Mbi Domosdoven e Skenderbeut

Mbi Domosdoven e Skenderbeut
Domosdova ngjan si toponim jo vendas. Në fakt, legjenda e bën shumë shqiptare. Dhe, me zakonin kombëtar për t’i thjeshtuar gjërat dhe për t’i sjellë direkt në kohën tonë dhe ajo e ka një burim. Noli shkoi më tej dhe në përkthimin e tij të ‘Don Kishotit’, diku do të përdorte si term Universiteti i Domosdovës (!), një sajesë që duket se e tejkalonte dhe vetë hiperbolën e famshme të Servantesit me ‘Donin’ e tij të vetmuar. Por sa të rrosh do të mësosh. Dhe, shqiptarët që e lexonin fisnikun e fshatit të vjetër spanjoll mundoheshin të ngjallnin sa duhet përfytyrime duke e krahasuar me Rrogozhinën dhe Domosdovën. Po legjenda e vendit është edhe më e thjeshtë. Quhej dikur Torvioll dhe Skënderbeu u tha luftëtarëve të tij para betejës së vështirë se kjo betejë duhej fituar me doemos...Dhe mbeti kështu.

Fëmijët

Kështu kujtohemi kur ngjitemi në Qafën e Thanës, gati pas një udhëtimi prej dy orësh e gjysmë nga Tirana. Kaq zgjat të paktën vetëm nëse shoferi ia vlen. Në pak minuta, që kalojmë maloren e këndshme të Qafë Thanës, gjejmë kohën për të qëndruar. Makina, çuditërisht, në metrat e fundit s’mbushet më me gaz.

...S’ka asgjë veç një rruge të mirë urbane dhe ...Ah, po edhe lavazheve. Kudo janë këto lajtore të makinave, në pritë të atyre që kalojnë aty pari. Qafë Thana është e mbipopulluar me lavazhe. Djemtë e rinj, që shërbejnë (shumë syresh shumë larg moshës së punës) hedhin ujin si shatërvan dhe i kënaqen mjedisit. Të gjithë të grishin me duar sipër dhe me lloj-lloj veprimesh groteske. Pak më lart, të gjithë shesin, por gati të njëjtën gjë. Çuditërisht gati prodhime që i kemi në qytet dhe me atë çmim. Është e vështirë në Shqipëri që të dallosh në prodhimin e fshatarit shqiptar nëse është vërtetë i tij apo thjesht e ka marrë pas dy duarsh të tjera grosistësh. Po, ani, ata shesin dhe po ia dolën dhe mund të gjejnë myshteri. Pak qindra metra më tutje drejt majës të Qafë Thanës askush nuk do t’ia dijë. Dhe pak metra do të hapet syprina e madhe e liqenit të Ohrit, që ne me krenarinë tonë e etiketojmë thjesht: Liqeni i Pogradecit. Ndërsa shoferi qëndron...në përpjekje për të rregulluar ne shkëputemi pak për të parë Domosdovën nga sipër. Nuk e dimë se kjo pak do jetë shumë.... Makina po gulçon nga defekti.

Një specialist ushtarak, që udhëton me ne, ka gjetur kohë të na shpalosë kulturën e tij ushtarake. Është i bindur se mjafton ta shikosh nga sipër dhe mund të heqësh paralele kudo të strategjisë ushtarake. Këtej vinin karvanët. Po këtu (tregon me dorë). Ushtritë prisnin mu këtu. Ah...dhe diçka! Në varësi të kohës. Sepse ushtritë Osmane e kishin zakon, që ta fillonin luftën vetëm në pranverë. Lufta duhej të mbaronte në vjeshtë. Duket se në këto kufij kohorë, ushtarakët lokalë duhet të kenë ditur dhe të kenë manovruar. Të stërthëna, nuk kuptoj gjë se kush është strategjia, por burri s’ndalet. Dy djem të rinj, që ndiqen nga një çift i vogël fëmijësh më të vegjël, afrohen ngadalë. Janë dy lopë përtej, për të cilat duhet të kujdesen. Është një dhi e bardhë, e cila sorollatet andej-këndej dhe janë edhe dy lopë të stërmëdha. Djali është më i vogël, ndërsa vajza më e madhe. I tërheq habia, por më shumë se çfarë shpjegon ‘strategu’ ushtarak.

Duan të bisedojnë, por duken açik se kanë frikë. Dhjetë minuta më vonë, vajza do më thotë se ka gjashtë motra, ndërsa babai i punon në Greqi. Ndryshe nuk mund të jetë. Të gjithë që të jetojnë duhet të ikin. Këtu s’ka vend!!! Ka aksentin e Pogradecit dhe është shumë e përkorë. Djali i pavëmendshëm shkon pas dhisë të bardhë. Fëmijët mbajnë dhe bagëtinë e dy të tjerëve, që tashmë kanë ikur dhe s’duan t’ia dinë fare. Nuk kanë asgjë tjetër. Flasin me fjali fare të shkurtra dhe thjesht përgjigjen pohues ose mohues. Djali është i bindur se do të iki shpejt. Sot, nesër, apo kurdoqoftë sa të mbarojë dhe pak vite shkollë dhe do të ikë. Djemtë nga larg na kanë thënë të njëjtën gjë. Me dy celularë të mirë japin e marrin pafund nga larg, sikur duan të na tregojnë ndryshimin. Dhe, s’begenisin të rrinë më. Ideja e shkollës ose e bisedës së tillë i lodh. Strategu e ka humbur. S’ka më audiencë. Të habitshëm fëmijët në kërkesat e tyre. Nuk mësojnë dot, sepse mësuesit janë të bezdisur ndërsa poshtë në fshat gjithmonë e më shumë kanë mbetur pak fëmijë. Ata që rrinë dhe pak të gjithë mendojnë të ikin. Greqi? Itali? Vetëm këtu jo...

Evlija Çelebiu

Nga Elbasani u nisëm me bismi-lah drejt lindjes dhe pas katër orësh udhëtimi mbërritëm në Bjeshkët e Banjës, në të cilat Benko Pasha, në kohën kur ishte sundimtar i Rumelisë ka ndërtuar një drom të rregullt, nëpërmjet të cilit janë dërguar topat që pati nisur mbreti për në Kotor të  Venedikut.

Kjo Bjeshkë mban katër orë dhe pastaj mbërritëm në katundin e Banjës.

Nga Banja ecëm dhe tetë orë po në drejtim të lindjes dhe pasi kaluam edhe një herë lumin e Elbasanit, arritëm në Domosdovë. Këtu është kufiri që ndan Elbasanin me Ohrin.

Prej Domosdovës zbritëm nëpërmjet një shpati në bregun e liqenit të Ohrit dhe pas pesë orë udhëtimi u futëm në kështjellën e Strugës.

Për Fushën dhe të tjerat

Vetëm këtu jo, më tingëllon në vesh, ndërsa nga larg –janë disa që vazhdojnë të merren me makinën. Shumë syresh e përshkojnë drejt “Fushën e Domosdovës”, që u bë strehë më vonë e banorëve që erdhën pas atij gjaku masiv të derdhur aty. Emri i qytetit të Përrenjasit ka lidhje pikërisht me të njëjtën betejë, ku u derdh ai gjak dhe u vranë aq shumë luftëtarë, saqë gjaku i tyre rridhte si përrua në përfytyrimet lokale. Në fakt, nuk ka shumë referenca pastaj. Ne më shumë kemi bëma gojore se luftëra. Shqipëria u paqtua, ndërsa falë pasurive minerare ky vend u bë shekuj më vonë strehë e qytetit të ri të Përrenjasit.

Në Socializëm, ku mori jetë fshati, që u kthye pastaj në qytet -kishte disa njësi pune por edhe disa miniera për përpunimin e tyre si ajo e hekur-nikelit në Përrenjas-Fshat, Miniera e Nikel-Silikatit në Pishkash, Sektori Minerar i Bushtricës dhe Skroskës. Banorët u sistemuan dhe kështu siguronin jetën. Pas vitit ’90 të gjitha këto u braktisën dhe fshatarët, tashmë të kthyer në qytetarë u përpoqën të bëjnë bizneset e tyre në sektorin e shërbimeve, blegtori, bujqësi dhe gjithashtu edhe në shfrytëzimin e pyjeve. Kuptohet një pjesë fare e pakët sepse të tjerët thjesht sorrollaten dhe sorollaten pafund.

Zëniet

Tashmë jemi më shumë njerëz dhe makina e prishur na jep mundësinë të rrimë më tepër. Një çift austriak, që ka mbërritur sakaq, mundohet me këmbë e duar që të merren vesh me kamerierin sesi vazhdon rruga për në Tiranë. ‘Strategu’ ka heshtur. Një vendali, që na jep të njohur, bën variantin e tij të zonës. Është nga një prej fshatrave të Rajcës. Kjo e fundit është pjesë e një komune, e cila nuk mund të shfrytëzojë këtej e tutje shumë nga burimet e saj. Dikur në internet kam hasur një shkrim shumë ofendues të një funksionari të saj ndaj Përrenjasit. Edhe ky M.G. ish punonjës miniere nga Rajca më flet me urrejtje për Përrenjasin, por i ka zët gazetarët. Të duket pak si urrejtje palestinezësh për hebrenjtë dhe anasjelltas. Kur u bënë këta? Në fakt Përrenjasi u zhvillua shumë dhe e la pas Rajcën që bën gjumin e saj shekullor me pronat dhe zhvillimet e saj.

 Komuna e Rajcës u bë e njohur në vitet ‘90 me vrasjet e djemve, që edhe sot e kësaj dite fatet e tyre s’janë zbardhur plotësisht. Maqedonët pretendonin se ata bënin kontrabandë armësh, ndërsa vendasit thjesht cigare... Por Rajcianët tashmë s’u dalin vetëm këto. Banorët e Rajcës ankohen për gjithçka për ujin, që s’ua japin në administrim; për kufijtë dhe për padrejtësitë. “Edhe mbi fshatin Ladorisht, në Strugë është një pllajë e tërë quhet edhe sot ‘Gështenjat e Bogdanëve të Rrajcës’”, thotë burri me triumf.

Fëmijët, që kanë ardhur nga Uraka, një fshat në këmbë të Qafë të Thanës, pak u prish punë kjo. Dhe, këto zënie komunash, fshatrash, ende as ua prekin botën fëminore. Të çudit çiltërsia e vajzës, që e di se mundësia e vetme për të ikur nga ky vend është vetëm martesa dhe çlirimi i ngadaltë i djemve, që tash bëhen shumë që thonë se të gjithë duan të ikin. Po këtu vallë kush do rrijë? Burrave u humbasin fijet.

Në kohë të vjetra thuhej se në këtë vend ishte një vend special blatimi ose orakujsh në Qafën e Thanës, ku orakuj të lashtë parathonin fatin e njerëzve dhe ndodhive. Kuptohet se burrat nuk e dinë këtë, por të gjithë sipas mundësive, në këtë verë të freskët në Qafë Thanë e tregojnë sipas tyre. Thjesht, Qafa e Thanës ( interpretohet se e ka marr emrin nga vendi i të thënës ) duket se e mbron vendin nga erërat e ftohta, ndërsa përballë i bëhet barrierë liqenit me puhitë e turbullta që ngre në dimër. Rajcarët duan toka në doganën e Qafë-Thanës, që sot kanë mbetur shtetërore. Janë mbi 15 ha tokë, për të cilat s’u njihet për asnjë arsye tapitë dhe ca më pak që ti çertifikojnë.

E vetmja referencë për vendin më vjen nga një shkrim i Dr. Zeqos: “Studiuesja austriake, Eleonora Vagner, profesore në Universitetin e Vjenës, ka shkruar se kjo shpellë është shpella e një orakulli të lashtë. Ajo mbështetet në dy argumente aspak arkeologjikë por thjesht të rrafshit linguistik. Ajo mendon se fjala Urakë është një metamorfizim i fjalës orakull. Një ekuacion i tillë nuk është i saktë dhe është i pavërtetueshëm. Argumenti i dytë lidhet me emër vendin Qafa e Thanës. Gjoja kemi të bëjmë me një formë të tillë si “Qafa e të Thënës”, duke mëtuar se e Thëna shpreh kështu funksionin e orakullit. Edhe ky shpjegim i një etimologjie vulgare popullore nuk qëndron”, shkruan Moikom Zeqo. Mbase kjo e zbut të gjithë dhe e lë çudinë...

E gjithë zona

Është e çuditshme, që në këto ditë vere, sepse vetëm gjen ankime te banorët. Por është kështu. Të gjithë ankohen. Duket se të gjithëve u bëhen padrejtësi. Vetëm shqiptarëve. Austriakët presin, që t’i shoqërojë një çift kryeqytetasish drejt Tiranës. Një mësues, me të cilin do ulemi pak orë më vonë, do më zbardhë një historik të thjeshtë, ku më shumë se fjalët, ideja mbetet e njëjtë: njerëzit më shumë flasin se punojnë. Argumenti është i thjeshtë. Të gjithë tokat s’punohen si duhet, ndërsa njerëzit duan thjesht të ikin. Komuna e Rrajcës përbëhet nga fshatrat Rrajcë-fushë, Rrajcë-Sutaj, Skëndërbej, Bardhaj, Katjel, Kotodesh, Urak dhe është një nga 9 komunat e Librazhdit. Ka një lum me emrin Lingajci, që e përshkon mes për mes fushës së Domosdovës. Pyjet e këtij vendi janë nga më të begatët dhe bashkë me pyjet e Steblevës dhe Stravajt përbëjnë një ndër 5 zonat më pyjorë në vendin tonë. Por vendi ka bimë mjekësore pa fund si sherbela, çaji, dëllinja e kuqe dhe e zezë dhe lule, që janë të gjitha burim jete. Ka një kompleks me 4 liqene akullnajore me gjatësi 100 m dhe gjerësi 80 m dhe në këto vende kanë kaluar segmente të rrugës antike Egnatia. P.sh stacioni i Qafë-Thanës quhej Glaudanon. Kurse Rruga Kandave ishte rruga pararomake drejt rrjedhës së Shkumbinit, në trasenë e të cilës do ngrihej Via Egnatia. Të gjitha këto s’mjaftojnë që gjithsesi këta njerëz të pushojnë dhe të punojnë dhe të ngrenë jetesa të mira. Mësuesi preferon të heshtë. Fëmijët kanë mbetur të shushatur disi....

Dikur, njësoj

Në një udhëtim në këtë vend, që pastaj e përcjell me emrin ‘Dy vagabondët’, John Gordon do të shkruajë:
Duke vajtur në Pogradec me kuaj samari padyshim, ndalen në Qukës, te një hanxhi dymbëdhjetë vjeç
-Ç’ke hanxhi të na japësh?
-Gjithë, ç’urdhëroni. Ve, qumësht, bukë djathtë, mish. Kemi nga të gjitha edhe mish të pjekur.
Po shkuan edhe tridhjetë minuta dhe asgjë nuk vjen.
-Ku i ke vezët?
Pulat janë në katund.
-Po hiq e i merr.
-S’di në kanë pjellë sot!
-Po mishin?
Dhëntë po kullosin, tani vjen tufa, zemë një qengj dhe e therrim...Pas dy orësh hëngrëm bukë kallamboqi dhe pak qumësht.

Në vend të fundit

E kemi nisur për një shpjegim ushtarak, por me banorët që hasim, gjendemi në malin e ankesave të pafundme se nuk punohet. Se nuk ia vlen! Të tjerë që harxhojnë pa fund ujin. Dhe të gjithë pastaj kundër të gjithëve. Fëmijët kanë humbur në bisedat e të rriturve, që tashmë si zakonisht na marrin me detyrim në kafe. Askush nuk thotë dot se çfarë flet më bota e tyre fëminore dhe se çfarë shembulli i duhet. Dikush ka lajmëruar vajzën që të kthehet. Me të ikën dhe djali. Perëndim i vagëlluar /Në katund kërcet një derë/Në liqen hesht një lopatë/Një shqiponjë e arratisur/Fluturon mi Mal të Thatë...

Ah, sikur të ishte kaq thjeshtë. Ky përfytyrim idilik i Lasgush Poradecit do të më mjaftojë dhe për Domosdovën dhe për fjalët tona sesa vështirë e kemi të ngremë pa u penguar një civilizim normal. Kujtoj fqinjët maqedonë që janë shumë më parë dhe ky më ngjall trishtim. Madje, edhe pakoha e këtyre banorëve përballë. Është verë e vitit 2010.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama