Lufta e shenjte dhe e shenjta aleance promovohet ne Tirane vepra e autorit italian Manlio Graziano

TIRANË, 21 Tetor /ATSH - Klajdi Musabelliu/ - "Lufta e shenjtë dhe e shenjta aleancë", vepra e autorit italian Manlio Graziano, është prezantuar të mërkurën në ambientet e Sheraton Tirana, nën siglën e shtëpisë botuese "Saras". Në një takim me lexuesin, historiani Manlio Graziano zhvilloi një bisedë mbi fetë dhe trazirat ndërkombëtare në shekullin e XXI, nisur pikërisht nga botimi i librit "Lufta e shenjtë dhe e shenjta aleancë".

I ftuar të flasë për veprën e tij, në formën e një introduksioni autori Graziano u shpreh se "nëse sot doni të kuptoni se ç'po ndodh në Lindjen e Mesme, atëherë fillimisht duhet të studioni një herë gjeopolitikën, e cila do t'ju orientojë si një instrument".

"Fetë si një instrument politik" vijoi Graziano, "janë ato me të cilat unë merrem, edhe pse jo të gjitha fetë ndodhen në të njëjtin nivel".

Duke e përqendruar dhe fokusuar besimin tek kisha katolike, që sipas Grazianos, është e vetmja fe apo besim i organizuar, institucionalizuar dhe shtrirë në rang botëror, autori e ftoi lexuesin dhe miqtë shqiptar të librave ta "konsumojnë" librin e tij, i cili është cilësuar si një libër provokues, që të fton në një debat publik dhe veçanërisht mbi parabolën katolike, duke e parë dominancën katolike si shqetësuese.

I ftuar në këtë prezantim, shkrimtari Besnik Mustafaj nuk nguroi të lëvdonte autorin italian për veprën e mbushur plot me histori. "Kjo vepër është e mbushur me plot informacion fantastik, dhe gjithashtu është një nga librat më të rëndësishëm të ardhur në Shqipëri" u shpreh Mustafaj.

"E them me plot gojë se argumentat e këtij libri më kanë turbulluar dhe gjithashtu eseja e profesor Gracianos të lë gojëhapur", theksoi shkrimtari Besnik Mustafaj gjatë fjalës së tij.

"Lufta e shenjtë, e shenjta aleancë", një ndër librat që ka ngritur një debat të madh mbi të ardhmen e qytetërimeve, i shkruar nga analisti dhe historiani i njohur italian, Manlio Graziano, me përkthimin e shkëlqyer të Ardian Beshajt, sjell ndërthurjen e historisë me teologjinë, fetë e para në konceptin gjeopolitik, dhe sqaron edhe se si ato arritën në një dominancë në jetën publike.

Vepra "Lufta e shenjtë dhe e shenjta aleancë" cilësohet gjithashtu si një libër që mund të lexohet lehtë, por që mbart përgjigje për shumë mëdyshje me të cilat përballemi sa herë dalin në pah konfliktet fetare.

/k.m//m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama