Përditë ndeshim fëmijë, që shfrytëzohen dhe nxirren për të lypur rrugëve të Tiranës, ndërsa ditën e hënë, emisioni “Fiks Fare” ka denoncuar këtë fakt dhe është interesuar edhe në Agjencinë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, se çfarë është bërë deri më tani për këtë fenomen...
Agjencia shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve ka marrë një nismë për identifikimin e këtyre fëmijëve që lypin nëpër rrugë, si dhe të personave që i shfrytëzojnë ata. Por, investigimi i “Fiks Fare” ka shkuar edhe më tej, duke nxjerrë në pah shkaqet, se përse këta fëmijë dalin në rrugë. Sipas tyre, ata dalin me vullnet të plotë, e të pashfrytëzuar nga ndokush, duke u përpjekur për të siguruar bukën e gojës.
Përmes pamjeve të xhiruara nëpër rrugë, është pasqyruar fakti që këta fëmijë shfrytëzohen, teksa kanë deklaruar për kamerat, pa ditur se po xhirohen, se janë pikërisht gazetarët që u prishin punën dhe rutinën e përditshme.
Ndërkohë, teksa një gazetar i Fiksit i afrohet njërës prej nënave, që dalin për të lypur e që realisht shfrytëzojnë edhe fëmijët e tyre, duke i kërkuar informacione se kush mund t’ia ketë marrë një send të humbur nga një makinë, e cila kishte xhamin e hapur, personi në fjalë ka identifikuar me emra fëmijët e saj dhe tregoi edhe se në cilën anë të rrugës lypnin ata. Madje shtoi se nuk kishte frikë nëse e akuzonte gazetari për vjedhjen, por i druhej faktit se policia mund të kapte fëmijët e saj, për të hetuar apo akuzuar se mos ishin ata vjedhësit.
Në një tjetër rast, një vëlla i madh u pyet dhe iu kërkua informacion, se përse e kishte nxjerrë vëllanë e vogël në rrugë pa sandale apo këpucë, ndërsa ai deklaroi se pikërisht për të blerë një palë të tilla i vogli ka dalë të sigurojë paratë. Por, kurrsesi nuk pranoi se ekziston edhe mundësia që vet ai, i madhi, të punonte, qoftë edhe duke kërkuar nëpër kazanë.
E dhimbshme, por sinqeriteti i fëmijës nxjerr në pah të gjitha manipulimet e prindërve të tyre apo më të rriturve, që pretendojnë se nuk i shfrytëzojnë fëmijët apo vëllezërit, por ata dalin vullnetarisht për bukën e gojës.
Sa i përket këtij fenomeni, drejtoresha e Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut ka pranuar se situata është emergjente, madje alarmante, dhe se numrat e lypësve janë ndër më të lartët në 24 vitet e fundit. “Kemi futur në lojë shumë institucione, përfshi Ministrinë e Punëve Sociale, Policinë e Shtetit, e shumë të tjerë për të luftuar këtë fenomen. Po mundohemi që t’u ofrojnë alternativa sociale këtyre fëmijëve, po analizojmë këtë problematikë me imtësi, por është e vërtet që nëse shohim shfrytëzimin e tyre prej prindërve të vet në mënyrë të zgjatur do të duhet të ndërhyjë policia.
Investigimi i “Fiks Fare” do të vijojë edhe në ditët në vijim, për të sjellë të tjera pamje…