Meta & Prifti cfare nuk u tha ne televizion

Meta & Prifti, cfare nuk u tha ne televizion
Kutitë e votimit të zgjedhjeve të vitit të kaluar nuk janë hapur ende, por Kutia e Pandorës për qeverinë e dalë nga ato zgjedhje, është shqyer përfundimisht. Përballë lebetive me korrupsion dhe të korruptuar, komplotistë dhe viktima komplotesh që po dalin në kamerat televizive apo faqet e para të të përditshmeve, qytetari i thjeshtë shqiptar më së paku duhet të ndjehet i befasuar. Sesa i tradhëtuar ndjehet, kjo gjë pritet të verifikohet dhe në fakt, nuk ka shumë mundësi të ndryshme që të realizohet verifikimi. Maxhoranca e sotme po i ngjan historive të vjetra që shpërthyen në PS mbasi ajo morri mandatin e saj të dytë qeverisës. Dhe sa më shumë ndryshon, aq më shumë është e njëjta gjë. Diferencat në kohë dhe ngjyrë vetëm sa theksojnë përngjasimin fatal.

Një trekëndësh politik

Të enjten në mbrëmje, pas pak fjalëve të thëna menjëherë pas shkarkimit të befasishëm nga detyra e ministrit të ekonomisë, Dritan Prifti foli gjatë me Sokol Ballën, për një nga historitë më “top&hot” të politikës shqiptare. Më shumë se për çfarë tha, Prifti hodhi farën dinamike të historive të tjera të bujshme e të errëta që lidhen me qeverisjen. Prifti megjithatë nuk harroi të nënvizojë një detaj, por me status të “përkohshëm”: me Berishën kam marrëdhënie të mira dhe kam mbajtur ditar. “Jam i majtë, votoj për të djathtën, bashkova numrat me Berishën në 1 korrik 2009 për shkak të integrimit të vendit, në nëntor 2010 besoj se liberalizohen vizat, por mbetem i majtë”. Ky ishte thelbi i deklaratave politike të Priftit në Top Story, që mund të komentohen në shumë mënyra, jo vetëm për atë që këto fjalë thonë në mënyrë direkte, por sidomos për mënyrën sesi ato mund të interpretohen.

Çelësin për të interpretuar Priftin e të enjtes në darkë, e dha Ilir Meta të premten në mëngjez. “I lajthitur, i sëmurë, armik i Doktorit dhe i të djathtës që qeveris, shantazhist dhe peng i grupeve mafioze dhe kriminale”, kjo ishte CV-ja politike me të cilën Meta e përshkroi bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë në ngrehinën e LSI-së. Edhe Meta, megjithatë nuk harroi të nënvizojë një detaj, gjithashtu me status të përkohshëm: Prifti donte t´i bënte puç kryeministrit duke bashkuar votat me Edi Ramën për ta bërë atë vetë (Metën) kryeministër dhe për të rimarrë postin e dikurshëm në ministrinë e ekonomisë. Në thelb, një detaj që i dëshmon Berishës luajalitetin e Metës dhe pabesinë e Priftit.
Vetë Berisha, ditën që e zbriste Priftin nga tryeza e qeverisë, tha se me të kishte punuar në mënyrë të përkorë dhe të mbarë. Duke u nisur nga ky kulm, dy kulmet e tjerë, Meta-Prifti, ndërtojnë një trekëndësh të çuditshëm. Një trekëndësh përjashtues që çalon në të tre kulmet e tij, që ka kundërshti në të tre këto kulme.

Ky është një trekëndësh që nuk ka të bëjë shumë me atë çfarë ka ndodhur, si ka ndodhur, që nuk ka të bëjë shumë me të shkuarën e kësaj qeveri, por ka të bëjë direkt me të ardhmen e saj. Pikërisht një gjë të tillë, Prifti të enjten, por dhe Meta të premten, nuk e thanë përpara kamerave. Kulmi i tretë i trekëndëshit, zoti Berisha ka vetëm fatin e përkohshëm se është jashtë shtetit, por pa pasur mundësi të mbetet gjatë, i mbyllur në heshtje, jashtë kësaj historie. Sepse kjo është një histori që i ka dhënë një udhë të ndërlikuar vetë qeverisë së tij. Sidomos që nga e enjtja në mbrëmje, qeveria e i tij nuk është thjesht në ekuilibër mbi litar, por është një qeverisje me litar në qafë. Një qeverisje që ka pak mundësi lëvizjeje dhe që po arrin me shpejtësi drejt lëvizjes së fundit të detyruar: demonstrimit të pamundësisë për të qeverisur. Në të paktën dy raste, në seancën e fundit të sesionit të Kuvendit, në datën 29 korrik për projektligjin për SHISH-in dhe të enjten e javës së kaluar, për rrëzimin e dekretit presidencial për ligjin për pronat, burime konfidenciale pranë kryeministrit pohojnë se ai kishte kërcënuar pikërisht me këtë lëvizje të fundit: votëbesimin e qeverisë në këmbim të votave pro të dy projekteve që ishin në dyshim për votat. Në rastin e dytë ai megjithatë ai arriti një fitore më hile, e cila në të gjitha llogaritë, do t´i dalë me keq sesa një humbje me dinjitet që do t´i jepte mundësi të shihte një realitet ndryshe nga fasada televizive që ai vetë sendërton.

Projekte të ndryshme politike

Zëvendëskryeministri Ilir Meta denoncoi të premten në mëngjez një “ofertë për puç parlamentar”, të inicuar nga zëvëndësi i tij në parti. Sipas denoncimit politik, Prifti i kishte afruar Ramës që të bashkonin votat, të bëhej Meta kryeministër dhe ai vetë të rimerrte ministrinë e ekonomisë. Pak orë më pas, Prifti pranon të njëjtën gjë në thelb që mbas kurrizit të kryeministrit po bëhej një “lojë”, por me tjetër lojtar kryesor. Prifti nuk mohoi ekzistencën e puçit, por tha se lojtari kryesor i lojës mbas shpinës së kryeministrit ishte vetë Meta dhe se ai vetë, e kishte paradenoncuar një gjë të tillë tek “viktima”, domethënë, tek kryeministri. Në një situatë absurde të krijuar sipas modelit: fjala ime kundër fjalës tënde, e vërteta reale ngjan se nuk është larg dy “të vërtetave” të kundërta që shqiptojnë ish-miqtë e vjetër të LSI-së: një besëlidhje në mëkat, tashmë e prishur. Por çfarë ka ende të fshehur pas syve të publikut që as njëri dhe as tjetri nuk e thonë, por që lenë të nënkuptohet? Çfarë baze reale ka fakti që të gjithë vrapojnë drejt Ramës për t´i bërë oferta për t´i dhënë në tavolinë një pushtet që kryetari i PS-së vetë pretendon prej më shumë se një viti që ja kanë grabitur në kutitë e votimit? Kjo është një histori numrash, më shumë se dosje të së shkuarës, kjo është një histori parashikimi për të ardhmen.

E para, numrat në Kuvend, të projektuar në të paktën dy raste, teorikisht e kanë rrëzuar qeverinë: në rastin e rrëzimit pa votim të projektligjit për SHISH-in dhe në rastin e votimit të dyfishtë e hilanjoz për ligjin e pronave. Aritmetika politike e numrave dëshmon se Kuvendi mund të ndajë me thikë votat pro e kundër qeverisë aktuale. E cila mund të arrijë “teorikisht” në kufirin fatal të barazimit që nuk e mban në këmbë: 70 vota pro me 70 vota kundër ose dhe më keq, e nxjerrin qeverinë në minorancë prej 69 votash. Kompozimi i koalicionit të qeverisë për momentin ka 69 votat e PD-së plus PR-së, katër votat e LSI-së dhe dy të PDU-së së Idrizit. Mundësitë “aritmetike” (edhe politike dhe puçiste sipas Metës&PriftitI), i bashkojnë votat e LSI e PDU, i çojnë në prehër të Edi Ramës dhe e lenë Berishën me vetëm 69 vota. Në këmbim të këtij kapërcimi të ylberit, Meta, “shefi natyral” i puçistëve, bëhet kryeministër (një tjetër detaj që Meta&Prifti e pranojnë njëkohësisht). A ka bazë reale një llogari e tillë? Një nga çelësat e mban në dorë Idrizi i PDU-së; lëvizjet e të cilit janë paralajmëruar së pari pothuaj dy muaj më parë në revistën MAPO.

Dy votat e tij kanë marrë një peshë të jashtëzakonshme në të gjitha llogaritë e shifrave në Kuvend, por në këmbim të tyre për maxhorancën, ai deri më tani ka marrë premtime për përfaqësim të proporcionuar të pjestarëve të komunitetit çam në adminstratë dhe mbi të gjitha, rivitalizim të çështjes çame në nivel qeveritar. I vetmi problem që komplikon anësinë e vazhdueshme e të qëndrueshme të votave të tij për Berishën, është fakti që në këtë qeveri, ndodhet e përfaqësuar me një ministër, edhe minoriteti grek në Shqipëri. Dhe Berisha ka dëshmuar në vite, së fundi edhe më shumë, se nacionalizmi i tij që i drejtohet me retorikë më shumë se 28 mijë kilometrave katrore, nuk shkon përtej hapësirës prej një metri katror të karriges së tij të pushtetit. Në këtë kuptim, Ksera me një votë, ngjan më i dobishëm për të se dy votat e Idrizit e Tahirit.
E dyta, prognozat për të ardhmen.

Në një të nesërme zgjedhore, kurdo qofshin ato, të parakohshme apo normale, me siguri absolute do të ketë vetëm një model vote: pro ose kundër Sali Berishës, njeriut që ka personalizuar të djeshmen, të tashmen dhe të nesërmen e partisë së tij. Në këtë rezervuar të mundshëm votash, pro-të i merr direkt ai vetë, kurse votat kundër tij, do të shkojnë tek Edi Rama. Dhe për këtë shkak, nuk ka asnjë hapësirë për një “votë” të tretë në mes. Kësisoj, fati i LSI-së ngjan i turbullt. Ka vetëm një mundësi teorike që LSI të arrijë të kapitalizojë votat e saj: duke e çuar vendin në zgjedhje me liderin e saj në postin e kryeministrit. Një variant, që “çuditërisht” ngjan me të vetmen pikë ku dy armiqtë e momentit, Meta dhe Prifti bien dakort me njëri-tjetrin: Meta kryeministër, pavarësisht se cili është nismëtar i komplotit antiberisha.

Ka dhe një detaj tjetër mjaft të rëndësishëm dhe thelbësor që të nesërmen e deklaratave të Priftit, kaloi pothuaj jashtë vëmendjes. Prifti paradeklaroi votën e tij kundër çdo ndryshimi të ligjit për SHISH-in. Një votë që minimalisht i bashkohet votës së trefishtë kundër nga brenda PD-së, Oketa, Demi, Stërkaj dhe që plotësohet me votë sërish kundër, të katërshes së LSI-së dhe dy votave të PDU-së. Në total, një shumë prej nëntë votash drithëruese, e cila, nëse Berisha kërkon të kërkojë kokën e Bahri Shaqirit, me të gjitha gjasat do të çojë në gijotinë vetë qeverisjen e tij.

Politika dhe nafta në mes

Ka dhe një tjetër vektor të përbashkët nga e enjtja në të premte, nga deklarimet e Priftit dhe ato që u pasuan prej Metës. “Ai është i korruptuar”, i thanë ata njëri-tjetrit; secili e konsideron tjetrin si peng të mafias dhe krimit të organizuar. Dhe këtu, pjesa e deklarimeve të Priftit, tashmë jashtë qeverisë, janë akuza, kurse pjesa e deklarimeve të Metës, anëtar i qeverisë, janë mbrojtje nga sulmi.

Prifti foli për zhdukje njerëzish duke i vënë gishtin një prej njerëzve më të afërt të kryeministrit. Sipas tij, njeriu që i ruante krahët nga pas Berishës në opozitë, është implikuar në histori të dyshimta që në mos e përfshijnë vetë Berishën, e venë dhe atë vetë indirekt nën dyshim. Më e rënda nga to është kontrabanda e naftës vergin në Shqipëri. “Një kontrabandë që bëhet nën kujdesin e policisë, doganave dhe tatimeve”, dëshmon Prifti. Sipas tij, kohë më parë, kur kishte vënë në dijeni kryeministrin për këtë fakt, ai kishte urdhëruar një hetim nga ministri i financave Bode. Vetë Prifti thotë se nuk ka dijeni për rezultatin e hetimit. Kjo do të thotë se ai ka ngritur në ajër një patate përvëluese. Ose Berisha, ose Bode duhet të demonstrojnë rezultatin e hetimit. Duhet të thonë ose se Prifti, tani jashtë qeverisë gënjen, ose duhet të tregojnë se cilët janë fajtorët nëse kjo kontrabandë ekziston, ose të shpjegojnë se pse nuk e kanë bërë këtë hetim. Rrugë të katërt nuk ka. Heshtja i fajëson të dy njëlloj në mos si bashkëfajtorë në një krim që po mbulojnë, i tregon si bashkëpunëtorë në një krim që ka ndodhur.

Prifti, në deklarimet e tij, megjithatë e “kurseu” paraardhësin e tij në detyrë, Genc Rulin. Ish-ministri i ekonomisë, një figurë e vjetër në politikën shqiptare, me një marrëdhënie të tendosur që nga e shkuara me kryeministrin Berisha, kreu i listës së PD-së në Gjirokastër, përgjithësisht mik i të gjitha qeverive të djeshme të majta, sot, për herë të parë është nën një sulm frontal të opozitës së majtë. Prifti tha se ai kishte firmosur shumicën e koncesioneve të hidrocentraleve në periudhën pas zgjedhjeve të 28 qershorit e deri në formimin e qeverisë së re. E shfajësoi formalisht pavarësisht se e di që ministri është përgjegjës për të gjitha firmat që i hedh edhe mbi materialet që i përgatisin vartësit dhe fajësoi vartësit e tij.

Madje tregoi për herë të parë publikisht se një hetim administrativ kishte identifikuar vartësit fajtorë. Ajo çfarë nuk tha është se cili ishte fati i tanishëm i këtyre vartësve. A vazhdojnë të jenë në detyrë në ministrinë e re të Metës, a ka nisur ndonjë proces penal ndaj tyre, a është ndëshkuar ndonjë prej tyre apo a janë shfajësuar zyrtarisht nga akuzat. Deri atëherë, ka një njeri që i duhet të japë përgjigje dhe ky është Sali Berisha. I akuzuar nga opozita si arkitekt i shpërblesës së bashkëpunëtorëve të tij me “llokume” hidrike, tani opozita, falë Priftit, ka derën e hapur që përcjell akuzat e saj direkt në zyrën e kryeministrit. Pjesa tjetër është një bombë me shpërthim të vonuar: një deputete aktive e PD-së është cituar të jetë shumë e fyer dhe e prekur nga fakti që ajo nuk ka mundur të marrë asnjë “hidrocentral”, ndërkohë që një kolegia e saj, shumë e njohur, por inaktive në politikë, është një nga përfitueset e “llokumeve” hidrike.

Këto dhe shumë elementë të tjerë që nisën të përmenden pas hapjes së Kutisë së Pandorës nga Prifti, janë pjesë e asaj çfarë ai ende nuk ka thënë përpara kamerave. Meta e quajti të premten shantazhist. Kjo është pjesa tjetër e asaj që do të mbajë shumë frymë pezull në një bast të madh që për momentin ndodhet në udhëkryq, por siç po venë punët, të gjitha rrugët përfundojnë në zgjedhje: ditët e fundit ishin një provë që në 28 qershor nuk pati një bashkëlidhje votash, por një besëlidhje mëkatarësh ku të gjithë akuzojnë njëri-tjetrin dhe ja kanë me hile vetë votuesit.

Berisha hesht dhe shikon sesi të gjithë rendin tek Rama, i cili edhe pse nuk ka hapur ende kutitë, ja doli që t´u tregojë shqiptarëve se kutia e mëkateve të qeverisjes vetëm sapo është hapur.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama