Mbreti i antivirusit debohet nga Guatemala

'Mbreti' i antivirusit debohet nga Guatemala
Shteti i Guatemalës ka vendosur të dëbojë në Shtetet e Bashkuara pionierin e software-ve John McAfee, i cili kërkohet të merret në pyetje mbi vrasjen e një fqinji. Lajmin e kanë bërë të ditur autoritetet guatemalase të emigracionit, të cituara nga mediat ndërkombëtare në edicionet e tyre online.

“Babai” i antivirusit ka kaluar pothuajse një javë në burgjet e Guatemalës, ku shkoi fshehurazi dhe kërkoi azil politik, tentativë në të cilën dështoi pasi autoritetet ia refuzuan. Autoritetet në Belize, ku dhe jeton McAfee, deklarojnë se ai ishte një “person me interes” në vrasjen e biznesmenit nga Florida Gregory Faull, më 11 nëntor.

Zoti McAfee ka protestuar disa herë duke pretenduar pafajësinë e tij. Javën e kaluar ai thoshte në blogun e tij se ishte sulmuar nga policia dhe kjo ishte arsyeja përse ishte arratisur drejt vendit latin. 67-vjeçari, në mënyrë që të kalonte kufirin pa u vënë re, kishte ndryshuar paraqitjen e tij duke prerë flokët, duke hequr mjekrën, duke ngjitur çamçakëz të përtypur në fytyrë dhe duke errësuar ngjyrën e dhëmbëve. Biznesmeni Gregory Faull u gjet i vdekur me plumb në kokë më 11 nëntor në shtëpinë e tij në Belize, që ndodhet ngjitur me shtëpinë e zotit McAfee, në një ishull tropikal.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama