Mberrijne ne Tirane eksponatet e familjes Jashari

Mberrijne ne Tirane eksponatet e familjes Jashari

Fotografi që kanë në fokus, fëmijë, gra, burra edhe të moshuar gjatë luftës, anëtarë të familjes së Adem Jasharit janë ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar. Momente të ndryshme, që tregojnë qartazi kontributin që ka dhënë kjo familje patriotike në lirinë e Kosovës, vijnë nëpërmjet këtyre imazheve dhe jo vetëm. Eksponate tredimensionale, dokumente, harta dhe gazeta të kohës, që në një masë të caktuar pasqyrojnë Epopenë e Jasharëve në Prekaz; sekuenca filmike që ndërlidhen me ngjarjet në Prekaz, por dhe disa punime artizanale. Veshje të gjakosura, uniforma ushtarake, libra, thika, edhe një tepsi e rrumbullakët, me të cilën kanë gatuar këta luftëtarë përpara se të jepnin jetën e tyre për liri, janë aty.

Armë lufte si: mitraloza, pistoleta dhe thika të llojeve të ndryshme, që dikur Adem Jashari i mori nga Shqipëria edhe me to nisi të përgatitej për çlirimin e Kosovës, qëndrojnë të ekspozuara në disa vitrina në MHK.

Nga Kosova për përurimin e kësaj ekspozite kishte ardhur edhe nipi i Jasharëve, Murat Jashari. Ai tregon për qëllimin e kësaj ekspozite, duke u shprehur se ndihet i nderuar që nëpërmjet saj, për herë të parë shqiptarët mund ta kuptojnë rëndësinë e asaj, që kjo familje ka bërë gjatë Luftës së Kosovës. “Gjatë udhëtimit nga Kosova në Shqipëri, patëm një debat se Prizrenit edhe Kukësit, i thoshin herë Veriu i trojeve shqiptare, herë Jugu i trojeve shqiptare, sepse ndodhen në mes. Unë mendoj se edhe historia jonë shekullore, ka qenë e tillë, nuk është se i ngjan më tepër asaj botës, që dikush e shikon të mbushur, dikush të zbrazët. Familja Jashari edhe kjo që shikoni këtu, Lufta Çlirimtare e Kosovës është vetëm një pjesë e historisë sonë kombëtare, e vuajtshme, por edhe shumë krenare, sepse edhe pa këto gjithfarë sakrificash nga paraardhësit tanë, qysh nga Gjergj Kastriot Skënderbeu e deri te luftërat çlirimtare, kanë bërë që sot Shqipëria të jetë ndryshe, Kosova të jetë e lirë edhe të jetë shtet, edhe që lëvizja dhe liria e shqiptarëve në trojet e tjera të jetë më e avancuar, por jo në nivele të kënaqshme”.

Më tej Murat Jashari tregon tri shtyllat që e bëjnë një komb, sipas një filozofi. “Bëhet fjalët për luftëtarët, filozofët edhe ekonomistët. Mendoj se, luftëtarët e kanë përfunduar misionin e tyre, me aq sa kanë ditur, edhe aq sa kanë mundur, kurse sot mbetet detyrë e filozofëve, ose e ekonomistëve, që të kenë një vizon për të ardhmen shqiptare edhe që të zhvillojnë edhe të ardhmen tonë”. Më tej nipi i Jasharëve shpjegon se qëllimi i kësaj ekspozite nuk është për faktin se populli shqiptar nuk e di se çfarë ka ndodhur, pasi sakrificat edhe vuajtjet kanë qenë të përbashkëta, sepse nëse nuk do të ishin të përbashkëta, nuk do të kishte as liri, edhe nuk do të ishte as shteti i Kosovës. “Qëllimi i kësaj ekspozite është që njerëzit ta shikojnë në një këndvështrim ndryshe, sepse për atë që ka ndodhur në Kosovë, edhe për atë që ka ndodhur më pas me epopenë e UÇK-së janë bërë plot aktivitete, në Kosovë edhe në diasporë. Prandaj ka rëndësi që të ekzistojë diçka e përbashkët, sepse flitet për 3 breza të familjes Jashari, nga mosha 6-vjeçare, deri në moshën 80-vjeçare, që kanë sakrifikuar për lirinë e Kosovës. Nesër është Dita e Mësuesit 7 Marsi dhe në mesin e të vrarëve ka qenë një mësues, por është dhe 8 Marsi, Festa e Nënës, edhe në këtë ekspozitë janë edhe fotografitë e nënave, që kanë sakrifikuar për liri dhe për shtetin e Kosovës”, përfundon Murat Jashari.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Sadik Krasniqi e shikon këtë ekspozitë si një ogur të mirë për bashkëpunimet ndërinstitucionale. Ai tregon se në historinë tonë ka shumë figura që kanë sakrifikuar për liri, sikurse ka edhe në Ballkan, Europë, edhe në të gjithë botën, por një sakrificë e këtyre dimensioneve, ku tri breza japin jetën për liri nuk ka ndodhur në asnjë vend.

“Sakrifica e këtij dimensioni, që një familje prej 3 brezash, po i referohem familjes së ngushtë të Adem Jasharit, anëtarë të familjes për një dekadë, që kanë patur edhe goditje psikofizike, duke u sakrifikuar për lirinë kombëtare, është e veçantë në historinë botërore”. Ai shton më tej, se armët që janë të ekspozuara në këtë ekspozitë Adem Jashari në vitin 1991 i ka marrë nga Shqipëria, për të përgatitur ushtrinë që do të luftonte kundër okupacionit serb. “ Komandanti Adem Jashari edhe të gjithë luftëtarët e lirisë së Kosovës i përgjakën këto armë nëpër beteja të ndryshme, prandaj ne sot në bazë të aktiviteteve kulturore, edhe përkujtimore i kemi sjell këtu për të përkujtuar edhe për t’ia servirur opinionit të gjerë shqiptar, për sakrificën që është bërë për lirinë e gjithë popullit shqiptarë”. Çeljen e kësaj ekspozite e nderuan figura të njohura dhe të rëndësishme të jetës publike në Shqipëri dhe Kosovë. Përshëndetën me fjalën e tyre zëvendësministri i Ministrisë së Kulturës, Zef Çuni, ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë, Ramiz Lladrovci, Murat Jashari, përfaqësues i familjes Jashari, drejtori i Muzeut Shtetëror të Kosovës, Sadik Krasniqi dhe drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Melsi Labi.

Ekspozita

Ekspozita “Qëndresa heroike e Jasharëve për liri” vjen në MHK për të nderuar dhe përkujtuar 17-vjetorin e ndarjes nga jeta të heroit legjendar, Adem Jashari dhe fillimin e Epopesë së UÇK-së. Zef Çuni tha se: “Ky aktivitet do të shoqërohet edhe me aktivitete të tjera, që Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe Kosovës kanë rënë dakord për të zhvilluar, sipas një kalendari të përbashkët kulturor”. Ambasadori Lladrovci përgëzoi të dy muzetë për këtë bashkëpunim dhe iniciativë që ndërmorën, për të sjellë në Tiranë një pjesë nga Lufta Çlirimtare e Kosovës. Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Melsi Labi, në fjalën e tij tha se, kjo ekspozitë i jep rëndësinë që meriton komandantit legjendar Adem Jashari dhe sjell në memorien e shqiptarëve vlerën që pati Lufta Çlirimtare e Kosovës nga Serbia. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 11 Mars në sallën e ekspozitave në Muzeun Historik Kombëtar.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama