Martaneshi komuna qe fle mbi ar dhe zgjohet ne rruge me gropa

Martaneshi, komuna qe fle mbi ar dhe zgjohet ne rruge me gropa

Ka një rrugë ku nuk mund të mbash shënime teksa udhëton me makinë. Do të përfundosh duke shkruar disa zhgarravina pa kuptim. As nuk mund të mbështesësh faqen pas xhamit e të çosh imagjinatën tej, sepse do të përfundosh duke përplasur kokën. Nuk jemi në garat e “Rally Albania”, por në rrugën nacionale që bashkon Qafën e Buallit me qytetin e Krastës, në Martanesh. Kjo rrugë e gjatë prej 15 km është kthyer në makthin më të keq të banorëve të zonës, veçanërisht për shoferët e fugonave që kalojnë dy herë në ditë mbi të. “Ka 20 vite që nuk është vënë dorë në këtë rrugë”, - na tregon shoferi Isen Demiri, që punon prej vitit 1998 për transportin e banorëve drejt Tiranës dhe anasjelltas. Në kushtet aktuale rruga përshkrohet për 50 minuta. “Nëse do të ishte e asfaltuar do të shkonim nga Qafa e Buallit për 20 minuta në Krastë”, - na tregon Sali Demiri, që punon prej vitit 1994. Të dy shoferët na tregojnë se nuk kanëpasur aksidente gjatë gjithë punës së tyre. Sala dhe Iseni, dy vëllezërit që njohin çdo pëllëmbë të rrugës, na tregojnë se kujdesi që ata tregojnë në timon dhe fati i udhëheqin gjatë punës së tyre. Por jo të gjithë kanë pasur fatin e dy vëllezërve Demiri.

 

Rruga ka marrë shumë jetë njerëzish. “Nuk ka një person në Martanesh, që të mos ketë humbur një të njohur në këtë rrugë”,- na tregojnë banorët. Rruga ka në çdo kilometër, lapidarin e atyre që kanë vdekur si pasojë e aksidenteve në këtë segment. Sinjalistika është e pakët. Gjatë rrugës nacionale që bashkon Qafën e Buallit me qytetin e Krastës, në Martanesh hasim vetëm dy tabela të qarkullimit rrugor. Njëra që paralajmëron për një kthesë të fortë dhe tjetra që tregon se ka rrezik për shembjen e gurëve. Rrugës shkëmbehemi me makina që po trasportojnë krom. Kur drejt nesh vjen një makinë tjetër vendosemi në atë pjesë të rrugës, në atë mënyrë që të gjejmë hapësirat e duhura për shkëmbim. Rruga është e ngushtë dhe plot kthesa.

Nga hera e fundit që është ndërtuar rruga, dhe deri më sot asfalti është i konsumuar. Gjatë gjithë rrugës janë formuar gropa, dhe pjesë të tjera janë shembur. Edhe me ndërtimin e rrugës së Arbërit ky segment nuk eleminohet. Aktualisht tenderi është fituar për ndërtimin e rrugës nga Qafa e Buallit në Krastë, por rregullimi i saj akoma nuk ka nisur. Banorët tregojnë se përpjekje minimale për rrugën janë bërë vetëm në fillim të marrjes së tenderit para disavitesh.  Ndërsa në mënyrë sporadike një sipërmarrrës privat, ka përmirësuar disa segmente problematike rrugës. Martaneshi njihet si zona e dytë pas Bulqizës, për prodhimin e mineralit të kromit.

 

Është e vështirë të thuash nëse minierat apo rruga ka marrë më shumë jetë. Në mënyrë paradoksale banorët e kësaj zone edhe pse janë grumbullues të sasive të mëdha parash që vijnë nga eksporti i kromit, rrezikojnë jetën në rrugën e makthit. Aktualisht Martaneshi ka 2500 banorë, ndërsa 1500 të tjerë jetojnë në Martanesh, por nuk janë të regjistruar në gjendjen civile. Shumica e banorëve jetojnë në qytetin e Krastës, që është qendra e komunës. Krasta së bashku me disa fshatra formojnë komunën e Martaneshit. Kjo komunë shtrihet mes rretheve të Tiranës, Librazhdit, Bulqizës dhe Matit. Nga rrugët e dëmtuara nacionale, Martaneshi është pothuajse i shkëputur nga rrethet që e kufizojnë.

 Krasta, qyteti që me zor mbahet në këmbë

Rruga e makthit përfundon në Krastë. Fillimisht një ndërtesë shumë katëshe që po ndërtohet na lajmëron se aty ka jetë. Më pas zhgënjehemi. Para syve na dalin pallate me dritare të thyer, që ngjajnë me përbindësha me sy të plagosur. “Komuna e Martaneshit” përkundrazi është një ndërtesë e mbajtur, që duket sikur dikush e ka vendosur me dorë aty mes ndërtesave shumëkatëshe të dëmtuara. Pas saj disa pallate me zor mbahen në këmbë. Na tregojnë se banorët janë lajmëruar të dalin nga aty. Qendra e qytetit, është e mbushur nga lokale, çuditërisht. Vetëm pak orë larg Tiranës, tizofët e këtyre anëve kanë hapur një lokal me emrin “Partizoni”. Tifozë, por jo vetëm, mblidhen aty pas pune. Ka në lokal jo vetëm banorë të Krastës, por edhe të fshatrave përreth. Gjithashtu edhe banorë nga Mati, Bulqiza, Tirana e qytete të tjera i gjejmë aty. Banorët i ndajnë tavolinat edhe me qytetarë nga shtetet e tjera. Ka në Kraste kinezë, por gjen edhe serb. Madje një nga serbët është martuar aty. Së shpejti vjen në jetë një fëmijë serbo-shqiptar. Banorët e këtyre anëve janë njohur gjithnjë për tolerancën, mikpritjen, por edhe solidaritetin mes tyre. Edhe pse në verilindje Martaneshi nuk ka njohur kurrë hasmëri. Ndryshe nga rrugët nacionale që i ndajnë këta banorë nga zonat përreth, ata brenda komunës janë shumë të lidhur.

Turizmi dhe pasuritë e Martaneshit

 Krahina e Martaneshit ka një reliev kryesisht malor, që prek qiellin me majën e Dhoksit, në 2020 m lartësi. Në një sipërfaqe prej 169.2 km gjen pyje të pasura me bimë endemike dhe mjekësore. Sherebela, trumza, lule blini, çaj i malit rriten në këtë zonë. Trofta e ujërave në këtë komunë është karaktersitike. Zona si ajo e Ballenjës dhe Bizës, janë shpallur zona të mbrojtura. Pavarësisht bukurive natyrore, turizmi malor në këtë zonë nuk njeh zhvillim për shkak të infrastruktusës së dobët dhe mungesës së investimeve. Kohët e fundit është investuar në mënyrë private në ngritjen e dy hidrocentraleve, që janë kthyer në burim fitimi dhe punësimi për disa prej banorëve, në fshatrat afër Krastës. Punëtorët në këto hidrocentrale na tregojnë se këto aktivitete, që janë në bashkëpronësi të investitorëve të huaj dhe shqiptarë, ndikojnë shumë në përmisimin e jetesës së tyre, pasi shumë prej tyre e gjejnë veten të punësuar aty duke iu sjellë atyre të ardhura dhe mirëqenie.

 

Megjithatë, shumica e banorëve në Krastë punojnë në miniera për nxjerrjen dhe përpunimin e kromit. Pavarësisht pasurive që ka, kjo zonë përsëri mbetet shumë e varfër. Shumica e banorëve trajtohen me ndihmë ekonomike, ndërsa qyteti dhe fshatrat mezi mbahen në këmbë. Rrugët që lidhin fshatrat janë në gjendje të keqe jo vetëm prej relievit të vështirë, por edhe prej mungesës së investimeve. Shumë pranë Bulqizës, por edhe kryeqytetit, realiteti i kësaj zone na duket i një tjetre jete. Me ndërtimin e Rrugës së Arbërit, largësia nga kryeqytetit në këtë zonë shkurtohet nga 4 orë në 1 orë e gjysmë. Ndërtimi i kësaj rruge, përveç se do të shkurtonte largësinë do të shërbente si një karrem për ta marrë përditshmërinë e banorëve të këtyre zonave dhe për ta hedhur në realitetin e ditëve të sotme. Deri në momentin që kjo të ndodhë, të gjithë banorët e kësaj zone janë me sytë nga Rruga e Arbërit.

Miniera e kromit, mundësi për zhvillimin e komunës

Në minierën e Krastës, në Martanesh minatorët na tregojnë se puna është e ndarë. Një pjesë e tyre, punojnë për të shtuar rrugën e vagonëve, ndërsa të tjerë punojnë për shpime të reja për të realizuar plasjet. Minatorë të tjerë të kësaj miniere grumbullojnë kromin nga zona e prodhimit dhe e nxjerrin atë jashtë. Në këtë zonë, ata tregojnë se minerali nxirret në mënyrë horizontale dhe duket sikur malin e presin me thika. Pasi kromi bie poshtë nga zona e prodhimit që ndodhet në galerinë më lart, punëtorët e minierës në katet e mëposhtme e vendosin nëpër vagonë me lopatë, duke e shtyrë vagonin jashtë minierës. Jo gjithçka që vjen nga zona e prodhimit është mineral krom. Një nga minatorët që ne biseduam shkëput një pjesë të kromit, e përplas pak në tokë në mënyrë që nga minerali të shkëputet dheu, dhe e kalon në duart tona. Kështu bëhet dhe procesi i përpunimit të mineralit, duke selektuar gurët, të cilat i vendosin në një vagon të veçantë dhe kromin në një tjetër.

 

Në një tunel tjetër, ku po punohet për infrastrukturën e tij, dëgjojmë se plasja është realizuar dhe po veprohet për shtrimin e shinave të vagonëve. Në ditë në këtë minierë nxirren rreth 15 vagonë me krom. Por minatorët na thonë se minerali i kromit në këtë zonë është i varfër, ka pak ndriçim, kurse minerali i pastër peshon më shumë dhe është i ndritshëm. Rreziku në punën e minatorëve është shumë i madh. Përveç lagështirës në minierë ata kalojnë 8 orë nëntokë. Gurët rrezikojnë të shemben, ndërsa në plasje rreziku shtohet dhe më shumë. Në minierat e Theknës veprojnë rreth 22 subjekte, që kanë të punësuar nga 12 deri ne 50 minatorë, dhe pagesat mujore variojnë nga 500 mijë lekë të vjetra deri në një milion lekë të vjetra. Kjo është arsyeja se përse në orën 7 të mëngjesit Krasta gumëzhin dhe mbushet nga qindra banorë.   


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama