Ministria e Arsimit nuk ndalet. Pas mbylljes së 18 universiteteve private, me vendim qeverie, testi i ligjshmërisë është përqendruar në shkollat e mesme të vendit, ku është vërejtur se 12 institucione që ofrojnë mësim me kohë të pjesshme, e ushtrojnë funksionin në kundërshtim të plotë me ligjin për arsimin parauniversitar, për shkak të shkeljeve të rënda ligjore.
Bëhet fjalë për tri shkolla të mesme private, part-time në Tiranë, tri në Durrës, dy në Elbasan, një në Lushnjë, një në Mat, një në Vlorë dhe një në Kuçovë.Institucione të arsimit të mesëm, të cilat sipas inspektimeve të grupeve të punës, të ngritura nga Ministria e Arsimit, nuk plotësojnë kriteret e ligjshmërisë, për të vijuar normalisht veprimtarinë mësimore, funksion për të cilin edhe janë licencuar.Burime zyrtare në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit sqarojnë për gazetën “Shqip”, se disa prej shkeljeve që konstatohen në këto shkolla të mesme private, për të cilat ky institucion ka urdhëruar mbylljen, janë: nuk ekzistojnë regjistrat në disa shkolla; në të tjera janë të paplotësuar; nxënës që ekzistojnë fiktivisht në këto institucione, ndërsa nuk kanë qenë asnjëherë të pranishëm në mësim; mungesë dosjesh; nxënës të regjistruar pa dokumentet e kërkuara nga MAS-i.
Detyrimet
Në mbështetje të ligjit “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe ligjit “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, Institucionet e arsimit parauniversitar privat, të mbyllura, kanë këto detyrime: “të mbyllin të gjitha detyrimet lidhur me veprimtarinë mësimore për vitin mësimor 2013-2014, brenda afateve të përcaktuara në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi; të pajisin çdo nxënës, me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm shkollor, që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit parauniversitar publik me kohë të pjesshme, brenda datës 10.09.2014; të vënë në dispozicion të njësisë arsimore vendore përkatëse çdo informacion të kërkuar dhe të vazhdojnë të mbajnë kontakte me të deri në plotësimin dhe mbylljen e të gjitha kërkesave të parashikuara në këtë urdhër; të kthejnë pagesat e kryera nga nxënësit për pjesën e papërfunduar të shkollimit, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të kenë ndaj nxënësit; të dorëzojnë në njësinë arsimore vendore përkatëse të gjithë dokumentacionin lidhur me veprimtarinë mësimore të kryer”, thuhet në urdhrin e ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, i cili thuhet se hyn në fuqi menjëherë.
Shpenzimet
Referuar urdhrit të Arsimit, që u vuri “drynin” 12 shkollave të mesme private, me kohë të pjesshme, parashikohet që nxënësve t’u vihet në dispozicion dokumentacioni i nevojshëm për transferim, pa asnjë lloj pagese në këmbim, ndërsa theksohet se në rastet kur prindërit kanë paguar edhe vite të tjera, do të marrin lekët mbrapsht nga institucioni i mbyllur.
“Të gjitha shpenzimet për kryerjen e procedurave për transferimin e nxënësve, në zbatim të këtij urdhri, të përballohen nga ana e institucionit të arsimit parauniversitar privat / personit juridik privat që i përfaqëson. Njësitë arsimore vendore (drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat arsimore) kanë për detyrë: të ngrenë brenda datës 05.09.2014 grup të posaçëm pune për monitorimin e zbatimit të këtij urdhri nga institucionet. Grupi i punës të menaxhojë transferimin e nxënësve në institucionet e arsimit parauniversitar publik me kohë të pjesshme, si edhe të ruajnë në arkivin e tyre dhe më tej të arkivojnë sipas ligjit për arkiva dokumentacionin e dorëzuar nga institucionet”, sqarohet në urdhrin e ministres së Arsimit, pas rezultateve skandaloze të arritura nga inspektimet e kritereve të ligjshmërisë në shkollat e mesme publike dhe private në nivel kombëtar.
Shkollat që do të mbyllen:
Shkolla “Talenti” e hapur në 2009-n, Durrës
Shkolla “Migjeni” e hapur në 2011-n, Durrës
Shkolla “3 Janari” e hapur në 2012-n, Durrës
Shkolla “Iliria 1” e hapur në 2013-n, Elbasan
Shkolla “Arianiti” e hapur në 2012-n, Elbasan
Shkolla “Daka” e hapur në 2011-n, Lushnjë
Shkolla “Nëna Mbretëreshë Geraldinë” e hapur në 2008-n, Mat
Shkolla “Vitrinat” e hapur në 2012-n, Tiranë
Shkolla “Eurovizion-IS” e hapur në 2012-n, Tiranë
Shkolla “Inkus Network” e hapur në 2013-n, Tiranë
Shkolla “Vëllezërit Frashëri” e hapur në 2009-n, Vlorë
Shkolla “Sami Frashëri” e hapur në 2012-n, Kuçovë