Maks Velo kur piktura ulerin dramen e pashterueshme

Maks Velo, kur piktura ulerin dramen e pashterueshme

Një Shqipëri e drobitur, e zbehur, e varfër, e çoroditur dhe e përhumbur nga vitet e izolimit utopik komunist. Një Shqipëri, e cila shkatërroi, groposi dhe burgosi bashkë me artistët dhe vetë qenien e historinë bashkëkohëse të saj. – Një prej atyre artistëve ishte dhe Maks Velo.


Maks Velo i lindur në Paris dhe i diplomuar në Politeknikun e Tiranës është sot personazhi, i cili me bardhë e zitë e tij shikon botën me ngjyrat e errësirës të së kaluarës. Piktura e Maks Velos përshkruan, tregon, gati-gati ulërin përmes ekspresivitetit të njollave antropomorfe, të cilat depërtojnë thellë në indet e nënlëkurës njerëzore. Njolla, që kur përballesh me to për herë të parë ngjajnë si shkëmbinj, si përbindësha, si klithma memece ku askush nuk i dëgjon dhimbjet e rënda të kohës që ato mbartin mbi supe…[…]. Ndonëse i drobitur nga kalvari i gjatë i mugëtirës së kohës, e cila nuk fliste, nuk dëgjonte dhe nuk shikonte, përsëri artisti Velo arriti ta joshte vetë kohën kryeneçe, duke e gjunjëzuar nga epshi i papërmbajtur përballë krijimeve të tij. Krijime me në qendër NJERIUN si në kohërat e humanistëve dhe rilindësve.
Shenja, njolla, forma dhe vëllime gati një botë/ndjenjë apo shpirt i kodifikuar, i cili kërkon të shpërthejë, të ulërasë, të komunikojë me botën. …Bota, që dikur i qëndronte me karshillik përballë botës së tij. Një botë misterioze, sureale, e cila brenda qenies së saj ngërthente emocionet e një shpirti poetik Migjenian, lirikën e mendimit sofist ontologjik si në monologun e Platonit dhe rendjen me imagjinatën e hipnotizuar kundrejt elegancës së shenjave dhe vizatimeve parahistorike të gërricura në sipërfaqet e shpellave shkëmbore të Altamirës, Akakusit dhe Laskosës.


Piktura për Velon është dritarja e munguar për të parë jashtë vezullimin e dritës, për të ndjerë freskinë ledhatuese të flladit pranveror, por edhe magjinë e borës së bardhë të dimrit. Të vetë ekzistencës së jetës me esencën plot ngjyra vjeshtore të cilat përzihen me njëra-tjetrën si në tavalocën ekspresive (Neue Sachlichkeit) të Otto Dix-it, duke prekur përjetime të zymta dhe duke shkelur nëpër shtigje vegimesh të zbrazëta. Në impaktin e parë piktura e Maks Velos duket abstrakte e pakuptimtë. Një pikturë, e cila ngjan të vij nga larg, shumë larg, nga një galaksi e mbipopulluar me yje të verdhë si vetë e verdha e vdekjes, e zezë si vetë fati që e rrethoi dhe vjollcë e shpëlarë në blu kobalt si dritëhijet grafike të vetë jetës së tij. Por jo, ajo është shëmbëlltyra më e pastër e universit brenda tij. Një univers, i cili krijohet nga shpërthimi i një përplasjeje metafizike e ngjashme me vrimën e zezë të trupit qiellor, i cili pas vdekjes së yjeve çliron jashtë përreth tij një fushë të jashtëzakonshme gravitacionale, duke ekuilibruar si rrjedhojë pikërisht aty ditën dhe natën, lindjen dhe vdekjen, dritën dhe errësirën...


Krijimet e Maks Velos nuk janë thjesht njolla të zeza fantazmë, ndonëse ngjajnë me to, por gjurmë si ato kur ecim zbathur buzëdetit mbi rërën e lagur për të treguar që në këtë botë kam jetuar edhe unë. – Dramatike, aq sa vullkani values shpërthen në sipërfaqen e kores së tokës me llavën përvëluese, duke krijuar forma sureale antropomorfe, të cilat duken si hijet e dhimbjes së Macbeth-it (Makbethit), ku artisti kërkon të hapë Parajsën dhe Ferrin përmes një gjuhe të kodifikuar pamore sa real aq dhe sureal.


Gjuha e stilizuar pamore që artisti përdor në ngjizjen e mendimeve në pikturën e tij është ajo e një vetëportreti. Varrezat, demonët, vallet, lindja, komunikimi, vendet e torturës dhe peizazhet nuk janë gjë tjetër, por copëzat e një vetëportreti të simbolizuar. Një vetëportret, i cili të sheh me sy të zgurdulluar drejtë në sy, si për të shprehur gjithçka mbi zbrazëtinë e të ardhmes, që e pret dhe gjithçka mbi cungimin e gjymtyrëve të fjalëve dhe lirisë që la pas […]. Koha vërtitet rreth e rrotull mbi krye të artistit krijues, sikurse Zeusi i shndërruar në mjellmë për të joshur Ledën, ashtu dhe Maks Velo u shndërrua në Melpomene, duke i kënduar tragjedisë dhe vuajtjes me notat e lirisë të së tashmes përmes veprave të tij.


Piktura e Velos buron e pastër, e kthjellët dhe e ftohtë nga abiset më të thella të shpirtit njerëzor, sepse ajo i përket një realiteti krejt të veçantë ku ndërthurja midis të qenurit dhe mos qenurit në një luftë për ekzistencë, të dukshmes dhe të padukshmes, midis një bote me ngjyra dhe një tjetre bardhë e zi duken sikur të jenë shkëputur nga metamorfoza (Die Verëandlung) dhe procesi (Der Prozess) i Franz Kafka-s, jusnaturalizmi i Immanuel Kant-it apo psikanaliza e Sigmund Freud-it.


GJENDJET


Piktura e Maks Velos është një gjendje shpirtërore, e cila udhëton në simetri të plot midis të shkuarës dhe të tashmes, midis përjetimeve dhe vegimeve. Një pikturë që ulërin, materializon, ligjëron dhe tregon dhunën, terrorin e një dramë të pashterueshme psikologjike të një ideologjie utopike boshe, të zbrazët. Të zbrazët si vetë realiteti pangjyra i asaj periudhe. Të zbrazët si nata e verbër-memece pa yje, ku degët e pemëve të zhveshura e të thara në mesin e një nate dimri depërtojnë në zemër të hënës së përgjakur nga lotët e dhimbjes së një artisti. Gjithsesi, Maks Velo ia arriti t’i mposhte të gjithë këto demonë dhe vuajtje, duke na përcjellë përmes eposit të tij artistik vlera sa origjinale aq dhe gjurmë personale të një fuqie hyjnore-primitive në vetëportretizimin e qenies së tij. Një epos si pasqyrë e ndërgjegjes.


Stilizimi i formës është boshti i krijimeve të artistit Velo. Ai tejkalon të vërtetën, krijon një të vërtetë të tij. Një të vërtetë, e cila nëpërmjet stilizimit gdhend ndjenjën, terrin-errësirën, e cila qëndron përkrah tij, ajrin dhe hapësirën, duke krijuar krijesat me të cilat arrin të shkrijë atë ngërç brenda vetes dhe të komunikoi me realitetin, me botën.


Të analizosh peizazhet apo pikturën e Maks Velos është njësoj sikur të zhytesh në rreshtat e poemës së Iliadës dhe Odisesë në përshkrimin e luftës së Trojës, ku Akili arriti të sprapste skllavërinë nga pushtuesi në mbrojtje të një kulture dhe lavdie historike. Ashtu dhe artisti Velo shpërtheu brenda kafazit të hiperbolizuar të realizmit socialit, duke injektuar njollat e para të artit modernist shqiptar.


Maks Velo nuk bëhet asnjëherë “skllav” apo kopjues i rëndomtë i natyrës, por një interpretues brilant i saj, duke i dhënë zhanrit të pikturës së peizazhit një liri, dinamikë, kolorit dhe stilizim të një modernizmi bashkëkohës.


Në këndvështrimin kohor dhe stilistiko-poetik krijimtaria e Maks Velos ndahet në dy periudha të mëdha shumë të rëndësishme për historiografinë e artit pamor shqiptar. Periudha e parë, e cila nis fill nga vitet e para pas studimeve universitare deri në vitin e trishtuar 1978 të arrestimit të tij nga zbrazëtia mediokre utopike e një sistemi të dështuar […] dhe periudha e dytë është ajo e pas viteve 1990 e deri më tani.


PERIUDHA e PARË


Piktura e periudhës së parë të Maks Velos është një pikturë, e cila gërsheton elemente dhe stilistika të larmishme të piktorëve më në zë të pikturës evropiane në kapërcyell midis shekullit të XIX dhe shekullit të XX. Peizazhet e periudhës së parë përcjellin alegri, gëzim, dritë-shpresë, stilizim, ngjeshje të ngjyrave dhe shkathtësi, të cilat dukshëm sjellin në vëmendje pikturën e artistit italian Gino Rossi. Piktori Maks Velo gjen një tjetër pikëtakimi përtej artit me piktorin Gino Rossi, një aspekt jetësor, atë të vuajtjes në burg të artistit italian gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Një pikëtakim në analogji simetrike për nga aspekti jetësor, por në një asimetri kohore në të cilën të dy artistët vuajtën dramën e madhe të burgut. Dramë, e cila u kthye në muzën e tyre frymëzuese për të shprehur dhe zbrazur të gjithë botën e ngujuar brenda mureve të shpirtit krijues të tyre.


Në peizazhet e periudhës së parë të Maks Velos në këndvështrimin tim analitik, zë vend edhe një tjetër element stilistikor ai i fovizmit të piktorit francez Othon Friesz. Trajtimi i ngjyrës, ekspresiviteti dinamik i linjave, vezullimi plot dritë i ngjyrave të hedhura guximshëm, si dhe kontrastet e forta të cilat krijojnë një grafikë poetike në ndërtimin e formave dhe vëllimeve brenda peizazheve të Maks Velos.


PERIUDHA E DYTE


Piktura e periudhës së dytë të Maks Velos është një periudhë, e cila revolucionoi thuajse krejtësisht pikturën shqiptare të pas viteve ’90. Fuqia interpretuese, stilizimi nëpërmjet njollave antropomorfe të subjekteve dhe përqafimi që artisti i bëri bardhezisë në lëvrimin e teknikës së grafikës bëri që në pikturën shqiptare të ngjizej një frymë e re të bërit art. Nëse në periudhën e parë në pikturën e Velos mbizotëronin ngjyrat e ndezura, në periudhën e dytë ndodh e kundërta (ndonëse artisti vijon të realizojë peizazhe plot kolorit të ndezur) kalojmë nga peizazhet me pastel në grafikat me lavi dhe monotip.


Peizazhet në këtë periudhë zhvishen, zbrazen, braktisen edhe nga vetë ngjyrat, duke i lëshuar terren zhvillimit dhe kultivimit të një plage kurrë të mbyllur, të një shije të prishur nga përzierja e një reaksioni psikologjik. Peizazhi humbet strukturën e tij të origjinës. Shpëlahet dhe rindërtohet përmes një mendimi të vetmuar, duke u kthyer në sheshbetejë të një simetrie të sëmur vuajtjesh, të një psikoze kaotike të pafuqishme për të fluturuar lart dhe larg nga torturat e një të shkuare gati të tashme.
Tanimë artisti Velo në peizazhet e tij kërkon të kapë madhështinë dhe lirinë e hapësirës që të dhuron natyra, duke materializuar në të ngushëllimin e ftohtë të dhimbjes, zbrazëtinë e vetmisë dhe universin e anktheve të cilat së bashku gdhendin forma dhe krijesa të një galaksie tjetër. Peizazhe, të cilat popullohen me krijesa shkretane të cunguara herë pa koka, herë pa krahë, herë pa këmbë dhe herë pa të gjitha, duke i shpërndarë ashtu si krijesa pazot nëpër lugjet dhe humnerat e peizazheve te tij surealo-konceptuale.


Një rrafsh-plan i sheshtë, i cili përbërësit e peizazhit i shkëput nga gjiri i nënës natyrë dhe i ngjit ata në hapësirën e grafikave të tij. Një primitivizmi që zgjohet nga mugëtirat e kohës për të shfletuar kalendarin krijues të qenies së vetë Maks Velos. Veprat e titulluara “Ishulli i lebrozëve” apo “Lulja” ndjehet një marrëdhënie e gjallë midis subjekteve të trajtuara, një marrëdhënie, e cila shkon përtej subjekteve dhe mundohet të komunikojë me to. Sepse artisti “S’duhet të pikturojë sendet, por duhet të hyj në to, duhet vërtet të bëhesh send” Georges Braque.


Maks Velo nisi rrjedhën artistike të tij me subjekte realiste plot ngjyra vezullues, por mbërriti pas një evoluimi dhe katarsisi në kërkim të vetvetes, në atë sureale të bardhë e zisë. Piktura e artistit Velo është një dikotomi e gjallë dhe e prekshme përmes krijesave të tij. * Historian arti


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama