Minatoret ne Bulqize Ne t’vdekurit e pakallur

Minatoret ne Bulqize: Ne t’vdekurit e pakallur
Historia e minatorëve të Bulqizës është një histori e shumë njohur, por që pakkush mund t’i dijë realisht prapaskenat që po luhen me jetët e tyre. Të përdorur, të shmangur dhe të përbuzur, minatorët po vuajnë pasojat e një makutërie të pafundme për kamjen që prodhon kromi. Në reportazhin tonë, disa prej tyre të frikësuar, tregojnë se mbijetojnë por nga ana tjetër duken edhe sesa të panjohur mbeten me arsyet e neglizhencës ndaj tyre...

Në ditën e 18-të të grevës së urisë të minatorëve, që përkonte me të enjten e 11 gushtit 2001, banorët e Bulqizës dhe të afërmit e tyre, i gjetëm teksa zbrisnin valë-valë nga rruga. Kokëvarur. Të shkalafitur. Të pashpresë. Më pas, disa nga më kurajozët, qeshin dhe zënë vendet e zakonshme në kafe. Më të varfrit ikin. Të tjerët, më të paepurit, që policia s’i lejoi të bllokojnë aksin nacional Tiranë- Peshkopi, ngjiten ngadalë, ashtu si kanë bërë ditët e fundit drejt minierës për të plotësuar ditë-jetën e tyre.

Më të paktat ose më kryesoret, gratë, shkojnë të bëjnë punët e mbetura ose të zënë vendin në punën e përditshme të mbijetesës. Në këtë fotografi psiko-reale jemi në Bulqizë. Parkojmë pranë gazetave. Dy burra, që zgjasin kokën në koliben ku ruhet media, këto ditë kapicë me lajme për ta, i tregojnë njëri-tjetrit me nënqeshje sesi s’i lejuan bulqizakët të shkojnë drejt Qafës së Buallit të bllokonin rrugën. Duhet të jenë njerëz administrate ngaqë janë të shëndetshëm dhe krejt të ngeshëm. Protestuesit për dy orë kanë vazhduar më kot protestën në hyrje të qytetit, derisa policia ka ndërhyrë ashpër. Kjo është kronika e ditës.

Në qytetin me grevë-pa-grevë

Bulqiza, në pamje të parë, është vendi urban më i ngeshëm dhe më indiferent shqiptar. Të gjithë bisedojnë çlirët, sikur të kenë dalë nga ndonjë kuadër i Impresionizmit. Kuptohet pa rekuizitën përkatëse. Bulqiza e vjetër, ku zhvillohen ngjarjet e minierës dhe ku një grup minatorësh ngujuar në kuotën 14-të, kërkon një sërë të drejtash të mohuara dhe të neglizhuara nga firma koncesionare ACR, i ngjan një pazari pa mall. Të gjithë ecin, flasin me duar, shkëmbehen në rrugën kryesore. Dasmorë të hallakatur nxjerrin kokat nga makinat me targa britanike dhe vargojnë në mes të qytetit. Të tjerë dasmorë me targa italo-greke u vinë përkundruall. Duelojnë të gjithë për zallamahi. Policët, që e kanë mbyllur me sukses aksionin e bllokimit të rrugës, i ndjekin qetësisht. Na duhen pak minuta nga rruga e stërkeqe që bashkon Klosin me Burrelin që të mbledhim veten dhe të sodisim këtë hulli. Duhet të takojmë disa familje, ndërkohë që kontaktet tona, miq, vinë ‘tinëz’ sikur po bëjmë ndonjë konspiracion.

Djemtë e rinj, nga përtej klubit janë krejt indiferentë dhe të gjithë mbushin kafenetë e shumta, duke parë se ç’bëhet përreth. Duket absolutisht si simboli i kryeqendrës të zdërhalljes. Vetëm se pak dhjetëra metra më sipër, ku daljet e rropullive të mal-kromit, varen mbi qytet, situata s’është aspak kështu. Minatorët janë keqësuar, ndërsa firma koncesionare shtyn sërish një takim, që i ngjan një akti në teatrin absurd. Lajmet vazhdojnë dhe flasin për ardhjen e përfaqësisë së ACR-së në Peshkopi dhe mos dialogimin dot me minatorët, që i presin në galeri. Një institucion i sigurisë së Minierave kërkon urgjentisht nxjerrjen e minatorëve ...për sigurinë e tyre. Kadriu, një miku ynë, i përfshirë dikur aktivisht në gjërat e minierës, më shpjegon me gjysmë-zë gjithçka. Kurse, dikush më zgjat një fletë të shkruar keq dhe me germa shtypi të një thirrje të Partisë Social Punëtore Shqiptare, që kërkon ndërhyrjen urgjente të presidentit Topi dhe ndërhyrjen e z. Berisha. “Kërkesat për minatorët i keni në sirtarët e Dikastereve të Presidentit dhe Kryeministrit, që po shkelin nenet e Kushtetutës për detyrimet që kanë ndaj qytetarëve dhe minatorëve”, thuhet aty.

Duhet bërë publike, më thotë njeriu i shqetësuar, pranë kioskës së vogël, ku edhe gazetat merren me listë, më thotë Kadriu. E di dhe vetë që këto s’do t’i besojë askush, por s’është keq për kronikën e zakonshme të banorëve përreth që ndjekin ngeshëm, një makinë të SHQIP-it, Plaformat satelitore të KLAN dhe ABC-së, që rrinë e presin të parkuara në gjuetinë e madhe të lajmit të parë. Gazetarëve në terren u duket se garojnë kush jep lajmin i pari, por sa më shumë që ata shtojnë ankthin, aq më pak reagojnë vendasit. Të mendosh, ndërsa ata shfaqen në ekranet e klubeve, ku banorët rrinë dhe shikojnë indiferentë, e kupton absurdin dhe vetë-sakrifikimin e minatorëve. E më pas: Ne mesditë kafenetë zbrazen fare pak, për ti lënë udhë njerëzve të ikin për të drekuar. Një autobus prish qetësinë, sepse duhet të niset. Në xhamin e parmë ka të shkruar se bileta për në Tiranën, 132 km më andej, është 350 lek. Është i mbushur. Në rrugën kryesore vazhdojnë të gjithë të lëvizin, shesin, shëtisin dhe flasin. Të rinjtë janë krejt indiferentë. Pse kaq indiferentë?-e pyes Kadriun, që na ndihmon me sa mundet dhe me shumë dëshirë.. “Ngaqë njerëzit këtu s’janë ata që duhet të jenë. Por në thelb të gjithë e mbështesin. Pastaj nuk e di, nuk e di”, më thotë dhe mbledh supet.

Banorët-personazhe

“Unë jam i vdekur dhe ndaj s’më bën përshtypje të vdes. Kush vjen të punojë atje thellë nëntokë e di këtë fjalë. Kur dal mbi tokë vdes dhe për njerëzit...”. Këto fjalë, m’i thotë me një të folur dibrançe e shoqja e Latifit për burrin e saj minator. Kjo grua e shkurtër dhe shumë e papërtueshme s’pushon së mallkuari gjithkënd për këtë situatë. I shoqi, e ndjek pa folur dhe e ka të vështirë të sqarojë. Sapo ka lënë grevën dhe ka zbritur drejt qytetit të ri, ku i duhet të mblidhet me familjen e tij për të ngrënë. Është 60 vjeç, me një trup sak të fuqishëm, skalitur nga puna rraskapitëse e zgafellave.

G. A., një pallat më andej, e ka ndarë mendjen, që i shoqi s’do të dalë nga galeria derisa të mbarojë greva. Ai është një nga grevistët e futur dhe që po sakrifikon. Flasim pak me gruan, sepse i duhet të mbledhë tek privatët kromin dhe të sigurojë ushqimin e përditshëm. “Kanë marrë kredi,-më thotë një mik i tyre-dhe dikush të punojë. Kanë fëmijë dhe i duhet të rrisin, sepse kredia s’do t’ia dijë për shtet”.

Behari, 34 vjeç, vjen nga qyteti poshtë me paterica, ndërsa është më shumë se i zhgënjyer për situatën. Nuk di sesi do ta shtyjë më nëse miniera do rrijë e mbyllur.

K. F. pret përgjigje nga greva. I shoqi është një nga të shumët që është i futur aty, por nuk mund të thotë asgjë më shumë. Ka frikë se po ta marrin vesh, sak ata që kanë ardhur nga poshtë dhe që ajo si ndan dot nëse janë forcat e policisë, apo të FNSH-së apo kushdo qofshin, do t’i bëjnë keq dhe do t’i lënë...

Qemal Lila, 62 vjeç duhej të dilte prej kohësh në pension. Por, jo vetëm që s’duhet të dalë, por nga ana tjetër duhet të zgjasë më tejet punën e tij sepse i duhet të ushqejë familjen e tij, që përbëhet nga katër njerëz, që presin vetëm nga rroga e tij.

Frika dhe përçarja

Të gjithë këta njerëz kanë frikë. Fillimisht nga shteti i tyre, që bën të paditurin; nga e panjohura; paçka se askush se ka frikë vdekjen. Vërtetë s’janë aq të kultivuar sa të na tregojnë përfytyrime letrare-filozofike për konceptin e vdekjes, por përshkrimi që më bën me gjysma fjalë Latifi për vdekjen e kalon nga ana filozofike, mendimin për të. I ardhur nga Gjorica, i duhet të sigurojë bukën për të shoqen dhe të birin. “Jemi dobët dhe dobët shumë. Me listë te dyqani poshtë. Ata shokët që po japin jetën: Çfarë të thonë ata do bëjmë dhe do fillojmë punë kur të dalin shokët...Po ku dimë na...? Them me drejtësi se unë futem në dhè dhe jam i vdekur. Ka 25 vjet dhe ja si është...”. G. A., një grua e thjeshtë, s’ka kohë të më flasë. Në fakt, e kuptoj se ka frikë. Punon privatisht tek firmat private, që e mbledhin kromin anash minierës dhe ku edhe aty s’kanë munguar vdekjet. Heqja e tyre është një nga kërkesat e minatorëve. Paradoks. Por, i duhet të mbajë familjen, tani që i shoqi është në grevë në galeri.

 Dhe, uria s’ka arsye. E pyes sesi e gjen kohën të shkojë te burri. Iki unë, ikin djemtë, po brenda s’futemi, më thotë. Kanë frikë edhe për emrin, që ta thonë. Edhe ajo i tutet të panjohurës. Konceptin e shtetit e ngatërrojnë prej tmerrit të së panjohurës dhe me atë që u kanë parë sytë nga policia, ndaj gjithçka e shikojnë me frikë. Lirohet disi, kur shikon djalin e vogël që luan pa u shqetësuar para shtëpisë me djem të tjerë. Bëjnë zallamahi dhe nuk e kuptojnë se mbijetesa kushton dhe se ndoshta pak vite më vonë edhe ata do kenë radhën të kenë të njëjtën vuajtje. Gruaja që flet me gjysmë zë, më thotë për një kredi që kanë marrë dhe se sakrifica e të shoqit është sakrificë për të gjithë, por që po e vuajmë ne më shumë se kushdo, më shton. Pastaj largohet. Me insistim. E shqetësuar. Kur pak minuta më vonë, të njëjtat gjëra, në një shtëpi të pastër dhe megjithë orenditë e nevojshme, do mi sqarojë Qemal Lila.

 Burri simpatik punon sot e kësaj dite në vagon në nivelin e 14-të, ku janë grevistët. Ka shëndet të mirë, por ma justifikon se punon me vagona, krahë. Ka gruan e papunë, djalin 26 vjeçar të papunë, vajzën e martuar, njësoj të papunë, që rri me të. Djali, kohë pas kohe ikën në Greqi, por duket se emigracioni s’i ka prirë shumë, megjithatë e ka ndihur familjen. Unë jam pensionist tani dhe duhet të kisha dalë por këtu s’ka ligje, shton. 10 vjet nëntokë më parë kishte pension të plotë. Sot e kanë çuar 60 vjeç dhe asnjë minator se gëzon dot me aq vite punë sa thuhet. Kemi çuar shumë peticione dhe kjo nga ’90. S’ka qeveri për fshatarë dhe punëtorë dhe mos ndërhyrja tregon që këtu e kapur nga MAFIA”, rrëfen. Të 38.000 lekët e rrogës janë të pamjaftueshme, kurse djali më shton duke u tallur: jetojmë me çarçafë. Këto të fundit janë simboli i borxheve të tyre. “Dhe berberi me listë. Një pjesë e kemi me listë, madje edhe kafenetë, që të kanë bërë përshtypje”, shton djali me një fizik, që s’ia justifikon shumë ankimin.

 “Duhet të dilja me ligjin e parë në pension. Por, jemi të ndarë edhe te sindikata. Dhe kjo përçarje ka ndikuar. Ne përkrahim Kolë Nikollën, pjesa më e madhe, por ka të tjerë që janë në një sindikatë tjetër”. Ndërhyn sërish Kadriu, që mundohet të më ndihmojë në këtë amulli ankesash. “U bë një grevë në nivelin e 9 dhe erdhi FNSh-ja, por s’mundi dot. Dhe, tani ka grevëthyes, ndërsa Firma dhe shteti bën presionet e veta, me qëllimin që sindikalistët të përçahen dhe të futet sherri, si është bërë nga ’90 deri sot”. Qemali nxjerr edhe një nga shqetësimet e mëdha: më parë ishin 650 njerëz dhe sot janë gati 2000 njerëz. Ku janë gjithë këto para që paguhen, ndërsa ne nuk dimë gjë fare për disa që paguhen dhe janë në Itali e Greqi, shton kokëulur. Si e parashikon, e pyes? “Unë e parashikoj që kjo punë s’do ndalet në minierë dhe do vazhdojë dhe...Greva do jetë në favor të punëtorëve, por është e ndërlikuar dhe ata e kanë kuptuar se këta na kanë ngrënë rrogat dhe tashti ndaj po ndodh greva e urisë”. Kadriu më shton një skemë dhe variantin teknik të grevës, që e përmendin si pusi 7 e bllokuar, si sabotazh nga rusët, në mënyrë që të mos hapet thellësia dhe firma të bëjë shkurtimin e punëtorëve . Pusi 7 duhet të ishte në nivelin e 21, më thonë burrat. Ndërkohë, kromi për të cilin luftojnë ata shikohet në Elbasan dhe në Durrës, i manovruar nga matrapazë të ndryshëm. Këta, megjithëse nxjerrin jashtë minierës kromin me përmbajtje 23 % (tregu ndërkombëtar e kërkon deri në 40%), pasi e përziejnë me kromin e minierës e përcjellin jashtë vendit. Ndahemi, me dashamirësi. K. F. , pak më tutje, që e hasim pak më larg flet me gjysmë zëri.

Ka një frikë të papërshkueshme që s’ja heq dot me asnjë qetësim. Ka frikë ngaqë këtë ditë ka parë sesi policia ka goditur një burrë sakat. Mos më merr në qafë, thotë shkurt. Ai rreziku e pati vet sikletin mbi kurriz. Do zoti i sheh të gjitha. Edhe ajo punon ndër privatë, ndërsa i shoqi po dergjet që këta të mos fryhen, më thotë. Kromi po na ha kokën, që mos e lëngshin, shton në fund. Se kush janë këta, kuptohet, të gjithë ata, që janë indiferentë, ndaj fatit të burrit të saj dhe të tjerëve. Me rrogën mezi e shtyj më thotë Behar Lamani 34 vjeç, që ditët e fundit është invalid me paterica. Me borxhe në ushqimore; me borxhe kudo; dhe fryt i kësaj pune copa-copa duket dhe shtëpia që pllakat i ka të ndryshme me njëra-tjetrën. Vetëm se jo sensin familjar. Kuptohet, më thotë-bëj pak para, bëj një copë. Laj borxhe, merr pak dhe bëj tjetrën. Ka lindur në Vajkal.

Në këto 10 vjet, që është krijuar kjo gjendje, sipas tij por ende mund të bëhet diçka, paçka se s’është bërë asnjëherë tamam si duhet...Ka dy fëmijë, që s’duan t’ia dijnë, shton pak pak “dhe puna e grevës më duket se shteti shqiptar s’po bën as minimalen për ne. Sa ka dhënë kjo minierë as shteti se bën dot t’ja shpërblejë këtij komuniteti”. Dhe çfarë mund të paguajë më parë. Pastaj hesht. Flet me vështirësi dhe nga dhimbjet e këmbës, që s’ma thotë si është aksidentuar. “Jeta e vështirë këtu në Bulqizë. Ne përfundimisht jemi të mbaru po s’vunë duart. Ne kemi humbur besimin te vetvetja dhe s’kemi dot shpresë. Mblidh gjithë policinë, FNSH, sikur të ishim në revoltë dhe jo që po duam bukën e gojës. Të tjerët marrin miliarda dhe ne s’kemi bukë me hangar..” . E pyes për indiferentizmin e njerëzve. “Komuniteti e mbështet nga ana morale me të gjithë forcën, por ka diçka që stepen nga rrethanat që janë krijuar. Ata tërhiqen pak sepse gjithkush ka njeri atje”. Punëtorët e Bulqizës e kanë ngritur zërin e tyre më 1994, 1997 që u rrit paga, 2007, dhe përmirësimi është bërë por jo aty ku mendohej. “Nëse do vazhdojë kështu, duhet me gjet një mundësi e me ik një orë e më parë, kështu s’po mundemi më”, e mbyll trishtueshëm.

Më tej

“Puno njëri dhe ha dhjetë të tjerë”, më ka thënë K. F. pak kohë më parë.... Prej zhvillimeve dhe amullisë në këtë vend nga 650 kontrata, tashmë janë trefishuar. Megjithatë, këtë mezi e thonë banorët-minatorë. Shumë e shikojnë se miniera s’është më aleatja e dikurshme. E duan dhe i frikohen. Fryma e një syri duket se i vigjilon kudo. Nga kudo, televizorët e qytetit, janë të ndalur tek imazhet që tregojnë për lajmet e fundit nga miniera. I njëjti lajm. Minatorët s’duan kushtet e ACR-së, kurse këta të fundit s’pranojnë sindikatat dhe nuk shkojnë në Bulqizë. Një ditë më vonë, minatorët do jenë në Tiranë, por përgjigja e vërtetë s’do merret asnjëherë “Heqja e ujërave është kryer nga grevistët, ndërsa mirëmbajtja e punimeve nuk janë duke u kryer nga askush.

Nga matja e ajrimit të kryera në nivelin e 14-të u konstatua se sasitë e ajrit që hyjnë në këtë nivel janë poshtë normave të parashikuara në projektin e ajrimit. Niveli i oksigjenit në punimet kryesore dhe në afërsi të vendit ku zhvillohet greva është në kufijtë minimalë, të lejuar. “- raporton duke apeluar drejtori i Përgjithshëm i RISHM Sajmir Zekaj…Askush s’ndërhyn, ndërsa firma pret e qetë minatorët në Tiranë. Në fakt, asgjë nuk ndryshon, ndërsa ardhja e pasdites i rimbush edhe njëherë kafenetë. Të gjithë ankohen dhe të gjithë e mbysin hallin në kafetë me konjak, raki, vodkën e lirë të vendit. Amvisat bëjnë pazaret e fundit në tregjet e qytetit, ku çmimet janë pak të larta.

Këtu mbyllet kronika e tyre, ndërsa duket se askush nuk dot t’ia dijë për këta njerëz sepse ata vetë kanë fatin e mirë dhe të keq të jenë në një nga burimet më të mëdha të fitimit të panginjurve shqiptarë. Është fundi i ditës së 18-të të grevës. Të nesërmen do të jenë në Tiranë. Më vonë, ku i dihet? Verë 2011.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama