Maliqi nga hici ne hic

Maliqi, nga hici në hic
Një vendbanim, dikur tejet i gjallë i Shqipërisë, tashmë po firon prej pamundësisë së punës dhe mungesës së perspektivës. Të gjithë i frikësohen hijes së Kombinatit, që duket sikur po gëlltit të tërë imazhin e dikurshëm por edhe po mban pezull fatin e qytetit. Të rinjtë preferojnë të ikin larg, ndërsa Kombinati i Sheqerit, simboli i qytetit, është kthyer në një grumbull gërmadhash dhe simbol të papunësisë së qytetit...

Burri pozon pa e prishur fare gjakun. Tani është punëtor aty, por dikur ka qenë punonjës aktiv. Më pozon para orës në fasadën e një ndërtesë gati 10 metra të lartë. Ka mbetur...

Gjithçka ka mbetur në Maliq: Këneta, njerëzit, këto rrangulla gjigandësh, sheqeri dhe fati. Qyteti do të bëhej sërish ‘i njohur’ pak ditë më parë, kur në një nga emisionet më të ndjekura të Tch, do të tregohej mënyra e keqe sesi po menaxhohej ai, që quhej më parë, Kombinati i Sheqerit. Me pak fjalë, katastrofa, që shoqëron sot fatin e Maliqit është edhe fati i qyteteve të vogla të Shqipërisë. Islami, që ka punuar dikur aty, më shmang. Nuk është mirë ta shohësh, më sqaron. Është bestyt. Këta që e administrojnë janë të hidhët. “Po, ai nuk ekziston më”, i them. “Jo, tamam”, përgjigjet 56 vjeçari, i veshur me beretën karakteristike të banorëve dhe një golf me zinxhir.

Vërtetë, ai nuk ekziston më, por ka mbetur e gjallë gërmadha e ndryshkur e konsumuar dhe tejet e vjetër dhe mbi të gjitha memoria e njerëzve. Dhe, këtë nuk e shkul dot aq lehtë me kalimin e viteve. Por, sot Kombinati, që gjendet në cep të qytetit të vogël në juglindje të Shqipërisë, është më shumë se makth. Zezona e hijes së rrangullës së tij përzihet me të kuqen e murrëtyer të tullave duke shkaktuar si përditë jo vetëm ngurrimin e banorëve por edhe prodhon temat e thashethemet ditor të njerëzve. Të gjithë i shmangen, kur futen në qytet edhe pse atij nuk i shpëton dot prej përmasave ciklopike dhe hektarëve të pafund që zë. Maliqi ka strukturën e vjetër të një qyteti rus dhe ndërtesat e vjetra, e japin të pastër këtë imazh. Pak minuta më vonë, në pritje të kryetarit të Bashkisë, një grup burrash i lënë vendin njëri-tjetrit, në paradhomën e kryetarit dhe tërheqin që andej një vërtetim.

 Janë shumë të edukuar edhe pse vërtetimi lidhet me diçka si asistencë të tyre. Askush nuk e ngre zërin. Përvuajtja e këtyre banorëve është gati proverbiale. Megjithatë maliqiotët janë punëtorë të mirë dhe nuk i janë nënshtruar aq shumë fatit. Selimi, Roberti, të tjerë, që s’ua mbaj mënd emrat- janë njësoj. Varfëria dhe fati i ka mbledhur pa shumë shpresa në ato ndërtesat që e ruajnë të paprishur tisin e ndërtimeve të ’50-’60 të një stili allosoj rus-lindor. Dhe, këtu jetojnë. Ndoshta në vitin 1952, kur një pionier i vogël i dorëzonte Enver Hoxhës, sheqerin e parë, kjo mund të kishte ndonjë kuptim, por sot...?

Për Maliqin

“O, të erdha sot..., o të dhj.... Ai i ka mirë të gjitha. Le të dëgjojë. Me çfarë ta mbyll unë muajin. Hë me çfarë ta mbyll”, vikat gruaja me të madhe, ndërsa njeriu i kioskës ia bën me shenjë, që të mos fjalë me kaq zë të lartë. “Pse çfarë humbas, i thotë. Çfarë do më marrin më? Mi kanë marrë të gjitha. Ç’më shikon kështu”, më drejtohet mua. Katër orë e gjysmë nga Tirana, pas një udhe vërtetë të keqe, mua s’më ka mbetur asgjë. Po, kam qenë veç pak minuta me kryetarin. Edhe pas takimit me të, nuk më ikën imazhi i mbartur i qytetit: Jam pothuaj në një qytezë fantomë. Me gruan, që vikaste miqësohemi. Madje, më fton në shtëpi pas një bisede të shkurtër. Aty në këmbë më shpjegon sesi punonjëse e vjetër ka pension me të shoqin, por paratë i shkojnë për një fëmijë të sëmurë dhe jetën e tyre. “Jetohet dhe kështu”, më bërtet sërish kënaqur nga tulatja ime.

Ka dalë në pension aty nga viti 1995, koha kur në qytet ishte viti i fundit që prodhoi sheqer. Që atëherë, me vendim qeverie i gjithë panxhari kaloi në Maqedoni dhe shqiptarët maliqiotë, tashmë do e blinin që andej sheqerin e tyre. Kjo ishte tragjedia e qytetit dhe dënimi i tij me vdekje. Plaka ikën.

Në qytet

Burri që ka kioskën e vogël, afër xhamisë, ku bëjmë muhabetin me plakën, ka qenë dikur punonjës në Kombinat. Njësoj edhe dikush pak më andej që shet erëza dhe dikush tjetër afër tij. Në këtë qytet ikin, baresin ose të gjithë shesin dhe blejnë lloto. Të tjera gjëra nuk ka. “A do të më japësh nja tre lloto more. Po fitova tek ty do të vi sërish”, i thotë burri, shitësit që shet gazeta dhe në të njëjtën kohë dhe llotot e qytetit te Klan. Blihen vetëm llotot e Klan dhe gazetat thjesht lexohen aty. “Ah, ke fituar këtu. Ke një falas për javën tjetër”, ia kthen burri. Kronika e këtij qyteti është nga më të zhveshurat në këtë vend. Pak personazhe sorollaten pa kuptim në bulevardin e vetëm të qytetit. Nuk kapen për dore. Koha, që po pres Verën, ish-drejtoreshën e Kombinatit, më jep mundësinë të këqyr andej-këndej. Duket sikur një grup banorësh, kanë kapur një qendër banimi.

Burri i kioskës më jep shpjegime telegrafike: territori i bashkisë së Maliqit kufizohet në veri, jug dhe në lindje me Komunën e Libonikut, ndërsa në perëndim kufizohet nga komuna Voskopojë dhe Lozhan. Në veri dhe verilindje si kufi shërben lumi Devoll, në gjatësinë nga hyrja e qytetit dhe deri në fshatin Plovisht-Bos... Janë 8200 banorë dhe gati 2200 prej tyre banojnë në fshat. Sipërfaqja e qytetit është 72 hektarë dhe ndodhet 13km larg qytetit të Korçës”. Nuk e lë më. I hap një muhabet sporti. Prezantohem dhe me një burrë që lexon gratis një gazetë. Maliqi i sotëm është një grumbull banesash pa arkitekturë dhe i zbehur përherë e më shumë nga ajo që përfaqësonte dikur. Selimi, që më këqyr indiferent- sikur të më lexojë mendimin, më thotë se: qyteti e ka të rrënjosur shumë të shkuarën sepse dhe banorët kanë origjinë të përzierë nga i gjithë vendi. Madje njerëzit në Maliq kanë të drejtë që të jetojnë me të shkuarën, sepse aty janë pikat e tyre të referimit, ndërsa e ardhmja për ta duket se është larg, shumë larg. Me pak fjalë, qyteti i Kombinatit të Sheqerit që ëmbëlsonte shqiptarët në kohën e hidhur të diktaturës, sot është thjesht një hillësirë në këtë botë pakuptim shqiptare.

Intermexo

Bash në këtë botë, pakuptim, një nga qytetet më të reja shqiptare u ngrit në një zonë të rëndësishme arkeologjike. Emri i iku përcaktimit të kënetës, që u tha dhe i mbeti një qyteti të ri, që fillimisht u popullua nga oficerë dhe aksionistë. Por, qyteti ishte bash i vjetër: Në punën e madhe kur u tha këneta u zbuluan pjesët e ndërtimeve palafite (ndërtesa me drurë mbi ujë) si dhe shumë sende të rëndësishme me vlerë arkeologjike. Vendi kishte një florë dhe faunë të pasur, prej kënetës, që e humbi në këmbim të mijëra hektarëve tokë.

 Natyra iu bind Njeriut. Komunistët nuk e humbën kohën kot. Pas bonifikimit nisi me teknologjinë e vjetër ruse dhe bullgare ndërtimi i Kombinatit të Sheqerit, një vepër madhore për ekonominë e Shqipërisë. Ndërsa, në gjithë fushën këtej e tutje, do mbillej panxhari, kurse kombinati do e përpunonte. Një sistem i gjithë zinxhir, funksiononte, kurse pranë tij, ishte TEC-i, që është edhe sot, por katandisur si mos më keq i cili furnizonte me energji qytetin dhe një pjesë të rrethinave përreth. Sot, Kombinati është një shoqëri anonime pronë e Bashkisë që drejtohet nga Asambleja dhe nga një Këshill Mbikëqyrës me një drejtor me stafin e vet. Kaq

Në ishte dikur

Në këtë hapësirë erdhën pak nga pak punëtorët, oficerët, inxhinierët, teknikët nga e gjithë Shqipëria. Banorët e parë, që lanë fshatin, gjetën një vend pjellor, kurse në kohën e lirë shkonin dhe bënin piknikë drejt kodrave të Gradishtës si dhe të Hijes së Korbit, të cilat në lashtësi kanë qenë po ashtu vendbanime. Banorët krijuan një lloj solidariteti, kurse shkollat dhe kushtet në qytet barabiteshin deri diku dhe me Korçën e rëndë. “Fill pas vitit 1950, kur u tha këneta, babai im ka qenë aty, më ka thënë Selimi- punuam mbi 13 mijë punëtorë dhe mes tyre dhe të burgosurit dhe të deklasuarit e asaj kohe. Për ata që se përballonin dot zhyteshin dhe nuk dilnin më”. Kjo ishte një nga tragjeditë dhe në një romanet e para të Realizmit socialist me titullin “Këneta”, Fatmir Gjata e përshkruan ashpër këtë realitet. Në qytetin e sheqerit, do të punonin plot 1500 punëtorë vendas dhe bashkë me banorët e fshatrave përreth do qetësoheshin respektivisht në fabrikën e sheqerit, atë të nishestesë, dhe atë të alkoolit, si dhe atë të prodhimit të gazit.

 Në kohën e lirë argëtoheshin dhe Maliqi deri vonë ka pasur një nga ekipet më të mira të futbollit. Tani ka ndryshuar. “Të gjithë e kemi aty te loto. Po pse jetohet pa të ore...”, më thotë një djalë, që nuk ia ndan sytë grupit të mësueseve korçare, që u ka ardhur koha të kthehen pas në shtëpi. Kujtoj se kjo zbavitje e tij, dikur shoqërohej me faktin që Maliqi do të krijonte Estradën nga aktori Koço Qëndro. Sikur të mos mjaftonte Aleko Prodani, Dhimitër Pema, Lirika Frashëri, nuk do të ndaleshin. Ata krijuan grupin gjysmë profesionist të estradës dhe aty u mendua që të shtohen edhe disa numra akrobacie. Të mendosh nuk ishte as në Korçë. Të gjithë këto janë larg tani.

Kombinati

Ka mbërritur Vera dhe Selimi më ‘braktis”. Vera ka qenë në vitet e fundit drejtoreshë e Kombinatit dhe është një nga njerëzit e PS-së së qarkut. Pak ditë më vonë do gjendemi përballë në protestat e Opozitës. Vera nuk ndryshon shumë me banorët e tjerë të qytetit dhe shndërrimit të tij. Të gjithë këta janë mbyllur në një qerthull pa rrugëdalje. Si mendimet e tyre! Duke u përpjekur të gjejnë mbijetesën e shtyjnë frikshëm, një kohë, ku të gjithë janë gati me asistencë. Vera gjen një mundësi dhe më fut brenda në Kombinat! Të mendosh, është vështirë që të futesh sot brenda në Kombinat. Ata, që e administrojnë sot, nuk janë aq dashamirë dhe sidomos me gazetarët. Gjej një mundësi dhe endem i vetëm në Kombinat. Marr udhën i vetëm dhe kurdo, male hekurash që nga forma e tyre, tregojnë se dikur aty është punuar.

Ndërsa ndërtimet e vjetra, të kuruara me kujdes, tregojnë seriozitetin që është punuar. Kombinati i Sheqerit ishte baza industriale e gjithë zonës. Të mendosh se mbyllja e këtij kombinati krijoi një vdekje të përkohshme për zonën sepse ajo funksiononte si punë zinxhir. Punonte miniera, punonte dhe TEC që furnizonte me avull kombinatin dhe me energji elektrike të gjithë zonën. Dhe, aty prodhohej sheqer gati 220 ton. Ishte e gjithë fusha e Korçës që mbillej në rreth 6090 hektarë dhe qindra punëtorë nga gjithë fshatrat. “Pas kësaj katrahure nga gjithë kjo hapësirë prej 52.000 metra katror me gjithë asetet e saj që ka kombinati për mua –që të rindërtohet nuk di si të them! Të bëhet i ri do teknologji tjetër! Ajo ka teknologji ruse dhe të përzierë me bullgare dhe me gjërat tona nga ’79 dhe do ishte mirë të bëhej një qendër industriale dhe të shfrytëzoheshin gjithë ato ndërtesa të pavdekshme sepse janë bërë shumë mirë. Faktikisht është bërë me vendim qeverie dhe përfaqësues është Bashkia”.

 Në fakt, Bashkia për këto vite s’ka pasur asnjë fond për ta mbështetur. Ajo e mbajti pak por nuk mundi. Kur erdhi Vera drejtoreshë gjërat ndryshuan disi, por deri në nivelin e administratës. Ajo u përpoq me ata pak njerëz që kishte mos ta linte më objektin që të degradonte. Një djalë, që më shoqëron, nuk di çfarë të më tregojë. Ai e di vetëm në mënyrë konvencionale. Por, strukturat e tëra të fabrikave, tashmë heshtin në një ndryshk të tejfrikshëm. Një hapësirë e tejmadhe, ku hekurat, platformat, strukturat, oxhaqet, ngatërrohen frikshëm, e ke përballë. Një burrë më pozon sërish. Kaloj dhe humbas. Jam një liliput në hapësirën e madhe, ku tashmë nuk pitëtin asgjë. Platforma të tëra ndërtesash, rrinë të heshtura. Verën e gjej të menduar. “Maliqi sot, e them si vajzë Maliqi- më dhemb në shpirt. Ka humbur gëzimi, dashuria për diçka”, shton e pezmatuar.

 Në fakt, po të futesh në kombinat shikon këtë madhështi dhe brengën që sjell më pas braktisja e tij. Dhe, ardhi ajo ditë. Mbyllja e kombinatit, që sot duket si një vepër e pastër politike, do të thoshte që fshatarët të mos kishin më lëndën e parë, punëtorët punën dhe Shqipëria sheqerin. Tash dhe dy fabrikat e Niseshtesë dhe Alkoolit e blejnë nga Serbia dhe Greqia. Fundi i kombinatit ishte fundi i Maliqit. Vera ngre supet. Më ka ndihur shumë. Në orën 17.00 në qytet janë vetëm pak meshkuj dhe ata që luajnë në loto.
...
Maliqin tashmë e bashkon vetëm morti, më thotë gruaja që e ka marrë malli për qytetin e saj. Atë të vërtetin, që ajo nuk do ta shohë më kurrë, me të gjithë pemët: gështenja, lis, dushk. “Ishte si një qytet i paqëm rus”, më thotë gruaja simpatike. I them se dua të iki. Këtu merr fund udhëtimi i para pak ditëve në Maliq. Plaka, ka shkuar sërish te kioska. Sërish i bërtet shitësit, por miqësisht :“O të dhjef...sa i ngadalë që je...”. Thonë që edhe varfëria të jep humor. Por, ky humor në Maliq quhet vërtet humor i zi.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama