Mirdita jeton ende me legjenda

Mirdita jeton ende me legjenda

Nëse më parë do të duheshin orë të tëra të mbërrije në Rrëshen, tashti për gati një orë e gjysmë je në qendër të qytetit të krahinës, që e njohim si Mirdita. Në të vërtetë, asgjë nuk ka ndryshuar për qytetin. Veç varfërisë së madhe, e shpresave se do të ndryshojë, banorët u mbetet vetëm të përcjellin se çfarë do të vijë nga qendra. Habitshmërisht mbetet zona, të themi më e këndshme antropologjike sa i përket tipareve të banorëve, me të cilët mund të krenohet raca jonë. Anipse, sot, të gjithë jetojnë vetëm me ‘famën’ dhe historinë...

Kjo platformë e madhe, që na shfaqet teksa lemë Rrëshenin, është urë. Në fakt, duhet të ishte e tillë, por s’është më. Ishte planifikuar të mbarte udhëtimin e trenit, i cili do të transportonte kromin nga Bulqiza për ta përcjellë direkt e drejt Portit të Durrësit. Ishte një nga angazhimet më të mëdha të socializmit, që nuk ia arriti qëllimit. Sot, ky ndërtim inxhinierik, i dyti më i madhi në vend pas Urës së Bushtricës, të duket po aq i harruar sa ndonjë akuedukt romak. Me pak fjalë: S’i hyn më në punë askujt! Nën këmbët e saj, një grua po punon me të mbjellat, kurse pak fëmijë janë shpërndarë dhe mblidhen herë pas here për t’iu bindur urdhrave të një mësuesi, gati drejt pensionit, që dridhet i tëri nga një parkinson. Kjo skenë idilike do t’ishte dhe për ne e huaj, nëse mbi paretet e sipërme t’urës s’do të shquheshin dy sloganet e shkruara me t’bardhë, mbetur prej socializmit. Ato edhe na kanë grishur. Banorët e kanë harruar fare. Nga pas, zëri monoton i Gjergj Markut na përcjell historinë, që vjen gjithnjë si bëmë. Luftuam. Vramë. Luftuam. Ne ishim këtu...Gjithnjë zonën e kanë parë të tillë. Të djeshmit dhe të sotmit. Shala, Shoshi e Mirdita ia behën nga Pashtriku i Gjakovës dhe për disa kohë u rikthyen sërish andej. Disa i përcjellin lëvizjet e tyre deri në Himarë. Dikur, Edith Durham u besonte shumë të thënave të atyre që takonte në kohën e vet. Dhe, mirditorët e sotëm, për ironi janë sërish në lëvizje. Disa ikin jashtë pasi duan të jetojnë. Të tjerët, nuk e gjejnë dot veten me Reformën e re Territoriale, ndërsa Ulza, pranë, e cilëson si të padrejtë ndarjen e saj në vitin 1949 nga Mirdita. Vendi, si bashkim i 23 bajraqeve, ka pjellë shumë më tepër histori, sesa mund të konsumojë. Stepjen e kolegëve të mi të huaj e shikoj në raport me atë që kanë dëgjuar...Fotografojmë.
 
Lavdi Marksizmit dhe shokut Ramiz...


Pyesim. Gjergj Marku, drejtori i Pallatit të Kulturës dhe një gazetar i pasionuar i të gjithë trevës, nuk i bën gati fare përshtypje tollovia jonë. Vazhdon. Por interesi jonë është diku tjetër. Shkronjat e bardha të shkruara mbi urën në Tarazh feksin që nga larg: ‘Lavdi Marksizëm Leninizmit’ dhe ‘Rroftë KQ i PPSH-së me shokun Ramiz Alia në krye’... Gruaja, teksa na sheh që fotografojmë, merr instinktivisht më afër fëmijët dhe vazhdon punën. Ndërsa profesori, që e kemi hasur dhe pak më parë në shkollën e Tarazhit, vazhdon praktikën. Do t’krijojë imazhin e përkushtimit. Interesant se eksperienca e tij i shkon shumë lëndës që jep. Pak minuta më parë, në shkollë, na ka treguar një laborator që do t’ia kishin zili dhe shkollat më të mira në kryeqytet. Na tërheq sërish dhe përmes shpjegimit do të na tregojë se vetëm në këtë trevë rriten kaq shumë gjëra... Miratojmë. Dridhja gati frenetike e duarve t’tij na step. Ai grishet nga dëgjimi. Një nga kolegët e huaj e shikon me adhurim. “Sëmundja e intelektualëve”, na sqaron, edhe pse nuk kupton asgjë se çfarë thotë burri, që rri i pastër veshur me një përparëse të bardhë laboratori. Nëndrejtori, eprori i vet, imcak, që flet anglisht dhe paksa dhe gjermanisht, vijon të na flasë pa fund. Për sukseset e shkollës. Sesi fëmijët po ikin. Dhe... Mirditën. Të duket se Mirdita është Qendra e Botës. “Po  m’ikin fëmijët në qytet dhe pse shkolla dhe ne mësuesit jemi shumë të përkushtuar”, na thotë.

 

Një laborator muzike, pak më parë, na ka mrekulluar. E gjithë historia e Mirditës përmes veglave të vjetra muzikore na e ka shpalosuar para fytyrës. Është më e bukura gjë që mund të rrëfehet. Por për ta, Mirdita është Shqipëria, kurse krahinat e tjera janë thjesht zgjatim i tyre! Tarazhi, ku gjendemi ka një histori të madhe dhe kjo lidhet me vajzat e zonës, që u masakruan, thjesht sepse frekuentuan punën vullnetare të viteve të para t’çlirimit. Nëndrejtori i shkollës së fshatit na premton dhe madje na tregon shtëpinë e një fqinji, që mund të na e rrëfejë ndryshe historinë, por nuk i takojmë dot. Në momentet e fundit krijohet si zakonisht ‘diçka’ dhe njëqind arsye e bëjnë të pamundur takimin, me një personazh që do të na rrëfejë historinë e zonës. Mirdita etnike, vazhdon Marku, i ka ruajtur në thelb traditat mirditore. Jo vetëm Rrësheni, por edhe Fani, Rubiku, komunat e Pukës, komuna e Ulzës, komunat pranë Lezhës dhe madje dhe të Shkodrës (të Vigut) mund t’i trajtosh pa frikë si pjesë përbërëse të Mirditës. Problemi është sesi do të gjendet moduli që kufijtë administrativë të jenë sa më të arrirë me kufijtë kulturorë, që për hir të së vërtetës me kalimin e kohës përshtaten me realitete social- ekonomike të reja. “Kanë qenë 12 bajraqe, që duhet me kalimin e kohës, të kenë vendin e tyre dhe të përshtaten”, më sqaron një mësues i vjetër...
 
Për në Perlat


Në momentin, kur mundohesh që të futesh në një bashkëbisedim normal, atëherë ke humbur me mirditorët. Biseda shkon tutje dhe miti ngatërrohet me historinë, duke e bërë ngjarjen thjesht të pakapshme në realitet. Këtë flasim udhës, teksa kemi lënë Tarazhin dhe drejtohemi në një nga xhepat e fshatrave duke shkuar drejt Lurës. Rruga e vjetër, që të përcjellë në një trevë tjetër, duket e harruar. Rruga e Kombit, por edhe rrugët e tjera përreth, e kanë lënë sërish Mirditën të veçuar. Mbase kjo është arsyeja që Rrally Albania e ka gjetur si një destinacion të këndshëm për udhët e veta. Mu atë çast: Motoristë sportivë zbresin nga Lura me shpejtësi marramendëse dhe ndalojnë përkundrejt një klubi, që i zoti, një djalë i këndshëm që ka ardhur nga Italia, po e zgjeron dhe e zgjeron, me një koncept që duket bajagi modern.

 

“Dua të jetoj këtu këtej e tutje dhe gjithçka që servir është bio. Por, kontrollet e shtetit nuk të lënë”. Në të vërtetë, ka krijuar një vend të këndshëm, që duket i rrethuar ngado me hije dhe bukuri të pafundme. Shtëpia e drurit, me një formë të këndshme, buzë rrugës është edhe vend ankorimi i motoristëve të huaj, që e kanë të shënuar në hartat e tyre provizore nga organizatorët. Vendasit i shohin indiferentë, kurse ata pak që ende punojnë në tokat e pakta të sistemuara mundohen të sigurojnë ujin dhe ato gjëra që i ndihmojnë për mbijetesën.

 

“Kam mbjell do ullinj dhe më kanë dhënë prodhime, por jeta është bajagi e vështirë. Ka të tjerë që mezi e përballojnë”, më thotë një 70-vjeçar ish-minator. Në fakt, shtëpitë e rregulluara tregojnë se emigracioni i ka ndryshuar mënyrën e jetesës banorëve, që i kanë braktisur kullat e qëmotit. “Ujin e marrim që tutje. Nga shumë larg”,vazhdon të më tregojë bash atë që i intereson. Plaku do të rrëfejë, por kur arrin në argumente historikë gjejmë një arsye t’i ikim me kujdes. Mbase rruga e veçuar nga akset kryesore kombëtare e ka bërë këtë vend ta ndjejë veten realisht të përjashtuar. Jo më kot, mirditorët nuk arritën të shkonin mirë me asnjë nga pushtetet. U duk se shkuan mirë me Princ Vidin, por kronika thotë të kundërtën. Pak më vonë, do të shpalleshin më vete dhe krijuan edhe një republikë, ku si dëshmi, në mos gaboj, ka mbetur deri edhe emëtimi i një pulle. Nuk e gjetën gjuhën me Zogun dhe u përplasën akoma më keq me Enverin. U përçanë mes vete dhe luftuan ashpër me komunistët.

 

Kjo e fundit, sot, u bën pak përshtypje të huajve, që i kundrojnë më shumë si subjekte fotozhenike. Insistojmë dhe jemi për të bërë një set fotosh me një ekip të huaj për pjesën më përfaqësuese të shqiptarëve. Për kolegët e huaj, që kanë ardhur për një vëzhgim antropologjik, mbresa është e pamëdyshje: Mirdita ruan individët shqiptarë me format më interesante. Biseda me vendasit kap rrafshe të ndryshme. E habitshme është për të huajt: pse ata nuk kanë mirëqenie. Të gjithë teoritë mund të jenë prezente këtu...Që kur kemi kontaktuar me Gjergj Markun, drejtorin e Qendrës së Kulturës, kolegët tanë kanë filluar të punojnë. Një grup të rinjsh, që ishin para një provimi, pranuan të parët të fotografohen. “Pse janë kaq të ashpër? Dhe janë kaq simpatikë”, më sqaron një nga kolegët. Mirditorët e sotëm kanë ndryshuar bajagi. Fëmijët ose brezi i 20-30-44 vjeçarëve kanë kapur emigracionin, kurse me të zotët akoma janë në kryeqytet. “ndryshe nuk jetohet”.


‘Rilindja’, platforma kryesore e PS-së me të cilën erdhi në pushtet me Aleatët u ka premtuar punë dhe ndryshim, por mirditorët e sotëm janë të mësuar me premtime boshe. Emigracioni dhe punët e tjera, që lidhen me drurin, pasuritë e brendshme mund të ndryshojnë diçka. Kurse fjalët për zhvillim nga një vesh u hyn dhe tek tjetri u del. Dhe, ashtu po ndodh.
 
Kthim në të shkuarën-Reaksion


Këtë e lidhin me mosbindjen e tyre natyrale. E kanë quajtur dikur si reaksion. Një pjesë e politikës e quan këtë si thelbin e përpjekjes së tyre për mëvetësi dhe elementët e para të demokracisë kundër komunistëve, kurse këta të fundit e shikonin Mirditën, si një nga ndriçuesit e parë të errësirës. Për hir të së vërtetës, mirditorët e pas viteve ’40 bënë nga gjërat më të pabesueshme për Shqipërinë e varfër. Ata hapën shkolla kudo, përmes imazhit të një mësuesi lokal, historinë e të cilit do ta kishte zili çdo film i Hollywood dhe historisë së disa grave të reja që u therën me thika kur ishin vetëm 20 vjeçare, vetëm prej akteve të tyre emancipuese. Kundërshtarët e komunizmit terrorizuan shumë fshatra, dogjën shkolla e shtëpi dhe vranë dhjetëra njerëz. Nga ana tjetër, edhe komunistët u sollën keq, duke i lënë të varfër. Protagonistë mbetën gjithnjë fisi i Bajraktarit të madh Gjon Marka Gjonit. Mes tyre bënë edhe atentatin më sfidues kundër pushtetit në shkallë Republike, duke vrarë kushëririn: Bardhok Bibën, funksionar i lartë i komunistëve dhe deputet i Kuvendit Popullor të Shqipërisë.
 
Mirdita


“I kanë harruar sot. Ashtu si hoqën monumentin e madh të heroinave në qytet. Ashtu si tallen me çdo gjë që mposhti errësirën”, më thotë një burrë që ka ngritur një subjekt turizmi në qytet dhe që kërkon të grishë të huajt në vend. Papunësia është krejt  madhe dhe shumë nga të rinjtë që sorollaten udhëve e dinë mirë t’ardhmen e tyre. Një orë e më parë duan të largohen nga vendi. “Këtu nuk mund të jetohet dhe as nuk ia vlen fare”, të thonë të gjithë. Janë të veshur mirë dhe buzëqeshin para çdo kamere që u drejtohet. Sa bukur jeni veshur, i bën një kompliment një nga kolegët e huaj një çifti të rinjsh. “Po vëllau m’i ka sjell të gjitha. Këtu s’blehet asgjë”. Dhe ia plasin të qeshurit bashkë. Vajzat mbllaçisin një kuorasant dhe qeshin e qeshin pa shkak. “Nuk ka as punë dhe asgjë. Rrotullohemi dhe dukemi sikur po rrumb. Por mezi presim sa t’mbarojmë shkollën e t’ikim”, na thotë një djal, që sapo e ka provuar emigracionin. Ku do ikni, i pyet me naivitet kolegu i huaj. “Ku t’mundemi por veç këtu jo”...

 

Ndërkohë Gjergji do t’na tregojë punën e mrekullueshme që ka bërë në Pallatin e Kulturës. Ka bërë një mini-muze etnografik, ka sajuar një sallë provash dhe po mundohet t’i japë gjithnjë e më shumë jetë kulturore këtij mjedisi. Po a mjafton?  Mirdita, si i gjithë vendi, është i mbushur me kafe dhe pjesa më e madhe e meshkujve e kalojnë kohën në këto mjedise duke kundruar dhe u ankuar. Problemi është të mos tërhiqen në bisedë pasi menjëherë fillojnë e bisedojnë për bëma. Realiteti dihet: Në pah del karakteri i tyre i egër dhe aspak miqësor. Ami Bue shkruante dikur se “Ali Pasha u propozoi atyre që kishin qenë në shërbim të tij të merrnin armët kundër Sulltanit. “Princ,- i thanë ata, ne të kemi shërbyer përsa kohë që shërbimet tona përputheshin me besnikërinë që ne kemi ndaj Sulltanit. Tashmë kjo nuk është më e mundshme, dhe meqë kemi ngrënë bukën tuaj na lejoni të kthehemi në malet tona. Dhe u tërhoqën”. Kuptohet se mirditorët e sotëm s’janë ata të djeshmit, por historia është e ngulur thellë sepse flasin vetëm për bëma.


Mirditorët janë edhe pragmatistë të njohur në respekt të kodeve të tyre, që jo rrallë herë kanë pasur si busull interesin. E kemi të vështirë të gjejmë statistika, pasi gjërat kanë lëvizur fare pak këto kohë për ta. Ka shumë shpresë kryetari i bashkisë që të ndryshojë, por mbetet vetëm shpresë. Ndryshimi duket se do kërkojë kohë që të vihet në vend. Ashtu si parullat e mëdha në ndihmë të komunizmit, që nuk shuhen dot, mbi urën e madhe në Tarazh. Është verë e vitit 2014.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama