Merkel Mbyllja e kufirit gjerman do te sillte lufte ne Ballkan

Merkel: Mbyllja e kufirit gjerman do te sillte lufte ne Ballkan

Gjermania duket se u “dorëzua” kur vendosi mbylljen e kufirit me Austrinë për refugjatët. Në fakt kriza e refugjatëve “përçau” edhe partitë e koalicionit në Gjermani, duke hedhur argumente pro dhe kundër ndaj njëri-tjetrit. Por ato që mund ta “pësojnë” pas këtij vendimi do të ishte edhe Shqipëria dhe vendet e Ballkanit, të cilët do të detyroheshin që të strehonin emigrantët.

Partia CSU kërkonte shqyrtimin e saj si mundësi e mirë, por ky vendim u mohua kategorikisht nga partia e kancelares Merkel, CDU. Sipas kancelares gjermane, Angela Merkel, kjo do sillte konflikte të armatosura në Ballkan, raporton "EUobserver".

“Kohët e fundit në Ballkanin Perëndimor ju keni parë disa herë zhvillime të tilla shqetësuese. Prandaj unë nuk dua që atje përsëri të ketë konflikte të armatosura mes shteteve”, tha Merkel. Në këtë mënyrë, kancelarja gjermani tregoi se mbyllja e kufirit gjerman, do sillte një barrë të rëndë për vendet e Ballkanit, që do detyroheshin të merreshin me mijëra refugjatë.

Kancelarja shtoi se pas mbylljes së kufirit hungarez, refugjatët gjetën Kroacinë dhe Rumaninë për të ardhur në Gjermani, ndërsa në rast se mbyllen këta kufij, përsëri do gjendet një rrugë tjetër për në Gjermani. Kjo sipas saj, nuk i shërben zgjidhjes.

“Pas ndërtimit të gardhit kufitar në Hungari, njerëzit gjetën Kroacinë e Slloveninë për të ardhur tek ne ose edhe përmes Rumanisë. Nëse mbyllen këta kufij, përsëri do gjejnë një rrugë tjetër”, tha kancelarja gjermane.

Partitë simotra gjermane, CDU dhe CSU po kalojnë momentet më të vështira prej bashkimit të tyre, ku nuk përjashtohet edhe mundësia e ndarjes. Edhe në partinë e koalicionit, SPD, ka diskutime intensive për të ardhmen e qeverisë gjermane.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama