PKSH. Ashtu si çdo udhëheqës i Partisë edhe Qemal Stafa ëndërronte që të ishte në krye të qeverisjes së vendit, pas largimit të pushtuesit. Sipas burimeve të asaj kohe, nuk përjashtohet fakti që Qemal Stafa dëshironte të bëhej kryetar i PKSH-së. Prej kësaj dëshire të Qemalit vijnë dhe dyshimet që Enver Hoxha mund të ketë ndihmuar në eliminimin e tij. Çka është më e rëndësishmja të theksohet këtu, është fakti se Qemal Stafa ishte një figurë e rëndësishme dhe e aftë për të marrë përgjegjësi përsipër. Edhe pse në një moshë fare të re, ai tregoi aq shumë, sa bindi këdo të thoshte që doli një udhëheqës i zoti.

3. Një nga misteret e jetës së Qemal Stafës është lidhja e tij me Partinë Komuniste si dhe cila ishte arsyeja e kësaj lidhjeje?

Sigurisht që idetë komuniste kishin filluar të shfaqeshin në Shqipëri që në mesin e viteve '30. Shumë intelektualë të kohës e përqafuan këtë rrymë, por shumë të tjerë nuk e përfillën. Midis këtyre të fundit ishte pa dyshim dhe Qemal Stafa, i cili atëbotë merrej më tepër me letrat duke qenë një nga të rinjtë premtues për sa i përket letërsisë shqiptare. Sipas burimeve të asaj kohe, ai jo vetëm që nuk ishte një komunist i mirëfilltë në ide, por as nuk u kujdes të angazhohej fare me këtë rrymë. Me kalimin e viteve kur në Shqipëri erdhi Italia pushtuese, Qemali shfaq dhe tendencat e para drejt lëvizjes komuniste. Ai deri atëherë dhe pse nuk ishte një komunist, përsëri ishte në kundërshtim të plotë me regjimin e Ahmet Zogut dhe duke u bashkuar kjo e fundit dhe me pushtimin e huaj, e bënë Qemalin të përqafonte idetë komuniste duke u bërë një nga themeluesit e saj më 8 nëntor 1941.

4. Ngritja në piedestal e figurës e Qemal Stafës nga Enver Hoxha gjatë periudhës së komunizmit është një mister më vete, kjo pasi familjarët e tij nuk patën ndonjë ngritje të madhe nga emri i njeriut të tyre të rënë dëshmor?

Pas Çlirimit të vendit shumë nga figurat që kishin dhënë kontribut në Luftë u vlerësuan me mënyra të ndryshme. Dikush u shpall "Hero i Popullit", emri dikujt tjetër iu vendos ndonjë uzine a kombinati, ndonjë tjetër ndoshta u harrua, por jo pa qëllim. Ndryshe ndodhi me Qemal Stafën. Emri i tij jo vetëm që u vendos në shumë institucione, rrugë, sheshe e deri tek stadiumi i futbollit, por u arrit deri aty sa dita e rënies së Qemal Stafës u bë simbol i qëndresës së partizanëve duke u shpallur Dita e Dëshmorëve. Edhe kjo nuk ka ngelur pa u vënë re. Shumëkush ka thënë që Enver Hoxha vendosi t'i bënte gjithë këto nderime Qemal Stafës, duke ndjerë kompleksin e vetëfajësisë për eliminimin e tij. Dikush tjetër është shprehur se kjo u bë që të humbitnin gjurmët se kishte lidhje Enver Hoxha me vrasjen e Qemalit. Këto janë mistere që lidhen me Qemal Stafën, por pa frikë mund të thuhet se Enveri nuk e kishte vështirë ta demaskonte figurën e tij nëse vendoste, pasi praktika tregoi që kë donte ta shpallte ai armik apo bashkëpunëtor të imperialistëve, atë e bënte pa ndonjë vështirësi të madhe. Por e kundërta u bë me familjen dhe miqtë e heroit, ata pothuajse u lanë në harresë dhe madje e fejuara e tij u burgose gjatë regjimit komunist. Ndryshe nga shumë të tjerë, ata nuk përfituan ndonjë gjë përveç emrit dhe faktit të të qenit familje dëshmori. Gati në të gjitha broshurat ose librat e asaj kohe që flisnin për heroin, të afërmit e tij nuk përmendeshin fare ose përmendeshin fare pak.

5. A ka qenë Qemal Stafa i fejuar me Drita Kosturin? Nëse po, pse kjo e fundit u denigrua gjatë periudhës së komunizmit, kur diheshin konsideratat që ekzistonin për Qemal Stafën nga Enver Hoxha?

Në kujtimet e saj që ndodhen në Arkivin Qendror të Shtetit, Drita Kosturi shprehet se ka qenë e fejuara e Qemal Stafës. Jo vetëm në këto kujtime, por dhe shumë dëshmitarë e konfirmojnë një fakt të tillë. Edhe vetë Enver Hoxha me siguri e ka ditur diçka të tillë. Megjithatë, ai përsëri e internoi atë duke bërë që ajo të kalonte peripeci të jashtëzakonshme, që jo pak vetë i provuan në kurriz nga regjimi totalitar. Duke parë konsideratën që shfaqte Enver Hoxha për Qemal Stafën, atëherë lind një pyetje e natyrshme, pse e dënoi ish-të fejuarën e mikut të tij? Ky është padyshim një tjetër mister që ka të bëjë me Qemal Stafën dhe ngre shumë pikëpyetje për sa i përket rolit të Enver Hoxhës në vdekjen e Qemal Stafës. Për sa i përket kësaj lidhjeje të Qemalit me Dritën, është folur shumë dhe në media pas viteve 1990, madje ka qenë Drita Kosturi ajo që ka shprehur më qartë dyshimet se në vrasjen e Qemal Stafës ka gisht dhe Enver Hoxha. Por ka edhe disa burime të asaj kohe që thonë të kundërtën. Sipas tyre, Drita ishte më e madhe në moshë se Qemal Stafa dhe ajo përfitoi shumë nga dashuria e djalit të ri për të. Kjo bëri që ajo të ngjitej shumë shpejt në karrierë, por po aq shpejt të binte. Po ashtu burime të asaj kohe thonë se morali i saj ka qenë shumë i dyshimtë, duke e quajtur edhe Qemal Stafën njeri të dobët që ra pre e vajzës së shkathët.

Cilat janë të fshehtat e njeriut që drejtoi vendin nga viti 1925 deri në 1939
Gjashtë misteret e Ahmet Zogut

Ahmet Zogu, mbreti i cili qeverisi shqiptarët për 14 vjet, është ndër figurat më të rëndësishme të vendit. Janë gjashtë mistere, ku shoqëruan atë gjatë gjithë jetës së tij. Që nga momenti se si ai mori pushtetin nga duart e Fan Nolit, dashuria e tij me balerinën të cilën e njohu në Francë, plani për të rrëzuar Enver Hoxhën nga pushteti dhe deri tek amaneti që ai la për t'u varrosur në vendin që e ngjiti deri në majën më të lartë të pushtetit. Jeta e një nga njerëzve më të rëndësishëm të shekullit XX, për historinë e shqiptarëve ka mbartur me vete dhe enigma e mbase do të duhet një kohë e gjatë që të zbulohen ose ndoshta nuk do të dalin kurrë në dritë.

Si arriti të merrte pushtetin në dhjetor të vitit 1924, a patën ndikim shtetet fqinje në këtë ringritje të mbretit të fundit shqiptar? Çfarë iu premtoi serbëve për këtë ndihmë?

Pas rrëzimit nga pushteti të Fan Nolit, i cili ishte në krye të qeverisë vetëm prej gjashtë muajsh, në krye të vendit u rikthye Ahmet Zogu. Ishte dhjetori i vitit 1924, kur qeveria e Nolit nuk mundi t'u bënte ballë presioneve dhe trazirave të shkaktuara në vend atë kohë. Noli kishte ardhur në krye të qeverisë me "Revolucionin e Qershorit" apo siç e quajnë disa historianë të asaj periudhe "grusht shteti". Rikthimi i Ahmet Zogut në pushtet u cilësua në atë kohë si rikthimi Legalitetit. Në vitin 1925 u bë President i Shqipërisë dhe mori dhe kompetencat e ministrit të Brendshëm. Zogu kërkoi të vendoste një pushtet të hekurt. Duke parë që ai kufizohej nga disa mbretëri të fuqishme dhe të konsoliduara, siç ishte ajo e Savojës, mbretëria greke, por edhe Jugosllavia në veri, kërkoi të ishte po aq i fuqishëm. Kështu në vitin 1928, ai realizon ëndrrën e tij të bëhet mbret, duke e quajtur veten "Mbret i shqiptarëve". Në historiografinë shqiptare ende nuk është gjetur një emërues i përbashkët, nëse Zogu erdhi në pushtet në mënyrë të rregullt apo atë e ndihmuan forca të jashtme. Historianët gjatë periudhës së komunizmit e kanë quajtur këtë rikthim të Zogut, të ndihmuar nga ushtria jugosllave e Krajl Pjetrit të Beogradit, duke i premtuar këtij të fundit që do t'i jepte dy zona në veri të Shqipërisë, pikërisht grykën e Vermoshit dhe Shën Naumin. Rikthimi i Ahmet Zogut padyshim ngelet një mister për historinë tonë të shekullit XX. Dokumentet arkivore tregojnë që ka një marrëveshje midis Ahmet Zogut dhe jugosllavëve, por që ngelet shumë e mjegullt, duke bërë që si pala mbrojtëse e kësaj teze, por edhe ajo që e hedh poshtë, ta kenë të vështirë të flasin me siguri për një marrëveshje të tillë. Shumë historianë japin versionin që Zogu erdhi në pushtet me suport nga jashtë, duke vënë në lëvizje agjenturat e huaja, sidomos ato jugosllave, por që raporti midis shtetit të Ahmet Zogut dhe jugosllave nuk ka qenë i mirë pas këtij momenti, vë në diskutim të madh nëse Zogu ka pasur apo jo përkrahjen e sllavëve. Po t'i referohemi historianit amerikan, Bernd Fisher, i cili ka bërë një nga librat më të plotë për historinë e mbretërisë shqiptare nën udhëheqjen e Ahmet Zogut, ai e cilëson ardhjen e Zogut në pushtet me ndihmë nga Jugosllavia. Menjëherë me ardhjen në pushtet, Zogu përjashton nga Parlamenti të gjithë deputetët e opozitës, shpërndau Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës dhe mori një pushtet të pakufizuar.

Ahmet Zogu është shoqëruar me një nga femrat më të bukura të asaj kohe? Cila ishte balerina që magjepsi mbretin e shqiptarëve dhe pse nuk arriti të lidhte jetën me të?

Njihet vetëm ana zyrtare e Ahmet Zogut dhe pak është folur për jetën e tij private. Ashtu si gjithë udhëheqësit e tjerë edhe Zogu ka pjesën e tij për të cilën ka ende enigma. Përveç të tjerave, mbreti shqiptar ka pasur dhe një të dashur, e cila ishte një kërcimtare mjaft e suksesshme e nga më të pëlqyerat atë kohë në Francë. Tania Vizirova (Visirova), ishte me origjinë nga Besarabia dhe Kaukazi. E pasionuar pas dansit të Isadora Dunkan, ajo arriti që edhe pse shumë e re të hynte në trupën e balerinave të "Folies-Bergère", shumë në modë atë kohë në Paris. Ajo shpejt u bë e njohur për hijeshinë dhe sensualitetin e saj, dhe të gjithë e thërrisnin "la Visarova". Një trup i kolmë, linjat e të cilit shfaqen në fotografitë e pakta që kishte ruajtur Visarova nga ajo kohë. Më 1929, një pikëtakim i çuditshëm do ta lidhte një pjesë të jetës së saj me Shqipërinë. Atë vit, një deputet shqiptar dhe ministri fuqiplotë i ambasadës shqiptare në Paris, e kishin takuar në mbrëmje, pas shfaqjes në "Folies Bergère". Propozimi i tyre ishte i çuditshëm: të kërcente në pallatin mbretëror të mbretit Zog, për festimin e përvjetorit të parë të mbretërisë shqiptare. Ajo u ishte përgjigjur se do të mendohej, por edhe më pas në Bruksel, ata përsëri e kishin takuar, duke i folur për një kontratë dhe një shumë të majme. "Ç'të bëja? - kujton ajo në kujtimet e saj, - të interpretoja në "Carthacala, reine des Gitans" (Cartala, mbretëresha e ciganëve), - një shfaqje e asaj kohe, - apo të shkoja në Shqipëri?…". Në gusht të atij viti, ajo vendos të shkojë në Shqipëri bashkë me të ëmën e saj, të cilën nuk e ndau nga vetja gjersa ajo vdiq. Kontrata për angazhimin e saj për festimet mbretërore u nënshkrua në Romë, në konsullatën shqiptare dhe në atë rumune, për një periudhë dymujore. Mbreti e priti me ceremoni dhe menjëherë i caktoi një besnik të tij, Dedë Sulin, i cili do ta shoqëronte atë ngado. Pikërisht ky malësor kishte shoqëruar gjatë Luftës së Parë Botërore, komandantin e trupave aleate në Maqedoni, francezin Franchat d'Espery. Pra balerina ishte në duar të sigurta e besnike. Tanja Visirova, në kohën kur ajo u njoh me A. Zogun ishte vetëm 20 vjeç. Zogu ishte shumë i dhënë pas saj, vajza e re, e cila punonte si balerinë në lokalet e natës në Paris, marrosej pas Zogut dhe dhuratave që ai i bënte. Tanja Visirova kishte lindur nga një baba polak e nënë rumune. Ajo erdhi në Shqipëri me kërkesën e Zogut, mbreti i shqiptarëve e donte afër vetes, megjithëse e dashura e Zogut nuk pëlqehej shumë nga familja e tij. Tanja ishte shumë ekstravagante për t'i pëlqyer një familjeje me tradita. Ajo qëndroi si e dashura e Zogut deri sa ky e kuptoi se nuk kishin të ardhme. Pas largimit nga Shqipëria, Tanja u tërhoq edhe nga jeta e zhurmshme e Parisit dhe shkoi të jetojë në një fermë bashkë me të ëmën. Gjithsesi Visirova u takua edhe një herë të vetme me Mbretin e saj, ku u përshëndetën si dy miq të vjetër, kur ky kishte lënë vendin e tij.

Në 7 prill 1939, a tradhtoi shqiptarët mbreti apo ishte një largim i detyruar? Pse komunistët këtë abdikim nga froni ia morën si pikën më të dobët?

Sapo nga deti zbarkuan forcat italiane, me të njëjtën shpejtësi nga Shqipëria largohet Ahmet Zogu. Ai padyshim iku sepse nuk mund të pajtohej me një pushtim të Shqipërisë. Pas disa tentativave që bënë italianët që ky të lejonte vendin në duart e tyre, në këmbim të ofiqeve dhe pazareve të paskrupullta, kjo gjë nuk u pranua nga Mbreti, i cili së bashku me familjen e tij abdikoi nga froni dhe u nis në mërgim. Momenti që atij i është kritikuar më tepër është pikërisht lënia e bashkëqytetarëve të tij në mëshirë të fatit. Jo rrallëherë në praktikën e historisë botërore, mbretërit pasi kanë parë situatën e vështirë, janë larguar të shpëtojnë kokën e tyre. Këtë rrugë zgjodhi dhe Ahmet Zogu, i cili në moralin e një prijësi të denjë do t'i duhej të luftonte me gjithë shqiptarët kundër okupatorëve fashistë. Gjatë periudhës 1945-1990, kjo jo vetëm që u përdor nga komunistët, por u deklamua me të madhe si një tradhti e lartë kombëtare.

Cila ishte jeta në mërgim e Ahmet Zogut pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia dhe a mendoi ndonjëherë të rrëzonte Enver Hoxhën?

Me largimin nga Shqipëria pas pushtimit të kësaj të fundit nga Italia fashiste, Ahmet Zogu shkon në Francë, duke e cilësuar rikthimin e mbretërisë së tij si një mision të pamundur e megjithëse kishte bërë dhe përpjekje për të ardhur. E vetmja gjë që i kishte mbetur mbretit dhe shpurës së tij, ishin pasaportat diplomatike që u jepnin mundësi të lëviznin lirisht nëpër Evropë. Zogu në vitin 1944 bëri përpjekjen e fundit për të ardhur në Shqipëri. Në atë kohë ishin fuqizuar tepër komunistët, të cilët kishin luftuar si për çlirimin e vendit edhe për marrjen e pushtetit. Kështu kjo tentativë i rezultoi e pasuksesshme, pasi jo vetëm që nuk mund ta merrte më pushtetin nga duart e komunistëve, por as nuk do të kishte më mundësi as të kthehej në vendin që e qeverisi plot 14 vjet, tre vjet si president dhe 11 vjet si mbret. Ai jetoi në Francë duke lëvizur nga një qytet në tjetrin, ashtu si një numër i madh mbretërish të asaj periudhe, që ishin rrëzuar nga froni mbretëror. Jeta e atij që e quajti veten mbret i shqiptarëve nuk do të ishte një jetë e lumtur. Përveç vështirësive që të jep jeta në mërgim, madje i detyruar, atë e zuri dhe një maraz trishtimi për shumë arsye.

A ka gisht Ahmet Zogu në shumë vrasje që ndodhën gjatë qeverisjes së tij, si u hakmor për vrasjen e Esat Pashë Toptanit, që njëkohësisht ishte daja i tij?

Gjatë kohës që ka qenë në krye të vendit, Ahmet Zogu është akuzuar edhe si një njeri që ka ekzekutuar kundërshtarët e tij politikë. Nuk janë të pakta rastet ku shumë figura historike janë eliminuar në rrethana misterioze. Mjafton të përmendësh Bajram Currin, Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin, Riza Cerovën apo dhe Avni Rustemin, për të cilët mendohet se ka qenë vetë porosia e Zogut që të eliminoheshin fizikisht. "Po të ndodheshe në opozitë me Ahmet Zogun, ose duhej të mërgoje, ose do të ishe i ekzekutuar". Kjo ka qenë e shkruar në historinë e Shqipërisë gjatë periudhës së diktaturës. Është vështirë të përcaktosh me saktësi nëse ka një urdhër nga Ahmet Zogu apo jo. Vrasja e gjithë këtyre personaliteteve të shquar të periudhës së Pavarësisë, por dhe pas saj, duhet të ketë një shpjegim. Në zbulimet e fundit të historisë, rezulton se Zogu mund të ketë urdhëruar vrasjen Avni Rustemit, pasi ky i fundit kishte vrarë në një atentat në Paris Esat Pashë Toptanin, që ishte daja i Ahmet Zogut. Është fakt i njohur botërisht, që e ëma e Zogut, Sadije, ishte nga familja Toptanaj e Tiranës. Prandaj, kjo është aluduar si një hakmarrje e Zogut. E ndërsa të gjitha këto ngelen mistere në jetën e një personaliteti siç ishte Ahmet Zogu, pasi do të duhet një kohë e gjatë që të hidhet dritë me fakte dhe argumente bindëse për të gjitha.

Cili ishte amaneti Ahmet Zogut për varrin e tij, pse nuk u realizua kjo dëshirë e njeriut më të fuqishëm të Shqipërisë në vitet '20-'30?

Në vetminë më të madhe të jetës së tij, atëherë kur të gjitha përpjekjet për të përmbysur regjimin komunist dhe për t'u kthyer në Shqipëri kishin perënduar, gjendja shëndetësore e Mbretit përditë e më shumë keqësohej, kështu edhe sëmundja e tij po i përshpejtonte vdekjen. Më 3 janar 1961, familja mbretërore lë Cannes dhe vendoset në Ablon, në Val de Marne, jo larg Parisit. Më 5 prill, pikërisht ditën e lindjes së Leka Zogut, atëherë kur Ahmet Zogu sapo kishte mbushur 65 vjeç, ai jep shpirt në një nga krevatet e spitalit "Foch", i mposhtur nga kanceri. Jeta e Ahmet Zogut mbyllet pas një sëmundjeje të pashërueshme, shumë larg vendit të tij ku mbretëroi për vite të tëra. Para se ta mbulonin, Geraldina i hedh një grusht dheu të Shqipërisë të ruajtur gjatë gjithë atyre viteve mërgim, për një ditë të tillë. Pllaka që u vendos në varrin e tij shkruante "Atdheu mbi të gjitha", ndërsa pak përpara se të jepte shpirt, Zogu kishte kërkuar që të varrosej në Shqipëri me çdo kusht. Pas vdekjes së tij, familja do të fillonte të mërgonte pa fund, deri sa për disa kohë u stabilizua në Afrikën e Jugut. Historia mbretërore u mbyll përfundimisht brenda kufijve të Francës, duke lënë pas atë varr të vetmuar, ku çdo vit, në çdo ditëlindje të mbretit, mblidheshin gjithnjë e më pak njerëz… Shumë vite do të kalonin gjersa bashkë me Murin e Berlinit, do të binte dhe totalitarizmi shqiptar. Leka Zogu do të vinte në Shqipëri bashkë me familjen e tij. Mjerisht, kohë më pas, mbretëresha fisnike, Gerladinë, do të vdiste dhe do të varrosej në tokën shqiptare, me dëshirën që shpejt dhe njeriu i saj më i dashur, vdekur mbi 40 vjet më parë, njeriu që e kishte ndjekur pas nëpër udhët e botës, në ditë zhgënjimi e shprese, të mund të vinte në krah të saj. Ëndrra e Ahmet Zogut edhe sot vazhdon të mbetet e tillë, pasi eshtrat e tij ndodhen pikërisht në Francë.

Cilat janë të fshehtat e njeriut që themeloi shtetin e parë shqiptar
Gjashtë misteret e Ismail Qemalit

Misteret e kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës, njeriun që themeloi të parin shtet shqiptar. Për Ismail Qemalin është shkruar shumë rreth momentit të ngritjes së flamurit në Vlorë, në vitin 1912 si dhe për qeverinë e parë shqiptare që ai arriti të krijonte, por jo për momentet e fundit të jetës së tij. Ismail Qemali do jetë sot pjesë e rubrikës "Sekretet e njerëzve të vdekur". Në këtë pjesë do tregohen të gjitha të fshehtat e pathëna rreth jetës së njeriut që themeloi shtetin e parë shqiptar, që nga vdekja e dyshimtë, propozimi po të dyshimtë të sulltanit për t'i dhënë postin e vezirit, e deri te fshehja e ditës së lindjes së tij gjatë regjimit komunist.

Si u mundua Ismail Qemali të shtonte delegatët në Konferencën e Paqes në Paris? Pse nuk u realizua ky plan?

Jeta e Ismail Qemalit u mbyll me një mister të madh. Askush deri me sot nuk ka arritur të shpjegojë në mënyrë të detajuar për vdekjen e kryeministrit të parë të Shqipërisë. Në janar të vitit 1919, në Paris do të zhvillonte punimet Konferenca e Paqes, e cila do të diskutonte edhe për fatet e vendit tonë. Për këtë arsye Ismail Qemali ishte shumë i shqetësuar për fatet e vendit. Gjithë sakrificat që ai kishte bërë për vendin e tij donte që të kurorëzoheshin me sukses. Ai hartoi strategji që të kishte mundësi të influenconte në vendimet e konferencës. Për të arritur këtë qëllim, ai zgjodhi partnerin kryesor diplomatik, Italinë, e cila duhej të mundësonte që me delegacionin shqiptar, në konferencë të shkonin së paku edhe tre apo gjashtë delegatë më shumë. Këta delegatë do të ishin nga trojet shqiptare, të cilët do të bashkoheshin me ata që vinin nga Amerika. Për një marrëveshje me qeverinë italiane u pa e nevojshme të shkojë në Romë. Prej andej Ismail Qemali kërkoi të bënte një marrëveshje me gjithë shqiptarët për të vendosur një aksion kombëtar në një moment kaq kritik e të rrezikshëm, që të mund të përpilohej programi përfundimtar. Për synimet që i kishte vënë vetes, diplomati shqiptar filloi menjëherë për të zbatuar në mënyrë konkrete të gjithë programin e paramenduar. Detyra e parë dhe më emergjente ishte takimi i menjëhershëm i tij me diplomacinë e Romës. 19 janar 1919. Kryeministri italian, Orlando, për pak ditë do të nisej drejt Parisit për të marrë pjesë në Konferencën e Paqes. Ismail Qemali u nis drejt Italisë ku do takohej me autoritet italiane. Sa zbriti në Peruxhia të Italisë, Ismail Qemali njoftohet se autoritetet italiane që e kishin ftuar ishin nisur për në Paris, duke mos e pritur atë sipas njoftimit që i kishin bërë. Ata kishin lënë njoftim që Ismail Qemali të priste deri sa ata të ktheheshin nga Konferenca e madhe e Paqes. Në këtë moment, ai kuptoi se flitej për një izolim të qëllimshëm që i qe bërë.

Kjo mësohet nga rrëfimet e djemve të tij. Sapo mësoi lajmin për pabesinë, menjëherë i erdhi një goditje apoplektike, gjë që për moshën e tij ishte shumë e rëndë. Kanë qenë pikërisht ato momente që provokuan klithmën e tij të egërsuar dhe të papërmbajtur "Më hëngrën në besë"! Situata në të cilën ishte vendosur Ismail Qemali bëri që ai jo vetëm të mos realizonte planin që t'i shtonte delegacionit shqiptar edhe tre apo gjashtë delegatë, por në Paris do të hidhej për diskutim edhe çështja e Shqipërisë dhe ai s'do të merrte pjesë as vetë. Ky fakt për të do të thoshte vdekje e parapërgatitur. Gjithsesi, në kushtet që i ishin krijuar, ai u detyrua të vendosej në hotelin që i kishin rezervuar. Në një nga ato ditë, kur gjithë qenien e tij e kishte pushtuar tensioni dhe ankthi, më 24 janar, pikërisht 3 ditë para datës 27, kur ai mbushte plot 75 vjeç, në Paris vazhdonte me intensitet punimet Konferenca e madhe Ndërkombëtare me pjesëmarrjen e shumë shteteve, kur shtetet e mëdha vendosnin fatet e shteteve të vogla, Isamil Qemalit iu provokua një konferencë shtypi. Ajo iu servir si dëshirë e gazetarëve për të dëgjuar prononcimet e tij. Ajo konferencë, pavarësisht se nuk ishte kërkuar nga vetë ai, dukej se ishte edhe në dëshirën e tij, sepse ishte momenti që më shumë se kurrë ai donte të denonconte mashtruesit dhe izoluesit e tij.

U helmua apo vdiq nga shkaqe natyrore kryeministri i parë i Shqipërisë, një nga misteret më të mëdha që ka shoqruar historiografinë shqiptare të shekullit XX!?

Pak kohë para se të fillonte konferenca e shtypit, Ismail Qemalit iu servir fillimisht buka, me pretekstin se duhet të hante para konferencës. Pasi hëngri, ai hyri në sallën e rekomanduar, ku e prisnin dhjetëra gazetarë e fotoreporterë të ndryshëm. Sipas rrëfimeve që djali i Ismail Qemalit, Et'hemi, i ka bërë më vonë kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Ali Asllanit, mësohet se sapo hyri në sallë Qemalit i kaloi një çehre e verdhë në fytyrë. Nuk vonoi shumë, ai u ul në tavolinë dhe befasisht në trup i kaloi një valë rrëqethjeje. Ndërsa nisi të belbëzojë me vështirësi, filloi të dridhej dhe ndërkohë u konstatua se nuk mundte t'i lidhte dot fjalët. Pas kësaj situate, ai arriti të kërkonte ta shoqëronin për në banjë. Kur arriti aty, e mbyti shkuma që nxirrte nga goja dhe të vjellët. Në pak çaste pulsi i tij pushoi së rrahuri. Në këto momente gazetarëve të mbledhur për konferencën e shtypit në atë sallë iu komunikua fakti që Ismail Qemali, i cili pak çaste më parë kishte qenë para tyre, nuk jetonte më. Kjo padyshim që është një vdekje e provokuar. Arsyet pse u helmua Ismail Qemali ngelen mister.

Pse nuk ia publikuan asnjëherë datën e lindjes Ismail Qemalit gjatë periudhës së komunizmit?

Një mister tjetër që ka të bëjë me figurën e Ismail Qemalit është dhe data e lindjes së tij. Një nga studiuesit më të mirë që ka punuar në arkivat e Perandorisë Osmane ka zbuluar se dita e lindjes së kryeministrit të parë të shtetit shqiptar është më datën 16 tetor të vitit 1846. Nexhip P. Alpan e ka datuar lindjen e debatuar gjatë, më datën 16 tetor të vitit 1846. Datëlindja e këtij personalitetit është debatuar shpesh gjatë periudhës së komunizmit nga historianë shqiptarë dhe të huaj, mirëpo nuk binin dakord për këtë datë, pikërisht sepse qëllonte në të njëjtën datë kur e kishte ditëlindjen dhe diktatori Enver Hoxha. Kjo u mbajt e fshehtë pothuajse për 45 vjet, por që nga të dhënat e fundit nga historianë turq më në fund caktohet në mënyrë të saktë dhe datëlindja e Ismail Qemalit, i cili ishte nga shqiptarët që ka arritur ofiqet më të larta në Perandorinë Osmane, duke filluar nga një përkthyes i thjeshtë deri në zëvendësministër i Jashtëm, e më vonë deputet. Por që është dhe njeriu që krijoi shtetin e parë shqiptar të pavarur.

Cilat janë të fshehtat e Ismail Qemalit në vitin 1913? Pse e dorëzoi qeverinë në duart e të huajve, a ishin ato që ndodhën më pas dëshirat e tij?
Shpallja e Pavarësisë ishte një akt me rëndësi jetike për popullin shqiptar. Ajo, nga njëra anë mbylli një epokë të tërë luftërash e përpjekjesh shekullore për të hequr qafe zgjedhën e huaj, për të ruajtur tërësinë territoriale të atdheut e për të formuar shtetin e lirë kombëtar shqiptar, duke kurorëzuar veprën e Rilindjes dhe, nga ana tjetër, hapi një epokë të re, një epokë luftërash e përpjekjesh të tjera për ta mbrojtur pavarësinë e fituar nga rreziqet e jashtme e të brendshme, për të siguruar bashkimin kombëtar të gjymtuar rëndë dhe për të vendosur rendin demokratik. Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë përfaqësonte fitoren e përbashkët e të gjitha trevave shqiptare. Me shpalljen e pavarësisë, në krye të qeverisë u vendos pikërisht ai që kishte kontributin më të qenësishëm, Ismail Qemali. Ai në krye të qeverisë shqiptare ndenji fare pak duke, dhënë dorëheqjen në rrethana misterioze.

Shpesh është aluduar se ai bëri këtë veprim për të lejuar një përfaqësues të fuqive të mëdha që ta drejtonte vendin tonë, kjo për të vendosur edhe stabilitetin e munguar në tokat shqiptare, që jo vetëm po shqetësoheshin nga të tjerët, por edhe mes vetit kishin probleme të theksuara. Një palë kërkonte të mos shkëputeshim nga Perandoria Otomane, ndërkohë që fqinjët tanë grabitqarë ishin duke punuar të shkëpusnin sa më tepër nga trupi i truallit tonë. I gjendur në një pozicion të vështirë, pranoi propozimin e fuqive të mëdha, për ardhjen e Princ Vidit në krye të vendit. Mirëpo kjo lëvizje e Ismail Qemalit rezultoi jo efikase, pasi edhe pse Porta e Lartë u shemb, ishin fuqitë e mëdha ato që bënë pazar me fqinjët tanë për trojet shqiptare. Në vitin 1913 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, Shqipëria u copëtua nga të gjithë anët, duke u bërë i vetmi vend në botë që kufizohej me trupin e vetë. Përpjekjet e plakut të mençur nuk reshtën që të realizohej aspirata e gjithë shqiptarëve për një Shqipëri të bashkuar.

Pse nuk shkoi në Stamboll kur Sulltani i propozoi për postin e vezirit, çfarë kurthi mendonte Ismail Qemali se po i bënin?

Duke parë lëvizjet që po bënte anë e kënd Evropës Ismail Qemali, sulltani i kërkon atij të shkonte në kryeqytetin turk dhe të merrte postin e vezirit. Ky ishte një kurth që po i bënte sulltani patriotit shqiptar që, pasi të shkonte atje, ta ekzekutonte. Ismail Qemali duke nuhatur qëllimet e sulltanit e kundërshtoi kategorikisht një rikthim në kryeqytetin e Portës së Lartë, duke iu vënë me gjithë energjitë e tij çështjes shqiptare. Për episodin e kurthit që po ngrinte sulltani ndaj plakut vlonjat kanë shkruar një sërë historianësh, si turq ashtu dhe shqiptarë. Pasi këtij momenti Ismail Qemali realizoi aspiratën pesë shekullore të shqiptarëve atë të pavarësisë.

A ka ndonjë të fshehtë në planet e Ismail Qemalit për të zgjedhur qytetin e Vlorës për të ngritur flamurin e pavarësisë dhe pse pikërisht më datën 28 nëntor?

Siç e dimë, origjina e Ismail Qemalit ishte pikërisht nga Vlora, një nga qytetet më të njohur në historinë dhjetëra shekullore të Shqipërisë. Ismail Qemali, pasi bëri përgatitjet për t'u nisur drejt Shqipërisë, vendosi që flamuri do të ngrihet në Vlorë. Ai lajmëroi gjithë delegatët nga krahinat e ndryshme të vendit. Në qytetin e tij atmosfera ishte krejt ndryshe. Popullsia e Vlorës dhe gjithë delegatët, që ndërkohe kishin arritur nga çdo anë e Shqipërisë ishin të mbushur me një ndjenjë të zjarrtë atdhedashurie dhe me një entuziazëm te vërtetë. Me 28 nëntor 1912, Ismail Qemali shpalli pavarësinë e Shqipërisë përpara një turme në festë, të mallëngjyer e thuhej se shpirti i Heroit të madh Skënderbe, fluturonte mbi patriotët e gëzuar, ashtu si pesë shekuj më parë, pikërisht më 28 nëntor 1443, kur ai shpalli në Krujë pavarësinë nga sundimi osman, duke ngritur të njëjtin flamur kuq e zi, me shqiponjën dykrenore në mes. Më 28 Nëntor 1912, në orën 14, u hap në Vlorë Kuvendi Kombëtar. Në mbledhjen e parë të Kuvendit morën pjesë 37 delegatë, të cilët u shtuan gjatë ditëve që pasuan, duke arritur në 63 veta, që përfaqësonin të gjitha viset shqiptare.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama