Makina e vrasesve te Arjan Selimit u filmua nga kamerat

Makina e vrasesve te Arjan Selimit u filmua nga kamerat
Vrasja e Arjan Selimit, një prej personazheve të njohur në botën e narko-trafikut, vazhdon të mbetet ende mister dhe në shpresën e disa pamjeve filmike të marra nga një kamera. Burimet flasin për një kamera në vendin e ngjarjes, e cila ka filmuar makinën e autorëve të vrasjes, por në këtë fazë të hetimit detajet mbeten ende të paqarta. Burimet nuk konfirmojnë nëse kamera mund të jetë e instaluar nga policia, pasi Arjan Selimi prej gati një viti ishte në arrest shtëpie, apo i përket një vile private, që ndodhet pranë pallatit ku banonte viktima.

Sipas të dhënave të para, mësohet se oficerët e ngarkuar për zbardhjen e ngjarjes tashmë kanë mundur të administrojnë regjistrimet e kryera nga kjo kamera, duke siguruar edhe disa të dhëna që do të ballafaqohen me deklarimet e dhëna nga dëshmitarët e ndodhur në vendin e ngjarjes. Sipas pamjeve filmike, rezulton se kamera ka filmuar automjetin e autorëve, i cili është në ngjyrë të zezë, por pa mundur të përcaktojë llojin e saj. Cilësia e dobët e kameras dhe mungesa e ndriçimit të zonës janë dy elemente që e bëjnë gati të pamundur përcaktimin e saktë të llojit të makinës, apo targës së saj. Këto pak të dhëna të siguruara nga pamjet filmike, tashmë po ballafaqohen me dëshmitë e personave që ndodheshin në vendngjarjes.

Deri tani janë mundur të pyeten të paktën 15 dëshmitarë, një pjesë e të cilëve kanë qenë të pranishëm në rrugën kryesore para pallatit ku u ekzekutua me 6 plumba Arjan Selimi. Burime pranë policisë thanë se Selimi prej rreth një viti ishte nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe duhet të ruhej nga policia për shkak të largimit të mundshëm nga banesa, duke qenë se në Gjykatën e Krimeve të Rënda vazhdonte që prej vitit të shkuar procesi gjyqësor në ngarkim të tij. Për këtë arsye, dyshohet se pranë banesës së tij mund të jetë montuar një kamera vëzhguese, e cila filmonte të gjitha lëvizjet e mundshme të Selimit në fushëpamjen e kameras, por një gjë e tillë nuk konfirmohet zyrtarisht.

Varianti i dytë e lidh ngjarjen me kamerat e sigurisë së një vile private që ndodhej pranë pallatit ku ndodhi ngjarja, e cila mund të ketë filmuar momentin e ngjarje. Por të dhënat e deritanishme tregojnë për elemente të mjegullta rreth automjetit që përdorën atentatorët, pa mundur të sigurohen shenja dalluese mbi identitetin e të dyshuarve si autorë të vrasjes. Përtej këtyre të dhënave, grupi hetimor po mbledh informacione në terren rreth ngjarjes së rëndë, të cilat janë përdorur për të hedhur dhe pistat e para hetimore. Një nga pistat kryesore në të cilën po heton policia është ajo e një konflikti të mundshëm që Selimi mund të ketë pasur për shkak të së shkuarës, si i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike. Konfliktet e reja, përfshi edhe një sherr të mundshëm për motive banale, është një tjetër pistë hetimore e policisë. Kjo, pasi nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se objekti i qitjes së armës tip automatik “Kallashnikov” ka një rreze shumë të madhe, çka sipas ekspertëve do të thotë se vrasësit nuk kanë qenë të saktë në objektiv. Përhapja e plumbave deri në katin e dytë të pallatit ku ndodhi ngjarja, apo plagosja e një kalimtari dhe dëmtimi i një automjeti të parkuar, sipas ekspertëve tregon se autorët e vrasjes nuk kanë qenë profesionistë. Pikërisht skena e krimit lë dyshime për një konflikt me motive banale, që mund të ketë degjeneruar deri në eliminimin fizik të Arjan Selimit.

L. Bakillari

Para vrasjes, autori largoi nga rruga një vajzë 10-vjeçare

Dëshmitarët tregojnë se personi që qëlloi mbi Arjan Selimin fillimisht ka bërtitur, duke larguar nga vendi i krimit një fëmijë që ndodhej aty rastësisht

Tiranë Vrasja e Arjan Selimit dhe plagosja e Keltis Kolës, kalimtari banor i lagjes, mund të ishte kthyer në një tragjedi më të rëndë, pasi në momentin e ngjarjes në sheshin para pallatit kanë qenë të pranishëm shumë banorë të lagjes. Dëshmitarët okularë në vendin e ngjarjes kanë treguar se pak sekonda para krimit të rëndë, mes autorit dhe viktimës është ndodhur në rrethana rastësore dhe një fëmijë i mitur. Vrasësi i Selimit ka folur pak çaste para se të qëllonte në drejtim të objektivit, me qëllim shmangien e vajzës së mitura nga plumbat. Të dhënat tregojnë se autori i vrasjes ka bërtitur, madje ka tentuar të largojë vajzën, e cila ndodhej fare pranë viktimës që sapo ishte çuar nga lokali për të parë më mirë lëvizjet e një personi të dyshimtë. Vajza që ka shpëtuar për mrekulli në këtë ngjarje është e moshës 10-vjeçare dhe mësohet se është banore e pallatit ku banonte përkohësisht edhe Arjan Selimi.

Dëshmitarët gjithashtu kanë treguar se autori i vrasjes ka larguar vajzën dhe më pas ka qëlluar plot 20 herë në drejtim të objektivit, i cili ishte personazhi i njohur në dosjet e drejtësisë, Armand Andoni, i njohur ndryshe si Arjan Selimi. 20 plumbat e shkrehur nga arma automatike “Kallashnikov” i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme Selimit, si dhe kanë plagosur një 20-vjeçar që ndodhej rreth 13 metra larg viktimës. Po ashtu, si pasojë e plumbave është dëmtuar vetrata dhe xhamat e pallatit në pjesën e sheshpushimit të kompleksit ku banonte Selimi.

Burime të rezervuara pohojnë se Selimi bashkë me bashkëshorten e tij, prezantuesen dhe regjisoren Inis Gjoni jetonin në këtë zonë prej rreth një viti. Por qëndrimi i tyre në këtë lagje ishte i përkohshëm, pasi çifti kishte blerë një tjetër banesë në kryeqytet, të cilën e kishte mobiluar pak ditë më parë. Familjarë dhe të afërm të Selimit, të pyetur nga policia për ngjarjen, kanë deklaruar se Arjani nuk ka shfaqur probleme dhe në dijeninë e tyre nuk kishte asnjë problem. Sipas tyre, ai nuk kishte shfaqur asnjë shqetësim dhe qëndronte i pa shoqëruar në kafen e pallatit ku banonte çifti Selimi-Gjoni.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama