Në janar të këtij viti në Zyrën Federale Gjermane për Emigracionin dhe Refugjatët ka pasur 25.042 kërkesa për statusin e azilit, njoftoi të hënën Ministria e Brendshme në Berlin.
Kjo do të thotë rreth 73 për qind më shumë se janarin e vitit 2014. Rreth 44 për qind e tyre janë pranuar si refugjatë dhe pak më shumë se ¼ nuk janë pranuar. Për momentin Gjermania është vendi i parë në BE për numrin e pranuar të azilkërkuesve. Rreth 5530 azilkërkues janë nga Siria, Kosova ka numrin më të lartë të kërkesave, ndjekur nga Serbia dhe Shqipëria në rajonin tonë. Vendet e Ballkanit Perëndimor shihen si vende të sigurta dhe kjo bën që nga këto vende të pranohen shumë pak kërkesa.
Kërkesa nga Shqipëria dhe Kosova
Në dhjetor të vitit të shkuar, nga Shqipëria ishin regjistruar 940 azilkërkues, ndërsa në janar të këtij viti janë 1648. Ndërkohë në dhjetor ishin 1956 azilkërkues nga Kosova, në janar janë 3630 azilkërkues.