Lubonja Shqiperise nuk i vjen rreziku nga Islami madje ketu duhet te rritet ndikimi i feve

Lubonja: Shqiperise nuk i vjen rreziku nga Islami, madje ketu duhet te rritet ndikimi i feve

Fatos Lubonja thotë se sulmet terroriste në Europë nuk duhen parë si të lidhura me Islamin. Sipas tij, ato kanë lidhje me varfërinë dhe problemet sociale.

Lubonja thotë se myslimanët kanë bashkëjetuar me njerëz të feve të tjera përgjatë shekujve dhe je psi shembull Perandorinë Osmane.

“Po të shikojmë historinë, ajo na tregon gjithashtu se vërtet ka pasur plot luftëra fetare, por popujt me fe te ndryshme kanë mësuar edhe të bashkëjetojnë e të respektojnë besimet e njëri-tjetrit. Këtë e tregon edhe historia e Perandorisë Osmane ku kemi bërë pjesë edhe ne ku popujt me fe të ndryshme kanë bashkëjetuar me myslimanët, se po të kishte qenë ndryshe në afro 500 vjet dominim të osmanëve myslimanë në Ballkan nuk do të kishte pasur më asnjë ortodoks apo katolik dhe nuk do të kishte mbetur kishë e sinagogë më këmbë në Ballkan.

Madje ka qenë një kohë kur hebrejtë vinin në Perandorinë Osmane sepse persekutoheshin nga të krishterët. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me të krishterët që kanë jetuar në tokat arabe ku sot po u bëhet jeta gjithnjë e më e vështirë nga ekstremistët islamikë. Kjo bashkëjetesë, që s’mund të fetishizohet sigurisht, sepse ka pasur edhe diskriminime, ka ndodhur sa në sajë të ekuilibrit të forcave të ndryshme aq edhe në sajë të fesë si mënyrë jetese që u ka mësuar njerëzve se duhet të duan njeriun dhe jetën dhe jo t’i vrasin ato.

Unë mendoj se kjo frymë e bashkëjetesës me tjetrin në paqe është mbizotëruese në botën Islame edhe sot, kurse aktet terroriste që shohim nuk e kanë inspirimin nga Islami, por nga problemet sociale ekonomike të injorancës, të nacionalizmave, të korrupsionit e abuzimit të elitave sunduese në vende të botës Islame apo në frustrimet social ekonomike të emigrantëve me fe islame në Evropë, që pastaj instrumentalizojnë islamin duke përdorur atë që e quajta principi i tij identitar”, thotë Lubonja në një intervistë për Lapsi.al.

Ai shprehet se Shqipërisë për momentin nuk i vjen asnjë rrezik nga feta, pasi sipas tij, ato s’kanë asnjë ndikim.

Sipas Lubonjës, ndikimi i tyre duhet të rritet, pasi do ta bënte shoqërinë shqiptare më të mirë.

“Historia jonë përkon me këtë periudhë. Që me fillimin e shteti shqiptar nacionalizmi dhe pastaj nacional komunizmi e kanë shtypur fenë dhe kanë ushtruar persekutim mbi klerin dhe besimtarët. Edhe me rilindjen e feve pas viteve ’90 roli i tyre në jetën politiko social kulturore të vendit ka mbetur ende shumë i dobët për të folur për rreziqe të ndërhyrjes së feve në punët e shtetit. Sot për sot rreziqet na vijnë nga ky shtet sekular dhe jo nga ndërhyrjet e fesë dhe klerikëve në punët e shtetit. Përkundrazi ne kemi nevojë që fetë si mënyrë jetese të kenë më shumë ndikim në edukimin e qytetarëve për të përhapur ato mësime themelore morale të dashurisë, të faljes e paqes, parime morale të tilla si “mos vidh”,“mos vrit” që janë krimet më të rëndomta në shoqërinë tonë të sotme.

Mirëpo shumë nga kombëtaristët tanë, duke e parë edhe ata fenë si princip identitar dhe jo si mënyrë jetese, sikur e harrojnë qoftë historinë tonë qoftë realitetin që po jetojmë dhe kërkojnë ushtrimin e pushtetit superior të kombëtarizmit mbi fetë nga frika e instrumentalizimit të tyre. Unë, përkundrazi, gjykoj se instrumentalizimi i tyre mund të vijë nëse vazhdojmë të neglizhojmë luftën për njeriun e lirë nga varfëria, injoranca, dhuna dhe padrejtësia”, thotë ai.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama