Kategoritë që e shmangin
Në nenin 9 të ligjit të ri “Përjashtimet nga pagimi i taksave kombëtare”, qartësohen 5 kategori të cilat nuk paguajnë taksën. Kategoria e parë janë “mjetet në pronësi të ambasadave dhe organizatave ndërkombëtare, që gëzojnë status diplomatik, të akredituara në Republikën e Shqipërisë duke zbatuar parimin e reciprocitetit”. Pra, për makinat, diplomatët e huaj nuk paguajnë taksën, me kusht që edhe diplomatët shqiptarë në vendin e tyre të përfitojnë në të njëjtën mënyrë.
Kategoria e dytë dhe më e rëndësishmja, janë “personat fizikë ose juridikë, të cilët deklarojnë brenda muajit janar të vitit në vazhdim, se nuk do të qarkullojnë me mjetet në pronësi të tyre gjatë këtij viti kalendarik ose do të dalin përfundimisht nga qarkullimi dhe dorëzojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor targën dhe lejen e qarkullimit të mjetit”. Pra, janë ata persona që vendosin të mos e përdorin më mjetin, për shkak të shkatërrimit të tij apo mosfunksionim për arsye të tjera. Si këta persona ka më mijëra, të cilët figurojnë akoma si përdorues në Drejtorinë e Transportit Rrugor, por që kanë vite që nuk paguajnë asnjë taksë. Në ligjin e ri, në rast se një person do të shmangë pagimin e taksës për një automjet të cilin nuk do e përdorë më, duhet të kryejë procedurën e mësipërme. Nga ana tjetër, ka edhe një kategori personash që për një arsye ose një tjetër, nuk do të jenë në Shqipëri dhe, si rrjedhojë, nuk do e përdorin automjetin për një vit. Këta mjafton ta dorëzojnë lejen e qarkullimit dhe, rrjedhimisht, janë të përjashtuar nga taksa për vitin që nuk e përdorin makinën.
Kategoria e tretë janë pronarët e makinave të bllokuara. Pra, pronarët e makinave që janë duke kryer një dënim. Sipas ligjit të ri, këta persona nuk kryejnë “pagesat e taksës së mjeteve të bllokuara me vendim të gjykatës, prokurorisë etj., për periudhën në të cilën mjeti ka qenë i bllokuar.”
Kategoria e katërt janë “autoveturat tip 4+1 vende dhe me cilindratë jo më shumë se 2500 kubikë, kur këto mjete kalojnë në zotërim të invalidëve e të veteranëve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar, invalidëve të punës, të verbërve, invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë që e fitojnë këtë status në bazë të ligjeve përkatëse dhe e përdorin vetëm për nevojat e tyre personale dhe jo për veprimtari private.” Pra, duhet që këta individë të mos i përdorin makinat për biznes.
Ndërsa kategoria e pestë janë makinat bujqësore. Këto të fundit janë të përjashtuara nga taksimi, bashkë me rimorkiot. Në fakt, mjetet pa motor e kanë zero taksën, sepse vetë formula bazohet në fuqinë motorike të mjeteve. Mjete të tilla janë p.sh. tërheqës rrugor apo autokamp.
Në fakt, në ligj ka edhe një kategori tjetër të gjashtë që nuk paguan taksën. Kjo kategori nuk është e përcaktuar në nenin 9 të ligjit, por në formulën e llogaritjes së taksës. Ligji përjashton nga pagimi i taksës vjetore të makinave të përdorura, automjetet e reja deri në tri vite përdorim. “Mjetet qe janë tre vjet të vjetra të përjashtohen nga pagesa e taksës vjetore e mjeteve të përdorura bazuar në faktin se këto mjete janë të reja dhe nuk sjellin ndotje mjedisore”, theksohet në relacionin e ligjit. Sipas statistikave, numri total i mjeteve te reja me 0 km të regjistruar gjatë vitit 2010, është 3354 automjete dhe 1986 motomjete.
Shembull për taksën e re
Taksa e qarkullimit të mjeteve të përdorura paguhet çdo vit sipas formulës: Cilindrata në cm3 x koeficienti sipas vjetërsisë x taksa fikse për llojin e karburantit (Taksa fikse për llojin e karburantit është 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën. Koeficientet për vjetërsinë, për tri vitet e para janë 0, më pas bëhen 0.18 dhe rriten me 0.02 për 10 vitet e para. Pas vitit të dhjetë, koeficienti rritet me 0.04)
Shembull
Një person ka një automjet të vitit 1996, me naftë dhe me fuqi motorike 2000 kubikë. Sipas formulës, ai do të paguajë në vit 2000 (cilindrata) x 0.48 (koeficienti për vitin e prodhimit, 1996) x 25 (taksa fikse për llojin e karburantit). Në fund, taksa vjetore është 24 mijë lekë.
“Përjashtimet nga pagimi i taksave kombëtare”
1. Mjetet në pronësi të ambasadave dhe organizatave ndërkombëtare, që gëzojnë status diplomatik, të akredituara në Republikën e Shqipërisë, duke zbatuar parimin e reciprocitetit;
2. Personat fizikë ose juridikë, të cilët deklarojnë se nuk do të qarkullojnë
3. Makinat e bllokuara nga policia apo prokuroria për ditët që janë të bllokuara.
4. Autoveturat jo më shumë se 2500 kubikë, të invalidëve e të veteranëve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar, invalidëve të punës, të verbërve, invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë që e fitojnë këtë status në bazë të ligjeve përkatëse dhe i përdorin vetëm për nevojat e tyre personale dhe jo për veprimtari private.
5. Makinat bujqësore apo rimorkiot
6. Makinat e reja deri në tri vite përdorim