Lordi meksikan i drogës Joaquin “El Chapo” Guzman ka shumë armiq: qeverinë meksikane, Administratën Anti-drogë e Donald Trump.
Por tani trafikanti më i madh i drogës në botë do t’i shtojë listës së armiqve edhe organizatën më të frikshme terroriste, ISIS.
Zemërimi i “El Chapo-s” kundrejt grupit xhihadist nuk ka të bëjë me solidarizim ndaj viktimave të Parisit apo në Kaliforni, por sepse ISIS ka shkatërruar disa nga dërgesat e tij të drogës që transportohen në Lindje të Mesme.
Në një email me fjalë të ashpra të dërguar ISIS-it, që u zbulua nga uebsajti i kartelit të drogës, Guzman i dërgoi një paralajmërim të fortë liderit të Shtetit Islamik, Abu Bakr Al Baghdadi pasi ky i fundit po përzihej me biznesin e kartelit të tij.
“Ju nuk jeni ushtarë,” supozohet të ketë shkruar Guzman. “Zoti juaj nuk do t’ju shpëtojë dot nga terrori i vërtetë që njerëzit e mi do t’ju shkaktojnë nëse vazhdoni të fusni hundët në operimet e mia”.
Guzman shton: “Njerëzit e mi do t’ju shkatërrojnë. Bota nuk është e juaja. Do t’ja pres zemrën dhe gjuhën atij bir bushtre që ndërhyn në punët e mia”.
Karteli Sinaloa konsiderohet organizata më e madhe e trafikimit të drogës, me operimet e saj që shtrihen në të 6 kontinentet. Edhe në Lindje të Mesme, karteli është bërë një shpërndarës kryesor i drogës.
Megjithatë luftëtarët e Shtetit Islamik, nuk përdorin drogë dhe kanë shkatërruar vazhdimisht çdo ngarkesë të kartelit që u ka rënë në dorë.
Në letrën e tij, Guzman gjithashtu shkruan se nëse arrin të shkatërrojë grupin terrorist atëherë atij duhet t’i jepet imunitet.
Guzman u arratis më herët gjatë këtij viti nga një burg i sigruisë maksimale në Meksikë.