Masakra historike e Durresit e ka proven te plehrat arkeologjike

Masakra historike e Durresit e ka proven te plehrat arkeologjike

Gjithçka ndodh zakonisht brenda natës. Një marrëveshje garipash e investitorëve me punonjësit e shtetit bën që gropat arkeologjike, ku janë dhënë lejet e ndërtimeve, të zbrazen brenda natës. Çdo të thotë? Që në vendet ku ndërtohet në Durrës s’ka më gjurmë arkeologjike. Në fakt, mbetjet janë hequr natën dhe përcillen në plehrat arkeologjike që kanë mbirë kudo prej autostradës e deri në Shënavlash, ish-këneta dhe Porto Romano. Me kalimin e viteve, shtresat e mbeturinave i lenë vendin njëra-tjetrës dhe një i pasionuar ose koleksionistët privatë e kanë si mjet argëtimi tashmë rrëmimin aty, ku mund të gjejnë rastësisht deri gjëra që do mund të ishin krenaria e Shqipërisë...

Pak pas kufirit administrativ të Tiranës e Durrësit, në autostradë, një miku jonë që merret me monumentet e ndalon vrik makinën. “Paskan hedhur sërish... Shikoje atë pirgun aty! Do t’këqyrësh bajagi gjëra që si ke parë”, më thotë me një tundje koke të lehtë. E quaj si shaka, por në fakt nuk do më duket fare ashtu, kur pak minuta më vonë, jam mbi një pirg që mbart pafund qeramika, forma të ndryshme enësh të thërrmuara dhe deri enë. “Ky është fillimi. Do të shohësh më vonë, se çfarë bëhet”. Nuk na bëhet të ikim, por koha është tejet e kufizuar. Duhet t’i marrim me radhë të gjithë plehrat e Durrësit, ku derdhen ende gjërat antike prej ndërtuesve të Durrësit.

 

“Aty e ke. Mund të vish sërish”, më thotë burri, kur më sheh me një fragment ene në dorë. Skema është e thjeshtë: Natën vinë makinat e ndërtuesve dhe kur askush se ka mendjen derdhin inertet. U thënçin inerte sepse në të vërtetë janë mbetjet arkeologjike që qyteti i madh i heq nga rropullitë e veta. Kështu, e fshijnë ndërtuesit kujtesën e qytetit, që më duket se është në një fillim alzhaimeri civil. Pak zërat e ngritur në apel kanë mbetur në eter. Më të patrazuarit, kanë mbetur një grup koleksionistësh modestë, që e dinë se kur vinë makinat dhe janë të parët që derdhen mbi pirgje duke kërkuar të gjejnë diçka. “Kemi gjetur monedha, fragmente amforash të ruajtura, qeramikë të pikturuara dhe kam dëgjuar dhe pjesë statuetash të vogla”, më thotë burri dhe na bën me shenjë të vazhdojmë në një pirg tjetër më tutje.


Shiu i të mërkurës sapo fillon me intensitetin e tij të qetë. I ngjan një vepre muzikore të Smetanës, me kadencë të ulët në fillim, por që pak minuta më vonë ndryshon, teksa derdh një sasi të madhe dhe pastaj rresht. Ne? Futemi djathtas, drejt rrugës që të çon në fshatin e Rinisë. Tashmë gjendemi pranë një pirgu të madh, që është i shtrirë me disa syresh përreth. Miku ynë e identifikon lehtë. E kanë sheshuar. Pak më parë s’ishte kështu. Dhe, kanë hedhur këto të tjerat. Duhet një kazëm, por do të vazhdojmë pak më tej, na e bën me shenjë. Ndahemi dhe humbim mes pirgjeve që janë gati një bojë njeriu të lartë...Shikoj i përkulur ndërsa më kujtohen broçkullat e njerëzve të monumenteve sesi gjoja punojnë. Në fakt, prej pak kohësh në Shqipëri, por në mënyrë specifike në Durrës, është krijuar një realitet, që tregon hapur sesa e vlerësojmë ne pasurinë arkeologjike.

 

Nga qyteti janë zbrazur për vite të tëra qindra metra kub mbushur me mbetje arkeologjike. Një marrëveshje xhentelmenësh “të zinj”, që do të thotë se investitorët në marrëveshje me nëpunësit e shtetit, sidomos ata të MKRST-së, më parë, vepronin duke e zbrazur ilegalisht gropën e ndërtimit brenda natës dhe pastaj të gjithë inventarin arkeologjik e përcillnin në plehrat arkeologjike jashtë qytetit. Dhe, kështu atë që se bënte shteti me burokracinë e  vet, e bënin sipas mënyrës së tyre tepër të volitshme privatët. Me këtë veprim eliminohen shpenzimet për dokumentimin dhe konservimet, kursehen shpenzimet për ndryshimin e projektit për shkaqe arkeologjike, shmangen shqetësimet politike që shkaktojnë mediat, do të shkruante Gjergj Frashëri kohë më parë. Pasojat? Dëmet e tij kolosale janë të paimagjinueshme dhe në shumicën e rasteve janë krijuar nga pseudo-aktivistë dhe arkeologë që u kanë shërbyer politikanëve dhe ndërtuesve të pandershëm, që prej dy dekadash vazhdojnë e bëjnë batërdinë.
 
Pirgjet e mbeturinave arkeologjike


Por korrupsioni i këtyre vandalëve me kollare nuk mjafton. Ti llahtarisesh sërish për mbetjet që mund të gjesh. Ke copëza afresku antik, gurë arkeologjik masivë që janë zhvendosur pa asnjë mëshirë, fragmente muresh romake. Mos të llogarisësh këtu qeramikat, ku një pjesë syresh është edhe e pikturuar. Jemi larguar nga pirgjet e dyta dhe pak para fshatit Rinia, një impiant i madh privat ruan anash pirgjesh të tëra bijëza që i përshkojmë duke parë pasojat. “I bie të gërmosh mbi gërmimin”, na thotë burri. Kemi një aleat sot, pasi shiu i pastron pirgjet dhe është koha kur shumë prej qeramikave zbulohen vetë hapur. Këtë moment gjurmojnë edhe koleksionistë,  amatorë dhe qejflinj gjërash antikë që ia behin për të parë dhe të kërkojnë gjëra. Të mendosh se edhe me këtë shkatërrim  në Durrës nxirret dhe shkatërrohet pa fund, atëherë vërtetë të vjen të mendosh se çfarë trashëgimie kemi shpërdoruar në këto 20 vjet. Ia vlen të apelosh? Të bërtasësh? Po, ndaj kujt? Në Durrës nuk mjafton më as “Britma e Munkut”. Nëntoka me mbetjet antike dhe mesjetare, ka mbajtur dhe mban ende një thesar arkeologjik të vyer për kulturën evropiane dhe atë mesdhetare, ndaj do duhej një vëmendje kategorike të mos trajtohet më tej si një fushë për ndërtime. Monologoj me veten. Dy djem nga përtej na shikojnë sikur të jemi të marrë. Kemi humbur në kërkime, ndërkaq miku ynë na sqaron: “Shiko murin! Shiko këto gurët! Oh...çfarë qeramike. Shiko këtë fundin e një pitosi! Po, kjo pjesa e amforës? Boooo, shiko dhe këtë!” Ç’të thuash?
 
Intermexo


Zonifikimi dhe rregullorja për mbrojtjen e nëntokës arkeologjike të Durrësit bëri që në periudhën 1945-1991 kur zotëronte shteti si pronar i vetëm, gjërat të ishin në vendin e duhur. Qyteti ishte i ndarë në disa zona ku nuk lejohej të bëhej asnjë ndërtim. Zona-A lidhej me hapësirën religjioze dhe nuk ndërtohej; Zona-B mund të lejoheshin ndërtimet por duke vëzhguar hapjen e gjurmëve të themeleve dhe operohej vetëm nëse nuk hasje në material arkeologjik; dhe Zona-C, ku gjendej periferia e qytetit antik mesjetar ku ndërtimet e reja shkonin paralel me gërmimet. Në ditët tona, kjo jo vetëm s’është respektuar, por ka gjasa edhe të mos ndryshojë, pasi korrupsioni i të gjithë strukturës qeveritare bashkë me agresivitetin e pronës private ndaj institucioneve shtetërore në Shqipëri është i pamatë. Ndoshta, një verdikt politik, sipas të cilit në Durrës të  mos ndërtohej në zonat kryesore, do të ishte për momentin një zgjidhje oportune. Sikur!
 

Në gropat e tjera


Pak pasi jemi larguar e i afrohemi Shënavlashit dhe më vonë edhe Kënetës, gjendja duket pothuaj e njëllojtë, por këtu mund të gjesh akoma edhe më shumë gjëra. Mbi to janë degdisur gjëra të tjera. E njëjtë situatë është në Porto Palermo, por pirgjet duken më të vobekta, pasi mbi to janë derdhur gjëra të tjera. Jo larg, muri i qytetit të vjetër bizantin është lënë krejt jashtë kontrolli, nën pushtetin e ferrave dhe baltës. Ai vetë duket si një dëshmitar i pazoti të rrëfejë diçka. Në kënetë, një çift të ardhurish e kalojnë udhën të patrazuar, por për fat askujt nuk i bie ndërmend që të derdhë karrocën e tyre mbi plehrat arkeologjike. Si konsiderojnë fare. Duket si ogur i mirë që të ardhurit nga e gjithë Shqipëria, në këto vende, pak e vrasin mendjen se çfarë do mund të bëjnë me këto hedhurina. Ata janë aklimatizuar me plehrat, mbeturinat dhe si në rastin e Porto Romanos edhe me helmet. Këto plehra u duken si plehra lluksi. “Ej, e di që ka edhe brenda këtyre strukturave të Porto Romano mbetje, por janë të përziera me lloj- lloj gjërash”, dëgjoj nga pas zërin e mikut tonë që na drejton. Shpresoj që mbeturina të mos ketë dhe te plehrat e qytetit sepse atje është një sakrificë për të ikur.

 

Vazhdojmë gjejmë pjesë amforash dhe lloj-lloj objektesh që të vjen keq sepse duhet t’i lësh sërish në të njëjtin vend, ku ato do të varrosen e varrosen sërish..., por është më mirë mbase kështu. Ky është destini i tyre, në një vend që se meriton aspak këtë masë trashëgimie që koha dhe historia ia kanë vendosur mbi supe. Në një shkrim të specialistit Gjergj Frashëri, kohë më parë kam lexuar se: “Në qendrën e qytetit antik të Durrësit nuk është nevoja të spekulohet apo të vihet në dyshim në se nëntoka përmban substancë arkeologjike apo jo. Edhe në se ajo do të rezultojë se është dëmtuar kohë më parë, gërmimi dhe dokumentacioni i situatës reale duhet të kryhet i plotë. Ky është detyrim i parashikuar jo vetëm në kriteret e arkeologjisë shqiptare, por edhe në ato të Konventës Evropiane të arkeologjisë së shpëtimit, ku vendi ynë është tashmë pjesëmarrës prej fillimit të vitit 2008”. E di që kjo s’do të ndodhë asnjëherë, pasi në shumicën e rasteve privatët nuk kanë dashur të dinë. Shtuar edhe me papërgjegjshmërinë e bashkisë, sot, është arritur që të zhduket materiali arkeologjik dhe përcjellë në këto vende, ku mundohem t’i bëj ballë prej baltës së madhe.
 
Në vend të fundit


Përfundojmë në Currila, pak pas ndërtimeve, por atje s’kanë hedhur gjë ditët e fundit! Ndjehemi disi “keq” që nuk shohim të tjera, kur në fakt duhej të ishte e kundërta. Është fare e lehtë që të bëhesh një amnisti dhe të fillohej nga fillimi, pra të mos prekej asgjë. Anipse, në rast se do hetohej dhe do veprohej sipas ligjeve sot, shumë njerëz të Bashkisë së Durrësit, Ministrisë së Kulturës, apo autoritetet e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë (KKA-së), duhej të ishin pas hekurave. Heshtja e gjatë dhe vazhdimi i ndërtimeve të bën të kuptosh se e keqja është në sistem dhe koleksionistët dhe të tjerët mund të kënaqen ende me mbeturinat arkeologjike.

 

Pak muaj më parë u apelua hapur për 11 gropa ndërtimi të adresuara, në të cilat nuk duhet të kryheshin ndërtime pa kryer më parë detyrimin ligjor për kërkime të rregullta arkeologjike, por asgjë s’u bë. E të mendosh se plot  4 prej tyre ishin mu brenda Zonës-A, atëherë e kupton hapur sfidën e të keqes, ku patjetër Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, Instituti i Monumenteve të Kulturës, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës dhe profesorë të Institutit Arkeologjik në Tiranë, anëtarë të KKA-së pranë Ministrisë së Kulturës janë në dijeni dhe të mos themi edhe bashkë-dëmtues në këto prishje.


...


Largohemi, ndërsa Durrësi i Nëntorit 2013, bëhet gjithnjë më i hirtë nën shiun që fillon me intensitet. Disa foto në darkë ia përcjell një autoriteti, por pa përgjigje. Kur kaloj dhe pirgun e plehrave arkeologjike në autostradë, fillojmë e mendojmë për Tiranën dhe kaosin e metropolit të madh. Askush nuk do t’ia dijë më në vendin tim... për asgjë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama