Mirush Kabashi do të risjellë “Apologjinë e Sokratit”, kësaj here në skenën e amfiteatrit të Butrintit. Në edicionin e 13-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove, ku do të shfaqen kryesisht pjesë ndërkombëtare, Artistit të Merituar i është rezervuar mbrëmja përmbyllëse më 22 korrik.
Në aktivitetin që ngriti siparin të shtunën marrin pjesë trupa teatrore shqiptare dhe nga vendet fqinje.
Nata e parë prezantoi trupën bullgare me shfaqjen “Dekameroni”, nën regjinë e Diana Dobrevës.
Në ditën e dytë do të jetë teatri “Silence” i Bergamos në Itali, që do të ngjitë në skenë veprën “Zëra të huaj” me regji të Luixhi Pecotit.
“Elektra”, një ndër shfaqet e suksesshme të trupës së teatrit “Aleksandër Moisiu”, po ashtu do jetë pjesë e festivalit mbrëmjen e së hënës.
Më 21 korrik do të jetë radha e Teatrit të Shkupit që do të sjellë “Lisistratan” me regji nga Natasha Poplavska.