Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i ka propozuar Ministrisë së Drejtësisë ndërmarrjen e një ndryshimi në Kodin e Familjes, që mundëson njohjen e partneriteteve nga komuniteti LGBT përpara një noteri”. Deklarata është bërë nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, gjatë raportimit në Komisionin parlamentar të Integrimit Evropian. Ndërkohë që, ekspertët e drejtësisë shpjegojnë për “Gazeta Shqiptare”, se njohja e partneritetit të personave që i përkasin komunitetit LGBT (lesbike, gay, biseksual, transgjinor) përpara një noteri është i barazvlefshëm me një akt martese. “Kjo kontratë që do të nënshkruhet para noterit nënkupton se këta persona kanë një marrëdhënie, ndërsa është i barazvlefshëm me një akt martesor. Kjo do të thotë se këtyre personave u jepen të gjitha të drejtat që Kodi i Familjes i jep një familjeje”, – u shpreh avokati Hysen Spahiu për “GSH”. Ndërkaq, në kuadër të masave antidiskriminim, Veliaj bëri me dije se MMSR ka përfunduar dhe nisur për miratim një ndryshim në Kodin e Punës, që synon mbrojtjen e qytetarëve ndaj çdo lloj diskriminimi në vendin e punës si rrjedhojë e orientimit seksual të personit. Gjithashtu, në këtë kuadër është nënshkruar edhe deklarata IDAHO, për avancimin e të drejtave të komunitetit LGBT.
Dhuna ndaj grave
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka raportuar edhe shifrat më të fundit për dhunën ndaj grave. Sipas tij, për 3- mujorin e parë të vitit 2014 ka një rritje të shifrave, çka tregon rritjen e raportimit në sistem. “Në lidhje me raportimin e rasteve të dhunës në familje, gjatë tremujorit të parë të vitit 2014 janë evidentuar e trajtuar gjithsej 903 raste të dhunës në familje, kur gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2013 janë evidentuar e trajtuar gjithsej 586 raste të dhunës në familje. Duke krahasuar të dhënat statistikore të 3-mujorit të parë, viti 2014, me ato të periudhës respektive të vitit të mëparshëm, rezulton të kenë pësuar rritje me 317 raste. Ky është tregues i rritjes së raportimit në sistem dhe është tregues pozitiv”, – u shpreh Veliaj. Ndërkaq, ai paraqiti edhe disa masa të ndërmarra nga dikasteri që ai drejton në fushën e barazisë gjinore dhe luftës kundër dhunës ndaj grave. Një prej tyre është edhe administrimi i ndihmës ekonomike nga gratë, i cili pritet të fillojë gjatë muajit qershor. “Janë marrë masa për vendosjen në eficiencë të plotë të Mekanizmit Kombëtar të Barazisë Gjinore, përfshirë sigurimin e funksionimit normal të Këshillit Kombëtar të Barazisë Gjinore, ngritjes dhe funksionimit të rrjetit të nëpunësve gjinorë në nivel qendror dhe lokal, dhe buxhetimit gjinor. Me miratimin e ndryshimeve të fundit ligjore në ligjin për Ndihmën Ekonomike, do të fillojë brenda qershorit aplikimi i administrimit të ndihmës ekonomike vetëm nga gratë kryefamiljare. Kjo masë, si dhe incentivat shtesë në masën e ndihmës ekonomike për frekuentimin e rregullt të shkollës dhe vaksinimin e fëmijëve, pritet që të kenë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e familjeve më vulnerabël në shoqëri. Strategjia e re e Punësimit dhe Aftësive parashikon rritjen me 10% të numrit të grave që përfitojnë nga programet tona të trajnimit profesional dhe rritje me 75% të numrit të grave që sigurojnë punësim të qëndrueshëm përmes Fondit të Nxitjes së Punësimit”, – u shpreh Veliaj.
Fëmijët
Sa i takon mbrojtjes së fëmijëve, Veliaj u fokusua te pilotimi i skemës së re të ndihmës ekonomike, e cila sipas tij do të stimulojë familjet për të çuar fëmijët në shkollë. Kjo pasi, sipas kritereve të reja, që një familje të përfitojë ndihmën ekonomike, duhet të çojë në shkollë dhe vaksinojë fëmijët. “Reforma e Shërbimeve Sociale dhe Modernizimi i Ndihmës ekonomike kanë një impakt të qëllimshëm tek fëmijët. Pilotimi i skemës së NE në qarqet Tiranë, Elbasan, Durrës, do stimulojë familjet të çojnë fëmijët në shkollë dhe vaksinojnë fëmijët, përmes stimulit, si dhe shoqërimit me programin e shërbimeve sociale (me punonjës socialë që do merren me edukimin e familjeve)”, – u shpreh ministri.
Romët
Në lidhje me komunitetin rom dhe egjiptian, Veliaj e vuri theksin sërish te skema e re e ndihmës ekonomike, e cila sipas tij do të rrisë me 20% numrin e përfituesve që i përkasin këtij komuniteti. “Për herë të parë, skema e ndihmës ekonomike që pilotojmë në tri qarqet kryesore të vendit do të çojë në eliminimin e barrierave që pamundësonin përfitimin e ndihmës ekonomike nga kjo shtresë. Pritet që vetëm nga ky program të rritet me të paktën 20 për qind numri i përfituesve të ndihmës ekonomike nga këto familje”, – tha Veliaj.