Me Hrushovianet e E. Hoxhes nga Durresi ne Varshave

Me 'Hrushovianet' e E. Hoxhes nga Durresi ne Varshave
Nuk e dija që çdo vepër e ish diktatorit komunist Enver Hoxha, e përkthyer në gjuhë të huaja, jepte mundësi për një grup njerëzish te ministrive të jashtme dhe të brendshme të merrnin rrugën në të katër anët e botës për t’i shpërndarë ato pa kursim. Rasti e solli që si punonjës i institutit të studimeve të marrëdhënieve ndërkombëtare pranë Ministrisë së Jashtme të merrja edhe një mësim veç atij sa më sipër.

Historia fillon këtu. E. Hoxha botoi veprën e radhës “Hrushovianët”, e përkthyer ne anglisht, frëngjisht, spanjisht, kuptohet edhe rusisht, e librat do të dërgoheshin nëpër ambasadat tona, të cilat presupozohej t’i shpërndanin në vendin përkatës. Vepra mezi pritej të dilte që diplomatët më me ‘fat’ të merrnin rrugën për të shpërndarë “dritën e fundit” të marksizëm-leninizmit, që, në fakt, po jepte shpirt kudo.

Nuk u përfshiva në listën e korrierëve për të kryer këtë mision nga katër punonjësit që ishim në institut në atë kohë. Nuk duhet fsheh por kur ikën të gjithë se ndjeva veten mirë, por, megjithatë, po vazhdoja të kuptoja më fort e qartë që edhe qenien time aty si bashkëpunëtorë shkencorë e kisha si shumë se nuk isha pjesë e klanit. Për hir të së vërtetës, diplomatët e atëhershëm ishin kryesisht nga Vlora, Korça, Berati, Gjirokastra, e veriorët filluan të zinin ndonjë vend nga mezi i viteve 1980 me nxitjen e ish-presidentit Ramiz Alia.

Ikën korrierët diplomatikë e unë mbeta rastësisht në krye të institutit duke kryer çdo funksion. Rastisi që i ndjeri Sofo Lazri, drejtor i institutit në atë kohë, por edhe ndihmësi politik më i afërt i R. Alisë, e mori vesh këtë gjë dhe me sa mësova u kishte thënë shefave të ministrisë se “atë shkodranin gjetët të mos e dërgonit në një rrugë jashtë në vend të ndonjë tjetri që ka bredhur mjaft”.

E këtë ia kishte thënë edhe vetë Nesti Nases, atëherë ministër i jashtëm. Shpejt duket ndodhi diçka. Kur pjesa më e madhe e stafit të MPJ e të institutit ishin jashtë, një të shtunë të janarit 1982 Nase më takoi në oborrin e ministrisë, e ashtu si njeri i thjeshtë që më dukej se ishte, më foli duke më thënë lirshëm se do të më çonin shpejt me një shërbim si korrier diplomatik. “Do të dalë më mirë se të tjerëve”, më tha duke qeshur. E kështu ndodhi.

Bashkë me Shpëtim Çaushin do të na ngarkonin detyrën që të dërgonim një kontingjent tjetër te “Hroshivianëve” në ambasadat tona në disa vende të Evropës duke fillur nga Italia deri në Poloni. Fundi i janarit i atij viti do të ishte data kur do të niseshim nga Durrësi për në Barleta të Italisë me rreth 500 kilogram libra, të futur në rreth 60 thasë. Pra, do të udhëtonim me anije, kamion, tren e avion.

Drejt Italisë


Kapiteni i anijes, nga Mirdita ishte, që na mirëpriti në bord në një perëndim plot me diell në portin e Durrësit na tha se do të kishim kohë të keqe natën. “Pak mall kena në anije,” shtoi ai kur thasët ishin futur ne hangar. Në fillim se kuptuam por fjala ishte se një anije e vogël, 300 tonëshe, pa ngarkesën e plotë kthehej në lodër në një stuhi detare.

Me thënë të drejtën ne, shoqëruesit e thasëve, ndiqnim procedurat e nisjes, numërimin e mallit “Enver Hoxha made”, destinacionin e thasëve me vulë diplomatike që niste nga Italia për të vazhduar në Vjenë, pastaj në Budapest e deri në Varshavë.

Doli si tha kapiteni. Pas rreth 4-5 orësh udhëtim, në mes të Adriatikut filloi një stuhi që edhe marinarët më të vjetër të anijes se kishin provuar. Anija ishte në mëshirë të dallgëve të detit aq të larta atë natë saqë veç kapidanit të gjithë i zuri deti. Për fat mua jo aq shumë. Rrija me të e më detyronte të haja me zor bukë të thekur fort që të rezistoja. “Të mbledh stomakun”, më këshilloi detari i regjur. E bëja si më thoshte.

Në një moment, Shpëtim Çaushi, që e zuri fort deti, për pak sa nuk fluturoi nga bordi, ku kishim dalë për të marrë ajër të pastër, në atë det të trazuar, por e mbërtheva se isha pranë tij ndërsa stomaku i tij vuante.

Kishte dy rrugë, na tha kapedani: kthim në Vlorë ose ndërrim destinacioni nga Barleta në Molfeta. Me variantin e dytë, sipas tij, i shmangej goditjes madhore të dallgëve të larta. Nuk e fsheh mendim pak aventurier tonin, edhe pse jo vendimtar: përpara, jo prapa, i thamë. Për të qenë të sinqertë kishim dyshimin se një kthim në Vlorë do të prishte të gjithë udhëtimin e ëndërruar.

Kapedani mirditor, fort i stërvitur në atë jetë detari, e ankoroi pas disa orësh anijen ne radhën e gjerë të Molfetës, ku deti ishte i qetë. Agoi e me të e kishim marrë veten të gjithë. Plot me anije ishte radha në mëngjesin me diell, që ishin ankoruar aty për t’iu shmangur stuhisë. Kishim lënë prapa tmerrin. Mezi prisnim te shikonim para.

Nuk zgjati shumë dhe një anije e policisë kufitare detare italiane po vinte drejt nesh. E dinte kapedani nga përvoja se çfarë do të ndodhte e si të sillej.

Tre oficerë të marinës italiane u ngjitën në anijen tonë dhe kapedani i rehatoi në kabinën e tij ku ishim edhe ne. Radari i marinës italiane na kishte pikasur dhe oficerët italianë na thanë se kishim qenë me fat. Por shefi i tyre shtoi: “E dini që jeni futur ilegalisht në një port italian?” pyetje të cilës kapedani iu përgjigj duke thënë se stuhia e detyroi. Ne, në fakt, sipas rregullave kishim leje të hynim në Barleta.

“Po sikur një anije italiane të futej në këtë mënyrë në Durrës a port tjetër tuajin, çfarë do të bënin autoritetet tuaja”, tha italiani miqësisht. E kush nuk e dinte izolimin total të Shqipërisë në atë kohë. E mirditori u tregua super diplomat. I tha se stuhia nuk kërkon vizë apo leje për të gjetur strehë e Durrësi e çdo port shqiptarë janë të hapur në të tilla raste. Ishte fillimi i vitit 1982 kur thuhej kjo. Nejse, detarët edhe në atë kohë kishin gjuhën e tyre humane.

Pas një dreke miqësore, autoritetet italiane kërkuan të shikonin mallin në ‘bark’ të anijes. Plot 60 thasë me një peshë prej rreth 500 kilogram. Destinacioni Romë-Vienë-Budapest-Varshavë. “Çfarë kanë brenda?”, – pyetën ata duke mos ngulur këmbë me hapë ndonjë se kishin edhe vulën diplomatike. Libra, i tha kapedani, i cili e dinte se në atë kohë futej në Itali edhe duhan kontrabandë nga Shqipëria në mënyrë të organizuar nga shteti. Kuptohet trafiqet e drogës e klandestinëve nuk kishin filluar.

Nuk e zgjaten e madje u treguan të gatshëm të na siguronin një kamion për të transportuar thasët në ambasadën tonë në Romë, të cilën e njoftuam të vinin në Molfeta. Na sistemuan edhe në një hotel pranë portit.

Mësim i mentalitetit kapitalist në Vjenë

Në shoqërinë e dy diplomatëve tonë që erdhën nga Roma të nesërmen thasët filluan udhëtimin ë tyre në rrugë, trena e avion. Në Romë lamë dorën e parë. Më pas do të udhëtonim me tren nga Roma për në Vjenë me pjesën tjetër të librave. Ne Venecia do të ndërronim tren por gjërat nuk ecën sipas planeve tona.

Thasët me libra nuk mund të udhëtonin më trenin tonë atë natë por të nesërmen, na thanë autoritetet portuale. Na siguruan se s’kishte problem duke na këshilluar që të vazhdonim rrugën e duke na siguruar se malli do të vinte të nesërmen. Këtu filloi dilema që na bëri të qëndrojmë në Venecia për të udhëtuar te nesërmen. Ne ato thasë po shoqëronim, menduam. U vendosëm në një hotel modest por më të shumtën e kohës ndejtëm jashtë duke shfrytëzuar rastin për te parë diçka nga Venecia e magjishme. Edhe pse natë jeta vazhdonte, gondolat vozisnin. Një mrekulli e vërtetë.

Në Vjenë arritëm natën vonë pas një rruge të gjatë por te mahnitshme nëpër alpet e Austrisë plor me pyje pishe e bredhash me dëborë. Prapë do të mësonin me të mbërritur atje mendimin kapitalist te jetës perëndimore. Nuk kishte dalë njeri nga të ambasadës për të na pritur në stacion, kur po silleshim rreth thasëve pasi zbritëm. Në dilemën tonë pas asaj rruge të gjatë afrohet një çift të rinjsh austriakë. Na pyetën nëse kishin nevojë për transport. E ndamë menjëherë mendjen duke u thënë po. Çifti i ri austriak dhe ne i sistemuam thasët në mikrobusin e tyre dhe u nisëm për në ambasadë. Në rrugë e sipër nuk hezitova të pyes djaloshin austriak për gatishmërinë e tyre. Me tha direkt: “Kam dalë me të dashurën time për darkë. Pamë që ju kishit nevojë. Kështu me çfarë do të marrin nga ju mund të kalojmë një darkë të mirë duke kursyer çfarë kishim ndërmend te shpenzonim.”

Të dy ishin intelektualë. Në Vjenë do të dorëzonim pjesën e dytë të thasëve ku një miku im më tha sinqerisht se po i linim si shumë. Me çoi poshtë në bodrumin ku kishte me mijra kopje të veprave të E. Hoxhës te cilat, sipas tij, s’i merrte njeri. Nuk bëhej fjalë në atë kohë për t’ shitur ato libra që nga pamja ishin fantastikë. Botoheshin në Kinë me letër e teknologji moderne. Ankesën për stoqe e dëgjova edhe në Romë e ambasada të tjera gjatë rrugëtimit me thasët.

E për hir të së vërtetës të njëjtën gjendje gjeta edhe në Nju Jork më 1987 kur u caktova si këshilltar i misionit pranë OKB-së. I gjithë bodrumi, ‘basement’ i thonë në anglisht, ishte plot e përplot me libra të Hoxhës, e jo për fajin e diplomatëve, që ishin të zellshëm për t’i shpërndarë. Por lexuesit ishin të pakët e tirazhi i pakufizuar. Edhe librat më të shitur, si i thonë ‘best seller’, kanë një limit.

“Hrushovianët” në Varshavën Anti Komuniste të 1982

Me tren shkuam në kryeqytetin hungarez, Budapest më pak të ngarkuar e të lehtësuar se ishte edhe një problem tjetër: nëpër stacione mund të ndodhte të ngatërrohej ndonjë thes e me të tilla gjëra nuk bëhej shaka.

Në Budapest do të qëndronim më gjatë se prej aty do të shkonim në Varshavë e në atë kohë kishte një herë në jave avion për atje. Polonia e sunduar nga junta ushtarake e Jaruzelskit po kalonte periudhat më të turbullta të historisë së saj në mes të frikës së ndonjë sulmi nga ish Bashkimi Sovjetik për të shtypur lëvizjen për demokraci të udhëhequr nga Les Valesa, e cila, sikurse dihet, triumfoi pas disa muajsh, duke shënuar rënien e dominosë së parë në ish bllokun komunist të E. Lindore.

Duke patur parasysh gjendjen, kur shtetrrethimi ishte në fuqi, menduam që të merrnim vetëm dy thasë, kryesisht në gjuhën ruse, me porosinë për ambasadën që të arrinte t’i shpërndante në ish Bashkimin Sovjetik. Në fakt me sa morëm vesh atje ky do të ishte mision i pamundur.

E ndjemë atmosferën që do të gjenim në Varshavë që në avion, tip ushtarak, i mbushur më ushtarakë madhorë sovjetikë e polakë. Veç dy civilë me status diplomatik, që ishim ne me, ishin pasagjerët pa spaleta. Udhëtimi u bë në mbrëmje. Një orë e pak zgjati fluturimi për në Varshavë ku me të mbërritur veç motit tepër të ftohtë nuk ishte mikëpritës as edhe aeroporti i blinduar kudo me postblloqe. Sikleti ynë, në fakt, lidhej me kalimin e thasëve në doganë, se “Hrushovianët” fshikullonte ish-udhëheqjen e atëhershme të Moskës, e kollaj, edhe pse me vulë diplomatike, mund t’i kontrollonin e t’i bllokonin nën arsyetimin se përmbanin propagandë anti-sovjetike, sikurse ishte përmbajtja e librit në të vërtetë.

I sqaruam autoritetet se libra kishte në dy thasët e për habinë tonë nuk ia varën shumë asaj punë, duke na i dorëzuar pa problem. Me sa duket nuk i shqetësonte aspak propaganda shqiptare; problemet i kishin brenda e me Moskën.

Kishin dalë të na prisnin dy diplomatë të ambasadës e rrugës na ndaluan në disa postblloqe, të cilët bënin kontrolle të rrepta. Tamam atmosferë lufte mbizotëronte në Varshavë ku në atë orë që po udhëtonim nuk kishte këmbë njeriu, veç ushtarakëve. E më e qartë dukej gjendja ditën kur gjatë një jave që qëndruam patëm rastin të shikonim rrënimin e vërtetë ekonomik të një vendi. E habitshme, na u duk, që Polonia ishte katandisur në atë gjëndje. Aty kam parë radhë të pafund në dyqane bosh ku njerëz të veshur si fisnikë luftonin për të blerë pak bukë e ndonjë porcion ushqim. Thonim se të paktën tek ne zbatimi i sistemit të tallonit nuk na linte pa bukë! Zlloti, monedha polake, s’kishte vlerë; inflacioni kishte arritur qiellin. Për të kuptuar këtë ia vlen të përmend se një javë dieta tonat ($12 në ditë) përfunduan në dy kollare e një palë syze dielli.

Por nuk ishte zor që të kuptoje se për popullin polak komunizmi si sistem kishte marrë fund dhe kudo dukeshin qartë ndjenjat anti-sovjetike. E si rrodhën gjërat ashtu ndodhi e Polonia, meqë bëmë krahasimin e mësipërm me vendin tonë, e kaloi tranzicionin shumë shpejt e dihet mirë në ç’farë gjendje ekonomike e politike është tani.

Veprimtaria e ambasadës sonë në trupin diplomatik në atë kohë ishte gati zero jo vetëm për shkak të situatës por edhe për faktin se Shqipëria ishte kundër të gjithëve: lindjes e perëndimit. Në fakt e patëm një kontakt diplomatik por atë me dhimbje.

Ktheheshim në ambasadë në një mesditë pas një shëtitje në Varshavën e ngrirë nga akulli kur makina jonë përplaset më makinën e ambasadorit austriak, që sapo dilte nga rezidenca e tij. Dy Benzat, i yni i zi, fringo i ri, dhe i austriakut, që ishte edhe dekan i trupit diplomatik, i bardhë, “u puthën” nga hutimi i shoferit tonë.

Pak u dëmtuan veturat se ecnin ngadalë për shkak të rrugëve të ngrira nga akulli, por një gjë nuk e harroi. Ishte i qartë faji ynë. Megjithatë, ambasadori austriak, që po e ngiste vetë veturën, thirri punonjësit e tij të bënin fotografi të aksidentit. Ndërsa ata bënin punën e tyre, ai pa bërë shumë koment sugjeroi që të mbyllej kjo çështje në mes nesh, domethënë secila palë të merrte përsipër dëmet e veta e të mos thirrej policia polake, e cila, sipas tij, më shumë do të ngatërronte punë.

Pikërisht këtë xhentilesë të austriakut deshi ta shfrytëzonte shoferi ynë, krejt në faj, duke pretenduar se ai kishte qenë në rregull. I dolën puplat e mendoi se kështu dilte i larë me Tiranën për dëmin shkaktuar makinës. Nuk e mbajti veten i ngarkuari me punë i ambasadës sonë duke e qortuar me fjalë nga më të rëndat.

Me diplomatin austriak u ndamë miqësisht duke shmangur një incident ku do të përfshihej policia polake. E ne, më shume se austriakut, nuk na interesonte një gjë e tillë: në bagazh kishim disa kopje të librit “Hrushovianët”, që po shpërndahej si trakt anti-sovjetik në Varshavën e trazuar të asaj kohe.

*Ish-diplomat

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama