Mesazhet e kongresit te pare mysliman shqiptar

Mesazhet e kongresit te pare mysliman shqiptar

“Kongresi Mysliman Shqiptar” përfaqëson bashkësinë e parë autoqefale në botën myslimane në Europë. Ndërsa rëndësia tjetër e tij është se Kongresi i parë i myslimanëve shqiptarë ishte tubim i një bashkësie me identitet kombëtar të përcaktuar prej kohësh, me një përfytyrim bashkëkohor për zhvillimin e vet dhe të vendit

Kongresi Mysliman Shqiptar përfaqëson një ngjarje të rëndësishme jo vetëm për jetën fetare e shoqërore të Shqipërisë, por dhe për jetën politike kombëtare të mbarë popullit tone dhe më gjerë. Është një moment, i cili, u përkujtua për herë të parë në 75-vjetorin e tij me interesimin edhe të Presidentit R. Mejdani. Që atëherë ai, pak ose aspak, ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik. Tani kësaj ngjarjeje historike nuk po i drejtohen edhe institutet islame në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni.  Çuditërisht, këtij kuvendi në të cilin u vunë themelet e xhamisë shqiptare autoqefale si institucion kombëtar nuk po i drejtohen, madje, as ata që tregohen se i tremben të ashtuquajturit  rrezik islamik apo atij neootomanist mbi vendin tonë.


Në të vërtetë, thirrja, organizimi dhe vendimet e Kongresit të Pare Mysliman kanë rendësi historike jo vetëm në rrafsh shqiptar. Debatet që zhvillohen rreth rreziqeve të sipërpërmendura duhej ta bënin dhe më actual trajtimin e mesazheve të tij.


 Drejtimi i organizmave fetare të shqiptareve nga institucione klerikale të huaja apo dhe të klerit shqiptar në varësi dhe jo rrallë dhe në shërbim të qendrave fetare apo dhe politike të huaja dhe, madje, armiqësore ndaj çështjes shqiptare, kishte ngritur prej kohësh çështjen e pavarësimit të organeve dhe të organizmave fetare në Shqipëri nga ato qendra.


Kleri atdhetar dhe opinioni publik, pas formimit dhe sidomos pas konsolidimit të shtetit shqiptar, përmes shtypit ngriti me forcë dhe kërkoi nga organet qeveritare ndihmë për të siguruar shkëputjen e institucioneve fetare nga ato qendra të huaja. Kishte prej tyre që vijonin të punonin në dëm të interesave kombëtare të shqiptarëve, në radhë të parë, kundër bashkimit kombëtar të tyre. Mbi bazën e kërkesave të parashtruara prej besimtarëve myslimanë nga qytete të ndryshme Gjyqi i Lartë i Sherijatit kërkoi nga organet kompetente shtetërore lejen për mbledhjen e Kongresit Mysliman. Ahmet Zogu, me anën e një shpalljeje, lejoi mbledhjen e përgjithshme për formimin e Këshillit të Myslimanëve. Kryeministri i asaj kohe, Ahmet Zogu, u vlerësua dhe nga drejtuesit e Kongresit dhe nga opinioni publik lidhur me ndihmesën e çmuar dhënë për thirrjen dhe organizimin e tij.


Në të do të merrnin pjesë si delegate klerikë dhe besimtarë shqiptarë, intelektualë, të cilët, siç theksohej, jo rastësisht, në thirrjen e lëshuar me këtë rast, duhej të dinin “mirë me shkrue e këndue shqip”. Kongresi, siç ishte parashikuar, mendohej të merrej dhe me çështje të karakterit arsimor-kulturor si dhe shoqëror të bashkësisë islame. Shtrohej me force rishikimi i gjendjes sociale të gruas myslimane, kushtet e martesës dhe çështja e mbulimit të saj. Shtypi përparimtar shqiptar, duke u nisur nga këndvështrime largpamëse, vinte në pah domosdoshmërinë e marrjes së masave të nevojshme në këto drejtime në Shqipëri, të diktuara dhe nga pozita gjeopolitike, europiane, e vendit tonë në raport me gadishullin e Anadollit e viset e tjera myslimane.


Mbledhja e parë e Kongresit apo e Kuvendit Mysliman, siç u quajt ndryshe, që filloi, para 90 vjetësh, me 24 shkurt 1923, u hap nga haxhi Vehbi Dibra, kryemyftiu i parë i Shqipërisë, i caktuar në këtë post fill pas shpalljes së Pavarësisë, nga Qeveria e Vlorës.


Pas vlerësimit të fesë myslimane si një fe liberale, e cila njeh të gjithë profetët dhe përmbledh të gjitha mirësitë e të dy jetëvet, kryemyftiu vuri në dukje në fjalën e tij, që të gjitha këto cilësi bënin që kjo fe të respektohej dhe nga dijetarë të shquar të Europës.


 Më tej Vehbi efendiu vente në pah karakterin liberal e demokratik të fesë myslimane, e cila i ka të hapura lirisht portat për diskutimin e lirë të të gjitha problemeve që i interesonin botës myslimane: “... dera e mejtimit të ixhtihadit (pikëpamjeve) nuk asht e mbyllun, - theksonte kryetari i Kongresit, - dhe jemi gati për me i mejtue disa çashtje fetare se me ndrimin e kohës ndërrojnë edhe gjykimet”.


Organizatorët e Kongresit, siç del dhe nga fjala e hapjes së kryetarit të tij, e kishin ideuar dhe e konceptuan këtë tubim jo si mbledhje thjesht administrative të organizmave të bashkësisë islame në Shqipëri. Ata erdhën aty me një koncept të qartë dhe të gjerë të detyrave të rendësishme që qëndronin para tyre. Kryemyftiu dhe mbështetësit e tij vinin me koncepte bashkëkohore rreth masave dhe vendimeve që do të merrnin.


Kryemyftiu i Shqipërisë theksoi gjendjen fetare të vendit dhe detyrat e besimtarëve për të vënë mbi gjithçka, çka vlen të nënvizohet, bashkimin kombëtar dhe vllazërimin kombëtar të mbarë shqiptarëve pa dallim besimi. “Sikurse e dini zotëria e juaj, popullsia e Shtetit tonë përbahet prej tre elementësh d.m.th. Mysliman, Katolik dhe Ortodoks, po në pikëpamje të Kombësisë në mes kemi një vllaznie të plotë e të patundëshme, e nuk mund të thohet e të kuptohet asnji send qi e tund atë vllaznie të plotë. Çashtja e fesë asht nji çashtje e posaçme e sejcilli asht i lirë për me e sigurue forcimin e fesë së vet. Ky organizim i fesë sonë asht vendosun qysh në Kongres të Dibrës. Fatzezë, po luftat ballkanike etj. e ndaluen këtë qëllim”. 


Të tërheq vëmendjen fakti që kreu i klerit mysliman shqiptar pranon me plot gojën se “ky organizimi i fesë sonë” ishte menduar që në Kongresin e Dibrës (1909), në njerin prej tubimeve më të rëndësishme politike të shqiptarëve në fillim të shekullit XX, të kryesuar po prej tij.  Dihet dhe po pranohet, përgjithësisht, që në këtë kongres u parashtruan hapur dhe zyrtarisht, në kundërshtim me përpjekjet e organizatorëve xhonturq, kërkesa me karakter të mirëfilltë politik kombëtar, të cilat hapnin rrugën për sendërtimin e autonomisë së Shqipërisë. Vendin e pare e zinte problemi i shkollave në gjuhën shqipe, mësimi i së cilës do të behej, siç u kërkua në Dibër në korrik të vitit 1909, mbi bazën vendimeve të Kongresit të Manastirit. Le të kujtojmë që kjo kërkesë delta nga një tubim në të cilin merrnin pjesë, jo vetëm disa inelektualë atdhetarë, por me dhjetra e dhjetra përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare.


Si pikënisje dhe pikë referimi të të gjithë veprimtarisë politike, shoqërore dhe kuptohet dhe fetare të shqiptarëve në kohët më të reja Kryetari i Kongresit Mysliman, Vehbi Agolli merr, shprehimisht, fitoren e madhe historike të shqiptarëve në Kuvendin e Vlorës me Shpalljen e Pavarësisë, të ripohuar, të përforcuar dhe të kurorëzuar dhe një herë në Kongresin e Lushnjës.


Referimi i Vehbi Agollit te Kuvendi i Vlorës nuk është i rastit, jo pse ai ishte pjesëtar aktiv i tij e, madje, dhe qe zgjedhur, pasi I. Qemali u caktua kryemininstër i Shqipërisë, kryetar i këtij kuvendi historik e më pas dhe kryetar i senatit të dalë prej tij. Për çështjen për të cilën po flasim ka rëndësi emrimi, njëkohësisht,  i Vehbi Dibrës si kryemyfti dhe i Vejsel Vejselit si Naib të Shqipërisë, pa pyetur Stambollin. Me këtë akt shënohej në fakt, që më 1912, hapi i parë i pavarësimit të xhamisë në Shqipëri nga Kalifati dhe Meshihati.


Kryemyftiu i Shqipërisë e përfundonte fjalën e tij të hapjes së Kongresit:”Për këtë shkak i qofshim falë të Madhit Perëndie qi për të dytën herë e forcoi këtë qëllim me mbledhjen e Lushnjës. O Zot i Madh, epna lehtësinë për sigurimin e këtij qëllimi”. Në Statutin e miratuar në Kongresin Mysliman të vitit 1923 nuk bëhet fjalë shprehimisht për shkëputjen e Bashkësisë Islame Shqiptare të porsa riorganizuar, nga Kalifati dhe Meshihati në Stamboll. Ky as nuk diskutohej, përderisa në të as që bëhej fjalë gjithashtu për kurrfarë lidhjeje organizative me Stambollin, as me Kalifatin dhe as me Shejh yl Islamin. Gjithë organizimi dhe funksionimi i kësaj Bashkësie u mendua dhe u programua i pavarur nga qendra të tjera fetare të huaja, cilado qofshin ato.


Me këtë vendim sanksionohej de jure gjendja de fakto e krijuar që para 11 vjetësh, pas Shpalljes së Pavarësisë, me vendimin e Qeverisë së Vlorës për emrimin e Vehbi Agollit kryemyfti të Shqipërisë, pa marrë miratimin e Stambollit. Statuti midis detyrave  organizative të Këshillit të Naltë të Sheriatit, anëtarët e të cilit duhej të ishin me kombësi apo, siç thuhej në Statut, prej racës shqiptare, rreshtonte që në krye: “Të siguroj ngjisjen (bashkimin) ndërmjet Muhamedanvet dhe të çfaqi shpirtin liberall Hyr dhe ndjerzuer të Muhamedanizmës me nji zhvillim modern e kombtar tuej bamë rreforma pa i prekë themelet fetare”.


Këshilli i Lartë i dalë nga Kongresi kishte detyrë përmirësimin e shkollave fetare, e medreseve, “mbas rreformave të reja” dhe mbi baza kombëtare shqiptare. Në këtë rrugë do të siguroheshin gjithashtu botimet e veçanta dhe periodike fetare. Synimi i tyre duhej të mbetej “të përgatisi në gjuhën kombëtare Hytbe dhe predikime e libra simbas shekullit të sotshëm”. Këto ishin hapa shumë të rendësishme për kohën që u morrën dhe u zbatuan duke përballuar me sukses qëndrime fanatike, mediokre dhe anakronike, të cilat nuk mungonin në vend dhe që nxiteshin nga forca gjegjëse të jashtme.


Këshilli i Lartë Mysliman morri nismën për reforma në fushën e zbatimit të çështjeve praktike të kultit në përputhje me parimet bazë fundamentale të islamizmit. Midis risive, mendohej, siç shkruanin në shtyp ato ditë, që të zëvendësohet arabishtja me shqipen në khutbah (predikim kanonik) që i paraprinte lutjes rituale të së premtes në drekë, në xhamitë kryesore të çdo qyteti.Nga vendimet e marra në Kongres dhe nga jehona që ai pati në shtyp del plotësisht e qartë, se gjithë shqetësimi i delegatëve ka qenë vënia e organizimit dhe e funksionimit të Bashkësisë Islame Shqiptare mbi baza kombëtare dhe bashkëkohore. Ky kujdes shihet në detyrat që Kongresi vuri përpara Këshillit të Lartë të zgjedhur prej tij, duke filluar nga kujdesi për sigurimin e karakterit etnik shqiptar të vetë përbërjes nacionale të këtij organi më të lartë të fesë myslimane në vendin tonë.


Qeveria njoftoi zyrtarisht prefekturat për përfundimin me sukses të Kongresit Mysliman si dhe për zgjedhjen e Këshillit të Myslimanizmit dhe udhëzoi që festimet të organizoheshin sikurse me rastin e përfundimit të Kongresit Ortodoks.


Lajmi për vendimin e tij kryesor të shkëputjes faktike të xhamisë shqiptare nga Sheh ul Islami u prit kudo me miratim dhe entuziazëm të theksuar nga gjithë opinioni publik shqiptar, pavarësisht nga besimi. U përshëndet nga të gjithë banorët e vendit tonë, duke u shndërruar në një festë të vërtetë, në të cilën morën pjesë banorë pa dallim besimi dhe, sipas rastit, dhe autoritetet qëndrore apo ato lokale. Në to u bënë lutje fetare, në të shumtën e rasteve në gjuhën shqipe. Ky lajm i rëndësishëm u përshëndet dhe me të shtëna artilerie.


Pra, mbetet jashtë çdo dyshimi që Bashkësia Islame Shqiptare u shkëput edhe juridikisht nga qendra e saj botërore plot një vit më parë se ajo të abrogohej nga Mustafa Qemali. Vlen të theksohet ky fakt sepse ekziston përshtypja e gabuar që Kongresi Mysliman Shqiptar është zhvilluar pas abrogimit të Kalifatit në Turqi nga kemalistët, nën ndikimin e këtij akti madhor.


Në revistën myslimane “Zani i naltë”, e cila sapo filloi të delte, në zbatim të vendimeve të Kongresit, u përshëndetën arritjet e kongresit mysliman dhe sidomos masat për vënien e tyre në jetë, duke filluar me vetë daljen e revistës. Mësuesi Shevqet Muka nën pseudonimin “Shkodrani” botoi artikullin  “Një hap përparimit”, uronte që këto vendime të çoheshin më tej në kongresin e ardhshëm të myslimanëve shqiptar. 


Si përfundim, mund të thuhet, se Kongresi i Parë Mysliman Shqiptar sanksionoi pavarësinë apo siç shprehej shtypi, autoqefalinë e bashkësisë islame në Shqipëri. Ai hapi, siç del nga jehona e tij, dritën jeshile për emancipimin e femrave myslimane të vendit tonë. Programoi punën për shqipërimin e veprave fetare islame, duke mos përjashtuar edhe vetë Librin e Shenjtë “Kuranin”, çka nga klerikë fanatikë edhe jashtë Shqipërisë konsiderohej “gjynah”. Kësaj pune iu vunë teologë të mirënjohur fetarë dhe laikë, midis tyre shquhet atdhetari tiranas Hafiz Ibrahim Dalliu.


Formimi i Këshillit të Lartë Mysliman Shqiptar si organi më i lartë i Bashkësisë Islame Shqiptare ishte një përgjigje e qartë dhe e vendosur ndaj përpjekjeve që kishin filluar po në atë kohë për formimin e një komiteti panislamik në Shqipëri. Këto përpjekje dështuan pa nisur mire. Përballë kë tyre, formimi i Bashkësisë Islame Shqiptare mbi baza kombëtare dhe i organit të saj të pavarur nga një qendër e huaj, e jashtme, shënon një sukses shumë të madh për mbarë botën. Islame.


Përpjekjet për reformimin e xhamisë autoqefale në Shqipëri në përputhje me kërkesat bashkëkohore përbëjnë një meritë jo të vogël të shqiptarëve myslimanë jo vetëm në kuadrin kombëtar por dhe më gjerë. Komuniteti Mysliman Shqiptar përfaqëson bashkësinë e pare autoqefale në botën islame. Krijimi i organizmave të tjera anloge në këto hapësira ndodhi pas dështimit të rretheve panislamike të nxitura nga forcat kolonialiste europiane, në radhë të pare të atyre angleze, për rimbëkëmbjen, jashtë Turqisë republikane, të insitucionit të kalifatit.


 Kongresi mysliman shqiptar reformimin e këtij organizmi, në përputhje me kërkesat e kohës e pa të lidhur ngushtë, çka u theksua shumë aso kohe, me vendndodhjen e Shqipërisë në mesin e Europës. Mendohej, siç shpreheshin themeluesit e xhamisë autoqefale shqiptare, asokohe, që vetëm në këtë rrugë mund të forcoheshin pozitat e islamizmit në kontinentin europian.


Vendimet e Kongresit të Parë Mysliman Shqiptar bënë të mundur që abrogimi i Kalifatit islam një vit më vonë nga Mustafa Qemali të kalonte pa kurrfarë reagimi negativ në vendin tone. Ndryshe nga sa mund të mendohej dhe nga sa është pohuar në ndonjnë rast apo dhe ndryshe nga sa ndodhi në vende të tjera islame, edhe në Ballkan, kjo masë e Republikës Turke prej klerikëve islamë në Shqipëri u prit pozitivisht dhe u shoqërua me kërkesa  për të thelluar dhe çuar më tej vendimet e marra më parë në Tiranë.


Vendimet e Kongresit Mysliman në mars 1923 ashtu sikurse dhe vendimet e Kongresit Bektashian të Prishtës në janar 1922 dhe të Kongresit të Kishës Ortodokse në Berat në shtator 1922 i vunë organizmat fetare të masës dërmuese të besimtarëve shqiptare mbi baza kombëtare, administrativisht dhe organizativisht, jashtë ndikimeve politike të huaja të dëmshme apo dhe të rrezikshme për fatet e vendit. Me këto vendime viheshin në jetë idealet e rilindësve tanë për sigurimin e bashkimit dhe vëllazërimit kombëtar të mbarë shqiptarëve pa dallim besimi. Këto vendime përplotësonin pavarësinë kombëtare të shpallur më 1912.


Kongresi i Parë Mysliman Shqiptar, është një ngjarje shumë e rëndësishme jo vetëm për jetën e Bashkësisë Islame Shqiptare. Ai përfaqëson një moment historik, të cilit duhet t’i drejtohesh jo vetëm për ta përkujtuar, siç e meriton, në 90-vjetorin e tij, jo vetëm nga bashkësia islame shqiptare në të gjitha hapësirat shqiptare, por dhe nga opinioni publik shqiptar. Ai fton t’i drejtohesh kësaj ngjarjeje për mesazhet tejet aktuale që sjell. Kjo ftesë vlen, jo më pak, dhe për ato elementë që shqetësohen për mundësinë e shfaqjes të të ashtuquajturit rreziku të fondamentalizmit islamik në mesin e shqiptarëve.


 Me kete rast nuk mund të mos përmendim meritat e Haxhi Vehbi Agollit, Kryetar i Kongresit Mysliman shqiptar, nga i cili doli xhamia e parë autoqefale në botë. Ai nuk u vu rastësisht në krye të kësaj nisme. Ai qe zgjedhur Kryetar i Kongresit të Dibrës (1909). Në të atdhetarët shqiptarë përballuan me sukses reaksionin e egër xhonturk, i cili do të shpërthente dhunshëm kundër shqiptarëve fill pas këtij Kongresi. Jo rastësissht, V. Dibra u zgjodh, pas I. Qemalit, Kryetar i Kuvendit historik të Vlorës. Në të krahas të gjithë delegatëve myslimanë shprehu vullnetin e afro dy të tretave të popullsisë shqiptare për t’u shkëputur nga sulltanati osman dhe nga Kalifati islam.  Ai u zgjodh Kryetar i senatit të pare të shtetit modern shqiptar.


Dhe në të gjithë ato që shpërthyen në kuadër të përkujtimit zhurmëmadh të 100-vjetorit për rivlerësimin e figurave të atdhetarëve askush nuk u kutjua për këtë figure madhore të luftës së popullit shqiptar për pavarësi në të gjitha fushat. Kur them askush nuk kam parasysh vetëm vendlindjen e tij, të dy Dibrat këndej dhe andej kufirit shtetëror. Nuk kam parasysh as Komunitetin Mysliman që nuk u kujtua për Krytarin e pare të tij. Ai i përket mbarë shqiptarëve, as Dibrës dhe as myslimanëve. A e dine organet shtetërore dhe vendore se ku e ka varrin për të vënë në mos një kurorë, të paktën një tufë me lule, në nderim të tij. Për ngritjen e një shtatoreje e as të një busti nuk po bëhet fjalë.


Përballë përvojës historike madhore tejet pozitive të përmasave jo vetëm shqiptare por në përmasa shumë më të gjera të bashkësisë myslimane shqiptare nuk mund të sillemi kaq të pavëmendshëm. Kongresi i pare i myslimanëve shqiptarë ishte tubim i një bashkësie me identitet kombëtar të përcaktuar prej kohësh, me një përfytyrim bashkëkohor për zhvillimin e vet dhe të vendit. Mesazhet e tij bëjnë thirrje për të ecur me besim dhe vendosmëri në rrugën e rrahjes së mendimeve (Ixhtihadit) mbi baza kombëtare dhe bashkëkohore. Pikërisht këtë rrugë ai e hapi që në fillimet e shekullit XX në mes të Evropës në saj të bindjeve, logjikës, përkushtimit dhe kurajos së nismëtarëve dhe organizatorëve të tij sa besimtarë po aq dhe atdhetarë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama