Mbi ngritjen e njeriut ne kembe Si dhe pse?

Mbi ngritjen e njeriut në këmbë  Si dhe pse?

Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës

winderÇështja e zanafillës së ngritjes së njeriut në dy këmbë (bipedalizmit) është një nga më themeloret – dhe më të diskutueshmet në evolucionin njerëzor. Dhe kjo ia vlen, sepse ecja mbi dy-këmbë është tipari fillestar që ndan njerëzit nga majmunët.

Çarls Darvin e njohu këtë rëndësi, ndërsa arsyetonte se kur para-ardhësit tanë filluan të siguronin jetesën duke u mbështetur në mjete dhe armë gjahu, duart morrën përsipër role e funksione të ndryshme nga këmbët. Por një problem me teorinë e Darvinit, thonë shkencëtarët, është se ecja në këmbë u shfaq 6 – 7 milionë vjet më parë, ndërsa të dhënat arkeologjike tregojnë se veglat e gjahut të nxjerra nga gërmimet i përkasin një periudhe disa miliona vjet më pas.

Dhe që nga koha e Darvini, shkencëtarët kanë dalë me një listë të gjatë shpjegimesh mbi mënyrën se si dhe pse para-ardhësit e njeriut filluan të ecnin drejt mbi dy këmbë.

“Teoria e stepave” ka qënë mjaft e përhapur. Sipas saj, miliona vjet më parë, Afrika u prek nga thatësira dhe pyjet u zevendësuan nga fushat. Kjo dha shkas që qëndrimi mbi dy këmbë të përdorej si mënyra më e mirë për një majmun për të përshkuar një terren të hapur.

Teoria e fushave pësoi goditje kur studiuesit zbuluan eshtra të paraardhësve të njeriut që tregonin se ata kishin ecur në dy këmbë edhe pse kishin jetuar në pyje. Përkrahësit, pastaj u përpoqën të shpëtonin teorinë e tyre duke thënë se ecja në dy këmbë ndoshta ka qenë mënyra më praktike midis periudhës kalimtare të tranzicionit nga pyjet në fusha.

Bipedalizmin, shkencëtarët gjithashtu e kanë lidhur me fillimet e monogamisë (kur njerëzve u duhej të kishin duart e lira për të siguruar ushqim për familjen, për të mbajtur zjarrin ndezur ose për t’u dukur më të lartë duke qëndruar drejt në këmbë për të trembur grabitqarët ose rivalët. Teori të tjera thonë se një qëndrim drejt mbi dy këmbë lejonte para-ardhësit e njeriut për t’u zhytur thellë në ujra, gjatë fazës ujore të evolucionit. Por kjo teori e “majmunit ujor” është hedhur poshtë tërësisht nga antropologët.

Dhe vetëm kur mendohej se të gjitha teoritë ishin parashtruar, një grup shkencëtarët në Universitetin e Anglisë, argumenton, në revistën britanike “Antiquity”, se të gjitha hipotezat e mëparshme kanë mangësi për shkak se ato shpërfillin një faktor të rëndësishëm në evoluimin e njeriut; Topografinë.

Sipas studimit, krahasuar me Homo sapiensët, Neandertalët ishin shtat-shkurtër. Shumë antropologë ia atribuojnë ndryshimin në shtat mjediseve të ftohta ku Neandertalët jetonin, dhe se një trup i shkurtër është më kompakt dhe kështu e ruan më mirë nxehtësinë.

Shkencëtarët mendojnë se jeta e Neandertalëve në malet e Euroazisë gjithashtu ndikoi në formën e tyre fizike. Në terren fushor, për të mbuluar të njëjtën distancë, individët me këmbë të gjata ecin në mënyrë më efikase, në krahasim me ata me këmbë të shkurtra që për të njëjtën distancë iu duhet të bëjnë më shumë hapa. Kjo përparësi zhduket në terren të pjerrët, ku njerëzit me këmbët më të shkurtra ecim më shpejt pasi nuk kanë nevojë të përthyejnë gjunjtë, siç veprojnë njerëzit me këmbë të gjata kur i ngjiten ose zbresin një mali.

Kjo teori u provua duke simuluar efikasitetin e ecjes në mjedise të ndryshme. Shkencëtarët gjetën dëshmi tek kaprojtë e maleve, të cilët kanë prirje t’i kenë këmbët më të shkurtra në krahasim me kaprojtë që jetojnë në terren fushor. Shkencëtarët thonë se kjo lidhje u gjend edhe midis kaprojve që jetojnë në dy mjedise të ndryshme; të ftohtë dhe të ngrohtë.

Tek njerëzit, kjo hipotezë e përzier është vështirë të provohet. Një problem është se aktiviteti tektonik; vullkanet dhe forcat e tjera gjeologjike që vazhdojnë të ndryshojnë peisazhin e Afrikës, e bëjnë të vështirë për të rindërtuar saktësisht se çfarë topografie ka pasur Afrika miliona vjet më parë.

Por, sjelljen e ideve te reja – madje edhe ekzotike – shkencëtarët e shohin si të vetmen mënyrë për të çuar përpara një disiplinë të tillë siç është evolucioni i njeriut, ku eksperimentet në kushte laboratorike janë të pamundur.



http://astritlulushi.wordpress.com/2013/07/16/mbi-ngritjen-e-njeriut-ne-kembe-si-dhe-pse/

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama